Kush e plagosi gazetarinë në Shqipëri

Bedri Islami January 8, 2015 15:12

Kush e plagosi gazetarinë në Shqipëri

Është mëse tragjik lajmi që një celulë terroriste, me shumë gjasë nxitur nga urrejtja e verbër fetare, qëlloi mbi redaksinë e gazetës satirike “Charlie Hebdo” dhe u vranë 12 njerëz, mes të cilëve, më së shumti gazetarë, njerëz të medias së lirë, të cilët, jo rastësisht, jetën e tyre e kishin lidhur me fjalën e lirë, mendimin e guximshëm dhe të perspektivës. Jam i bindur se stafi i kësaj gazete satirike, përmes së cilës janë përcjellë prej kohësh mesazhe të fuqishme, e ka parandjerë se regresi do të mund të synonte shkatërrimin e fjalës së lirë, por vështirë të ishte menduar se çmenduria dhe egërsia së bashku, do të kishin arritur deri këtu. Kjo ishte dita tragjike e shtypit, në të cilën dora makabre synoi të përgjunjte.

Media e lirë, tejet e pavarur, me atë ndikim që mund të të japë vetëm pavarësia dhe dritëzimi i mendimit, është gjetur shpeshherë në syrin e ciklonit të egërsisë dhe e ka paguar atë. Jo rastësisht kronikani më i njohur i botës, bardi i madh, Homeri, ka ardhur në vizionin tonë si njeriu i verbër dhe kur kjo ndodhte në lashtësi, kur ende bota e medias ishte e kufizuar në një trevë të veçantë, mund të merret me mend se çfarë e ka pritur atë, sidomos tashmë, kur kufijtë janë shkrirë brenda disa sekondave. Vrasja e gazetarëve është gjithnjë një ngjarje e dhimbshme, jo se ata kanë diçka më shumë se njerëzit e tjerë, por sepse përmes tyre është çelur gjithnjë një dritare më shumë, ka ardhur një ide, që edhe mund ta kesh patur, por që nuk ke mundur ta thuash. Ndaj edhe kjo që ndodhi në mesin e Parisit, është shumë më e dhimbshme për të gjithë ata që e ndjejnë se liria e medias, e fjalës, e idesë dhe e vizionit, është jetike, një përmasë e domosdoshme e jetës.

Për fat të mirë, pas vitit 1990, në Shqipëri nuk kemi gazetarë të ekzekutuar. Dënimet që u dhanë ndaj disa gazetarëve si Frangaj, Leka apo Polovina, në pikun e egërsimit të presidencës Berisha, ishin vetëm një sinjal se çfarë mund të ndodhte, por tashmë nuk ishin vitet e vetmisë së madhe, por të një ere tjetër. Dhe në këtë qasje do të ishte e vështirë për secilin president, aq më tepër për një që vëzhgohej e monitorohej, si rrjedhë e qenies së tij dekadash si komunist, të ngrinte ende leqet e dënimeve apo të linçimit.

Njerëzit e kujdesshëm, sidomos brezi i vitit 1990 e pak më tej, do të mund të kujtonin brymën që shkrihej dhe akullin që binte nga zbulimi i një gazetarie të veçantë, të dyanshme, ku më shumë se gjithçka tjetër përplaseshin idetë, kur ende ishte liria në agun e saj dhe për të cilën të gjithë mendonin se po kontribuonin. Çdo gjë shkoi tejet shpejt, dhe media e lirë filloi të bëhej një ëndërr, për të qenë më pas një armë-shpatë në duart e shefave të partive, për të shkuar më tej, duke u kthyer në një armë gjithfarësh në duart e ish presidentit dhe ish shefit të qeverisë.

