Kush ishte STASI dhe përvoja gjermane për hapjen e dosjeve

Dr. Marenglen Kasmi* March 24, 2015 15:10

Kush ishte STASI dhe përvoja gjermane për hapjen e dosjeve

Debati për hapjen e dosjeve të Sigurimit të Shtetit është jo vetëm një nga çështjet më aktuale në politikën shqiptare, por po ashtu përbën ndoshta edhe një nga debatet që ka ngacmuar dhe intriguar më tepër publikun shqiptar në këto 25 vitet e fundit. Tashmë, në vendet e tjera të ish-Bllokut Lindor, dosjet e shërbimeve sekrete janë hapur. Modeli më i përsosur për hapjen dhe aplikimin e këtij procesi është ai i ndjekur në Republikën Federale Gjermane, ku me ligj është rregulluar regjistrimi, hapja, administrimi dhe përdorimi i dokumenteve të Ministrisë së Sigurimit të Shtetit dhe organizatave para- dhe pasardhëse të saj në ish-Republikës Demokratike Gjermane. Në arkivin e institucionit të Komisionerit Federal për dosjet e STASI-t ruhen dokumentet arkivore të sekuestruara në vitin 1990 në Ministrinë e Sigurimit të Shtetit të RDGJ. Duke u bazuar në ligjin e hapjes së dosjeve të STASI-t dhe rregulloreve të bazuara në këtë ligj, ky institucion u mundëson shikimin e dosjeve gjithë të interesuarve, qofshin ata persona privatë apo institucione.  

Krijimi i Ministrisë së Sigurimit të Shtetit

Ministria e Sigurimit të Shtetit në Republikën Demokratike Gjermane (RDGJ) quhej në zhargonin e përditshëm të popullsisë gjermano-lindore me disa emra, siç ishin “Shërbimi i Sigurimit të Shtetit”, “Përgjo dhe vrojto”, “Firma”, “Memphis”, “Përgjo dhe godit” ose “Djemtë e frontit të padukshëm”. Emri më i përdorur në dhjetëvjeçarët e fundit dhe po ashtu më i njohuri, është STASI (Staatssicherheit), pra Sigurimi i Shtetit.

e paraHistoria e mbikqyrjes, përndjekjes, poshtërimit, degradimit dhe «shpërbërjes» së popullit gjermano-lindor nga STASI filloi qysh në vitin 1950, kur në datën 8 shkurt 1950, Parlamenti miratoi ligjin për krijimin e Ministrisë për Sigurimin e Shtetit. Deri në këtë kohë me këtë emërtim kishte funksionuar një sektor në Ministrinë e Brendshme. Tanimë ky sektor duhej të ngrihej në nivel ministrie. Detyrat, kompetencat, përgjegjësitë dhe funksionet e STASI-t të miratuara në këtë ligj qëndruan të pandryshuara deri në vitin 1989.

Krijimi i kësaj ministrie synonte të ndërtonte «një sistem pararojë paralajmërimi» për gjithë rreziqet potenciale ndaj partisë dhe socializmit, nëpërmjet ndërtimit të një rrjeti bashkëpunëtorësh të fshehtë në gjithë fushat e punës dhe jetës. Oficerë sovjetikë të Shërbimit të Fshehtë që punonin në zonën sovjetike të pushtimit mbikëqyrnin dhe drejtonin përzgjedhjen e kuadrove të STASI-t. Qysh në fillim u vendosën në krye të Sigurimit të Shtetit ish-komunistë të vjetër me përvojë moskovite, të cilët kishin përjetuar vitet e terrorit stalinist në Bashkimin Sovjetik. Ata i njihnin mirë nga përvoja personale mekanizmat, denoncimet, praktikat e marrjes në pyetje dhe torturës. Po ashtu, ata nuk ngurronin të rekrutonin edhe elementë fanatikë dhe kriminelë, nëse u nevojiteshin për misione specifike. Gjithsesi, shumica e punonjësve të këtij shërbimi ishin komunistë të devotshëm, të trajnuar e arsimuar në kampe speciale dhe funksionarë të rinj partie.

