Ky gojë-qenef dixhital

Ilir Mborja April 25, 2016 10:54

Ky gojë-qenef dixhital

“Më tha një burrë nga katundet e Durrësit se i ka thënë një kushërira e tij…” Janë fjalë të Sali Berishës të shkëputura nga ato që ai shkruan në Facebook-un e tij.

A mund t’i besohet dikujt, qoftë edhe ishkryeministër, që e nis fjalën e tij me: “Më tha… se i ka thënë”? Thashethem i pastër. Prandaj le t’i drejtohemi fjalorit të shqipes që jep këtë shpjegim: “THASHETHEME – Fjalë të pathemelta, zakonisht të këqija, për dikë a për diçka, që pëshpëriten e përhapen nga njerëz llafazanë e shpirtvegjël, të cilët marrin nëpër gojë të tjerët për t’i njollosur dhe nuk e kanë ndjenjën e përgjegjësisë.” Dhe po aty: “THASHETHEMEXHI – Ai që merret me thashetheme, njeri i thashethemeve. Thashethemexhinjtë fshihen si minjtë”.

Gjithashtu besoj, se kujtdo i ka rënë në sy, se jo vetëm në postimet e tij në Facebook, por edhe gjatë ligjërimeve të tij publike në foltoren e Parlamentit apo para kamerave, Sali Berisha përdor shumë shpesh foljen: “Më kanë thënë”. Gjithashtu, duke folur për çështje të ndryshme, jo rrallë, fut në mes edhe këto shprehje: “Po, po. Poo. Ja! Ja ku ua them unë juve këtë!.. Mos u çuditni hiç juve!”

 

Ky pohim i beftë, që ndodh mes ligjërimit të tij pa e pyetur kush, në vështrim të parë, duket se nuk ka asnjë lidhje. Vetëm në vështrim të parë ama, se një rol jo vetëm stilistik, ato fjalë e kanë. Ato, si të gjitha “fjalët parazite” si psh: “kupton apo jo”, “domethënë”, “që thua ti”, etj, i shërbejnë folësit për të lidhur mendimet, kur ai e ka të vështirë për të vijuar kumtimin në mënyrë të rrjedhshme. Ky ves stilistikor, përdorimi i “fjalëve parazite” prek edhe njerëz të kulturuar kur bisedojnë ose tregojnë me emocion një ngjarje me histori disi të ndërlikuar, të pabesueshme për dëgjuesin. Por veç kur bisedojnë ama. Nëpër foltore publike përdorimi i tyre është kurdoherë i papranueshëm. Ndërsa fjalët: “Po, po. Poo. Ja! Ja ku ua them unë juve këtë!.. Pritni! Mos u çuditni hiç juve!” janë më shumë se “fjalë parazite”. Ato dëshmojnë për një logjikë të paqartë dhe të çakorduar të folësit dhe kanë për synim diçka më shumë se një funksion thjesht gramatikor. Ato shërbejnë si mjete lidhëse për të shitur si të vërtetë një dëshmi, që kumtuesi Sali Berisha në këtë rast, do ta servirë si të tillë përpara dëgjuesve. Por, ai vetë, e ka me të dëgjuar. Gjithmonë e ka me të dëgjuar, se në çdo rast atij ia kanë thënë të tjerë, që edhe atyre ua kanë thënë ca të tjerë. Rasti, kur denoncimin atij ia ka thënë drejtpërdrejt një “dëshmitar okular”, është ai i “njeriut dixhital”.

 

Pra, Sali Berishës, i takon merita se, me kontributin e tij në dixhitalizimin e thashethemit, pasuroi stilistikën e shqipes. Prej tij dhe askujt tjetër, kemi sot termin e ri që duhet ta studiojë stilistika jonë: “Thashethemi dixhital”. Kjo emërtesë e re linguistike ka në vetvete dy leksema: “Thashethemi” dhe “dixhital”. Siç vihet re, e para buron prej një stili të rëndomtë bisedor ndërsa e dyta, “dixhital”, marrë nga fusha e teknologjisë. Vetëm një njeri si Sali Berisha ka mundur që t’i bëjë bashkë dhe t’i artikulojë gramatikisht “thashethemin” (presupozojmë se ai e ka dëgjuar vërtetë rrugëve dhe nuk është intrigë e vetë atij) me fjalën më të fundit të shkencës, “dixhitalizim”. Dhe kur ndodh që sistemi dixhital, si psh kamera e Artan Hoxhës më 21 janar të 2011-s, ia dekonspiron thashethemin, si në rastin e “çadrave pistoletë” , ka të tjera “fakte”. Prishet serveri i brendshëm i Kryeministrisë se “mjaftojnë” vetëm tabulatet e celularëve të gazetarëve “komplotistë” që jepnin e merrnin me atë “kodosh” President për t’i bërë puçin. Por, ndërsa teknologjia e përparuar dhe shpikja e “thashethemit dixhital” i përkasin viteve të fundit, kur shkenca bëri para dhe produktet e saj u futën edhe në Shqipëri, teknologjia e thashethemit u instalua shumë më parë në debatet e politikës sonë. Sali Berisha me teknologjinë e thashethemit ka 25 vjet që sulmon publikisht kundërshtarët e tij politikë. Izet Haxhia tregon se ai, thashethemin, këtë armë të rrugës, të kombinuar me intrigën e pastër, nuk e ka kursyer edhe ndaj të tijve brenda PD-së.

