Kush e vrau Ismail Qemalin? (II)

October 16, 2020 13:25

Kush e vrau Ismail Qemalin? (II)

Pse duhet të shpallet Dëshmor i Atdheut Ismail Qemali?

Prof. Asoc. Dr. Zaho GOLEMI

 (Vijon nga numri i kaluar)

Penat që dokumentuan vrasjen e Ismail Qemalit: “Pa u vra tradhtia s’bashkohet Shqipnia”

Janë të shumta shkrimet dhe hipotezat që pak a shumë zbulojnë edhe misterin që nuk u zbulua kurrë. Historianë e gazetarë si Koli Xoxe, Safet bej Vlorës, Renzo Falaski, Skënder Luarasi, Bardhosh Gaçe, Sherif Delvina, Roland Qafoku, Marin Mema, Alket Aliu, etj., janë përbashkuar në mendim se: “Ismail Qemal Bej Vlora pothuaj ka parashikuar vdekjen jo natyrale, por si një dëshmor i kombit të vet. Miku i tij i afërt, bashkëluftëtar e bashkëudhëtar Luigj Gurakuqi (edhe ky dëshmor) ka folur hapur për vdekjen e Ismail Qemalit, dhe gjashtë vjet më pas edhe vetë ka gjetur vdekjen nga plumbat e një shqiptar. Edhe Bajram Curri është vrarë disa ditë pas Luigj Gurakuqit. Hasan Prishtina mbajti fjalimin në varrimin e Luigj Gurakuqit dhe tetë vjet pas Luigjit është vrarë në Selanik. Preng Bibë Doda ka lënë “trashëgimi” një shprehje përtej enigmës, që ja ka thënë Vidit në vitin 1914: “…Shqipëria do të gjente qetësi kur të vdisnin Ismail Qemali, Esat Toptani dhe ai vetë”. Mos vallë vdekja ishte profeci e kohës? Por në fjalimin e famshëm që Ismail Qemali tha pas ngritjes së flamurit nën një vesë shiu, që “edhe koha lotonte”, në fund të fjalimit kur lindi shteti i ri shqiptar, themeluesi i tij nuk harroi të thoshte: “..I dërgoj një lutje të madhit Zot, që të pranoj që këtej e tutje të jem unë dëshmori i parë i Atdheut ashtu siç pata nderin dhe fatin që të jem i pari ta puth e ta bëj të valvitet i lirë flamuri ynë në atdhenë tonë të lirë!”.