Ashtu si edhe gjithë institucionet e tjera, edhe STASI ishte i ndërtuar sipas parimit linear, me drejtori të përgjithshme, siç ishte Drejtoria e Kundërzbulimit, Paraburgimit etj. Po ashtu, ky organizim shtrihej në nivel drejtorish vartëse në gjithë qytetet kryesore të RDGJ-së. Më tej, drejtoritë përkatëse copëzoheshin në sektorë e kështu me radhë. Gjatë gjithë ekzistencës së tij, STASI pati rreth 91.000 punonjës shërbimi zyrtarë dhe 174.200 punonjës jo zyrtarë (bashkëpunëtorë të fshehtë) në RDGJ dhe rreth 30 mijë të tillë në Gjermaninë Perëndimore. Ky nivel bashkëpunëtorësh e ushtronte detyrën përkrah profesionit në vendin e punës, ku edhe mblidhnin informacione. Përveç këtyre dy kategorive punonjësish, ekzistonin edhe bashkëpunëtorët shoqërorë (rreth 33.000), personat e kontaktit dhe bashkëpunëtorët që shërbenin në radhët e Policisë së Shtetit. Edhe këto kategori shërbenin për të mbledhur informacion, njësoj si bashkëpunëtorët jozyrtarë.

Dokumentet e STASI-t ruhen në 40 milionë skeda dhe dosje, të cilat të vendosura në këmbë përkrah njëra-tjetrës, kanë një gjatësi lineare prej 180 km.

STASI nuk ishte një shërbim i fshehtë i zakonshëm, por një polici sekrete me institucione paraburgimi, aparate hetimi, burgje, si edhe prokurorë e gjykatës të posaçëm. Detyra kryesore e STASI-t ishte sigurimi dhe ruajtja e pushtetit të Partisë. Kësisoj, STASI-i nuk e përcaktonte vetë misionin e tij, por vepronte në bazë të instruksioneve dhe «direktivave luftarake» të Partisë-Shtet.

STASI kishte varësi direkte në instancat më të larta partiake dhe shtetërore. Po ashtu, thuajse gjithë punonjësit e shërbimit ishin anëtarë partie, madje shpesh oficerë madhorë të Sigurimit ishin edhe funksionarë të lartë partie. Duke e lidhur punën e përditshme me ideologjinë komuniste, STASI përdorte çdo mjet të mundshëm për të siguruar dhe ruajtur pushtetin e Partisë, si brenda, ashtu edhe jashtë Gjermanisë Lindore. Në këtë kuadër, qysh prej fillimit të ekzistencës institucionale të kësaj ministrie, STASI e përkufizonte veten si «mburoja dhe shpata e Partisë», duke u shndërruar me kalimin e viteve në një polici të fshehtë politike dhe në një instrument terrori i diktaturës totalitare.

e dytaNë vitin 1950 Policia e Fshehtë Sovjetike i dorëzoi STASI-t godinën e Institucionit Qendror të Paraburgimit, Berlin-Hohenschönhausen (Berlin-Hoenshënhauzen). Me marrjen e godinës, STASI-i përvetësoi edhe përvojën sovjetike të marrjes në pyetje. Ushtrimi i presionit ndaj të ndaluarve për të pranuar akuzën, ishte një rutinë e punës së përditshme të STASI-t. Këto zhvillime përkojnë edhe me fazën e parë të historisë institucionale të STASI-t. Kjo periudhë dominohet nga “lufta kundër frontit (të brendshëm) të padukshëm” nën parullën “përgjo, vrojto dhe vepro”.