 

Kështu i dëshmoi pulikisht në sy ish kryeministrit Sali Berisha edhe deputeti Erion Braçe të enjten që shkoi në Parlament. Stili i thashethemit në gojën e Sali Berishës është gjuhësisht perfekt. Psh, ai akuzat e tij i nis gjithnjë me pyetjen “A e dini ju more?”. Është gjithmonë folja e vetës së dytë shumës “e dini” që e zhbën, e zhduk logjikisht presupozimin (hamendësimin, dyshimin) dhe e paraqet si të vërtetë të padiskutueshme dëshminë vijuese të kumtuesit. Prandaj ligjërimet e tij të akuzave nisin gjithnjë në formën gramatikisht më djallëzore: “A e dini ju se?..”. …Dhe më tej, njerëzit që e dëgjojnë folësin në fjalë, habiten kur mësojnë se psh: “A e dini ju more zotërinj se “X”, kunati i “Y”, i ndan paratë e krimit me “Z”? Nuk e dini? Por ja! Po, poo. Ja ku ua them unë!”… Pastaj vazhdon në stilin e tij “degë më degë” për të dalë tek kokrra e rrenës së tij të dashur, që, kinse, iu kujtua atë çast. Është akuza, që ai pa e nxjerrë ende nga goja, në fakt, e di se do t’i lerë gojëhapur dëgjuesit, prandaj dhe nuk harron të ndërkallë brenda edhe fjalinë thirrore: “Mos u çuditni hiç juve!”. Dhe i gjithë ky tip fjalimi publik, befas mbyllet nga fjali të tipit: “Unë ç’është e drejta, për hir të së vërtetës, nuk e di. Unë nuk e njoh personin.

 

Në memorjen time nuk rezulton ta kem takuar ndonjë herë, por mue më kanë thanë…” Pastaj, ajo që më së shumti mbetet në fund të thashethemit dixhital, është ajo që e gjithë bota dëgjon. Është kumti vrastar që futet, mu si një mi i ndyrë, gjer në shtrat: “Po, po. Poo. Mos u çuditni hiç juve! Ja, ja u them unë juve këtë. “X” dhe “Z” bashkë me paratë e krimit ndajnë edhe shtratin… Po, poo.” Bash, për këtë kumt vrastar të thashethemit, që godet padrejtësisht mbi zemrat e fëmijve, motrave, vëllezërve, prindërve, gjithë rrethit familjar dhe shoqëror të personit të cilit i drejtohet, shoqëria jonë duhet të zgjohet. Nuk kemi pse të çuditemi më nga thashethemet e thashethemexhiut dixhital Sali Berisha. Gjithashtu, nuk na lejohet të hutohemi edhe kur shohim ndonjë çorbë kriminale si kjo me zgjedhjet për rektorët e Universitetit. Është gjithmonë ai gojë-qenefi dixhital, që megjithëse i kaloi të shtatëdhjetat, vazhdon të vrasë si taleban jetë njerëzish, me ose pa plumba.

Ilir Mborja April 25, 2016 10:54
Komento

8 Komente

  1. Claus April 25, 11:38

    Eshte me vonese shkrimi juaj,i nderuar zoti gazetar.Me shume shume vonese.
    Shkrimi do te kishte vlere,qe prapeseprape nuk do te kishte,para se Rama t’i kunderpergjigjej “qytetarit dixhital” te Berishes,me “sekretariatin e organizimit dixhital” apo me “kapterrin dixhital” sic po e quajne me tallje,per shkak te ish-kapterit te dikurshem te ushtrise popullore,Alfred Pezes!
    Nese eshte qesharak “qytetari dixhital” i Berishes, c’mund te thuhet atehere per “kapterrin dixhital” te Rames?!!
    Eshte per te mbajtur barkun me dore nga te qeshuret ,apo jo?Po mundohem te ndjek logjiken tuaj,prandaj po shprehem keshtu.
    Megjithate,pertej perpjekjes per te qesharakezuar “qytetarin dixhital” te Berishes,duhet t’ju kujtojme se ishte pikerisht ky “qytetar dixhital” qe ,ashtu me shqipen e tija cope-cope,informoi i pari per avionet me droge qe zbarkonin papushim ne Divjake…
    Te gjithe u tallen ne fillim.U tallen me “qytetarin dixhital”,besoj edhe ju i nderuar zoti gazetar jeni tallur…deri sa ndodhi pike per pike ajo c’kishte thene “qytetari dixhital” i Berishes.Pike per pike.Me kordinata teper te sakta.
    E njejta gje edhe per Aeroportin e Gjadrit.Ishte “qytetari dixhital” ai qe informonte.Te gjithe u skandalizuan.Jo – thoshin – nuk mund te perdoren bazat ushtarake per trafik droge.Edhe u tallen.U tallen pikerisht sic po mundoheni te talleni edhe ju zoti gazetar,e qe ka mundesi te jeni tallur edhe atehere…deri sa Ministria e Mimi Kodhelit e mbushi aeroportin me pengesa betoni!
    E njejta gje edhe me Shullazin.Ishte “qytetari dixhital” ai qe jepte te dhena me te cilat mundoheshin te talleshin te gjithe… deri sa plasi Shullazi!
    Keto jane disa nga bemat e “qytetarit dixhital”,se ka edhe shume e shume te tjera qe kane rezultuar te sakta,me nje saktesi matematikore,ma-te-ma-ti-ko-re.
    Prandaj,i nderuar zoti gazetar,para se te shkruash si me siper,merre shtruar dhe mendoje mire ate qe po shkruan,se qesharak mund te dalesh zotrote.

