Kyçini brenda, deri sa të gjejnë një zgjidhje

February 4, 2016 21:51

Kyçini brenda, deri sa të gjejnë një zgjidhje

Vendet anëtare të Unionit Evropian kanë kohë që kanë nisur ndërmarrjen e masave të shumëllojshme për të frenuar apo dekurajuar ardhjen e flukseve të refugjatëve në vendet e tyre. Gjithnjë e më shumë po shtohen deklaratat nga krerët e lartë të institucioneve për rrezikun e kolapsit të Shengenit. Ndërkohë që një sërë mekanizmash janë paralizuar, si rregullorja e Dublinit apo edhe mekanizmi i shpërndarjes së refugjatëve. Marrëveshja me Turqinë, po profilizohet gjithnjë e më tepër si joefikase, ndërsa konsensusi mes vendeve anëtare për të gjetur një zgjidhje të përbashkët ndaj krizës së refugjatëve, duket se po bëhet gjithnjë e më i pamundur.

Këtë javë, teksa debatet në Parlamentin Evropian, në lidhje me krizën e refugjatëve, njohën polarizime të skajshme, një plan për shpëtimin e Shengenit është ofruar nga kreu i liberalëve në PE, belgu Verhofstadt, i profilizuar tashmë si mbrojtës i opsionit të një Evrope federale. Plan, që kërkohet të shqyrtohet në Samitin e krerëve të shteteve dhe të qeverive, që pritet të organizohet së shpejti në Bruksel (18-19 shkurt), duke u konsideruar si i vetmi opsion për të dalë aktualisht nga kriza.

Por, çfarë përfshin ky plan dhe a ka një vullnet evropian për të shkuar drejt një zgjidhje të përbashkët ?

Vetëm para pak kohësh, Verhofstadt do të deklaronte se, “Liderët e BE-së, duhet në fakt të kyçen brenda në një dhomë, deri sa të bien dakord mbi një strategji mirëkuptimi dhe kolektive për t’u përballur me krizën në rritje të refugjatëve, përpara se të jetë shumë vonë. Kjo është më tepër se, sa politikë. Është çështje humanizmi.”

Plani prej 7 pikash, risjell  një sërë opsionesh, që edhe kanë njohur diskutim në kohë të ndryshme, si menaxhim i kufijve të jashtëm të Unionit nga një forcë evropiane e përbashkët, krijim i një sistemi të përbashkët azili evropian, shpërndarje të detyruar kuotash, përmirësimi i qendrave pritëse, krijimi i një sistemi të Kartës Blu analoge me Kartën Jeshile amerikane, etj. Por, le të shohim më konkretisht se, çfarë sjell kjo paketë propozimesh për shpëtimin e Shengenit.

Së pari, kërkohet një përmirësim apo fuqizim i kompetencave të Komisionit Evropian për menaxhimin e krizës. Ky fuqizim mund të kryhet nëpërmjet përdorimit, që krijon hapësira e nenit 78.3 i Traktatit të Funksionimit të BE-së (marrjen e masave të përkohshme në situata emergjente), duke kërkuar ngritjen e një force evropiane të përbashkët (ERREF), që do të jetë kompetente për të menaxhuar dhe kontrolluar të gjithë kufijtë e jashtëm të BE-së.

Synimi kryesor i saj do të jetë menaxhimi i kufirit mes Turqisë dhe Greqisë, ndalimi i flukseve, që janë në proces avancimi nga Greqia drejt Maqedonisë dhe Ballkanit, duke përfshirë edhe përmirësimin e kushteve të jetesës së refugjatëve në qendrat e pritjes dhe të akomodimit në Turqi, por edhe në BE. Ndërsa në një fazë të dytë kjo forcë, duhet të zhvendoset në kufijtë e tjerë të shteteve, që po përballen me flukse të larta refugjatësh. Kompetenca të tjera të saj lidhen me regjistrimin teknik të refugjatëve dhe të dhënave të tyre, si në vendet Shengen por edhe në vendet që nuk janë në Shengen, si edhe do të ketë kapacitete vlerësuese për kualifikimin apo jo të azilkërkuesit si i tillë. Pas këtij vlerësimi, refugjatët do të çohen drejt vendeve, që janë përgjegjëse për të depozituar kërkesën e tyre për azil, ndërsa migrantët e tjerë, që nuk përmbushim profilin për mbrojtje ndërkombëtare do të kthehen në vendet e tyre të origjinës. Kjo forcë, duhet të jetë nën varësinë e Komisionit Evropian dhe e përbërë nga 2000 funksionarë, sa nga vendet anëtare, por edhe zyrtarë evropianë.