Në Shqipëri, për fat, nuk kanë hyrë banditë që vrasin gazetarë të guximshëm, por kanë hyrë banditë që kanë djegur redaksi gazetash, si ndodhi me banditët e Gazidedes, të urdhëruar nga shefi i madh, që dogjën, bastisën dhe grabitën redaksinë e “Koha jonë”, asokohe e vetmja gjë e prekshme, e beesueshme dhe opozitare. Në Shqipëri ende fanatizmi politik nuk ka vrarë gazetarë, por ka mbyllur redaksi gazetash opozitare, dhe këtë e ka bërë duke shkatërruar gjithçka që mund të prishej, si ndodhi me gazetën “Tema”, së cilës ia mbyllën portat, ia shkatërruan shtypshkronjën, e përdhosën, e vendosën në shënjestër shefin e saj, ja dogjën makinën në pikun e ditës, ia kërcënuan fëmijët, ia shkatërruan pasurinë të afërmve. Ne vërtet nuk kemi ende banditë të fjalës së lirë, por kemi pasur një shef qeverie, i cili, pasi kishte vrarë katër njerëz në mesin e Tiranës, shpalli si puçistë katër gazetarë dhe i bashkoi emrat e tyre me krerë të shtetit dhe të institucioneve të pavarura. Në të vërtetë ne nuk kemi ngjarje të jashtëzakonshme, dhe është fat i madh që nuk kemi, dhe kjo, mes të tjerave, ka edhe një arsye: Media, në shumë raste, është bërë memece, ajo është qëlluar rëndë; nuk është vrarë, por është plagosur; nuk ka të rënë, por ka të përgjunjur, të cilët më pas, me fjalën e pamjen e tyre “vrasin” të tjerë.

Le të sjell dy shembuj: Menjëherë pas 21 janarit të kobshëm, shefi i dikurshëm i qeverisë deklaroi pa pikë droje për çadra pistoletë dhe stilolapsa pistoletë, deklaroi se në afërsi të “Taivanit” kishin qenë makina të mbushura me armë për t’ua shpërndarë militantëve për grushtin e shtetit. Media e pranishme në këtë konferencë, për fat të keq, nuk bëri të veten pyetje që duhej të bënte: Na jepni faktet, dhe pastaj të bënte hulumtimin e saj. Por, për fat të keq, të gjitha së bashku dhe secila veç e veç, e dhanë lajmin ashtu si ishte thënë nga shefi i qeverisë, dhe më shumë u tërhoqi krraba nga fati i katër kolegëve se sa nga një lajm i lançuar paturpërisht. Kjo sepse ata e dinin përgjithësisht furinë helmuese që do të ngrihej kundër tyre, si kishte ndodhur me gazetarin Bushati, kur provoi të faktonte të vërtetën e Gërdecit. Në median ku punonte, pavarësisht afërsisë, ai u gjend jashtë, dhe kjo “gjendje “jashtë”, mund të kishte ndodhur me secilin gazetar. Dhe tani jemi në një pikë ku secili lexues apo dëgjues e di, edhe pa e hapur gojën, se çfarë do të thotë Artan Hoxha kundër qeverisë, edhe pse ajo e fton si “analist” në “ballot” qeveritare; ndërkohë që drejtues të rëndësishëm të mediave publike nuk janë të pranishëm; lexuesi apo dëgjuesi e di, ende pa hapur gojën, se çfarë do të thotë Stefani apo Zogaj, njëri gjithnjë në kundërshtimin e Berishës; dhe, për fat të keq, e dinë për secilin që është i pranishëm. E dinë edhe për ata që, pasi kanë agjëruar 30 ditë kundër Ramës, çelin ditën e 31-të pro tij.

Është e rëndë, por është fakt, se sa herë që në pushtet ka qenë Berisha ka patur nga njëra anë represion mbi median e lirë dhe, nga ana tjetër, dorë lëshuar për median e shërbyer. Kjo e vrau atë, e bëri memece, sikur në mendimin e tyre të kishin hyrë kamikazë të verbër. Berisha e perceptoi median dhe e percepton ende atë vetëm në dy forma; ose të përulur deri në gjunjë, ose, dhe kjo është më e theksuar, armike të betuar ndaj tij. Për të nuk ka pasur dhe nuk ka rrugë tjetër. Por edhe qeveritarët socialistë, në kohën e tyre, e kanë luajtur rolin e joshjes, kanë krijuar parajsat e tyre mediatike, dhe nëse nuk kanë qenë aq të egër, barbarë dhe shantazhues si Berisha, kjo ka pasur të bëjë me karakterin e tyre, më të butë dhe më të thyeshëm.

