Kush mund të fusë sistemin në kolaps: reforma në drejtësi apo manovrat e politikës?

April 19, 2019 15:44

Kush mund të fusë sistemin në kolaps: reforma në drejtësi apo manovrat e politikës?

Nga Erion Habilaj

Prej disa kohësh, por në ditët e fundit gjithnjë e më me forcë, është hapur një debat i furishëm, herë-herë pasionant në media dhe sidomos në politikë, se vendi ndodhet në kolaps, se sistemi është rrëzuar, se gjërat në arkitekturën  e drejtësisë po shkallmohen dhe vetë reforma po dështon,  pasi mungojnë gjykatat më të rëndësishme në vend, siç është Gjykata e Lartë dhe Gjykata Kushtetuese. Për këdo që e shikon nga jashtë duket vërtet absurde sepse, si është e mundur që një reformë kaq e thellë e sistemit të drejtësisë ta fus vendin në gjendje kaotike. A është e vërtetë një tezë e tillë dhe pse ka një dallim thelbësor mes ngritjes së sistemit dhe funksionimit real të tij, megjithëse duke u ngritur dhe lojës së politikës, e cila, duke dashur të jetë subjekt i sistemit, fare lehtë synon të kthejë gjithçka në një objekt absurd, sa më të largët dhe mundësisht të paarritshëm.

Reforma në Drejtësi, si objekt i ndryshime kushtetuese, nuk u miratua lehtësisht dhe as me dashjen e plotë të partive politike. Më shumë se sa dëshirë, ishte imponim i faktorit ndërkombëtar. Duart e ngritura lart për të votuar reformën menduan edhe mundësinë që, pas saj, të kishte shumë pasoja të tjera. Si një nismë e miratuar nga halli, reforma do të kishte pengesat e mëdha të saj, të cilat, ende, edhe sot e kësaj dite, shfaqen kudo, të ashpërsuara dhe tinëzare.

Palët politike, kryesisht opozita , gjithnjë e më me forcë akuzon mazhorancën se është duke kapur drejtësinë dhe duke e lënë vendin pa institucionet thelbësore, në mënyrë që, përmes kapjes së sistemit të drejtësisë,  të kryejë abuzime dhe mos të jepet mundësia për ankime, si mund të kishte ndodhur në ekzistencën e Gjykatës Kushtuese.

Mazhoranca,  nga e saj, akuzon opozitën se është duke vonuar në mënyrë të qëllimshme procesin e reformës, duke cilësuar se ajo ka frikë nga drejtësia e re. Në fakt, i gjithë qëndrimi i opozitës ndaj reformës, duke sjellë pandëshkueshmërinë proverbiale të saj, të sjell ndër mend frikën që mund të ndjejë një klasë politike se, përmes krijimit të vlerave në një sistem të ri drejtësie, të legjitimuar përmes Vettingut dhe të mbikëqyrur fort nga ndërkombëtarët, shumë mëkate do të dalin në dritë dhe dënimet mund të jenë të ashpra.

Të dyja palët mund të kenë të drejtë në qëndrimet e tyre, por e vërteta nuk është as më njërën as me tjetrën, por ndodhet diku në mes.

Opozita me veprimet e saj, edhe kur një pjesë e saj ishte në pushtet, ka sabotuar më të gjitha mënyrat reformën në drejtësi. Nuk e ka dashur dhe ka qenë e gatshme t’i shpallë luftë politike, si dhe i ka shpallur selive diplomatike në Shqipëri, duke ndërsyer kundër tyre edhe figura të rëndësishme të Prokurorisë së Përgjithshme. Kulmi ishte kur ndërkombëtarët dhe sidomos dy ambasadorët kryesorë, ai i SHBA dhe ajo e BE, dhanë ultimatum që deputetët të votojnë reformën, në të kundër të do të kenë pasoja të rënda. Opozita nuk iu bind vullnetit dhe bindjes, por drojës dhe pasojave që mund të kishte.

Mazhoranca nga ana e saj, e detyruar që të jetë pro kryerjes së reformës, asnjëherë nuk ka dalë hapur kundër saj, por nën rrogoz, përmes zvarritjeve të pakuptimta dhe përdallimit të figurave të veçanta, nuk kanë munguar veprimet që të pengojë reformën dhe sidomos të tentojë të vendosë njerëzit e saj në poste kyçe.

Reforma në Drejtësi ka qenë akti më i domosdoshëm juridik dhe njerëzor që duhej të bënte shteti shqiptar. Drejtësia nuk ka qenë e reformuar, por e deformuar deri në palcë dhe pastrimi i saj, si po ndodh aktualisht, ishte dhe do të jetë frymëmarrje për të ardhmen. Thuajse gjysma e pjesëtarëve të sistemit të drejtësisë tani janë jashtë saj për abuzime të mëdha me detyrën, pasurime të paligjshme, lidhje me botën e krimit, korrupsion fatal etj.

Kjo nuk ka qenë e lehtë të arrihet dhe nuk do të mund të arrihej nëse sistemi do të shembej. Ekzistenca e sistemit ka sjellë pastrimin e sistemit të drejtësisë dhe mundësinë për një fillim të ri.