Së dyti, kërkohet fuqizimi i Frontex, pesëfishimi i buxhetit të tij (600 milionë euro) në mënyrë që të bëhet e mundur, ruajtja e kufijve tokësorë dhe detarë evropianë. Nën Frontex duhet të figurojë edhe struktura e propozuar ERREF. Por, nëse vendet anëtare nuk e mbështesin idenë e ruajtjes së përbashkët të kufijve, atëherë sipas planit të propozuar, ato duhet të dalin nga zona Shengen.

Së treti, në fokus vjen marrëveshja që Unioni ka kryer para pak kohësh me Turqinë në lidhje me çështjen e refugjatëve, duke e konsideruar këtë lloj marrëdhënie si të vështirë dhe ekspozimin e BE-së përballë Turqisë, si lehtësisht të kërcënueshëm. Kjo pikë e planit propozon që të shmanget derdhja e shumave të larta financiare në duart e Erdogan dhe kjo shumë të shpërndahet në forma direkte të përmuajshme tek refugjatët që rrinë nëpër kampe, në mënyrë që ato të përballojnë jetesën e tyre (2 bilionë euro buxhet) dhe pjesa tjetër (1 bilion euro) të shkojë për përmirësimin e kushteve të jetesës në kampet ekzistuese. Refugjatëve duhet t’iu krijohet gjithashtu mundësia për të aplikuar për viza humanitare në mënyrë që të shmangen ndërmarrjet e udhëtimeve të rrezikshme, që rrezikojnë jetën e tyre.

Së katërti, kërkohet përforcim i pikave pritëse në vendet në kufi të Unionit, pasi aktualisht ato nuk po funksionojnë në terren, janë të mbingarkuara, me mungesë të plotë koordinimi, kontrolli dhe kushtet që ofrojnë nuk janë të një standardi të dëshiruar. Tek sugjerohet përmirësimi i kapaciteteve pritëse dhe menaxhuese të tyre, kërkohet gjithashtu që këto qendra të funksionojnë si zona tranzit, që do të bëjnë të mundur, qëndrimin e migrantëve deri në klasifikimin e tyre se, kujt grupi i përkasin.

Së pesti, kërkohet zëvendësimi i rregullores së Dublinit me një Procedurë të Përbashkët Evropiane të Azilit. Për një zgjidhje të menjëhershme të kësaj situate krize, rikujtohet edhe roli që ka luajtur instrumenti i mbrojtjes së përkohshme, kryesisht gjatë luftës së Kosovës, si një procedurë që mund të aplikohet në raste krizash. Rënia dakord mbi sistemin e përbashkët të azilit do të imponojë edhe zbatimin e një skeme të drejtë shpërndarje të refugjatëve ndërmjet tyre, tek të gjithë shtetet anëtare. Pra, aplikimet për azil me këtë format të ndryshuar duhet të bëhen në BE dhe jo tek një vend anëtar i caktuar. Aktualisht rregullorja e Dublinit edhe pse nuk po respektohet, detyron vendin e parë pritës të jetë përgjegjës për shqyrtimin e kërkesës për azil. Ndër të tjera, propozohet aplikimi i programeve efektive të integrimit, duke përfshirë edhe opsionin se, në rast të ndonjë aktiviteti kriminal, të mos përjashtohet mundësia që azilkërkuesit të kthehen në vendin e tyre të origjinës.

Së gjashti, propozohet krijimi i një Karte Blu për migrantët ekonomikë, si mënyrë e vetme për të mundësuar një migrim ekonomik të tyre brenda një formati ligjor, duke plotësuar njëkohësisht nevojat e BE-së, për punëtorë të kualifikuar apo të pakualifikuar. Pra një kartë ekuivalente me Kartën Jeshile amerikane.

Së fundmi, kërkohet hartimi i një Plani Evropian të Paqes si edhe një Plan Marshall për rajonin. Pra, një intensifikim i përpjekjeve evropiane në bisedimet e Gjenevës, dhe mbështetje e plotë ndaj forcave demokratike opozitare siriane, si edhe përpjekje evropiane të koordinuara për të mposhtur ISIS.

Por, a do të bien dakord vendet anëtare që të shkojnë drejt një zgjidhje të përbashkët për shpëtimin e Shengenit ?

