Kushti për transferimin e dosjes së pensionit

April 15, 2019 13:47

Kushti për transferimin e dosjes së pensionit

 

Me ndërrimin e vendbanimit, çdo pensionist mund të bëjë edhe transferimin e qendrës ku merr pensionin. Sipas kushteve të përcaktuara në ligjin e sigurimeve shoqërore, kërkesa për transferimin e pensionit duhet të bëhet në Agjencinë Lokale të Sigurimeve Shoqërore ku ka vendbanimin e ri pensionisti. Kjo kërkesë duhet të hartohet sipas formatit të përcaktuar. Kërkesa e plotësuar duhet të paraqitet tek inspektorit pritës, i cili kontrollon se cila është qendra paguese postare ku pensionisti tërheq pensionin, cila është drejtoria rajonale, apo agjencia lokale e sigurimeve shoqërore në territorin e së cilës është edhe qendra paguese nga ku do të transferohet dosja e pensionit dhe urdhërpagesa.

Kushtet që duhen përmbushur

Pasi i gjen dokumentet dhe kërkesën të rregullt, inspektori bën regjistrimin në librin e pritjes, në rubrikën “Kërkesa për transferim pensioni”, ku më pas vijohet me procedurat e verifikimit të kritereve të përcaktuara për transferimin e pensionit. Thelbësore është që kërkesa për transferimin e pensionit duhet të shoqërohet detyrimisht me këto dokumente: “Certifikatë familjare nga zyra e gjendjes civile të vendbanimit të ri, certifikatë personale, kopje e kontratës midis pensionistit dhe KESH-it, kur është e mundur dhe kur kërkohen kompensime, si dhe vërtetimin për ndjekjen e shkollës”. Krahas dokumenteve të përcaktuara, për të bërë transferimin e pensionit pranë vendbanimit të ri duhet të plotësohet edhe një kusht tjetër. “Nuk lejohet të transferohet një dosje pensioni, nëse nuk është paguar minimumi një këst mujor pensioni në agjencitë paguese të territorit të drejtorisë rajonale të sigurimeve që ka caktuar pensionin në qendrën e vjetër paguese”, bëjnë me dije ekspertët e sigurimeve shoqërore. Kur dosja e dorëzuar nuk gjendet në rregull, sipas rastit, bëhet verifikimi i dokumenteve që shihen të nevojshme. Drejtoria, në adresë të së cilës dërgohet dosja e kërkuar për transferim, sipas të gjitha procedurave, protokollon shkresën shoqëruese të dosjes. Kreu i kësaj drejtorie e adreson dosjen te kryetari i degës së përfitimeve, i cili  së bashku me personat e tjerë përgjegjës kryejnë të gjitha verifikimet e nevojshme deri në marrjen e vendimit për transferimin e qendrës së pagesës ku pensionisti do të paraqitet për të marrë përfitimin mujor. Ky vendim shoqërohet edhe me dokumentacionet përkatëse që dorëzohen ndërmjet qendrës së vjetër dhe asaj të resë ku pensionisti do të paraqitet për të marrë pensionin që i takon.

