Kushtet për transferimin e studimeve dhe ndjekjen e një fakulteti të dytë

August 3, 2018 11:17

Kushtet për transferimin e studimeve dhe ndjekjen e një fakulteti të dytë

Në nisje të muajit shtator, të gjithë studentët dhe kandidatët e tjerë që duan të transferojnë studimet ndërmjet programeve të universiteteve publike, ose nga strukturat private të arsimit të lartë drejt atyre publike duhet të paraqiten pranë departamenteve përkatëse për të kryer procedurat e aplikimit.

Konkurimi për kuotat e miratuara për këto programe studimi do të zhvillohet me anë të dosjes. Sipas autoriteteve të arsimit, edhe për këtë vit gara pritet të jetë e fortë. Kjo për shkak të kuotave të kufizuara të miratuara për çdo program, kundrejt fluksit të kërkesave që regjistrohen çdo vit nga studentët.

Afatet e aplikimit dhe zgjedhja e programeve  

Në udhëzimin zyrtar të miratuar pak ditë më parë nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, saktësohet se kandidatët që kërkojnë të ndjekin një program të dytë studimi, apo të transferojnë studimet, kanë në dispozicion dy javë kohë për të kryer procedurat e aplikimit.

Konkretisht, në udhëzim specifikohet se dorëzimi i dosjeve me dokumentet e kërkuara nga kandidatët që duan të aplikojnë për këto kuota duhet të bëhet detyrimisht duke nisur nga data 3 shtator, për të përfunduar në datën 14 shtator. Pas kësaj date nuk do të pranohen më kërkesa për këto cikle. Në udhëzim janë përcaktuar edhe kriteret që duhet të përmbushni në fazën e konkurrimit.

Sa i takon këtyre kushteve, bëhet me dije se çdo student ka të drejtë që të aplikojë duke përzgjedhur në fazën e konkurimit deri në 5 programe studimi. Më pas do të jenë komisionet e vlerësimit, të cilat në varësi të kritereve do të përcaktojnë edhe programin e studimit që kandidati ka të drejtë të ndjekë.

Pasi të vlerësohen dokumentet përkatëse nga komisionet e vlerësimit, universitetet duhet që të shpallin listat zyrtare të kandidatëve fitues në datën 25 shtator, ku të përcaktojnë më pas edhe procedurat konkrete të regjistrimit të tyre sipas programeve përkatëse të studimit ku janë zgjedhur.

Kriteret që duhet të përmbushni

Sipas udhëzimit, kandidatët që aplikojnë për program të dytë studimi duhet të plotësojnë kriterin e notes mesatare të përcaktuar nga qeveria, si dhe kriteret specifike të vendosura nga vetë universitetet në të cilat konkurojnë. Çka do të thotë se në këto programe nuk mund të aplikojnë kandidatët me mesatare më të ulët se sa nota 6.

Ndërkohë që në programe të caktuara kjo mesatare duhet të jetë edhe më e lartë. Ndërsa kandidatët të cilët aplikojnë për transferim studimesh, apo për t’u pranuar në programet e studimeve 2-vjeçare me karakter profesional nuk kanë detyrimin të plotësojnë kriterin e notës mesatare. Gjithashtu në udhëzim saktësohet se nuk do të pranohen aplikime për transferim studimesh nëse viti i ri akademik ka nisur.

Në çdo rast, të gjithë studentët që aplikojnë për transferim të studimeve apo program të dytë studimi duhet të plotësojnë edhe kriteret e përcaktuara nga institucionet e arsimit të lartë, për programet e studimit në të cilat konkurojnë. Një tjetër kusht që duhet plotësuar është edhe kriteri se kandidati nuk duhet të jetë duke ndjekur një tjetër program studimi në momentin e aplikimit.

Transferimi i studimeve

Aplikimi për transferim studimesh mund të bëhet nga një program studimi i njëjtë, ose i ngjashëm i të njëjtit cikël edhe lloj të ndjekur nga kandidati në një universitetet publik, apo privat, vendas ose të huaj, por që plotëson kushtin e akreditimit të programit përkatës të studimit.

Ndërsa për të gjithë kandidatët për program të dytë studimi, të cilët kanë mbaruar arsimin e mesëm të lartë jashtë vendit, duhet të kenë të njohur sipas kushteve të përcaktuara diplomën dhe certifikatën e arsimit të mesëm të lartë në Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë.

Gjithashtu në udhëzim saktësohet se nuk mund të kryhen transferime studimesh nga një nivel cikli studimesh të Kornizës Shqiptare të Kualifikimeve në një tjetër. Në këtë kuadër nuk mund të kryhen transferime studimesh nga programet 2-vjeçare me karakter profesional në programe të ciklit të parë “Bachelor”, dhe në programet e integruara të studimeve të ciklit të dytë “Master i shkencave”.