Ta kishte parashikuar vallë themeluesi i shtetit se, pushteti të numëron ditët dhe të shkurton jetën, për atë veprim që nuk kish mundur kush që ta bënte as me pushkë, as me jataganë, as me ushtri, as me armatime e municione e jo më sikurse veproi mençuria diplomatike shqiptare e shekujve Ismail Qemali, që zbriti në tokën Amë pa kobure në brez në kohë pushtimi, por me idealin e madh të Atdheut dhe me bashkëluftëtarë e bashkështetarë të vendosur se “kishte ardhur ora e shqiptarisë”. Fakt është se në janar 1919 Ismail Qemalin e ftuan vetë italianët për ta dërguar në konferencën e Paqes në Paris, e izoluan dhe misteri ngeli në hotel “Brufani” në Peruxhia. Ftesa ishte nga disa personalitete italiane, mes të cilëve edhe nga kryeministri Vittorio Orlando. Por fundi tragjik janë fjalët e fundit kur jepte shpirt Ismail Qemali: “Më hëngrët me të pabesë”. Po pronari i hotelit, po kamarieri që i hodhi helmin në filxhanin e kafesë që ishte kamerieri italian, po e bija e pronarit që mësoi nga i ati i hotelit “Brufani” kur ky i fundit i ka thënë të bijës: “Iki nga kjo botë me pengun që ma helmuan në hotelin tim kryeministrin e Shqipërisë”, po karabineria italiane që ishte vetëm 35 metra larg hotel Brufan çfarë ka shkruar në raportin e ngjarjes, po autoritetet mjekësore?, po arkivat italiane çfarë fshihin të pazbuluar ende?. Autoritetet duhet të zbardhën të vërtetat e mistershme të helmimit të kryeministrit të parë dhe babat të pavarësinë. Versioni për vrasjen për të gjithë studiuesit, historianët e gazetarët që janë marrë me këtë figurë të madhe të kombit janë përbashkuar në mendim se: “Vrasësit shqiptarë kanë blerë kafexhiun e hotel “Brufani”, që përgatiti kafen për Ismail Qemal Bej Vlorën dhe djalin e tij Ethem beu, babë e bir që ishin vendosur në dhomën 212 të hotelit. Edhe sot në Hotel “Brufani” ka shumë dëshmi, objekte apo fotografi që tregojnë qëndrimin e personaliteteve të ndryshme që nga Mbretëresha e Anglisë, aktorë Hollivudi, por nga qëndrimi dhe vdekja e Ismail Qemalit nuk ka ngelur asnjë shenjë. Edhe një fotografi që ai kishte bërë me pronarin e hotelit, ishte hequr 10 vite më parë. Tentativat për të mësuar më tej nuk kanë munguar dhe veçanërisht në 100 vjetorin e vdekjes së Ismail Qemalit, Fate Velaj në një takim të zhvilluar me Andrea Romizi, kryetar i bashkisë në Perugia, kërkoi që të shikohet mundësia e vendosjes së një busti të atit të kombit shqiptar, në vendin që ai ndërroi jetë pranë hotel Brufani. Stefano Chiesa, drejtori aktual i Hotel Brufani, në hollin e të cilit, Ismail Qemali u helmua në një hapësirë të hotelit, do vendosë një pllakë në kujtim të Ismail Qemalit. E bija e pronarit ka treguar se i ati vdiq me një peng në zemër, sipas të cilës, “…ishte helmimi jo vdekja natyrale e Ismail Qemalit”, ka shkruar Profesor Gaçe. Pra “hemoragji cerebrale” ishte një mashtrim i madh, që është mbuluar me mister 101 vjeçar. E vërteta është në sheshin e flamurit në Vlorë dhe në fjalët e arta: “Pa u vra tradhëtija nuk bashkohet Shqiprija”.

 

A e meriton titullin e lartë “Dëshmor i Atdheut” Babai i Pavarsisë shqiptare?

Ekzaminim në laboratorin e FBI të eshtrave të I. Qemalit, siç u veprua me eshtrat e  Napoleon Bonapartit!