    Reply to this comment
    • plaku April 25, 12:13

      Kush te tha ty ,romak i lashte, se keto qe ke thene me lart jane te verteta?! Asgje s’eshte vertetuar nga ato dhe ngjarja e Divjakes ishte e stisur dhe nuk i ndezi Saliut.Te tjerat jane pese me hic: fjale nga Saliu.

      Reply to this comment
    • Ivani i madh April 25, 17:04

      Me sa duket ti duhet te jesh ai qytetari dixhital i Sales qe ne cdo artikull te gazetare del avokat mbrojtes. Mos je valle sekretar personale i tij dhe cdo artikulli e komenti i kunderpergjigjesh. Besoj se te paguan mire se nuk i dhimsen se pare te vjedhura jane dhe nje takem si ti mundoheni ti mbuloni krimet, vjedhjet, korupsionin, tradhetite dhe brockellat e tija dixhitale edhe pse bejne muuu.

      Reply to this comment
  2. MeteH April 25, 12:01

    Artikull i shkelqyer.Po a degjon Saliu e shpura e tij? Sidoqoft me shpifjet e tij e “fjalet parazit”ai po mban gjall militantet e ti,po çorjenton popullin,Qeverin,nd/kombetaret.Dhe ja ka harritur te mbijetoj me gjith krimet e bera,te mos ndeshkohet e tall menderen me nje opinion te tere kombetar e nd/kombetar.Turp per drejtesin ton te korruptuar 100%

    Reply to this comment
    • KOZi April 25, 12:31

      Edhe mua me “thane” dje te gjitha mediat qe :Deshmitari Miti e terhoq nga deshmija e tij per Shullazin. Sec me duket se Berisha ka te drejte me ligjin per armatosjen. Gjer dje nuk isha i bindur…..tung

      Reply to this comment
  3. shqiponja April 25, 12:44

    Me ne fund nje shkrim i goditur qe shpjegon me se miri sjelljen e nje ish politikani te rene nga vakti, qe duke ndjere se po rreshqet toka nen kembe, po kacavirret te shpetoje lekuren. Me vjen qe dikur edhe une me voten time e solla ne pushtet kete deshtak. por atehere ishte fillimi nuk i kishin dale puplat. Sidoqofte duket se po e thyen qafen me ne fund, se ka nisur te perpelitet. e vetmja shprese qe ka eshte te ngreje ne kembe (armatosje!) detashmentin “e kuq” te Bathores qe me siguri i shkojne pas dhe + Claus.

    Reply to this comment
  4. Myslimi April 25, 15:16

    Nje artikull i shkelqyer, teper analitik dhe logjik ku analizohet mund te them shume mire ajo qe po ndodh sot ne Shqiperi. S’kemi nevoje per keto gjera. Duhet te nderojme dhe te respektojme njeri tjetrin si fe dhe si njerez. Urime Ilir!

    Reply to this comment
  5. demo April 25, 16:51

    Qytetari digital i Berishes perputhet me realitetin kur Berisha denoncon bemat e tij.Ne rastin e Divjakes avionet kishin vite qe fluturonin ne linjen e droges,kur Berisha ishte ne pushtet dhe bente sikur nuk i shihte,ashtu si nuk e dinte ku binte Gerdeci dhe nuk njihte baxhanakun.Edhe vjedhja e bankes kishte vite qe funksiononte,te gjithe e shihnin Bitrajn me breket e fryra nga topat me kartmonedha,por heshtnin.Edhe Shullazi pasurine e vuri kur ishte ne pushtet Berisha,gjyqtaret,noteret,avokatet e berishes e ndihmuan te ndryshonte pronesine e Vollges dhe pasurive te tjera.Parimi i Berishes eshte:Grabit dhe ler te grabisin!Ama evidencat i mbante ne sirtar,per t`ja hedhur ne dere kundershtarit.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*