A mund të quhet e dështuar reforma në drejtësi? Përgjigjen e kësaj pyetje, në mënyrë më të drejtpërdrejtë e dha ambasada amerikane në Tiranë. “Shqipëria është në drejtimin e duhur, pavarësisht se ka ende punë për të bërë. Reforma në Drejtësi është ende në shinat e duhura dhe shumë shpejt do t’ju sjellë shqiptarëve sistemin e ndershëm dhe transparent të drejtësisë që meritojnë. Mesazhi im, për cilindo që thotë se Reforma në Drejtësi është kompromentuar apo po dështon, është: E keni gabim!”, deklaroi Moses-Ones, e ngarkuara e Shteteve të Bashkuara në Tiranë, në mungesë të një ambasadori që pas ikjes së Donald Lu.

Koha ka shtruar disa pyetje vendosëse të cilat duan përgjigjen e duhur:

Së pari, kush mund të fusë sistemin në kolaps: reforma në drejtësi apo manovrat e politikës?

Reforma në drejtësi po e pastron sistemin. Ajo po rikthen besimin, i cili edhe pse ngadalë dhe me vështirësi, do të bëhet pjesë e katarsit që është domosdoshmëri jetike dhe ligjore. Duke e pastruar sistemin krijon premisën e një faze të re, larg bajatizimeve të standardit “plepa” apo të jurisprudencës  “kristalore”, ku juristët  ose komandoheshin nga politika ,ose blinin diplomat përmes pasurisë enigmatike.

Politika dhe manovrat e saj mund të prishin sistemin. Zaten ky është edhe qëllimi i njerëzve të politikës, në tri anët e saj, të cilët, më shumë se nga një komision parlamentar, në të cilin derdhet vaji e bie ndër lakra, i tremben pikërisht drejtësisë së re.

Manovrat e politikës synojnë të zbehin rëndësinë e reformës; njëra anë e shpall të dështuar, kjo është opozita; pala tjetër triumfon për fitore, duke synuar që përmes entuziazmit të futë në postet e larta njerëzit e saj, të cilët besnikërinë ndaj politikës mund të ia shpërblejnë me lëshime të tjera.

Së dyti, ecuria e saj ishte e vetvetishme apo një detyrim i domosdoshëm nga ndërkombëtarët  për Shqipërinë?

Më shumë është e dyta dhe duhet thënë se ajo është vendosëse. Njerëz të inkriminuar në politikën shqiptare kanë bërë çmos që të shkëputin rolin dhe ndikimin ndërkombëtar në ripërtëritjen dhe fuqizimin e sistemit dhe, mes tij, edhe të sistemit të drejtësisë.

Pa forcën e diplomacisë ndërkombëtare, e cila herë pas here nuk ka qenë edhe diplomatike, nga se politika jonë nuk merr vesh ndryshe, nuk do të kishte  reformë, do të kishte rënë sistemi dhe krimi do të sundonte mbi ligjin.

Shqipëria në radhë të parë e mbi të gjitha, duhet t’i jetë falenderuese këmbënguljes ndërkombëtare për të ndrequr atë pjesë të sistemit që ishte prishur.

Së treti, a mund ta bënin vetë segmentet e politikës, majtas, djathtas, qendër, e kudo qofshin  këtë reformë?

Me siguri, jo. Drejtësia shqiptare mbi të gjitha ka qenë peng i politikës, i këtij brezi politikanësh që ende sot kërkojnë të përmbysin ose të mbivendosen mbi drejtësinë. Ajo i ka paguar haraç politikës dhe ndërkohë ka korrur banditizmin e saj. Drejtësia ka heshtur ose ka qenë palë me politikën në fushat më të errëta të jetës shqiptare dhe politika e ka shpërblyer për këtë.

Më shumë se departament i pavarur kushtetues, ka qenë një garnizon ruajtës i politikës. Detashmenti politik i deleguar në drejtësi.

Së katërti, kush trembet nga reforma? A kanë të drejtë që tremben?

Njerëzit e zakonshëm e duan reformën në drejtësi, qoftë edhe nga shkaku i thjeshtë se ata kanë qenë të rënduar nga drejtësia. Ndërkombëtarët, përmes institucioneve të tyre serioze dhe të kujdesshme, më parë se të krijonin kushtet për ri-ngritjen e sistemit të drejtësisë, e kanë ditur se mbështetje e tyre do të jenë pikërisht njerëzit e zakonshëm.

Nga reforma trembet pikërisht ajo kastë që sot deklaron haptas ose punon fshehtas në synimin apo idenë se sistemi është shembur.

Në fakt është shembur ajo pjesë e sistemit që kishte ngritur vetë politika; thellësisht e pamoralshme dhe antishtet.

Politika trembet pasi e di fare mirë mëkatin e saj të madh në shembjen e shtetit dhe në krijimin e akteve fatale për vendin, si pjesë e botës së kriminalizuar dhe e aferave vrastare. Çështje të mëdha priten të rihapen dhe t’u shkohet deri në fund, të cilat në vitet pluraliste kanë dërmuar shtetin dhe jetët njerëzore.

Nga ri-ngritja e sistemit të vlerave në drejtësi nuk është imun asnjëra palë; as ata që kanë qeverisur dhe nuk janë ndëshkuar, as këto që qeverisin dhe që besojnë se nuk do të ndëshkohen./DITA

April 19, 2019 15:44
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Sondazh

MENDONI SE PËR TË ZGJIDHUR KRIZËN POLITIKE DUHET NJË MARRËVESHJE E RE RAMA-BASHA?