Kushtetuesja dhe një vendim për Kasharin, Farkën, Krujën dhe Tiranën

Nga Aida Nako June 6, 2014 08:54

Kushtetuesja dhe një vendim për Kasharin, Farkën, Krujën dhe Tiranën

Mbi Vendimet e Gjykatës Kushtetuese, në gjyqin me palë disa Bashki dhe Komuna dhe Këshillin Kombëtar të Territorit e Këshillin e Ministrave

Me fillimin e punës së Qeverisë së re të Kryeministrit Rama, Qeveria, nëpërmjet Këshillit Kombëtar të Territorit, mori menjëherë masa për të filluar punën për hartimin e Planit të Përgjithshëm Kombëtar të Territorit të Republikës së Shqipërisë, plan i cili i ka munguar Shqipërisë në këto 24 vitet e fundit të demokracisë dhe hartohet për herë të parë për vendin.

Në kuadër të kësaj nisme, Këshilli Kombëtar i Territorit miratoi disa vendime të cilat pezullojnë ndërtimet e pallateve shumëkatëshe në zona me rëndësi dhe interes të veçantë kombëtar si kurora e gjelbër e Tiranës, qytetet me trashëgimi të rëndësishme historike kulturore Krujë, Gjirokastër dhe Berat, etj, nëpërmjet vendimeve Nr. 1, 3 dhe 5 të Këshillit Kombëtar të Territorit.

Këto vendime vendosin, gjatë procesit të hartimit të Planit të Përgjithshëm Kombëtar, pezullimin e miratimit të lejeve të ndërtimit për godina të reja dhe shumëkatëshe në zonën e gjelbër përreth Tiranës, e njohur edhe si kurora e gjelbër e Tiranës, që shtrihet në territorin e 6 komunave kufitare më Tiranën, ndër të cilat edhe Komuna Kashar e Farkë, por edhe në qytetin historik të Krujës.

Në vijim të miratimit të këtyre vendimeve, Bashkia e Tiranës, Komuna Kashar, Komuna Farkë, Bashkia e Krujës dhe Komuna Katund i ri (Durrës) paraqitën në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për shfuqizimin e këtyre Vendimeve të Këshillit Kombëtar të Territorit, me pretendimin se ato nuk ishin në përputhje me Kushtetutën dhe me decentralizimin e pushtetit vendor dhe se këto Bashki e Komuna duhet të ishin të lira për të ushtruar funksionet e zhvillimit dhe kontrollit urban e në dhënien e lejeve të ndërtimit, në këto zona me rëndësi kombëtare që u vunë në “mbrojtje” të përkohshme, me anë të pezullimit të dhënies së lejeve, nga Këshilli Kombëtar i Territorit.

 

Gjykata Kushtetuese, gjatë muajit maj 2014, mori në shqyrtim çështjet si më poshtë, me kërkues dhe objekt respektivisht si më poshtë:

  1. Kërkues: Komuna Kashar, Komuna Farkë.

Objekti: Shfuqizimin si antikushtetues të Vendimit nr. 3, datë 18.10.2013 të Këshillit Kombëtar të Territorit “Për masat emergjente të ndërhyrjes mbrojtëse dhe rehabilituese në zonën me rëndësi të veçantë të Kurorës së Tiranës”;

Pasi shqyrtoi pretendimet e ngritura nga kërkuesit si dhe prapësimet e ngritura nga Këshilli i Ministrave, Gjykata Kushtetuese me vendimin e datës 04.06.2014, njëzëri ( 9 – 0/ 9 vota pro dhe asnjë kundër) vendosi të rrëzojë kërkesën e Komunës Kashar dhe Farkë dhe t’i japë të drejtë Këshillit Kombëtar të Territorit dhe Këshillit të Ministrave, duke lënë në fuqi vendimin e Këshillit Kombëtar të Territorit dhe pezullimin e lejeve të ndërtimit.

  1. Kërkues: Bashkia Tiranë, Bashkia Krujë, Komuna “Katund i Ri”, Durrës.

Objekti: Shfuqizimin si antikushtetues te Vendimit nr. 1, datë 08.10.2013, të Këshillit Kombëtar të Territorit “Për masat emergjente të ndërhyrjes mbrojtëse dhe rehabilituese mjedisore në disa zona me rëndësi kombëtare dhe procedurën e hartimit të Planit të Integruar Sektorial për Brezin Bregdetar” dhe Vendimit nr. 3, datë 18.10.2013, të Këshillit Kombëtar të Territorit “Për masat emergjente të ndërhyrjes mbrojtëse dhe rehabilituese në zonën me rëndësi të veçantë të Kurorës së Tiranës”;

Pasi shqyrtoi pretendimet e ngritura nga kërkuesit si dhe prapësimet e ngritura nga Këshilli i Ministrave, Gjykata Kushtetuese me vendimin e datës 04.06.2014, njëzëri ( 9 – 0/ 9 vota pro dhe asnjë kundër) vendosi të rrëzojë kërkesën e Bashkisë së Tiranës, Bashkisë Krujë Komuna “Katund i Ri” dhe t’i japë të drejtë Këshillit Kombëtar të Territorit dhe Këshillit të Ministrave, duke lënë në fuqi vendimin e Këshillit Kombëtar të Territorit dhe pezullimin e lejeve të ndërtimit.

-Përmbyllje-

Këto vendime parashikojnë marrjen e disa masave emergjente me qëllim mbrojtjen dhe rehabilitimin mjedisor të disa zonave me rëndësi të veçantë kombëtare, sikurse janë zonat e Kurorës së gjelbër të Tiranës, brezi bregdetar, Bashkitë Berat, Gjirokastër dhe Krujë, si dhe rrugët kombëtare dhe hekurudha Tiranë-Durrës.