STASI pati një rol të rëndësishëm edhe në kryengritjen popullore të 17 qershorit 1953, shtypja e së cilës u mundësua vetëm me ndërhyrjen e ushtrisë sovjetike. Deri më 22 qershor, STASI hetoi dhe arrestoi në bashkëpunim me Policinë Popullore mbi 6 mijë persona. Po ashtu, në këtë kohë, ky Shërbim iu nënshtrua edhe ndryshimeve, si në strukturë ashtu edhe në personelin drejtues. Dy drejtuesit e parë të kësaj ministrie ishin Wilhelm Zaisser (1950-1953) dhe Ernst Wollweber (1953-1957). Ministri më jetëgjatë dhe më i njohur i kësaj Ministrie, që e drejtoi atë nga viti 1957 deri në shpërbërjen e saj në vitin 1989, ishte Erich Mielke.

Kthesa thelbësore në politikën e STASI-t u shënua me të ashtuquajturën Direktiva 1/76. Në të u përcaktuan orientimet bazë të strategjisë që duhej të ndiqej për përmbushjen e misionit të Sigurimit të Shtetit. Termat bazë të këtij orientimi ishin “shpërbërje”, “shtypje”, “pasiguri”, “asgjësim i grupeve armiqësore” etj. Në mënyrë të veçantë flitej në këtë dokument edhe për “intrigat, mashtrimet, gënjeshtrat dhe hipokrizinë”.

“Shpërbërje” do të thoshte shkatërrim i çdo besimi ndaj njëri-tjetrit, nxitje e ndjenjave të pakënaqësisë dhe zilisë dhe krijimi i një atmosfere frike dhe mosbesimi. Pra, “shpërbërja” ishte një fenomen korroziv, gërryes, si acidi. Po ashtu, frika e arrestimit luante një rol shumë të madh në këtë strategji. Në pikëpamje statistikore, një numër relativisht i vogël do të hetohej për veprimtari armiqësore, por frika ndaj një përndjekje të tillë duhej të ishte e pranishme te çdo qytetar.

e tretaMe ndërtimin e Murit të Berlinit në gushtin e vitit 1961 dhe mbylljen e kufirit gjermano-lindor, çka i dha fund largimit të popullsisë në perëndim dhe në kundërshtim me pritshmërinë e shumë intelektualëve dhe anëtarëve të ndershëm të Partisë, se tashmë do të pasonte një periudhë më liberale, duke qenë se “perëndimi revizionist tashmë nuk mund të kishte më ndikim mbi shoqërinë socialiste”, ndodhi pikërisht e kundërta. Kjo shtresë njerëzish të ndershëm do të bëhej objekti i survejimit dhe përndjekjes së STASI-t.

Me zbutjen e toneve të Luftës së Ftohtë në vitet 1970 midis Bashkimit Sovjetik dhe Perëndimit, në Konferencën e Helsinkit në vitin 1975 për Sigurinë dhe Bashkëpunimin e vendeve europiane, u kërkua edhe respektimi i të drejtave të njeriut. Kësisoj edhe STASI-it i duhej të maskonte mënyrën e punës që ndiqte. Përndjekja, persekutimi dhe dënimi i kundërshtarëve politikë nuk mund të bëhej më me format e viteve 1950. Në vitet 1970-1980, persekutimi politik do të ushtrohej duke përdorur «metoda më estetike». Kudo që ishte e mundur duhej të përdoreshin mjete të tërthorta, më pak të dukshme, siç ishin psh. masat disiplinore, demaskimi në vendin e punës, mosngritja në detyrë etj. Një rol të veçantë në këtë strategji morën «partnerët e bashkëpunimit operacional» të STASI-t, ku përveç institucioneve përkatëse shtetërore si Ministria e Brendshme, strukturat qeverisëse etj., përfshiheshin edhe institucione të tjera, me të cilët personi i përndjekur kishte marrëdhënie. Qëllimi i represionit policor sekret ishte që, personit të përndjekur t’i bëhej transparenca e situatës ku ai ndodhej, e më pas të manipulohej psikologjikisht. Në varësi të reagimit të personit ndaj masave të marra, rezultati mund të ishte «rikthim i personit në formatin e duhur», ose «ngrirje e të pandreqshmit», dmth. arrestimi i tij dhe dënimi.