“Duhen kyçur në një dhomë, deri sa të gjejnë një zgjidhje..”. Një sugjerim, që shfaq qartë jo vetëm problematikën e përplasjes së vullneteve dhe interesave kombëtare të vendeve anëtare, por edhe vështiresitë reale për të shkuar drejt një konsensusi. 

Kreu i grupit të PPE-së, gjermani Weber gjatë debateve në Parlamentin Evropian do të konfirmonte mbështetjen për gjetjen e një zgjidhje të përbashkët dhe vendosjen e kontrolleve të përbashkëta, por edhe për përforcimin e mëtejshëm të Agjencisë Frontex. Ndërkohë që edhe kreu i grupit social-demokrat italiani Pitella, do të shprehej në solidaritet të plotë, duke i bërë thirrje Evropës të ndërgjegjësohet pasi “rreziku kryesor nuk janë refugjatët, por frika”, “problemi është politik dhe kulturor”, duke rikujtuar gjithashtu se, “egoizmi, frika dhe kalkulimet nacionaliste, nuk do të kishin çuar kurrë në ndërtimin evropian”.

Por, siç dihet, tashmë kemi edhe një fraksion, që po merr një rol gjithnjë e më të lartë distancues dhe frenues në Union. Vendet e ish Lindjes komuniste, V4 (Hungaria, Republika Ceke, Polonia dhe Sllovakia) jo vetëm, që janë të pozicionuara tërësisht kundër iniciativa të përbashkëta në lidhje me zgjidhjen e krizës së refugjatëve, por kanë filluar të shpeshtojnë mbledhjet e tyre në forma sistematike, përpara organizimeve të Samiteve evropiane. Pra, sa herë ka një Samit të krerëve të shteteve dhe të qeverive në BE, V4 i paraprin gjithnjë me një mbledhje apo Samit më vete, duke unifikuar qëndrimet e tyre.

Në të gjithë pikat apo hapësirat, që shfaqen për zgjidhjen e krizës, blloku V4 është qartazi i pozicionuar kundër tyre. Ky qëndrim i unifikuar është bërë publik dhe së fundmi nëpërmjet mbledhjes së Ministrave të Brendshëm të V4-s (19 janar). Ato shfaqen në bllok kundër rishikimit të rregullores së Dublinit (rregullore që detyron azilkërkuesin të kërkojë azil në vendin e parë hyrës), duke e kushtëzuar këtë bisedim vetëm në rast se, BE merr kontrollin e kufijve të jashtëm të tij, redukton fluksin e refugjatëve dhe rivlerëson situatën pas ndërmarrjes së këtyre masave. Po në të njëjtën linjë, refuzohet gjithashtu në mënyrë kategorike, çfarëdolloj propozimi, që mund të çojë në një mekanizëm shpërndarje automatike të refugjatëve, që hyjnë në BE. Ndërsa kundërshtimi për një sistem të përbashkët azili, ofron si argument shndërrimin e këtij sistemi, në një faktor tërheqje për refugjatë të tjerë të mundshëm. V4, po i imponohet gjithashtu BE-së, për zbatim efikas të politikave të kthimit, duke i bërë thirrje të vazhdueshme për zgjidhje të kësaj situate.

Përplasjet mes vendeve anëtare tashmë ka kohë që janë të konfirmuara. Kjo mungesë konsensusi për gjetjen e një zgjidhje të përbashkët, u konstatua edhe përgjatë mbledhjes së fundit të Ministrave të Brendshëm të Unionit në Amsterdam, ku u konfirmua vullneti për kërkimin e shtyrjeve të kontrolleve kufitare edhe për dy vitet në vijim. Kriza e refugjatëve do të vazhdojë dhe me ç’parashikohet ardhja e pranverës vetëm do të rrisë flukset e tyre, çka imponon në mënyrë të padiskutueshme gjetjen e një zgjidhje të përbashkët. Propozimi i liberal-demokratëve është ambicioz dhe pritet të kalojë në një sërë diskutimesh, në nivel të ndryshëm institucionesh, për t’u shqyrtuar më në detaje. Ai ofron një zgjidhje reale të situatës, sa nëpërmjet konceptimit të tij politik, konceptimit teknik, por edhe të optikës gjeo-politike. Nuk dihet se ç’mekanizëm presioni mund të jetë realisht efikas, për të detyruar vendet të gjejnë kompromisin e nevojshëm në këtë kohë krize, por koha duket se do të imponojë logjikën e kompromisit të nevojshëm, qoftë edhe me kosto, apo gjenerim kostosh lokale./im.ta/

February 4, 2016 21:51