Kush ishte Holger Pedersen?
I nderuar lexues! Holger Pedersen (1867-1953) ishte gjuhëtar i shquar danez, indoevropianist me interesa shkencore të shumanshme, profesor në Universitetin e Kopenhagës, autor i një vargu veprash dhe studimesh me vlerë. I kushtoi vëmendje të veçantë gjuhës shqipe. Pedersen vizitoi Shqipërinë e Jugut më 1893 dhe për gjuhën shqipe ka botuar disa studime me vlerë, si “Kontribut për historinë e gjuhës shqipe”, “Tingujt I të shqipes”, “Asnjanësi i shqipes” etj. Me shumë interes është edhe vepra e tij “Tekste shqipe me fjalor”, ku janë botuar disa përralla dhe këngë popullore, të shoqëruara me shënime gjuhësore dhe me një fjalor. Pedersen i dha një rëndësi të veçantë studimit të zhvillimit historik të brendshëm të gjuhës shqipe. Ai mbrojti tezën e prejardhjes së shqipes nga ilirishtja.
Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.
Komento