Shembulli tjetër: Shefi i sotëm i qeverisë, Rama, në pragzgjedhjet e 23 qershorit premtoi një shërbim shëndetësor falas: askush nuk pyeti për faturën e saj; por media opozitare, që të nesërmen e 23 qershorit ulëriti: Ku është shërbimi shëndetësor falas. Në fakt, sado e bukur të jetë ideja e shërbimit falas, ajo më shumë ngjan me një lëvizje utopike, se sa me një realitet. Dhe shefi i sotëm i qeverisë bën të njëjtin kujdes me median, i ledhaton kur mendon se duhet të ledhatojë, ndjek linjën e afrimit me ata të largëtit, dhe mjegulla e një hijeje të rëndë mediatike të shitur e të blerë njëkohësisht, është e pranishme ende, sikur asgjë nuk ka ndërruar në këtë vend.

Tek ne, shumicën e mediave i vrau politika dhe varfëria. I vrau politika sepse shumë prej pronarëve ishte ndërtues apo investitorë të mëdhenj dhe nuk mund të prisheshin me qeverinë. I vrau varfëria, sepse duke e parë se mund të pasuroheshin duke shitur dinjitetin, nuk qëndruan dot në këmbët e tyre.

Dhe duke shitur dinjitetin, as që bëhen merak për të vërtetën. Sepse askush nuk i ndëshkon për mashtrimin. Gazeta autoritare në këtë botë kanë paguar shuma marramendëse për një devijim të vogël nga e vërteta, ndërsa, po të kishin botuar ose dhënë në lajmet e tyre atë që çdo ditë bërtet një klan i tërë berishian, do të kishin falimentuar prej shumë kohe. Sepse në këtë botë të civilizuar nuk është edhe aq e rëndësishme se cili e thotë, por kush e bën publik një lajm, për të cilin mban edhe përgjegjësi. Kush mban përgjegjësi për gjithë atë llum disavjeçar që është hedhur mbi shefin e sotëm të qeverisë Edi Rama nga disa media të shkruara dhe vizive, si për shembull nga TV Klani apo botimet e Çilit? Si mund të kesh media të pavarur, kur një emision i jashtëzakonshëm investigativ, si FIKS FARE, në vend që të përgëzohet, dënohet nga njëfarë gjyqtari, Agim Bendo, sepse paraqiti të vërtetën lakuriqe të një ministri, që u pushua për katër minuta dhe u rifut në punë për katër ditë? Pushteti ka përdorur kulaçin ndaj medias së bindur dhe kërbaçin ndaj medias së pabindur. Kjo ka vrarë shumë nga qelizat e saj. E ka bërë, në të shumtën e rasteve, të pabesueshme, të largët, edhe kur ajo ka thënë të vërteta të mëdha. Ky ka qenë edhe qëllimi i politikës berishiane, i cili, duhet thënë shkoqur, në tetë vitet e fundit, ishte kërbaçi i pushtetit mbi median. Ai që e ka harruar le të kujtojë gjobat marramendëse mbi Top Channel dhe financimet e mëdha ndaj TV Klanit. Dritan Hoxhën e jashtëzakonshëm, edhe pasi vdiq, nuk e la rehat ish shefi i qeverisë, kur në të njëjtën kohë pasuri përrallash shkisnin drejt mediave të bindura.

Ndoshta nuk na vjen mirë të themi një të vërtetë, por shumë nga mediat në Shqipëri janë të shitura dhe ka të tjera, të cilat, janë gati të shiten dhe u vjen keq që askush nuk po i blen. Ashtu si ka edhe media drejt së cilave është tentuar blerja dhe nuk është arritur, dhe ky është një fakt që të gëzon. “DITA” është njëra prej tyre, e cila, në të gjithë këtë kohë bashkëpunimi me të, as edhe një herë të vetme, edhe në ditë të ankthshme të votimeve, nuk kërkoi të kishte një kornizë ajo që kam menduar se duhet thënë.

Një ngjarje tragjike, si ajo që ndodhi në Paris është kurdoherë e dhimbshme, por, po aq e dhimbshme është edhe humbja e dinjitetit të një mediumi që lindi si forcë e vizion i mendimit të lirë, dhe, për fat të keq, ” u vra” ende pa çelur si duhet. Sidoqoftë nuk është fundi i thellësisë ai ku kemi rënë, shtytur nga politika dhe lakmia. Ende është koha të mos fundosemi. Kjo ka të bëjë edhe me guximin e profesionalitetin, por edhe me dinjitetin për të vërtetën.

