Kush është Bledari, chef-i që “rrnon për me gatue”

July 7, 2016 09:58

Kush është Bledari, chef-i që “rrnon për me gatue”

 

Entela Resuli

Atij i shkëlqejnë sytë kur flet për bukën, për kokën e kecit të pjekur, për burdullakun… Bledar Kola është një nga emrat e njohur të kuzhinës në Tiranë. Me disa vite eksperiencë ai sot drejton “Mullixhiun”.  Por shef Kola nuk qëndron vetëm brenda ambienteve të gatimit. Ai është një vëzhgues i mirë i mënyrës se si ushqehet shoqëroja jonë sot. Duke parë mundësitë që kemi për të bërë përmirësime, shefi këtë fillim korriku vjen me disa ide, që të nxisë njerëzit të… marrin bukën me vete.

Nëse kjo formë e të ushqyerit është harruar, herë për shkak të turpit, për mos u ndjerë keq në ambientet shoqërore, në shkolla, në punë, Bledari thërret bindshëm: merreni bukën në trastë (ose strajce siç dëshiron ta thotë ai). Një gjë është e sigurt, është shumë herë më e shëndetshme se sa të konsumosh ushqim qosheve të kryeqytetit, në ambientet gjithë pluhur dhe jo vetëm.

Prej së hënës që lamë pas, ai së bashku me disa miq të tij, ka ndërmarrë një iniciativë: “Rrno për me gatue”; Buka në trastë.

Shoqëruar nga një grup mjeshtrash por edhe dashamirës të gatimit, si: Sokol Prenga, Mondi Kikino, Oltion Veshi, Bledar Koçibelli dhe blogger-et Dhurata Thanasi, Kristi Janku dhe Orana Sinani, Bledar Kola ideoi një mbrëmje të veçantë në amfiteatrin e Liqenit Artificial.

13620866_582496738605190_4410827396099294472_nNë këtë takim të parë, ku merrnin pjesë prindër dhe fëmijë, u gatua në çast. Sokol Prenga, Mondi Kikino dhe Oltion Veshi gatuan krepa të mbushur me perime për fëmijët, ndërsa Bledar Koçibelli gatoi biskota me miell thekre dhe kanellë, të cilat fëmijët i pëlqyen shumë. U shpërndan akullore, dhe simite të vogla elbi me djathë të bardhë brenda.

Ky organizim do të vazhdojë gjatë gjithë të hënave të muajit korrik nën mbështetjen e Bashkisë së Tiranës, Agjencisë së Parqeve dhe Rekreacionit dhe “Mrizi i Zanave” dhe pritet që nismës t’i bashkohen edhe Chef-a të tjerë gjatë javëve në vazhdim.

“Të marrësh bukë me vete është dinjitet, është vlerë, është dashuri për gatimin. Ne duam që fëmijët kur të shkojnë në shkollë, të konsumojnë ushqimin e shtëpisë” – thotë shef Bledari për Dita-n. “Pse jo edhe të flasin me njëri-tjetrin, për mënyrën se si është gatuar, çfarë përbërësish ka, sa e mirë është, e kështu me radhë. Unë e kuptoj që të hash në fast food është më cool se sa të marrësh paninen e bërë në shtëpi, por kjo e fundit është shumë herë më e mirë, për këdo që e konsumon. Ndaj, prindërit, nuk duhet ta kenë për ofendim t’i japin fëmijëve bukë me vete, madje as të marrin vetë atë në punë”, shprehet Kola.

Çdo të hënë mbrëma në kodrat e Liqenit Artificial, do të keni mundësi të flisni e të mësoni nga shefat e Tiranës, shumëçka mbi gatimin dhe efektet në shëndet të të marrit bukë me vete.

Nga brumi në Lezhë te “Noma” në Danimarkë

Ai me të qeshur e pranon që është malësor me vullnet të fortë. Kjo ndoshta e ka bërë që kur ishte 16 vjeç  të largohet nga vendi për të sprovuar veten në të tjera terrene. “E kisha shumë bezdi kur më pyesnin prindërit: si je, a je mirë?! Më dukej sikur nuk më konsideronin të zotin për vete”- thotë Bledari duke dashur të shpjegoj natyrën e tij rebele.

Kujton si nëpër mjegull se kur ishte 5 vjeç gatuante me të ëmën brumin e bukës, në shtëpinë e tij në Mabe të Lezhës, ku edhe ka lindur në vitin 1984. Ndoshta aty është parë dhe ndjerë afrimiteti i tij me gatimin. Më pas, rastësia, por ndoshta dhe fati e kanalizuan jetën e tij në këtë drejtim: Në atë të kuzhinës.