Edhe bota akademike gjykon se ka ardhur koha që Ati i pavarsisë të shpallet me titullin e lartë “Dëshmor i Atdheut”. Dëshmor të Atdheut janë shpallur edhe bashkëpuntorët më të ngushtë të Ismail Qemalit si: Hasan Ahmet Prishtina (1873-1933) i vrarë 60 vjeç, -(shpallur dëshmor me Vendim nr.95 dt.14.11.1972, Kukës); Isa Adem Boletini (1864-23.1.1916) vrarë 52 vjeç, (shpallur dëshmorë me Vendim nr.153 dt.18.1.1983, Kukës); Luigj Gurakuqi (1879-2.3.1925) vrarë 46 vjeç, (shpallur dëshmorë me Vendim nr.129 dt.3.11.1969, Shkodër); Bajram Curri (1862-29.3.1925) vrarë 63 vjeç, (shpallur dëshmor me Vendim nr.2 dt.18.1.1983, Kukës); Elez Isufi (1861-26.12.1924) vrarë 63 vjeç, (shpallur dëshmor me Vendim nr.72 dt.23.5.1978, Dibër); Sali Vranishti (20.3.1880-24.1.1926) vdekur nga plagët e luftës së Vlorës  46 vjeç, (shpallur dëshmor me Vendim nr.28 dt.15.5.1970, Vlorë); Dedë Gjon Luli (1840-24.9.1915) vrarë 75 vjeç, (shpallur dëshmor me Vendim nr. 129 datë 3.11.1969, Shkodër); Çerçiz Topulli (1880–15.7.1915) vrarë nga malazezët 35 vjeç, (shpallur dëshmor me Vendim nr.3608 datë 26.11.1962); dhe më tej edhe Andon Zako Çajupi (1866-11.7.1930), që është shuar në shtrat 64 vjeç, por që është gjykuar që të jetë dëshmor i kulturës kombëtare shqiptare me Vendim nr.28 dt.15.5.1970, Gjirokastër). Pra është koha të mendohet, gjykohet dhe të arsyetohet edhe për Ismail Qemalin që rrugën e tij për në Konferencën e Versajës, për të bërë rikonfirmimin ndërkombëtar të Pavarsisë ja preu dora e pabesë e helmit. Mirëpo përse nuk është dëshmor i Atdheut Ismail Qemal Bej Vlora? Sipas Roland Qafokut, në librin “100 vrasjet më të bujshme në historinë e shtetit shqiptar 1912-2017”: “Në Shqipëri ka një historik vrasjesh të personaliteteve sikurse janë, Hasan Riza Pasha vritet nga Esat Toptani nëpërmjet rojes së tij Osman Bali. Ministrin e Financave, Nexhati Libohovën, e vrau Osman Bali me urdhër të Esad Toptanit. Esad Pashë Toptanin e vrau Avni Rustemi. Avni Rustemin e vrau Isuf Keçi, një njeri i Esad Toptanit. Osman Balin e vrau Myslim Peza. Shumica e ekzekutimeve janë bërë për hakmarrje për një vrasje të kryer më parë. Zinxhirin e vrasjeve në shumë hallka e kryeson Esad Toptani, që siç thoshte nipi i tij, Eqrem bej Vlora, “Esat Pasha ecte mbi kufoma” e një ditë edhe vetë u shndërrua në kufomë”. Ndërkohë që për Atin e kombit shprehet se: Ismail Qemalin e helmuan njerëz të paguar të Esad Pashë Toptanit”. Pra jetën në mes nuk ja preu plumbi e shpata, por helmi i dorës tradhëtare shqiptare në Italinë fqinje. Por a mund të zbulohet kjo enigmë? –Sigurisht që po. Vetëm me një shembull të thjeshtë dhe të mundshëm. Para pak vitesh u krye ekzaminimi në laboratorët e FBI-së, në SHBA, të eshtrave të Napoleon Bonapartit (15.8.1769–5.5.1821). Rezultati ishte ekzakt, “vdekja e Bonopartit u shkaktua nga helmimi me arsenic, dhe nuk ka qenë fare e vërtetë konkluzini mashtrues i mjekëve “vdekje nga problemet me stomakun”, siç u shkrua zyrtarisht në dokumentet e kohës. Një ekzaminim i njëllojtë do të nxirrte në dritë të vërtetën. Edhe pse misteri i vdekjes së tij, është “varrosur” me dyshime se është helmuar nga qarqet greke, serbe, turke, italiane e shqiptare enigma është më se e sigurtë, se është një vrasje me helmim dhe Ismail Qemali meriton të shpallet dëshmor.

 

Për Ligjin e ri shqiptar “Për Dëshmorët”, Ismail Qemali duhet të shpallet “Dëshmor”