Afatet e pagesës për të gjitha llojet e pensioneve

Në vendim e lidhjes së pensioneve të reja duhet të pasqyrohet lloji i pensionit, masa e tij dhe afati i pagesës. Në këto kushte, për pensionet e pleqërisë dhe për pensionin familjar, në rastet kur anëtari i familjes që përfiton pension është mbi moshën për punë që përcakton ligji, caktohet i përhershëm. Për të ardhurën shtesë për fëmijën në ngarkim dhe për kompensime të tjera që marrin edhe pensionet e pleqërisë, afati do të vendoset sipas rastit. Ndërsa pensioni i invaliditetit deri në datën e mbarimit të afatit të caktuar të vlerësimit të aftësisë për punë, me vendim të KMCAP-it. Për pension familjar për jetimët, afati i pagesës caktohet deri në datën kur jetimi më i madh plotëson moshën 18 vjeç dhe për ata që janë mbi moshën 18 vjeç e vazhdojnë shkollën, deri në një muaj pas datës së fillimit të vitit të ri shkollor, por në asnjë rast më shumë se data e mbushjes të moshës 25 vjeç. Po sipas kushteve të përcaktuara, për të ardhurën shtesë për fëmijën në ngarkim, për personat që përfitojnë pension invaliditeti të plotë, vendoset data e plotësimit të moshës 18-vjeçare të fëmijës më të rritur. Ndërsa në rastet kur anëtarët e familjes që marrin pension familjar, kërkojnë që të ndahet e të paguhet i veçantë për secilin, nuk merret vendim tjetër, por në vendimin ekzistues bëhen shënimet për ndarjen e pensioneve. Në këto raste, nuk hapet një dosje tjetër, por vetëm plotësohet kartela, urdhër pagesa e libreza e pensionit e veçantë për aq pjesë sa është ndarë pensioni. Kur njëri nga anëtarët e familjes që merr pension banon në një rreth tjetër dhe kërkon që pensioni t’i paguhet në atë rreth, drejtoria që ka caktuar pensionin, bën ndarjen e tij, plotëson kopjen e vendimit për caktimin e pensioneve të firmosur e vulosur sipas rregullave dhe ia dërgon drejtorisë së re ku banon i pensionisti. “Për rastet kur e drejta për përfitimin e pensionit apo përfitimeve të tjera fillon më vonë se data 1 e muajit, shuma e përfitimeve llogaritet dhe autorizohet për pagesë vetëm për ditët e tjera që mbeten nga data e caktuar deri në fund të muajit, p.sh. kur e drejta e pensionit fillon më datë 13 të muajit, atëherë pensioni llogaritet dhe paguhet për 18 ditë të muajit të parë, ndërsa për muajt e tjerë pensioni paguhet i plotë. Për efekt llogaritjeje, shuma e përfitimit mujor pjesëtohet me 30 ditë dhe shumëzohet me numrin e ditëve që duhet të paguhet interesuari”, bëjnë me dije ekspertët e sigurimeve shoqërore.

DOKUMENTET QË DUHEN PËR 4 LLOJET E PENSIONEVE 

  1. Për pension pleqërie

Mosha

  • Certifikatë lindjeje me fotografi.
  • Certifikatë e gjendjes familjare.
  • Certifikatë martese (vetëm për kërkueset femra).
  • Kur kërkohet pension si nënë me shumë fëmijë dhe në certifikatën familjare nuk figurojnë të gjithë fëmijët, fakti i lindjes, martesës, apo vdekjes së tyre provohet me certifikatë të veçantë lindjeje, martese ose vdekjeje.
  • Fotografi për librezën e pensionit.

Periudha e sigurimit dhe lloji i punës

  • Libreza e punës.
  • Vërtetim për vjetërsinë në punë dhe llojin e saj.
  • Vërtetim për periudhën e sigurimit të lëshuar nga zyra e arkivit pranë Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore për punëdhënësit, të punësuarit, të vetëpunësuarit, të vetëpunësuarit në
  • bujqësi dhe të siguruarit në mënyrë vullnetare, si dhe të siguruarit sipas vendimeve të Këshillit të Ministrave.
  • Vërtetim i vjetërsisë në punë në koopertivë bujqësore për ish-anëtarët e saj, para vitit 1992.
  • Vërtetim gjykate për njohje vjetërsie në punë.
  • Vërtetim i Degës Ushtarake për periudhën e kryerjes së shërbimit të detyrueshëm ushtarak.

Për personat që përfitojnë nga ligji nr.7514, datë 30.9.1991 “Për pafajësinë, amnistinë

dhe rehabilitimin e ish-të dënuarve dhe të përndjekurve politikë”:

  • Dëshmi penaliteti.
  • Vërtetim për kohën e vuajtjes së dënimit, lëshuar nga Ministria e Rendit Publik.
  • Vërtetim për faktin e dënimit për motive politike dhe kohën e vuajtjes së tij, të lëshuar nga Komisioni i Ministrisë së Rendit Publik dhe Ministrisë së Drejtësisë.

