Kush po përfiton prej zhvlerësimit të euros?

April 22, 2018 11:03

Kush po përfiton prej zhvlerësimit të euros?

 

Tre janë përfituesit e mëdhenj ndaj zhvlerësimit të valutës në vend, sipas Arben Shkodrës, Sekretar i Përgjithshëm i Bashkimit të Prodhuesve Shqiptarë:

-Së pari, importuesit, të cilët blejnë në valutë dhe shesin në lek, duke mos reflektuar asnjë ndryshim në çmimet. Nga kjo situatë, ato përfitojnë shuma të konsiderueshme dhe janë përfitues pasivë pa bërë asnjë lloj veprimi. “Natyrisht nuk mundemi kurrsesi t’i paragjykojmë pasi kjo është veçse një situatë e favorshme për ta”, shton Arben Shkodra për “Monitor”.

Përfituesi i dytë, sipas zotit Shkodra, është qeveria, ku gjithashtu në mënyrë pasive përfiton në uljen e shifrave të borxhit të huaj për shkak të zhvlerësimit të valutës në vend. “Në çdo rast është i papranueshëm ky rol i përfituesit pasiv i qeverisë në këtë situatë për një kohë kaq të gjatë”.

Së treti, përfitues janë spekulantët e tregjeve valutore. Nëse do të kemi një ringritje të shpejtë, spekulantët, të cilët kanë edhe informacion të brendshëm do të përfitojnë tej mase.

“Nëse do të kemi një rritje të shpejtë, do të të spekulojnë pasi mund të kenë shitur valutën me një çmim të lartë, e blenë atë me çmimin minimal dhe presin ringritjen për të pasur fitime të konsiderueshme. Në këtë aspekt pasiviteti, paaftësia apo mosndërhyrja e sistemit tonë shtetëror për të stabilizuar ndihmon spekulimet”.

Banka e Shqipërisë dhe Qeveria, duhet veprojnë menjëherë për të ndaluar këtë fenomen të zhvlerësimit të euros dhe dollarit në vend, rekomandon ai.

Për zhvlerësimin e euros në vend, Arben Shkodra thotë për “Monitor” se një ndër arsyet kryesore janë prurjet nga ekonomia e zezë, dhe për këtë, sipas tij, nuk ka dyshime. Ndërkohë që masat të cilat mori Banka e Shqipërisë, nën siglën e një plani veprimi për deeuroizimin e tregut, sollën një situatë kaotike, shoqëruar edhe me sjellje të çrregullta në treg, nën ndikimin psikologjik.

Sipas Shkodrës, jemi ndër të paktat ekonomi që përqafuan monedhën e përbashkët europiane shumë më shpejt sesa duhet, dhe kjo sipas tij jo për shkak të tregut, por për shkak të sistemit të ngritur.

Nga shitblerjet më komplekse, si apartamentet dhe makinat, te pagesat e hoteleve, dhe deri te dyqanet e veshjeve, monedha e përbashkët përdoret lehtësisht.

“Për mendimin tonë, qeveria mund të fillonte procesin e deeuroizimit duke ndaluar shitblerjen e apartamenteve në monedhën e huaj, të ndalonte pagesat në hotele në euro në cash, të mos lejojë shitjet e produkteve në valutë”,- tha Shkodra duke argumentuar se mund të gjendeshin mënyra të tjera për deeuroizimin e ekonomisë. Madje mënyra që do të sillnin deeuroizimin e Shqipërisë në mënyrë më graduale.

“Banka e Shqipërisë dhe qeveria duhet të ndërhyjnë menjëherë për të ruajtur dhe për të rritur konkurrueshmërinë. Nuk mund të qëndrojnë pasivë për këtë çrregullim të tregut, duke qenë se preken të gjithë eksportuesit”, rekomandon Shkodra.

Qeveria duhet të ketë kujdes në çdo politikë publike që ndërmerr, me qëllim që të sigurojë prodhuesit shqiptarë, që nuk do të ketë ndikim negativ në konkurrueshmerinë e produkteve “Made in Albania”, aq më tepër edhe në kuadër të nismave rajonale për një ekonomi të përbashkët të Ballkanit Perëndimor, tha Shkodra.

Zhvlerësimi i euros, ul më tej konkurrueshmërinë e vendit

Zhvlerësimi i euros në tregun vendas ka ndikuar drejtpërdrejtë te konkurrueshmëria. Sekretari i Përgjithshëm i Prodhuesve thotë se, aktualisht, nuk ka asnjë raport apo analizë mbi konkurrueshmërinë e ekonomisë shqiptare.