Ligjet “Për Dëshmorët” në një shekull kanë ndryshuar disa herë në raport me politikat e shtetit. Kështu ligji i parë që përmend fjalën “dëshmor” i takon vitit 1923, por askush nuk u kujtua 4 vjet pas vdekjes së Ismail Qemalit, edhe pse shteti shqiptar në këtë periudhë nuk krijoi asnjë status ligjor për dëshmorët e Atdheut, por vetëm ligjëroi pension për familjen e dëshmorit, si pjesë e ligjit për pensionet e ushtarakëve dhe dorëhekjeve. Pas çlirimit të Atdheut nga nazi-fashizmi, më 28.8.1945, kryesia e Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar, miratoi ligjin Nr. 109 “Mbi shpërblimin e familjeve të dëshmorëve dhe invalidëve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare si dhe t’atdhetarëve ose familjeve të tyne, që i kanë sjellë shërbime të çmueshme Atdheut gjatë Rilindjes Kombëtare”, i miratuar nga Këshilli Antifashist Nacional Çlirimtar”, por edhe ky “ligj” nuk e preku babain e kombit Ismail Qemalin dhe as u vlerësua mënra se si e humbi jetën Ismail Qemali. Në vitin 1969, statusi i dëshmorit përpunohet më tej dhe zgjerohet, duke specifikuar termin”Dëshmor i Atdheut”, dhe duke i dhënë kuptimin e duhur në mbështetje ligjore. Në këtë ligj futen edhe 38 Varrezat e Dëshmorëve të Atdheut, të cilat u ndërtuan në 36 rrethet e vendit, ku u përqendruan varret e të gjithë dëshmorëve, me përjashtim të atyre të Pezës e të Kuçit të Vlorës, që megjithë këto të dyja Shqipëria ka 38 varreza dëshmorësh. Ka qenë përpjekja e parë për hartimin e një ligji integral për dëshmorët e Atdheut, u ndërtuan edhe Varrezat e Dëshmoreve të Atdheut në Tiranë me monumentin “Nënë Shqipëri”, ku është “Meka” shqiptare ku përkulen shqiptarët para dëshmorëve në mënyrë të përvitshme në datën symbol të 5 majit. Pra Dekreti nr. 4558 datë 18.10.1969, “Mbi Dëshmorët e Atdheut” i Presidiumit të Kuvendit Popullor të RPSH, nuk kishte asnjë fjalë për babain e kombit dhe asnjë. Edhe Dekretit Nr.7199 dt.29.01.1988, për shpalljen Dëshmor i Atdheut, i Presidiumit të Kuvendit Popullor si dhe VKM-të nuk e trajtuan fare figurën e helmuar të Ismail Qemalit. As Ligji 7874 i datës 17.11.1994, as Ligji nr.8607 dt.27.04.2000 “Mbi statusin e Dëshmorit të Atdheut”, as VKM Nr.151, datë 25.4.2002 “Për Statusin Dëshmor i Atdheut” nuk e përfillën themeluesin e shtetit të vdekur në rrethana misterioze. Vetëm Ligji 109/2018, datë 20.12.2018, “Për statusin e Dëshmorit të Atdheut”, hap dritën jeshile të plotë dhe të mirëpërcaktuar në kritere për shqiptarët e rënë ose që kanë humbur jetën (edhe të helmuar), në mbrojtje të vlerave kombëtare e patriotike të kombit shqiptar, sikurse ishte rasti i humbjes së jetës të Ismail Qemal Vlorës në Itali. Kështu Ligji 109/2018, datë 20.12.2018, “Për statusin e Dëshmorit të Atdheut”, neni 5 “Kriteret për shpalljen e statusit “Dëshmor i Atdheut”, neni 5 “Kriteret për shpalljen ose njohjen e statusit “Dëshmor i Atdheut” pika “b)” shtetasit shqiptarë e të huaj, të cilët kanë rënë në luftë për mbrojtjen e integritetit territorial, të lirisë e pavarësisë së Shqipërisë, si dhe për arsye të kundërshtimit të pushtimit të trojeve shqiptare nga ushtritë e huaja dhe të qëllimeve shoviniste të tyre, nga data 28 nëntor 1912 deri më 7 prill 1939; si dhe pika “c)” “shtetasit shqiptarë, të cilët kanë humbur jetën në mbrojtje të vlerave kombëtare e patriotike të kombit shqiptar para datës 7 prill 1939”, çka përputhet plotësisht me kërkesat ligjore dhe aktet e tjera administrative në Shqipëri.

