Ky është Botërori i numrit 10

July 1, 2014 08:51

Ky është Botërori i numrit 10

Numri 10 në futboll është simbol i fantazisë, i klasit por dhe i lojtarit më të rëndësishëm. Nga Pele, Maradona, Ronaldinjo, Matheus e deri te Roberto Baggio, të gjithë kanë patur mbi shpinë numrin 10 dhe të gjithë kanë qenë gjigant të lojës dhe udhëheqës të skuadrave të tyre. Por në historinë e kampionateve Botërorë, brenda një kompeticioni të vetëm, vështirë se mund të gjesh kaq shumë numra 10 të mbledhur së bashku, që shndërrohen në lider të kombëtareve të tyre.

Neymar dhe Messi pritej të ishin dy numrat 10 shpërthyes të këtij Botërori, dhe me nga katër gola të realizuar deri në këto momente kanë përligjur pritshmëritë, duke marrë për dore Argjentinën dhe Brazilin. Por përveç tyre, ky Botëror po konfirmohet ai i numrave 10 dhe prej emrave të tjerë që mbajnë mbi supe këtë fanellë. Nëse hedhim një sy në katër ndeshjet e para të 1/8 por dhe atyre të grupeve, në çdo sfidë kanë vendosur numrat 10, duke nisur nga vetë Neymar që goditi penalltinë e fundit ndaj Kilit dhe e bëri me klasin e një futbollisti të madh, që e flak tej presionin e 200 milion tifozëve duke ekzekutuar me një qetësi prej kampioni 11-metërshin që mban në kompeticion brazilin.

Kolumbia, gjithashtu i falet një tjetër numri 10, James Rodriguezit, që ka shënuar pesë gola deri tani në këtë kompeticion, po cilësohet nga të gjithë si shpërthimi më i madh i Brazil 2014 dhe gjithashtu realizoi dhe dy herë në ndeshjen me Uruguajin duke kualifikuar vendin e tij për herë të parë në çerekfinalet e Botërorit. Sfida mes Meksikës e Holandës ishte gjithashtu një duel mes numrave 10-të, me Dos Santos që mori për dore Meksikën me golin e tij të jashtëzakonshëm e Sneijder që nisi kthesën e Holandës në tre minuta, për të shtruar rrugën portokalli drejt raundit tjetër.

Dhe te Kosta Rika, skuadra më pak e pritshme po rezulton deçiziv një numër 10, Bryan Ruiz, lojtari që shënoi golin e avantazhit provizor por gjithashtu dhe 11-metërshin e parë ndaj Greqisë, që cilësohet një ndër më të rëndësishme në lotarinë e penalltive. Shumë numra 10-të, që po lënë shenjën e tyre në këtë Botëror, i cili me spektaklin që po dhuron duket se meriton të njëjtën nota, si numri që këta futbollistë mbajnë mbi fanellë.

 

July 1, 2014 08:51
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*