Bedri Islami January 8, 2015 15:12
Komento

16 Komente

  1. plaku January 8, 15:50

    Me pelqeu shkrimi.
    Gota gjysem bosh : ” Tek ne, shumicën e mediave i vrau politika dhe varfëria. I vrau politika sepse shumë prej pronarëve ishte ndërtues apo investitorë të mëdhenj dhe nuk mund të prisheshin me qeverinë. I vrau varfëria, sepse duke e parë se mund të pasuroheshin duke shitur dinjitetin, nuk qëndruan dot në këmbët e tyre.”

    Gota gjysem plot : ” Sidoqoftë nuk është fundi i thellësisë ai ku kemi rënë, shtytur nga politika dhe lakmia. Ende është koha të mos fundosemi.”

    Reply to this comment
  2. Kris January 8, 16:07

    Ka nje emer , e keqja shqiptare ,e medias, e varferise,e vjedhjes e krimit! Sali Berisha! Pa u larguar Berisha, nga jeta politike, shqiptaret do t’i hane koken njeri tjetrit!

    Reply to this comment
  3. plaku January 8, 16:32

    Kris,
    Me lejo te lutem qe te mos jem plotesisht dakord me ty. Bota thote se cdo popull meriton qeverine qe ka. Kuptohet se Berisha eshte nje njeri pa strategjit dhe Vision por nje mjeshter intrigash. Pyetja qe bej une edhe per veten time : Pse e zgjodhem dhe pse e mbajtem kaq gjate. Mos valle faji kryesor esthe yni ?.

    Pershendetje

    Reply to this comment
  4. orli January 8, 18:57

    Bedri Islami!te lumte pena(e cila shkruan nga mendja)sepse je fantastik!

    Reply to this comment
  5. ARBERIA January 8, 19:04

    Dua te pershendes fort e fort te madhin analistin qe ska asnje te krahasuar e shume te drejte z.Bedri Islami…per cfare shkjruan pervec bukuruse e saktesise dine edhe ti shtjelloj shkoqur per mendjet e ndryshme te lexuesve….e vlersoje e pergezoj e shume e respektoje…Per cdo gje qe analizon eshte e drejte e sakte e sidomos bemat e Berishes….Pyes vetvehten pse nbdodh keshtu?Pse lejohet nga ligji te shpif e te kercenoj shantashoje qeveritaret dhe popullin opozitar nje berishe i semure mendore e tej skashem ne boten e krimit,perdor gazetaret me vepra kriminale e vrases….oh sa ka…me parat e min mbrojtjes financoj televizorin Klan.Aleksandrin qe shtrihet pertoke duke thurur lavdi berishes…edhe pse ka denancim per kete tender korruptiv z.K/Prokuror A.Llalla ka fjetur mbi dosjen e ketyre denancimeve,por do vije dita edhe ky se bashku me berishen do merren te pandehur,sepse populli pret kur po denon berishen…Po vjen 21 janari e 4 deshmoret,protestues qe vrau berisha ne bulevarte a nuk jane si keto terroristat ne Paris..Pra edhe berisha eshte vrases e presim te denohet se bashku me Lulzimin e hajnise e vrasjeve…mallkim per keto dy=njesoj si vrasesit ne Paris sot…..idem se luan topi i drejtesise..
    Kush duhet ta ndaloje,ta arrestoje per shkeljet ligjore,ofendimet e akuzat e paverteta….jo vetem apo qe i ka bere kryeministrit te sote(qe z.Bedri i shkruan bukur)por kercenimet shume rendomte ne parlament si: Berisha=….”Pushoni se nuk me njihni mua …qe jua beje fetyren si kepuce”……o zot si nuk arrestohet ky njeri nga drejtesia qe te lejne te qete zemrat e mendjen e shqiptareve…ky pervec se eshte shume injorante e nuk gdhenet se eshte koke malesori sado qe ka kohe qe jeton ne Tirane…ai nuk kthehet njeri me kulture e sjellje qytetarie….eshte fatkeqsi kombetare qe ai sot ndodhet i gjalle duhet denuar…
    Z.Bedri familjarisht ju admiroje ,ju uroje shendet e vazhdo o trim na ngroh zemrat me doren tende te arte…faleminderit