Që prej daljes së ligjit të 2018-tës shtetasit shqiptar Ismail Qemal Bej Vlora si i pari që bëri shtetin shqiptar, që luftoi për pavarësinë dhe integritetin territorial në të gjitha kancelaritë europiane për pavarësinë e Shqipërisë, që kundërshtoi gjithë të huajit për të njohur shtetin e ri shqiptar, që u nis për në Versajë (Paris) për rikonfirmimin e pavarsisë, si një prej korifenjve të shqiptarizmës që luftoi fort për vlerat kombëtare e patriotike të kombit shqiptar dhe që i përket periudhës “28.12.1912 deri më 7.4.1939 (aspekti juridik), por u vra jo nga plumbi por nga helmi, (që ka qenë në “modë” për kohën), gjykojmë se është plotësisht në të drejtën e autoriteteve për ta shpallur Atin e Pavarësisë me titullin e lartë “Dëshmor i Atdheut”. Propozuesi për këtë titull madhor për babain e Pavarësisë shqiptare do të ishte nder për çdo shtetar zyrtare të kombit shqiptar. Ndërkohë që në fund të jetës së tij Ismail Qemali bijëve të tij u kishte lënë vetëm një amanet: “Djemtë e mi, nuk bëra pasuri që t’ju lë trashëgimi. Po ju le një atdhe amanet”. Por ky amanet do fillonte me një incident mes djemve të Ismail Qemalit dhe autoriteteve në portin e Vlorës, kur do vendoste në mënyrë urgjente Këshilli bashkiak i Vlorës i cili nuk lejoi që flamuri italian të mbante të mbështjellë arkivolin ku ishte vendosur trupi i Ismail Qemalit, por kërkoi që ai të vishej me flamurin kuq e zi. Ishte flamuri që i kishte dhuruar duka i Monpasiesë në mars 1913, kur ai bëri një vizitë në Vlorë dhe që e mbante djali i madh i patriotit, Ethem Bej Vlora. Italianët e Piacentinit “shuan sherrin” duke u trembur nga ndonjë rebelim shqiptar në lidhje me përdorimin e flamurit shqiptar dhe karroca vijoi ritualin e tërhequr nga gjashtë kuaj dhe shoqërohej nga dy rreshta ushtarësh. Do të ishte në nderin e institucionit të Ministrisë së Mbrojtjes dhe të shtetit, që të ushtrohej plotësisht kompetenca e Komisionit Qendror të Statusit “Dëshmor i Atdheut” pranë Ministrisë së Mbrojtjes

October 16, 2020 13:25
Komento

16 Komente

  1. Gzim Kulufi October 16, 19:39

    Ismail Qemali mbetet nje figure e ndritur e kombit tone, edhe pa u shpallur deshmor! Provat e eshtrave dhe rrenjeve te flokve mund te behen, dhe pas kesaj vendoset gjithshka! Por kjo nuk ka pse behet per nje titull me shume, por per hisr te se vertetes, kur ka prova dhe dyshime te medha! Mirpo provat e sjella me siper te cojne ne perfundimin, qe lereni te qete plakun e Vlores atje ku eshte varrosur!

    Reply to this comment
  2. Martin October 16, 20:44

    Shkrim turli me zarzavate!

    Reply to this comment
  3. Erdogan October 16, 21:02

    Pyetja e dobishme nuk eshte kush e vrau Deputetin turk Ismail Bej Vloren por,a e “dinte” Ismaili qe Epirotet e Kastriotit dhe e ashtuquajturit Arvanitas kishin shume dekada qe luftonin per clirimin e Greqise dhe Epirit nga Turqia dhe pse Ismaili,Frashellinjte “Patriote” te tjere shkuan per te luftuar per Turqine?
    Per fat te keq Ismaili,Frashellinjte etj nuk donin te shembej Perrandoria Osmane se kishin Identitet turk,kishin privilegje,kushin Ndergjegje turke dhe luftonin kunder atyre qe donin te cliroheshin nga Osnanet,kjo eshte e Verteta Historike.
    Te tjerat jane mashtrime.
    Prandaj thonin te jesh “Skiptare” eshte te jesh turk.

    Reply to this comment
    • ,,, October 17, 12:23

      Ti që hedh helm grek ndaj figurave historike shqiptare duhet të jesh Janullatosi, sepse është shprehje që grekët luftojnë me kishë, ndersa turqit me minaretë. Sa për shqiptarët, feja e tyre është shqiptaria, sikurse e ka shkruar Vaso Pasha. Dita duhet të të çensurojë ty, sepse je një provokator i ndyrë, me helm të zi në damarë, që kërkon të helmosh të tjerët. Vemje mjerane!

      Reply to this comment
    • Jeff October 17, 19:44

      Erdogan (gr), na prit se do te shtojme rracen.