Për prodhuesit, konkurrueshmëria është një nga dy shtyllat kryesore për t’u pasur në konsideratë. Në vendet e tjera, qeveritë e përkthejnë konkurrueshmërinë si program politik.

“Nuk kemi një shifër të qartë se cilat janë nevojat reale të ekonomisë, veçanërisht për sektorin e prodhimit”, – pohon Shkodra për “Monitor”.

Me rënien euros në pikiatë, eksportuesit (prodhuesit që eksportojnë) janë ata që e pësojnë më shumë.

Për shoqëritë prodhuese eksportuese, që kanë kontratat në vazhdim me klientë të huaj, produktet e tyre do të vazhdojnë të shkojnë jashtë vendit me çmimin e negociuar më parë dhe diferenca në kursin e këmbimit do të prekë drejtpërdrejt fitimin e eksportuesit dhe duke i nxjerrë kompanitë me humbje.

Në rast se prodhuesit shqiptarë rrisin çmimin, ata automatikisht humbasin konkurrueshmërinë, duke humbur edhe tregun e huaj. Në shumicën e rasteve, eksportuesit do ta kenë të vështirë të rinegociojnë çmimet e kontratave.

Si mund të mbrohen

E vetmja mënyrë për të mbrojtur eksportuesit shqiptarë, sipas Shkodrës, është diferencimi në trajtim i eksportuesve.

Shkodra thotë se qeveria duhet të organizojë një tryezë serioze dhe permanente me prodhuesit shqiptarë. Prej saj, ne presim që të evidentohet situata aktuale, problemet që kanë prodhuesit dhe presim që angazhimi qeveritar të jetë serioz.

“Qeveria nuk ka një strategji apo plan në lidhje me konkurrueshmërinë. Ministria për Europën dhe Punëve të Jashtme nuk ka një ide të qartë të mbështetjes që mund t’u japë prodhimeve shqiptare për të aksesuar në tregjet e huaja.

 Qeveria, në tërësi nuk ka një ide të qartë se si mund ta mbështesë prodhimin vendas si p.sh.: diferencim në trajtim të prodhueseve kur flasim për taksat, tatimet, tarifat, procedurat etj. Shohim me keqardhje që, sipërmarrjet e rajonit po bëhen më konkurruese, pasi qeveritë e tyre kanë shtuar vëmendjen dhe përkujdesjen ndaj prodhimeve të tyre, pasi siç e dimë, profili i një vendi përcaktohet edhe nga produkti vendor.”

Burimi: Monitor

April 22, 2018 11:03
Komento

4 Komente

  1. Valuta e huaj: April 22, 12:57

    Arben Shkodra thot se perfitojne importuesit dhe qeveria,
    por nuk evidenton se cilet importues:ata qe jane oligarke te qeverise.Pra kjo eshte nje loje qeveritare, e cila do te vazhdoi deri ne shtator,pastaj do te kthehet ndryshe.Ne te dy rastet do te fitoi qeveria dhe do te humbasin emigrantet.Eshte nje “taks” qe u vihet emigranteve te cilet e kane rrudhur doren…
    Bankat mundesisht te mos krijojne rradhe te gjata ne sherbim per te zvogeluar sado pake konfuzionin.
    Qeveria duhet tu terheq vemendje te pakten per sherbimet….

    Reply to this comment
  2. Vito Kermilli, shoku i Nikos April 22, 16:29

    hahahahahaha Monitor 55 e Ornela Balliut thote qe fitojne importuesit dhe qeveria.
    Ja nje shembull me gogla qe ta kuptoje Ornela.
    Supozoj se 1 liter nafte zhdoganohet per vleren 1 euro.
    Kur 1 euro ishte 134 leke qeveria takson psh 20 cent per liter ose 26.8 leke.
    Kur 1 euro eshte 129 leke qeveria takson serish 20 cent por qe bejne 25.8 leke ose 10 leke me pak per cdo liter qe importohet.
    Ornela e Monitorit : fiton apo humbet shteti kur bie vlera e monedhes me te cilen importohet ?
    O zot sa jane shtuar budallenjte !

    Reply to this comment
  3. As April 22, 20:06

    O Balliu
    01. C’do te thote fiton qeveria
    02. per ke qeveri e ke fjalen
    03. ku shkojne parate qe fiton qeveria
    04. kur ritet euro kush fiton

    Reply to this comment
  4. Arben April 23, 07:41

    Edramiu perfiton, tip robin hudi, per se prapthi

    merr nga xhepat e njerezve, fut te xhepat

    e edramiut

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Click here to cancel reply.

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*