    Reply to this comment
    • plaku January 8, 19:50

      ARBERIA,
      Persa i perket ofendimeve e Berishes ne Parlament desha te te kujtoj se sipas Kushtetutes ne lidhje me detyrat dhe te drejtat e deputeteve eshte :

      Neni 73
      (ndryshuar me ligjin nr. 88/2012)

      dhe votat e dhëna prej tij në ushtrim të funksionit. Kjo dispozitë nuk zbatohet në rastin e shpifjes.
      2. Deputeti nuk mund të arrestohet ose t’i hiqet liria në çfarëdo lloj forme apo ndaj tij të ushtrohet kontroll personal ose i banesës, pa autorizimin e Kuvendit.
      3. Deputeti mund të ndalohet ose të arrestohet pa autorizim kur kapet në kryerje e sipër ose menjëherë pas kryerjes së një krimi. Në këto raste, Prokurori i Përgjithshëm njofton menjëherë Kuvendin, i cili, kur konstaton se nuk ka vend për procedim, vendos për heqjen e masës.
      4. Për çështjet e parashikuara në paragrafët 2 dhe 3 të këtij neni, Kuvendi mund të diskutojë në seancë me dyer të mbyllura, për arsye të mbrojtjes së të dhënave.

      Pra ne piken 1 thuhet : ” 1. Deputeti nuk mban përgjegjësi për mendimet e shprehura në Kuvend……..”

      Pra sic e shef Sala nuk eshe budalla dhe eshte ne rregull me kushtetuten.

      Pershendetje

      Reply to this comment
  6. plaku January 8, 19:52

    Me fali ju lutem : Ne piken 1 me siper duhet : 1. Deputeti nuk mban përgjegjësi për mendimet e shprehura në Kuvend dhe votat e dhëna prej tij në ushtrim të funksionit. Kjo dispozitë nuk zbatohet në rastin e shpifjes.

    Reply to this comment
  7. Artur January 8, 19:54

    botoni edhe komentet qe flasin kunder Dita, pse vetem servilet e pushtetit?

    Reply to this comment
  8. xhateli January 8, 20:00

    O Plaku,
    kur thua i vrau politika, kjo mbetet ne hava. Jane njerwz konkretw, ata qw vrasin, pasi vishen me pushtet i bwjnw gjwmwn popullit, pronave, djegin vendin, vrasin, por edhe blejne me para shtypin dhe kwta kanw emra te pervecwm, jo abstraktw, si “politika” etj, ata quhen Sali Berisha, Sali UDBashi, Sali Adolf Hitleri, Sali Gedafi, Sali Sadami dhe se fundi Sali ISIS-i.
    Politika, aha, ia “rreh” krahet Berishes, sic ia rrahu shpatullat Saliut Edi Rama ne Gerdec, ne vend qe t’i thoshte shko ne prokurori dhe jep llogari. Ai, thote Lesi, dogji gazeten Koha jone, futi ne burg gazetare, qe, per fat te keq, sot i bejne fresk, se fale tij u pasuruan si sheiket e ketij vendi te varfer, si Frangaj, e te tjere; futi ne burg “bomberin” Ylli Polovina, te cilit i vuri gishtin 15 minuta pas ngjarjes, Sali monstra ka lene invalide per tere jeten gazetare qw u rrahen mizorisht nga falangat e tij e te Gazidedes.
    Ai duhet te jape llogari se ka vrare jo thjesht shtypin, por gazetare, e harruat gazetarin qe me urdher te tij u plagos (per fat) nga gardisti mw 21 janar?
    Pra Vrasesi (edhe i shtypit) e ka emrin jo “politika”, por Sali Berisha dhe zagaret e tij te Shikut dhe llapaqenet anal-istw tw paguar prej tij..
    Keta jane atentatore te fjales se lire .edhe me te rrezikshem se xhihadistet e ISIS-it

    Reply to this comment
    • plaku January 8, 20:23

      xhateli,
      Me lejo te lutem te bej nje sqarim. Shprehjen “i vrau Politika” une e mora nga shkrimi i Islamit.
      Ne shkrimin tim une vura “gota gjysem bosh” duke nenkuptuar “pesimizmin” ne shkrimin e Islamit duke e shoqeruar kete me pjese te shkrimit te Islamit, he “gota gjysem plot” duke nenkuptuar “optimiizmin” ne shkrimin e Islamit edhe kjo e shoqeruar me nje pjese nga shkrimi i Islamit.

