Kushtet për 4 llojet e të ardhurave që mbulojnë sigurimet shoqërore

August 9, 2018 10:20

Kushtet për 4 llojet e të ardhurave që mbulojnë sigurimet shoqërore

Katër janë llojet e pagesave që mbulohen nga skema e sigurimeve shoqërore për të gjithë personat e siguruar që humbasin aftësinë për punë, si shkak i një aksidenti të ndodhur në vendin e punës, apo sëmundjeve të ndryshme profesionale.

Sigurimi i këtyre të ardhurave kushtëzohet nga masa e humbjes së aftësisë për punë. Konkretisht, përfitimet nga dega e sigurimit të aksidenteve në punë dhe sëmundjeve profesionale përfshijnë:

Të ardhurat për paaftësi të përkohshme, të ardhurat për invaliditet të përhershëm, të ardhurat për invaliditet të pjesshëm të përhershëm nga aksidenti në punë, apo sëmundja profesionale, si dhe të ardhurat për paaftësi të përhershme në masë të vogël”. Në vijim të shkrimit gjeni të detajuara kushtet dhe periudhat e përfitimit për secilën nga këto lloje pagesash.

Të ardhurat për paaftësi të përkohshme

Në Manualin e Përfitimeve të përgatitur nga ekspertët e Institutit të Sigurimeve Shoqërore saktësohet se pagesën për paaftësi të përkohshme nga aksidenti në punë, ose sëmundjet profesionale e përfitojnë vetëm të punësuarit.

Këta të fundit e sigurojnë këtë pagesë pasi të marrin raportet përkatëse nga spitali dhe komisioni i mjekëve. Lidhur me masën e përfitimit, bëhet me dije se këto të ardhura llogariten në masën 100 për qind të mesatares ditore të bazës së vlerësuar neto të 6 muajve të fundit nga data e lindjes së të drejtës.

Kjo masë përfitimi vazhdon deri në 12 muaj. Për të siguruar këto të ardhura për paaftësi të përkohshme në dosjen e dokumenteve të kërkuara duhet që të dorëzoni: “Raportet mjekësore për aksident në punë, proces-verbalin tip të aksidentit në punë, i cili plotësohet nga subjekti dhe konfirmohet nga Inspektorati Shtetëror i Punës, formularin e bazës së vlerësuar neto të 6 muajve të fundit nga data e lindjes së të drejtës së përfitimit (Ky dokument plotësohet nga sektori i financës së subjektit).

Kështu, sektori i financës së subjektit mbështetur në dokumentet e përmendura  plotëson formularin tip-listëpagesë të përfitimeve afatshkurtra dhe e dërgon atë në Agjencinë Lokale të Sigurimeve Shoqërore, ku ka aktivitetin subjekti. Ndërkohë që sipas procedurave, kjo agjenci pasi i kontrollon dhe i verifikon dokumentet përkatëse të dosjes së çdo personi, i kalon pagesat në llogarinë personale bankare të përfituesit, ose në atë të subjektit ku ka qenë i punësuar.

Të ardhurat për invaliditet të përhershëm

Për të përfituar pension të përhershëm invaliditeti, përfituesi ose i autorizuari me prokurë duhet të paraqitet në Agjencinë Lokale të Sigurimeve Shoqërore të vendbanimit (sipas regjistrimit në gjendje civile), për të bërë kërkesën e përfitimit të pensionit të përhershëm të invaliditetit dhe për të marrë udhëzimet e nevojshme në lidhje me dokumentet që duhet të dorëzojë dhe kushtet e tjera të përfitimit të këtyre të ardhurave.

“Pagesë për paaftësi të përhershme nga aksidenti në punë ose sëmundjet profesionale e përfitojnë vetëm të punësuarit. Por sipas kushteve të vendosura,këto të ardhura mund të sigurohen pasi të keni marrë pagesën deri në 12 muaj për paaftësi të përkohshme nga aksidenti në punë, ose sëmundjet profesionale”, saktësohet në Manualin e Përfitimeve të ISSH-së.

Më tej, ekspertët e sigurimeve sqarojnë se e ardhura për invaliditet të përhershëm në punë ose sëmundje profesionale që ka shkaktuar të paktën humbjen e 67 për qind të aftësisë për punë, e vërtetuar nga vërtetimi mjekësor i lëshuar prej KMCAP, është e barabartë me 80 për qind të pagës mesatare të 3 viteve të fundit të punës, por jo më pak se niveli minimal i standardit të jetesës që përcaktohet nga vendimet e posaçme të Këshillit të Ministrave.

Gjithashtu bëhet e ditur se personit që përfiton të ardhura për invaliditet të përhershëm në punë ose sëmundje profesionale dhe ka nevojë për një kujdesje të vazhdueshme nga një person tjetër sipas vendimit të KMCAP-it, i jepet një pagesë shtesë prej 15 për qind të bazës së vlerësueshme. Kur ka fëmijë në ngarkim deri në moshën 18 vjeç ose deri në moshën 25 vjeç, kur vazhdon studimet e larta, i jepet një e ardhur shtesë familjare për çdo fëmijë në masën 5 për qind të pensionit bazë, por jo më shumë se 30 për qind e tij. Në çdo rast pensioni bazë përcaktohet nëpërmjet Vendimit të Këshillit të Ministrave.