Studentët që përjashtohen nga transferimet

Sipas udhëzimit të zbardhur nga MASR, nuk kanë të drejtë që të aplikojnë për transferim studimesh të gjithë ish studentët e institucioneve të arsimit të lartë privat që u mbyllen nga qeveria në mesin e vitit 2014, për shkak të problemeve të hasura me licencimin dhe funksionimin e programeve të tyre të studimit. Përjashtim në këtë rast përbëjnë vetëm ish studentët e shkollës së lartë Universitare “Justicia” në Tiranë, të cilët kanë të drejtë që të aplikojnë për të transferuar studimet vetëm gjatë këtij viti akademik.

Kandidatët që aplikojnë për transferim të studimeve duhet të paraqesin:

  • Kërkesën drejtuar universitetit për programin e studimit, në të cilën do të transferojnë studimet (si dhe formularin e aplikimit të plotësuar).
  • Planin e plotë të programit të studimit përfshirë dhe syllabuset përkatëse.
  • Vërtetim të listës së notave dhe krediteve të fituara për çdo lëndë dhe detyrim të shlyer, i cili do të shërbejë për ekuivalentimin e notave të lëndëve të programit të studimit të ndjekur. Studentët që transferojnë studimet nga një institucion i huaj drejt vendit tonë duhet të dorëzojnë edhe planin e plotë të programit të studimit të përfshirë dhe syllabuset përkatëse dhe listën e notave dhe krediteve të fituara për çdo lëndë dhe detyrim të shlyer, të cilat duhet që t’i dorëzojnë të përkthyera në gjuhën shqipe dhe të njehsuara me origjinalin.
  • Kandidati që ka përfunduar shkollën e mesme në Republikën e Shqipërisë përpara vitit 2011 duhet të dorëzojnë fotokopje të noterizuar të dëftesës së pjekurisë së shkollës së mesme. Në mungesë të diplomës së Maturës Shtetërore, apo dëftesës së pjekurisë së shkollës së mesme, duhet të paraqesin dublikate të dëftesës së pjekurisë së lëshuar nga drejtoria e shkollës së mesme dhe të vërtetuar në Drejtorinë Arsimore Rajonale/Zyra Arsimore përkatëse, ose listën e notave të shkollës së mesme të lëshuar nga Arkivi i Shtetit.
  • Fotokopje të dokumentit të identifikimit (kartë identiteti, letërnjoftim ose pasaportë).
  • Dy fotografi personale.
  • Kopje të mandatit të pagesës për faturën e aplikimit, shuma e të cilës përcaktohet nga universitetet.

 

Kandidatët që aplikojnë për program të dytë studimi duhet të dorëzojnë:

  • Kërkesën drejtuar universitetit publik për programin e studimit, në të cilin aplikon për të vijuar studimet si fakultet i dytë, si dhe të plotësojë formularin përkatës të aplikimit.
  • Kopjen e noterizuar të diplomës së studimeve universitare të kryera më parë të shoqëruara me suplementin e diplomës përkatëse.
  • Vërtetim të listës së notave dhe krediteve të fituara për çdo lëndë dhe detyrim të shlyer, i cili do të shërbejë për ekuivalentimin e notave të lëndëve të programit të studimit të ndjekur nëse kërkohet njohja e provimeve të shlyera dhe e krediteve përkatëse.
  • Kandidati që ka përfunduar shkollën e mesme në Republikën e Shqipërisë përpara vitit 2011 duhet të dorëzojnë fotokopje të noterizuar të dëftesës së pjekurisë së shkollës së mesme. Në mungesë të diplomës së Maturës Shtetërore apo dëftesës së pjekurisë së shkollës së mesme, duhet të paraqesin dublikate të dëftesës së pjekurisë së lëshuar nga drejtoria e shkollës së mesme dhe të vërtetuar në Drejtorinë Arsimore Rajonale/Zyra Arsimore përkatëse, ose listën e notave të shkollës së mesme të lëshuar nga Arkivi i Shtetit.
  • Fotokopje të dokumentit të identifikimit (kartë identiteti, letërnjoftim ose pasaportë).
  • Dy fotografi personale.
  • Kopje të mandatit të pagesës për faturën e aplikimit, shuma e të cilës përcaktohet nga universitetet.
  • Njohja e dokumentacionit të kandidatëve shtetas të huaj si fitues në këto programe studimi mund të kryhet edhe gjatë zhvillimit të semestrit të parë, si dhe përpara sezonit të parë të provimeve. Në këtë rast, regjistrimi si student i kandidatëve fitues bëhet me rezervë deri në përfundim të procedurës së njohjes së dokumentacionit shkollor të tyre.

Pranvera Kola – DITA

 

August 3, 2018 11:17
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*