Të ardhurat

  • Vërtetim page sipas së cilës është derdhur kontribut që nga viti 1994 deri në momentin e lënies së punës, sipas formularit të miratuar.
  • Vërtetim i pagës mesatare neto për 10 vitet e fundit të punës.
  • Pasqyra e printuar e pagave referuese, sipas vendimit të Këshillit të Ministrave nr.561, datë 12.8.2005.
  1. Për pension invaliditeti
  • Certifikatë lindjeje me fotografi.
  • Certifikatë e gjendjes familjare.
  • Vërtetim i periudhës së sigurimit (është i njëjtë si për pensionin e pleqërisë), (modeli
  • bashkëlidhur rregullores).
  • Vërtetim për profesionin apo natyrën e punës (për punëmarresin), (modeli bashkëlidhur).
  • Dokument mjekësor për gjendjen shëndetësore (para fillimit të punësimit).
  • Raport mjekësor i lirimit nga ushtria, lëshuar nga KMU pranë SQU, për ushtarët që bëhen invalidë gjatë shërbimit ushtarak.
  • Vërtetim për pagesën e paaftësisë për punë shkaktuar nga aksidenti në punë/sëmundje profesionale ose sëmundje të përgjithshme (për punëmarrësin).
  • Fletë-drejtimi për në KMCAP nga institucioni shëndetësor me shtretër, fletëdalje nga spitali dhe ekzaminimet e dokumente të tjera.
  • Vërtetim i mesatares së bazës së vlerësueshme nga 1.1.1994 deri në ditën e lënies së punës.
  • Procesverbal i aksidentit në punë.
  • Vërtetim nga organet e prokurorisë ose gjykatës, për rastet kur kërkohet të përfitohet nga dekreti nr.758, datë 1.4.1994 “Për një mbrojtje të veçantë të ushtarakut”.
  • Vërtetim-tip i vjetërsisë në punë për ushtarakët.
  1. Për pension familjar
  • Certifikatë e gjendjes familjare.
  • Certifikatë vdekjeje e të siguruarit (ku të jetë shënuar dhe shkaku i vdekjes) si te pensionet e invaliditetit.
  • Koha e sigurimit apo vjetërsia në punë dhe lloji i saj vërtetohet me të njëjtat dokumente si në rastin e pensionit të pleqërisë.
  • Vërtetim i pagës së personit që ka vdekur (kur i ndjeri kishte apo i takonte pension pleqërie ose kur i ndjeri kishte apo i takonte pension invaliditeti).
  • Vërtetim i vazhdimit të shkollës për jetimët që kanë mbushur moshën ligjore për t’u punësuar ose vetëpunësuar.
  • Vendim i KMCAP-it për paaftësinë në punë të personave të familjes në ngarkim të të siguruarit të vdekur, kur ata janë në moshë pune.
  • Vërtetim i organeve të pushtetit lokal që në ngarkim të të vdekurit ishte një i/e ve, që mban një fëmijë deri në moshën 8 vjeç, i cili ishte në ngarkim të të vdekurit.
  • Proces verbal që provon faktin e vdekjes nga aksidenti në punë, si dhe vendim i KMCAP, kur vdekja është shkaktuar nga sëmundje profesionale.
  • Vërtetim i organeve të pushtetit lokal, që prindërit, prindërit e prindërve nuk kanë persona që detyrohen t’i mbajnë dhe jetonin në të njëjtën familje me atë që ka vdekur jo më pak se një vit para vdekjes.
  • Për të marrë këtë përfitim, personi duhet të bëjë kërkesë me shkrim pranë ALSSH-së, ku të deklarojë se nuk është ekonomikisht aktiv (i punësuar ose i vetëpunësuar).
  • Jetimi që ka moshën ligjore për t’u punësuar ose vetëpunësuar, kur nuk vazhdon shkollën dhe është nën 18 vjeç (kur banon në qytet) dhe nën 16 vjeç (kur banon në fshat), në kërkesën për pension deklaron se nuk është i punësuar ose i vetëpunësuar, si dhe paraqet vërtetim nga zyra e punës.
  • Vërtetim nga organet e prokurorisë ose gjykatës, për rastet kur kërkohet të përfitohet nga dekreti nr. 758, datë 1.4.1994 “Për një mbrojtje të veçantë të ushtarakut”.
  • Vërtetim nga ministria përkatëse për humbjen e jetës së pilotit në përmbushje të detyrësgjatë fluturimit.

 

  1. Për pension të posaçëm shtetëror ose shtesë pensioni të posaçëm shtetëror
  • Certifikatë personale me fotografi.
  • Certifikatë e gjendjes familjare.
  • Vendim i Këshillit të Ministrave për caktimin e këtij pensioni apo shtesës.
April 15, 2019 13:47
Komento

1 Koment

  1. Landi April 15, 15:14

    Eshte cudi e madhe me I.S.SH.-ne.Nder dokumentat qe u kerkohen atyre ne prag pensioni,u kerkohet vertetim bashkjetese e ciftit deri ne momentin e vdekjes se njerit nga cifti.I.S.SH.-ja ka certifikatat perkatese.Po mire,po per cfare duhet ky vertetim,kur kete e tregojne certifikatat,per te sorollatur njerezit?Pse,administratori e di bashkjetesen,apo gjendja civile?Po urdherin e Qeverise,e di I.S.SH-ja qe,certifikatat ne entet shteterore i nxjerr vete Enti dhe jo Gjendja Civile?Ju lutem,shkurtojuani burokracite pensionisteve,se gjynah!

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*