Kur është larguar për herë të parë nga Shqipëria ka qenë adoleshent. Itali ishte vendi i parë ku shkeli.  Nuhatja nuk i mungonte që në atë moshë dhe aty kuptoj që ai vend nuk ishte për të. Tregon se u largua për në Londër ku e priste  i vëllai. Aty, u punësua për herë të parë në restorant si pjatalarës dhe u shkollua për kuzhinier.

13626629_582497261938471_149481536386130723_nPavarësisht se muajt e parë lante pjatat, kuriozitet e “hante” nga brenda për të mësuar diçka me tepër në restorantin ku punonte. Shumë shpejt duke parë talentin e tij i dhanë mundësin të futej në kuzhinë. Eksperienca dhe shkolla lanë gjurmë te Bledari, mbi të gjitha i dhanë besim që ai të hidhte hapa të tjerë në këtë profesion.

“Në vitin 2010 i shkrova Rene Rexhepit. I thashë që kam këtë eksperiencë dhe jam shqiptar. Ai më pranoi direkt dhe më ftoi të paraqitesha në restorantin e tij “Noma” në Danimarkë. Për tre vjet kam bërë stazhin aty, ku mund të them me bindje që ajo eksperiencë më ka ndryshuar jetën. Aty kam mësuar se si të dua natyrën dhe  gjithçka që ajo na fal në lidhje me gatimin. Në bashkëpunim me natyrën mund të nxjerrësh pjata të mrekullueshme dhe “Noma” këtë strategji kishte. Ndaj edhe unë sot, këtë aplikoj edhe kam te “Mullixhiu””.

Sipas Bledarit, duhet të vlerësojmë më shumë tokën ku jemi dhe gjithçka marrim nga ajo, duke mos u ndikuar nga të tjerët.

“Ne kemi qenë të pushtuar rreth 5 shekuj nga Turqia dhe është e vështirë të përcaktosh se çfarë është shqiptare dhe çfarë është otomane. Por realiteti është ajo që ne quajmë kuzhinë shqiptare është eklipsuar më shumë nga kuzhina italiane apo franceze dhe është një kuzhinë fuzion, gjithmonë po flasim për restorantet”.

Ai e ka një shpjegim për këtë.

“Dashurin për vendin e tregojmë më shumë kur përdorim prodhimet që vijnë pikërisht nga ky vend. Nuk mund të krenohemi me produktet e huaja. Por jemi inferiorë. Kemi dëshirë që ta vlerësojnë njëherë të huajt, pastaj themi edhe ne pas atyre: ua sa e mirë kjo! Më shumë besim te vetja dhe vlerat që kemi, me shumë rezultate të mira do të kemi” .

Për të, artistja më e mirë është natyra, si në shije dhe prezantim. “Unë mundohem të përcjell energji pozitive tek njerëzit me anën e kombinimit të shijeve natyrore. Tek shija fokusohem më shumë”.

13567117_582498131938384_3172494562866487236_n

Restorantet në Shqipëri? Hidhen lekë por nuk ka vizion

Pas shtatë vitesh eksperiencë dhe shkollim jashtë vendit, Bledari vjen në Shqipëri, për të sjellë këtu eksperiencën e tij.  Na tregon se nuk e ka patur të thjeshtë. “Ambienti këtu është shtypës dhe injorues. Mosbesues ndaj diçkaje të re që mund të fusësh. Të duhet shumë punë, mbi të gjitha edhe punë bindëse”.

Por talenti e gjen rrugën e vet dhe Kola sot në kuzhinën ku punon ndodhet si në shtëpinë e tij.  Ai nuk e kupton dot jetën pa gatimin.

“Unë nuk e di nëse do kisha bërë ndonjë punë tjetër. Kuzhina për mua është gjithçka”.

Kur e pyet për restorantet në Shqipëri, shpreh të vetmen me një fjalë: katastrofë.

“Ka diçka. Në vendin tonë hapin restorante biznesmenët, që nuk ia kanë idenë kuzhinës dhe nuk kuptojnë se çfarë do një shef kuzhine dhe çfarë duan klientët. Ata kanë lekë, por nuk ka vizion. I hapin restorantet për të fituar shumë të mëdha dhe bëjnë kompromise me cilësinë e ushqimit. Në fushën e restoranteve këtu është një çorganizim i menduar mirë, dhe për këtë me vjen keq”.

E kur e thotë këtë një shef… të tjerat i mendoni vetë.

July 7, 2016 09:58
Komento

1 Koment

  1. ndoc July 7, 13:07

    GJDO I RI QE SHKON NE NJE SHKODH APO KUR PER KUZHIN DUHE TA LEXOI MASHUM SE 2HER NE DITE KTE MESAZH TE BLEDARIT…!!

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*