      Ne fakt une jam 100% dakord me shkrimin tend dhe nuk i heq asnje presje.

      Pershendetje

      Reply to this comment
  9. Artur January 8, 21:42

    vetem nje koment nga Enveri mungon ne ketu.

    Reply to this comment
  10. Fatos Luta January 8, 21:53

    NDODHIA NË PARIS, SHKAQET DHE MËSIMET
    ————————————————————–

    Lajmi i trishtuar, ndodhur në zemrën e demokracisë Botërore, në Parisin e Bashkëjetesës dhe Lirisë, na shtyn të mendojmë e koordinojmë veprimet ndaj dhunës regresiste, secili nga pozicioni progresist shoqëror që kemi si individ apo nga aksesi ynë shoqëror. Ky regres i përbotshëm, mbështjellë me mburojën e besimit islamik, veç riorganizohet e shtrihet edhe në vende të tilla si Franca, kampione e të drejtave të njeriut. Riorganizimi ka përfshirë pothuajse të gjitha kontinentet e globit, ku më shumë e ku më pak. Ky riorganizim ka veç të tjerash edhe disa shkaqe objektive e subjektive në Qytetërimin e sotëm në Botë. Shakqet janë shumë dimisionale, politike e jo, por e vërteta është se pasojat e tyre kanë mbërthyer qytetërimin e sotëm. Janë pasoja të dhimbëshme, sidomos diskriminimet politike, fetare, ekonomike, gjinore etj., të cilat, forcat regresiste i shfrytëzojnë në favorin e tyre. Krizat zinxhir të ekonomive që tërheqin si lokomotiva trenin e zhvillimit global, kanë prodhuar papunësi, varferi, krim e dhunë. Regresi veç riorganizohet nga këta faktorë. Veç riorganizohet edhe falë përplasjeve të mëdha që kanë ndodhur në arenën politike ndërkombëtare, si ato mes Rusisë dhe Perëndimit. Veç riorganizohet edhe nga dobësia e një lufte parimore të progresizmit Botëror ndaj shtypjes dhe neoskllaverisë së njeriut të sotëm, sidomos të femrës, siç ndodh ende në shekullin e 21 në popullsitë e besimit islamik në përgjithësi dhe Botës arabe në veçanti. Femra, e cila përbën një popullsi miliardëshe në Botën Mylmane, ende diskriminohet në emër të librave të shenjta. Lufta dhe qëllimi i progresistëve nuk duhet të jetë e shkëputur nga lufta parimore e çlirimit të gruas myslimane nga ata zinxhirë që i janë vënë në një kohë e kontekst të caktuar historik, në libra të shenjtë apo jo, luftë e cila duhet të ballafaqojë me fakte se, edhe në Botën e Krishterë është dashur sakrificë e madhe për të arritur sot mirëkuptimin civilëzues, kulmi i së cilës arriti në kërkimin falje të Kishës Katolike ndaj persekutimit të G.Galilei. Po ta shpiesh kohën mbrapa bashkë me veprimin parimor të Papa Vojtilës që kerkoi falje pas 359 vitesh, kohë kur ndodhi inkuzicioni, edhe vetë ai, pra Papa, do të martirëzohej nga paragrafët prehistorikë të Biblës. Zhvillimi dialektik i njërzimit ka sjellur ndryshime e sjell ndryshime të vazhdueshme në interpretimet e zhvillimit ekonomiko-shoqëror-shkencor, dhe, ashtu siç shkruante filozofi i famshëm gjerman F.Engels në librin e tij “Dialektika e natyrës”: “Aty ku ka një enigmë, një mister, aty ndodhet një Përëndi, por, me zbulimin e kësaj enigme, e këtij misteri, rrëzohet kjo Perëndi”, këtij ligji të zhvillimit dialektik nuk mund t’i shpëtojnë edhe librat e shenjtë. Tjetër gjë respekti për to dhe besimtarët e tyre, e tjetër gjë e vërteta. Bibla, ashtu si dhe Kurani, apo fjala vjen edhe “Kurani” i shqiptarëve të para shumë shekujsh, siç ishte “Kanuni i Lekë Dukagjinit”, i cili rregullonte ligjet e bashkëjetesës shoqërore të kohës së mesjetës, kanë patur vlerë të jashtëzakonshme për popujt që i rezistuan zhdukjes mes njeri-tjetrit, por edhe asimilimit natyror duke prodhuar solidaritet e ndihmë për më të dobtin. Nuk mundej të këmbëngulej edhe sot e kësaj dite e të thuhej se: “Hëna është perëndeshë”, kur në fakt kjo “perëndeshë” e bukur qe “rrëzuar” teorikisht nga “Dialektika e Natyrës” 150 vite më parë dhe praktikisht, kur mbi Hënën enigmatike zbriti vetë këmba e njeriut të parë më 1969-n, apo se Toka nuk është e rrumbullakët, apo se Toka nuk rrotullohet ndaj vetes dhe Diellit etj. etj.” zotëra” tashmë të rrëzuar, pra, nuk mundej të këmbëngulej në gjithshfarë ishte e shkruar në librat e shenjtë, sepse do binte reputacioni dhe besimi njerzor. Për këtë arësye Galileut i’u dha amnistia nga Kisha Katolike, pra, si shenjë përqafimi në fund të fundit të së