Në prag të ndryshimeve demokratike në gjithë Bllokun Lindor, më 17 nëntor 1989, Parlamenti i RDGJ vendosi ristrukturimin dhe zvogëlimin e STASI-t dhe shndërrimin e tij në një Zyrë për Sigurinë Kombëtare. Këtë zyrë duhej ta drejtonte Wolfgang Schwanitz, ish-zëvendës i ministrit Mielke.

Në mëngjesin e 4 dhjetorit të vitit 1989, dega e STASI-t në Erfurt u pushtua nga qytetarët, pasi u bë e njohur se po përgatitej zhdukja e dosjeve të STASI-t. Po në këtë ditë, banorët e Lajpcigut dhe Rostokut pushtuan zyrat e STASI-t. Për të ruajtur dosjet, qytetarët krijuan Rojen Civile dhe Komitetet e Qytetarëve. Revolucioni paqësor gjerman mori përmasa më të mëdha dhe më 15 janar 1990 u pushtua nga qytetarët edhe qendra e STASI-t në Berlin. Kësisoj u sigurua së pari ndalimi i asgjësimit të dosjeve nga punonjësit e Sigurimit. Ajo që kërkonin demonstruesit ishte ballafaqimi i të interesuarve me këto dosje. Për herë të parë më 2 janar 1992 u mundësua që qytetarët të kishin mundësi të shikonin dosjet e tyre.

Përvoja gjermane për hapjen e dosjeve

Më 3 tetor 1990, ditën e bashkimit të dy Gjermanive, qeveria federale gjermane ngarkoi pastorin nga Rostoku, Joachim Gauck (Presidenti aktual i Republikës Federale Gjermane), në detyrën e Përfaqësuesit Special të qeverisë federale për dosjet e STASI-t. Institucioni i tij kishte në fillimet e tij 52 punonjës, ndërkohë që numri i tyre është rritur në 1600. Në vitin 1991 Përfaqësuesi Special do të quhej Komisioneri Federal për Dosjet e STASI-t.

Në fund të vitit 1991 hyri në fuqi Ligji për Dokumentet e Shërbimit të Fshehtë të ish-Republikës Demokratike Gjermane (Stasi-Unterlagen-Gesetz StUG) dhe që prej kësaj kohe, ky ligj është amenduar shtatë herë. Në të është përcaktuar në mënyrë të detajuar korniza ligjore se si duhet të organizohet dhe kontrollohet ky proces. Po ashtu, në këtë ligj është parashikuar edhe verifikimi i pastërtisë së personaliteteve publike dhe politike në poste të larta shtetërore. Procesin e verifikimit e kryen në bazë të ligjit Institucioni i Komisionierit Federal për Dosjet e STASI-t.

Më tej, ky institucion ka për detyrë të informojë publikun për strukturën, metodat dhe mënyrën e funksionimit të ish Ministrisë së Sigurimit të Shtetit. Kësisoj, ky institucion kontribuon në studimin e ish-sistemit totalitar gjerman, në pikëpamje historike, politike, ligjore dhe sociale, duke pasur në dispozicion për këto studime rreth 111 km linearë dosje, më shumë se 1.7 milionë fotografi, video të shumta, regjistrime zanore të mbajtura nga STASI gjatë marrjeve në pyetje të të arrestuarve, si edhe rreth 47 km filmime të ndryshme, që gjenden në arkivin e institucionit. Pra, ky institucion nuk mjaftohet vetëm me vënien në dispozicion të dosjeve e materialeve, por po ashtu merr pjesë aktivisht edhe në studimin e historisë së Ministrisë së Sigurimit të Shtetit, duke bërë botime dhe studime shkencore, ekspozita, ngritje muzeumesh etj.