      Reply to this comment
  4. NNP October 17, 09:57

    Historianet duhet te zbulojne edhe TE vertete ne lidhje MN e zerat QE thone se I QEMALI SHITI JANINEN TEK GREKET

    Reply to this comment
  5. demo October 17, 16:22

    o pika pika!Ky grekomani eshte Pellasgosi,i famshem si copa idjotit,prandaj ka nderruar Nickun.
    Nuk eshte budalla.Eshte shejtan budalla.
    Intriga e injoirantit eshte e rrezikshme.
    I gjithe helmi shatra patra qe hedh ky mbi Rilindasit,ka nje qellim,qe ky nuk e thote dot troc
    Ajo qe kerkon Pellasgosi nga Frasherllinjte dhe Ismail Qemali eshte:Pse nuk punuan per Greqine,?Perse nuk themeluan Krahinen shqiptare te Greqise.
    Ky e dergon vorio-epirin deri ne Nish te Dardanise.Kostandinin e Madh e quan grek ,sepse sipas idjotit edhe Iliret ishin greke.
    Prandaj shkencetari medh austriak Jakob Falmeraier,pasi studioi ne terren te gjitha viset ku banonin greke,nga Trapezundi ne brigjet e detit te zi e deri ne More te banuar nga shqiptare,,i shkroi nje Memorandum Fuqive te medha qe krijuan shtetin hybrid grek:-Ju sot po i jepni KETYRE Thesaline,por neser ata do te kerkojne Epirin,,do te kerkojne Thraken,,.
    Shkenca historike,gjuhesore,gjenetike, e ka thene fjalen e saj per hybridet qe banojne sot Greqine.
    Me keta nuk ka gjuhe tjeter vec shpates,kane thene Rilindasit e medhenj.

    Reply to this comment
  6. Jeff October 17, 19:48

    Erdogan (gr), na prit se do te shtojme rracen.

    Reply to this comment
  7. mali October 17, 20:13

    Intelektualet shqiptare ne vazhden e luftes se rrymes ballkanike dhe europianete intelektualeve per krijim te pavaresise se shteteve prej turqise shfrytezuan interesat e austro-hungarise qe nuk deshironin daljen e italise ne ballkan dhe shpallen pavaresine e shqiperise,ndonese e cunguar,por realisht eshte nje fitore e madhe per ne sepse u kjo cope trualli u quajt SHQIPERI.Ismail Qemalit ,firma e tij dhe te tjereve u takon vendi me i larte ne historine shqiptare.Jam i mendimit qe te gjithve firmetareve te deklarates se pavaresise tu behen permendore te vecanta sepse na dhane Shqiperine qe kemi sot.Te tjere figura shqiptare prapa ketyre jane pjese e historise sone qe plotesojne historine e Shqiperise.

    Reply to this comment
  8. Maxhet October 18, 04:11

    Ky shkrim I Prof-Doktor Zaho Golemi eshte i duhuri, eshte ne kohe, eshte shkencor dhe me plot informacion, per te cilin autori meriton nderim e respekt. Jo se jeta dhe vepra e Ismail Qemali nuk eshte levruar deri tashti por vleresimi dhe nderim i per te nuk eshte ai qe meriton. Ismail Qemali eshte Xhorxh washingtoni I Shqiperise dhe nje statuje te tij e kane fshehur ne nje rreze ne Tirane kur per mendimin tim duhet te ishte ne sheshin kryesor te kryeqytetit, te Vlores dhe te Prishtines. Vende te tjera mund te mos kene figura te tilla por I krijojne ato, ndersa ne do te rremojme e deri do shpifin per t’ju ngjitur ndonje bisht. Eshte paradoksale se si Ismail Qemali, themelusi i shtetit qe kemi nuk eshte deshmor I atdheut . Edhe sikur vdekja e tij nuk Do te ishte prej helmimit, fakti qe shqetsim I i madh dhe tensionimi per fatet eShqiperise qe I shkaktuan ndonje hemoragji cerebrale dhe I moren jeten, e bejne ate edhe formalisht deshmor dhe martir te Kombit. Lavdi te perjeteshme atij Burri.