resë që zëvendëson të vjetrën e padobishme. Në këtë aspekt Bibla u “prek”, u “revizionua”, edhe pse ruan shenjtërinë e saj të magjishme. Por, nuk pranohet të “preket” Kurani në ato aspekte të reflektimeve që lidhen me marrëdhëniet njerzore të shoqërisë, sepse shenjtëria mbahet peng dhe keqpërdoret nga regresistët fanatikë, aq sa femra, pra, gjysma e popullsisë, jeton ende nën peshën e paragrafëve të Kuranit antik, edhe pse në vetvete Kurani lindi dhe ka qënë jo vetëm shpresë e jetës, por edhe zgjidhja për të mbijetuar në kohëra të caktuara kur doli në dritë si shenjtëri e shpirtit. E njejta gjë ndodh edhe me “Biblën” shqiptare, apo “Kuranin” shqiptar: me “Kanunin e Lekë Dukagjinit”. Në mesjetë Kanuni i Lekë Dukagjinit ishte një dobi njerzore për mbijetesë popullore të shqiptarëve. Shumë popuj të asaj periudhe vuanin kaosin e paligjëshmërisë, anarkisë, biles shumë syresh u asimilian më shpejt nga barbarët pushtues, ndersa Kanuni i Lekë Dukagjinit si një Ligj i shenjtë shpëtoi shqiptarët nga vetë-shfarosja dhe asimilimi kombëtar. Por këto vlera të larta të Kanunit të Lekë Dukagjinit nuk mund të ngatërrohen me ditët e sotme, me adoptimet vend e pavend, me aplikimet në këtë kohë moderne që s’ka asgjë të përbashkët me kohën mesjetare. Siç, në Botën Islame, regresistët dhe fanatikët gjejnë përshtatje nga shkaqe që përmendëm më lart, fanatiket dhe të prapambeturit shqiptarë shfrytëzojnë mosfunksionimit e Drejtësisë për të aplikuar krimin e hakmarrjeve në emër të Kanunit të Mesjetës.
    Qytetërimi i sotëm, përveç besimtarëve të shumë feve, ka në gjirin e vet edhe indiferentët, siç ka edhe ateistët që nuk besojnë në asnjë besim fetar e që ndoshta janë maxhoranca në Botë. Në mes së kësaj kategorie ka patur dhe ka edhe të padururar ndaj besimeve ekstreme që lëndojnë të drejtat e njeriut, sidomos ndaj islamikëve, të cilët në emër të fesë edhe vrasin e masakrojnë njerëz, pa kursyer jetë fëmijësh në atentatet e tyre mizore. Qytetërimi ka gjithashtu edhe kritizierë e satiristë të talentuar, siç ishin gazetarët e revistës prestigjoze satirike Charlie Hebdo, të cilët me artin e fjalës dhe karikaturës së tyre vinin në lojë regresistët e çdo ngjyre. Kur të ashtëqujturit besimtarë myslimanë në emër të Allahut, Profetit Muhamet apo Kuranit, vrisnin edhe gra e fëmijë me atentatet e tyre, këta gazetarë progresistë nuk kursenin të skiconin vetë Profetin dhe Kuranin, përderisa vrasësit fshiheshin nën petkun tyre, nën ombrellën e shenjtërisë, edhe pse në fakt Kurani apo Profeti nuk mësonin kurrë të vritej njeri. Por nuk ishte detyrë e gazetarit të lexonin se çfarë kishin shkruar profetët, detyrë e tyre ishte të demaskonin masakrat mbi njerëzinë. Ishte dhe është feja zyrtare ajo që duhej dhe duhet të demaskojë pseudofetarët e oborrit të tyre. Mosdemaskimi, mosdistancimi ndaj kriminilëve, terroristëve dhe gjithë abuzuesve të të drejtave të njeriut, gjoja në emer të Profetit, Kuranit, dëmton vetë reputacionin e fesë myslimane, e cila herët a vonë do të pakësojë besimin njerzor nga njëra anë, por nga ana tjetër, do të nxisë ekstremin e ateistëve kundër feve në përgjithësi dhe fesë myslimane në veçanti.
    Ndërsa roli ynë progresist është i pazëvendësueshëm, sidomos në emancipimin shoqëror në mjediset e jetës sonë të përditshme, por jo vetë kaq. Ka ardhur koha të zhvillohen bisedime edhe me Botën Islame, e cila duhet të japë shumë shpjegime qytetërimit të sotëm për këto dukuri regresiste, përmes debateve të hapura, përmes shkëmbimeve të ndërsjellta këndvështrimesh e gjykimesh, me qëllim, jo të acarimit të mëtejshëm apo të kundërvënies ndaj këtij besimi që përmbledh rreth saj miliona e miliona njerëz, por që kjo Botë e respektuar duhet të pranojë të falë “Galilejt” e saj, të çlirojë gruan islame nga disa zinxhirë të një kohe e konteksti tjetër historik. Duhet mençuri, guxim, dashamirësi dhe, këto virtyte e kapacitete, Botës islame, sidomos asaj arabe, nuk i mungojnë. Mjafton të kujtojmë se çfarë i kanë dhënë njerzimit ndër shekuj shkencëtarët arabë për të kuptuar forcën dhe urtësinë e tyre. Vetëm kështu nuk do të kenë shkaqe regresistët mizorë të përdorin dhunën në emër të Profetëve për të mbytur lirinë.