Komisioneri Federal propozohet nga qeveria federale dhe miratohet nga Parlamenti. Ai është i pavarur në ushtrimin e detyrës së tij dhe përgjigjet para ligjit. Mandati i tij zgjat pesë vjet, me të drejtë rizgjedhjeje vetëm një herë.

marini

Marenglen Kasmi

Ligji për dokumentet e Shërbimit të Fshehtë të ish-Republikës Demokratike Gjermane rregullon regjistrimin, hapjen, administrimin dhe përdorimin e dokumenteve te Ministrisë së Sigurimit të Shtetit dhe organizatave para- dhe pasardhëse të saj në ish-Republikën Demokratike Gjermane për: 1) t’i mundësuar individit aksesin në informacionet e ruajtura nga Shërbimi i Sigurimit të Shtetit mbi personin e tij, në mënyrë që ky të qartësojë ndikimin e Shërbimit të Sigurimit të Shtetit mbi jetën e tij personale; 2) për të mbrojtur individin nga cënimi i të drejtave personale të tij për shkak të informacioneve të ruajtura mbi personin e tij nga Shërbimi i Sigurimit te Shtetit; 3) për të siguruar dhe nxitur vlerësimin historik, politik dhe juridik të veprimtarisë së Shërbimit të Sigurimit të Shtetit dhe 4) për t’u vënë në dispozicion enteve publike dhe jo-publike informacionet e nevojshme për qëllime të parashikuara në ligj.

Nisur nga natyra e dokumentacionit të mbledhur, arkivi i këtij institucioni nuk funksionon njësoj si gjithë arkivat e tjerë dhe me të njëjtën bazë ligjore. Hapja dhe deklasifikimi i dokumenteve të këtij arkivi ndjek një procedurë të rreptë të ruajtjes dhe publikimit të të dhënave. Publikimi i këtyre

dokumenteve bëhet vetëm për qëllime të caktuara dhe sipas rregullave të veçanta të përcaktuara në ligjin përkatës.

Hapja e dosjeve të STASI-it nuk duhet menduar si një mundësi që, çdo njeri mund të shkojë pranë këtij institucioni dhe të kërkojë informacion për fqinjin, kolegun apo dikë tjetër, nëse ai ka qenë apo jo bashkëpunëtor i Sigurimit. Ligji e ndalon këtë gjë. Një informacion të tillë për persona të tretë mund ta kërkojnë me shkrim vetën institucionet publike dhe jopublike, duke argumentuar qartë se përse u duhet ky informacion.

Siç është shkruar edhe më lart, i interesuari mund të kërkojë informacion vetëm për veten e tij. Në këtë rast, pasi bëhet kërkesa me shkrim, punonjësit e Institucionit përgatisin dokumentet përkatëse për t’ia dhënë për shikim të interesuarit. Kjo është një procedurë e rëndësishme, sepse jo të gjitha informacionet që janë në dosje mund të shikohen nga i interesuari. Informacione dhe të dhëna që nuk janë relevante për personin e interesuar, bëhen të palexueshme, në bazë të ligjit të ruajtjes së të dhënave dhe të drejtave të njeriut. Pseudonimet e punonjësve të Sigurimit apo bashkëpunëtorëve që janë marrë me çështjen përkatëse nuk fshihen nga dosja. Madje i interesuari ka të drejtë të mësojë edhe emrin e vërtetë të këtyre personave.

Përvoja gjermane merret në shumë shoqëri me një të kaluar moniste si modeli i ballafaqimit të një shoqërie demokratike me të kaluarën diktatoriale të vendit. Hapja e dosjeve të Sigurimit të Shtetit në vendin tonë përben një sfidë jo vetëm në pikëpamje politike e juridike, por edhe profesionale. Për këtë arsye, njohja me përvojat e tjera, e sidomos atë gjermane, është një domosdoshmëri për kryerjen në mënyrë sa më transparente të këtij procesi.