    Reply to this comment
  9. demo October 18, 14:01

    Uria,Provinciale per tituj,e kane qorrollepsur autorin e shkrimit,sa tja humbin vlerat shkrimit,qe eshte mjaft i goditur.
    Ismail Qemali eshte vete flamuri kombit,,Eshte Themeluesi,Heroi kombetar,Babai i Kombit,martir,deshmor,shenjtor,,
    Cfare nevoje ke ti,ta shpallesh deshmor?
    Kur plasi antikomunizmi sheshit,Xhafe tarallaku,me bidon benxine i vu flaken autobuzit fyzarmonike,,Dyert u mbyllen,Xhafa nuk po dinte nga te dilte dhe u dogj brenda.Familjaret e Xhafes kane 30 vjet qe kerkojne ta shpallin DESHMOR TE DEMOKRACISE,se ne fakt Pishtar i Demokracise eshte Xhafa.
    Po leri ketoo budalluqe fshatareske!
    Ke bere goxha shkrim,e ke dhjere me deshmorin.
    Deshmor eshte Azem Hajdari.
    Do na e fusesh Ismail Qemalin tek Azem Hajdari,dhe rrugacet e demokracise?

    Reply to this comment
  10. leka i madh October 18, 14:53

    Mos me e harru Is Qemalin ashte per cdo shqiptar detyrim dhe mos me degju asnjenin komentues qe buken e han tek antishqiptaret. Un jam me e shpall sa me pare DESHMOR, edhe pse ai asht i madh boll por DESHMOR eshte njeshi i pari i qeverive shqiptare, qe bani shtein dhe provoi helmin e antishtetit. Keshtu me ba!

    Reply to this comment
  11. Sela October 18, 15:00

    Shpallja deshmor e Ismail Qemalit eshte detyre urgjente e shtetit dhe qeveritareve. Pa diskutim. Me tej strukturat pergjegjese te analizojne gjithcka. E verteta nuk duhet fshehur. te dihet botnisht nga te tere. Ai burre i madh deshmor ka qene qe me 1912-ten se ishte flamurtari i shtetit, deshmor i shtetit, qe ju turren grek, serb, italian, shqiptar, qe e deshten te vdekun. POR AI ESHTE I GJALLE GJITHMONE. ESHTE DESHMOR, ESHTE HERO sido qe te dalin ekzaminimet e helmimit, por vetem ekzaminime me nderhyrje greke, serbe, italiane e antishqiptare te tjere mos pranoni se ju genjejne. Bravo e madhe per ju qe botoni shkrime te tilla. TE SHPALLET DESHMOR -thone mbare shqiptaret neper bote.

    Reply to this comment
  12. Sela October 18, 15:01

    Shpallja deshmor e Ismail Qemalit eshte detyre urgjente e shtetit dhe qeveritareve. Pa diskutim. Me tej strukturat pergjegjese te analizojne gjithcka. E verteta nuk duhet fshehur. te dihet botnisht nga te tere. Ai burre i madh deshmor ka qene qe me 1912, se ishte flamurtari i shtetit, deshmor i shtetit, qe ju turren grek, serb, italian, shqiptar, qe e deshten te vdekun. POR AI ESHTE I GJALLE GJITHMONE. ESHTE DESHMOR, ESHTE HERO sido qe te dalin ekzaminimet e helmimit, por vetem ekzaminime me nderhyrje greke, serbe, italiane e antishqiptare te tjere mos pranoni se ju genjejne. Bravo e madhe per ju qe botoni shkrime te tilla. TE SHPALLET DESHMOR -thone mbare shqiptaret neper bote.

    Reply to this comment
  13. fidel October 18, 15:04

    Fjale me vend Maxhet. I moren jeten, e bejne ate edhe formalisht deshmor dhe martir te Kombit. Lavdi te perjeteshme atij Burri. Ndaj meriton memorial, shesh , hero, deshmor per ne Tirane e per ne Shqipni. Jena shum te vonuem. 108 vjet shtet? Ku jane burrat e kombit qe e duan Shqipnin e bashkume.

    Reply to this comment
  14. ali hoxha October 18, 16:04

    Me sa kuptova, shoku zaho golëmi dëshiron qe Ismail Qemal Vlora te jete helmuar nga Esat Toptani. Problemi eshte se historia nuk eshte pune qejfi mo zaho. Esati ishte ne France dhe Ismaili ne Itali. Esati nuk ruhej pervete ne Francë dhe jo te ishte kaq i afte sa ne shtetin që ate moment e kish kundërshtar, të bënte një veprim te tillë. aq me tepër qe Ismail beu nuk kishte asnjë pushtet, ishte i dalë nga skena dhe ishte ne pleqëri te thellë.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Click here to cancel reply.

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Njoftim

Njoftim

Njoftim