Kush e rrënoi Durrësin?

November 29, 2019 12:42

Kush e rrënoi Durrësin?

Nga ARTUR AJAZI

Ajo që ka ngjarë me Durrësin, duke krijuar një situatë të rëndë humanitare, pa asnjë dyshim ishte produkt i forcës së natyrës, me të cilën njerëzit janë përballur dhe do të përballen në çdo rast. Dhimbja dhe solidariteti, ishin virtytete të përshfaqura të shqiptarëve, grekëve, italianëve, turqve, malazezëve, francezëve, maqedonasve, izralitëve, amerikanëve, gjermanëve, arabëve, duke treguar se bota është e madhe, siç janë edhe ndjesitë njerëzore. Edhe pse halli është i madh, edhe pse trishtimi ka mbërthyer zemrat e shqiptarëve, edhe pse ndihmat po vërshojnë lumë drejt të prekurve nga kjo fatkeqësi, askush nuk ka mbetur pa pyetur, kush e rrënoi Durrësin, kush e toleroi dhe u bë palë me ata që e rrënuan me dashje Durrësin ?

Qytetin e turizmit, qytetin e historisë, qytetin e plazhit të shqiptarëve, qytetin e Amfiteatrit 3 mijëvjeçar, qytetin e peshkimit dhe portit më të madh të vendit. Durrsakët nuk janë trembur, shumica e tyre mbeten stoikë në vendimin se “nuk e braktisim qytetin” por shumë ka prej tyre që po dynden drejt qyteteve të tjera të vendit, në veri dhe jug, Kosovë dhe Maqedoni, për të qetësuar vehten dhe fëmijët. Kush e rrënoi Durrësin , qytetin mikpritës të mbi 1.5 milion pushuesve gjatë verës, kush e rrënoi Durrësin, qytetin e ekskursioneve dhe konferencave europiane dhe botërore për arkeologjinë, kush e mbushi Durrësin me pallate shumëkatëshe, kush i toleroi dhe i firmosi lejet e ndërtimit në gjithë këto vite për mekanikun që u bë “pronar firme ndërtimi” apo për injorantin me 4 klasë që u bë milioner nga trafiku dhe kontrabanda, dhe që ndërtoi për 20 e ca vjet pallate për durrsakët ?

Kush i mbushi sheshet e lagjeve dhe ish-Kënetën me 15 katëshe duke u bërë milioner me para emigrantësh, kush i ka shitur lejet e ndërtimit, dhe përfitoi miliona nga pronarët mediokërr të firmave ndërtuese, nga ku sot shohim tragjedinë që ka ndodhur. Askush, dhe e them me bindje, askush nuk ka verifikuar dhe kontrolluar asnjë kat apo pallat të plotë, për të gjetur dhe verifikuar shkeljet dhe cilësinë e punimeve në pallatet e ndërtuara. Gjithçka shitej dhe blihej, shitej leja e ndërtimit, blihej procesi kolaudimit të pallatit, dhe gjithçka bëhej duke shkelur ligjin hapur, pasi mbushnin xhepat me milionat e fakirëve. Në Durrës është bërë krim, krim njerëzor, dhe mjedisor, ndaj duhet ndëshkim.

Ata që në mbi 25 vjet, dhanë në mënyrë të paligjshme dhe shitën lejet e ndërtimit, ata që mbushën xhepat dhe thasët me milionat e qytetarëve, ata që kanë fallcifikuar dosjet në Urbanistikë nga projekti pallatit deri tek kolaudimi tij, ata që guxuan të shesin pallatet e tyre, pa përmbushur asnjë kriter dhe kusht teknik dhe sigurie, sot ka ardhur koha të japin llogari. Ata që kapardisen majë vilave dhe kullave në qytetet e Europës me para të zhvatura, kur tragjedia ka ndodhur tashmë dhe ka marrë jetë të pafajshme duke rrënuar Durrësin, ka ardhur dita ti jepen drejtësisë. Sot më shumë se kurrë, drejtësia e re duhet të flasë, duhet të nxjerrë pa asnjë ditë vonesë përgjegjësit e katrahurës humanitare para ligjit, pasi çdo vonesë është fatale për ndëshkimin e tyre.

Pas çdo premtimi, paralajmërimi, angazhimi dhe gjithçkaje tjetër që lidhet me këtë ngjarje të dhimbshme, ajo që do të qetësonte shqiptarët dhe veçanarisht çdo qytetar që ka patur humbje të mëdha, do të ishte përgjigja e pavonuar nga drejtësia e re e këtij vendi, kush e rrënoi Durrësin ? Kjo tragjedi kërkon një “Nuremberg” që të bëhet shembull për cilindo që guxon të luajë me ligjin dhe jetën e qytetarëve, ndryshe nuk kemi bërë asgjë .

 

l.h/ dita

November 29, 2019 12:42
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*