 

*Studiues i marrëdhënieve shqiptaro-gjermane

 

 

Dr. Marenglen Kasmi* March 24, 2015 15:10
Komento

4 Komente

  1. Sallakja March 24, 17:29

    Marenglen ?
    Mar ks, Eng els, Len nin.
    Duhet ta kete patur babi komuniste 24 karatc qe
    i ka vene kete emer.
    Qeka edhe studiues i marredhnieve Shqiperi-Gjermani.
    Per cfare merdheniesh behet llaf ?
    Enigme e modhe ?

    O Marenglen !
    Per te denuar komunizmin nuk ka nevoje te hapen dosje.
    Ata qe degraduan Shqiptaret jane gjalle.
    Nje pjese e atyre qe provuan burgjet horror te komunisteve
    jane gjalle.
    Shqiperia nuk ka nevoje te hape doje.
    Shqiperia duhet te hap……..Nurenbergun.

    Reply to this comment
  2. Oise March 24, 20:57

    Meta mbetet shume i fuqishem deri sa po ha

    Reply to this comment
  3. Stef Staku March 24, 21:35

    ANALIZE : Po mor Marenglen thuri lavde atyre gjermaneve se ke te drejte.
    Po ke harru se per 23 vite rrehst gjermania Doris Pack ishte kubdra hapjes se dosjeve, pasi kishte frike se Shqiptaret do hakmerreshin ndaj njeri tjetrit.
    Artikullin tjeter shkruaji pak me emra e mbiemra se kush e kundershtoi hapjen e dosjeve ne Shqipni.

    Reply to this comment
  4. shpati March 24, 22:02

    Une mendoj se punonjesit ne administrate, e deri lart ne qender,te cilet kane patur lidhje me sigurimin e shtetit ,duhet te largohen vet,pa u ber I njohur ne public.Kjo si per spiunet e brendshem e aq me keq per spiunet qe I kane sherbyer armiqeve . Mos publikoni emra, se do t’i biem kokes me grushta,ose domarrim arratine. NUK JEMI ME EDDUKATE E KULTURE GJERMANE. Jemi shqiptare,qe edhe kanuni I cili ka 200 vjet qe eshte shkruar e marrim te qen,sikur eshte shkruar sot,madje edhe e tejkalojme. Kjo do te bej qe te gjithe bashkpunetoret si ne te kaluaren ,po sidomas sot,te terhiqen e te mos japing asnje te dhene….. ekjo do te jet fatale per rendin e qetesine. Nuk ka shtet pa sigurim,ose me thjeshte.nuk mbahet shteti pa spiune. Po te ishte bashkpunimi ne nivelin e duhur ,vrasesit e Xhindit, te komunarit ne kukes, vrasja e santos,do ishin zbuluar Brenda dites…Edhe polici e kthen koken anash e thot nuk kam pare gje.pranon te largohet nga detyra e te mos tregoi ,pasi ka frik se I iken koka neser…….Kur shahet ministry I brendshem.kur shahet kryepolici apo krye prokurori,vajt halli. mos harroni se jemi shqiptar, kemi zakone te shkelqyera,por kemi edhe zakone te keqia. PO kerkoheshin hasmit e stergjysherve e jo te baballareve qe jane te fresketa………. Shikoni shkrimin e nje “Erbara ‘ ne gazeten Tema. shan qeverite Shqiperi e kosove,madje I quan edhe qen,qe lehin e nuk te kafshojne…. vjat halli pastaj ne popull qe edhe shume gjera nuk I dim e nuk I kuptojme……. ku eshte respekti per qeverite? Cfar do ky te benin te shpallnin bashkimin e shqiperise me kosoven ? A nuk po behet Bashkim nepermjet marrveshjeve ,,,a nuk u permend idali s=cili eshte…?

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*