    Fatos Luta.

    Reply to this comment
  11. iBaba January 8, 23:43

    Ore budallej, se pari deri tani jane vrare 13 qytetare. Jo gazetare por ne pjesen dermuese artiste krijues karikaturiste e shkrimtare, jo te nje gazete por te nje reviste, ne shqip pamfleti artistiko sarkastik, CharlieHebdo!

    Je suis Charlie

    Reply to this comment
  12. kastriot January 9, 04:50

    Po poshterimin, po talljen qe I u beri Rama ne mbremjen “gala-gallate” nuk e quan vrasje te gazetarise? Po ata palacot qe I bejne qejfin mbretit? Lexo te lutem shkrimin e Fatos Lubonjes. Lexoje se cfar te mesosh?
    Pse nuk shpjegon pse kthehu Fevziu mbas I mori ndertesen e Lifhjes te Shkrimtareve.” Pse po kthen Frangaj dhe po vihet ne krye te gazetarise nga miklimet e Rames; pse ka kthyher Ylli Rakipi mbas lejeve qe mori per ngritjen e nderteses dhe pallatit aty ku kishte gazeten?
    Do te jesh I besueshem o Bedri Islam? Ji I paanshem, sepse keshtu si shkruan duket qe dhe ti ke gelltitur ate lugen e corbes qe thuhet per keto raste.

    Reply to this comment
  13. Alfade January 9, 10:36

    Mjeshtri me i madh, me i pakrahasueshem ne shkalle nderkombetare per te thuruar
    intriga ore e cast ka vetem nje njeri ne Shqiperi qe e ka emrin Sali dhe mbiemrin,Be-
    rishovic Bisturia-Penicilins ! Doni me …..???

    Reply to this comment
  14. BREGDETI January 9, 10:49

    O Bedrio pa Islam. Mos harro Enverin, Ramizin&Nexhmijen, Fatosin&Edin. Valle keta ishin pa ndikim negativ ne jeten e shqipareve? Berisha pa diskutim ka te keqijat e veta por i vetem nuk do te bente gje.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*