Të ardhurat për invaliditet të pjesshëm të përhershëm

Po sipas kushteve të përcaktuara në ligjin e sigurimeve shoqërore, për të përfituar pension të pjesshëm të përhershëm invaliditeti, përfituesi ose i autorizuari me prokurë paraqitet në Agjencinë Lokale të Sigurimeve Shoqërore të vendbanimit të tij për të bërë kërkesën e përfitimit të pensionit të pjesshëm të përhershëm të invaliditetit dhe për të marrë udhëzimet e nevojshme.

E ardhura për invaliditet të pjesshëm të përhershëm në punë që ka shkaktuar të paktën humbjen e 33 për qind të aftësisë për punë, e vërtetuar nga KMCAP është e barabartë me një pjesë të 80 për qind të pagës mesatare të 3 viteve të fundit, në vartësi nga shkalla e humbjes së aftësisë për punë. Por kjo e ardhur nuk mund të jetë më pak se sa 50 për qind e saj, e cila përcaktohet në Rregulloren e Institutit të Sigurimeve Shoqërore.

Të ardhurat për paaftësi të përhershme në masë të vogël

Të ardhurat për paaftësi të përhershme në masë të vogël, në më pak se 33 për qind, por më shumë se 10 për qind e vërtetuar nga KMCAP është një shumë të hollash që jepet menjëherë dhe caktohet në përputhje me rregulloren e Institutit të Sigurimeve Shoqërore.

Këtë pagesë e përfitojnë vetëm të punësuarit që janë aksidentuar dhe kanë paaftësi të përhershme në masë të vogël. Ndarja e kësaj pagese hyn në fuqi vetëm pasi komisioni mjekësor i caktimit të aftësisë për punë të ketë dhënë vendimin përkatës mbi dëmtimin e pësuar nga aksidenti në punë apo sëmundja profesionale.

Dosja e dokumenteve që duhen për përfitimet e përhershme, të pjesshme, si dhe në masë më të vogël të aksidentit në punë.

1) Dokumentet që vërtetojnë moshën dhe identitetin

  • Fotokopje e letërnjoftimit elektronik, ose certifikatë lindjeje me fotografi.
  • Certifikatë e gjendjes familjare.
  • Certifikatë martese (vetëm për aplikueset femra).
  • Dy fotografi.

2) Dokumentet që vërtetojnë periudhat e sigurimit dhe llojin e punës janë:

  • Libreza e punës.
  • Vërtetim për vjetërsinë në punë dhe llojin e saj.
  • Vërtetim për periudhën e sigurimit, të lëshuara nga zyra e arkivit pranë Drejtorisë DRSSH-së për punëdhënësit, të punësuarit, të vetëpunësuarit, të vetëpunësuarit në bujqësi.
  • Të gjitha këto dokumente për efekt përfitimi pensioni invaliditeti do të pranohen kur personi nuk ka mbushur moshën e pensionit të pleqërisë.

3) Dokumentet që vërtetojnë të ardhurat e realizuara

  • Vërtetim page për tri vitet e punës, deri në momentin e aksidentit në punë, ose të sëmundjes profesionale, të vërtetuar nga DRSSH, për derdhjen e kontributit për periudha sigurimi.
  • Çdo dokument tjetër justifikues që vërteton pagën ose derdhjen e periudhave kontributive.

4) Dokumentet që vërtetojnë gjendjen shëndetësore

  • Fletë-drejtimi për në KMCAP, lëshuar nga institucione shëndetësore me shtretër (Spital), shoqëruar me fletë-dalje nga spitali, ekzaminime e dokumente të tjera plotësuese, të kërkuara kur del për herë të parë në KMCAP.
  • Fletë-drejtimi nga KML për ato gjendje shëndetësore, që nuk janë objekt trajtimi në spital sipas përcaktimit në rregullore.
  • Epikrizë përcjellëse, lëshuar nga mjekë specialistë, apo konsulta e shoqëruar me ekzaminimet e nevojshme. Kur del për rikontroll duhet shoqëruar me ekzaminimet përkatëse zyrtare.
  • Kartela personale dhe libri i shëndetit për të vërtetuar ecurinë e sëmundjes, ndjekjen dhe trajtimin mjekësor me ilaçe.
  • Fletë-drejtimi për KMCAP, që vërteton rëndimin e gjendjes shëndetësore, e vlefshme për KMCAP, para afatit të rikontrollit.
  • Raport mjekësor lëshuar nga Komisioni Mjekësor, që përcakton gjendjen shëndetësore dhe aftësinë për punë (para fillimit të punësimit ose të përfshirjes në çdo skemë sigurimi).
  • Raport mjekësor i lirimit nga ushtria, lëshuar nga KMU pranë SQU, për ushtarët që bëhen invalidë gjatë shërbimit ushtarak.
  • Vërtetim për pagesën e paaftësisë së përkohshme në punë nga aksidenti në punë, ose sëmundje profesionale;
  • Kopje e proces-verbalit për aksident në punë, ose sëmundje profesionale, që është mbajtur në momentin e aksidentit, e legalizuar nga Drejtoria Rajonale e Sigurimeve Shoqërore.
  • Dokumentacioni i mësipërm i dorëzohet mjekut të ekspertizës, i cili pas verifikimit të nevojshëm njofton datën për të kaluar në KMCAP, ose i kthen mbrapsht dokumentet për pasaktësi. Në rastet kur komisioni mjekësor vlerëson dokumentet dhe ekzaminon të sëmurin, merr vendimin përkatës nëse duhet të sigurojë ndonjë nga këto lloje të ardhurash ose jo.

Pranvera Kola – DITA

 

August 9, 2018 10:20
Komento

1 Koment

  1. Arben August 9, 18:26

    Ai qe paguan sigurime shoqerore eshte I keqi I vetes.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*