Për shkak të vendimeve, shpeshherë jo në përputhje me ligjin, planet rregulluese apo në mungesë të këtyre, kanë sjellë sot një situatë që në pjesën më delikate dhe me vlera të vendit, si zonat e gjelbërta, zonat e trashëgimisë, etj., të ngrihen një valë ndërtimesh abuzive, aspak estetike dhe për më tepër, pa ndjeshmëri për dëmin që shkaktojnë në aspektin mjedisor dhe të trashëgimisë kulturore.

Këto Vendime të Gjykatës Kushtetuese, sidomos me një vendimmarrje unanime në favor të Vendimit të Këshillit Kombëtar të Territorit dhe të Qeverisë, janë një mbështetje e qartë në kushtetutshmërinë e qëllimit për të mbrojtur këto zona me rëndësi kombëtare të vendit, gjatë procesit të hartimit të një Plani të qartë zhvillimor kombëtar.

Nga Aida Nako June 6, 2014 08:54
Komento

2 Komente

  1. anonim June 6, 12:10

    ska asnje vendimmarrje pro qeverise, Gjykata Kushtetuese ka vendusur qe nuk eshte ajo kompetente per shqyrtimin e kesaj çeshtje, por jane gjykatat administrative. Gjithsesi, tentative e mire per t’iu servilosur pushtetit dhe per te bere propagande.

    Reply to this comment
  2. P.A.B June 6, 19:18

    04.06.2014, njëzëri ( 9 – 0/ 9 vota pro dhe asnjë kundër) vendosi të rrëzojë kërkesën e Komunës Kashar dhe Farkë dhe t’i japë të drejtë Këshillit Kombëtar të Territorit dhe Këshillit të Ministrave, duke lënë në fuqi vendimin e Këshillit Kombëtar të Territorit dhe pezullimin e lejeve të ndërtimit.

    ( 9 – 0/ 9 vota pro dhe asnjë kundër) vendosi të rrëzojë kërkesën e Bashkisë së Tiranës, Bashkisë Krujë Komuna “Katund i Ri” dhe t’i japë të drejtë Këshillit Kombëtar të Territorit dhe Këshillit të Ministrave, duke lënë në fuqi vendimin e Këshillit Kombëtar të Territorit dhe pezullimin e lejeve të ndërtimit.


    Anonim i nderuar, me duket se nuk e ke kuptuar kete ceshtje, ose po ngaterron Gjykaten e Larte me ate Kushtetuese. Vendimi nuk eshte kthyer ne Gjakate Shkalle dhe se Kushtetuesja nuk ka tager per kete ankese; po ta lexosh me kujdes sheh Lenden akimore, qe eshte:

    ————–
    Bashkia e Tiranës, Komuna Kashar, Komuna Farkë, Bashkia e Krujës dhe Komuna Katund i ri (Durrës) paraqitën në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për shfuqizimin e këtyre Vendimeve të Këshillit Kombëtar të Territorit, me pretendimin se ato nuk ishin në përputhje me Kushtetutën dhe me decentralizimin e pushtetit vendor dhe se këto Bashki e Komuna duhet të ishin të lira për të ushtruar funksionet e zhvillimit dhe kontrollit urban e në dhënien e lejeve të ndërtimit, në këto zona me rëndësi kombëtare që u vunë në “mbrojtje” të përkohshme, me anë të pezullimit të dhënies së lejeve, nga Këshilli Kombëtar i Territorit. [artikulli]

    ——-

    Pra eshte plotesisht ne remitin e Kushtetueses [e kujt tjeter?] kur Pushteti Vendor kundershton Pushtetin Qendor ne lidhje me “anti-kushtetushmerine” dhe ne vendime te tilla finale gjithmone shikohen votat. “Kushtetuesit” te 9-te prej tyre [qe kane perfitime te vecanta dhe mandate 9 vjecare] kane votuar kunder te gjithe, pra 9-0. Ne drejtesi kjo eshte forma me balancuese [dhe finale] ne kontroll/rotacional, te pushteve Ekzekutiv, Legjislativ, Gjyqsor. Kjo Gjykate eshte fjale e fundit ne intepretim ceshtjesh e Kushtetutes se nje shteti. Cdo pushtet, nga Presidenti, Parlamenti e Qeveria ketu ndalohen! Kjo eshte vec nje ceshtje; por nuk mund te krahasohet Rendesia qe ka kjo gjykate ne jeten e nje Shteti. Vendimet e tyre kudo ne bote, qemtohen dhe mbahen si dekretet finale.

    Kam sh. respekt per kete gjykate, disa vendime te saj qe kemi degjuar ne shtyp duken mjaft te sakta, puna e tyre me qetesi e profesionalizm nderon vendin. Do ishte mire te publikohej nje liste me Emra te ketyre gjyqtareve nga shtypi yne. Ato jane Figura Publike; kudo Emret e tyre, vendimet dhe votimet qe bejne jepen ne menyre te sakte e konstante. Ne vendet anglo-saksone cdo antar quhet “justice” si sinonim i vete Drejtsise. Psh. sot asnje nuk i njeh ministrat Amerikane te 1919-tes, por Oliver Wendell Holmes, Gjyqatari Suprem qe pati nje ceshtje per ” te drejten e lirise se fjales” ngelet si nje nga me te cituarit ne jeten juridike te shoqerise.

    Perfundimisht – kur merr nje vendim unanim kunder teje ne kete gjykate; atehere je krejtesisht Gabim. 9-0 nuk jepet per dite.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*