La pa pension invaliden, në gjyq kryekomunari  

August 10, 2014 08:19

La pa pension invaliden,  në gjyq kryekomunari   

La një vit pa pensionin e invaliditetit një grua për shkak të konfliktit për gardhin që ndante rrugën e fshatit Mollas, dërgohet për gjykim kryekomunari i Mollasit. Prokuroria e Elbasanit njoftoi dje se ka depozituar dje në Gjykatën e Rrethit kërkesën ndaj kryetarit të Komunës Mollas, Agron Hysa, i akuzuar për “shpërdorim detyre”. Denoncimi ndaj të zgjedhurit vendor ishte bërë nga një banore e Mollasit, B. Gjata, e cila pretendonte se Hysa, jo vetëm kishte kryer veprime arbitrare me ofendime dhe kërcënime, por kishte ndërhyrë edhe në pagesën e invaliditetit të saj, pjesa që jep pushteti vendor për këtë kategori.

 

Dosja

Sipas deklaratës së Prokurorisë së Rrethit, sqarohet se nga hetimi ka rezultuar se funksionari lokal, nëpërmjet pozitës së tij, ka urdhëruar në mënyrë të padrejtë të mos i jepet pagesa e paaftësisë invalides B. Gjata. Nga marrja në pyetje dhe verifikimet e kryera në terren, rezultoi se shkak për këtë është konflikti për një hapësirë publike, të rrethuar në mënyrë të padrejtë nga e dëmtuara. Në mënyrë të befasishme, për mungesën e zgjidhjes së këtij konflikti administrativ, kryetari i komunës ka ndërmarrë veprimin e kundërligjshëm të ndërprerjes së pagesës së paaftësisë, pavarësisht se kjo masë penalizuese nuk është zgjidhja e duhur e konfliktit administrativ. Këtë shkelje e ka shfrytëzuar Gjata për ta denoncuar prej vitit 2013 dhe çështja ishte nën hetim. Mësohet se ndalimi i pagesës së paaftësisë për shtetasen B. Gjata është kryer prej muajit Mars 2013 e në vijim, ndërkohë që këtë pagesë kjo shtetase e përfiton bazuar në dokumentacionin dhe ekzaminimet e kryera nga institucionet përkatëse. Sipas prokurorisë, Gjata ka humbur pagesën mujore deri në 4 mijë lekë në muaj që jep komuna për këtë kategori, ose mbi 70 mijë lekë të reja deri tani.

 

Sherri

Por për çfarë ka nisur ky sherr banal, që degjeneroi deri në veprime të paligjshme nga i zgjedhuri vendor? Banorët i kanë rrëfyer prokurorit që hetoi çështjen, se tre vite më parë ka lindur një debat në fshatin Mollas për shkak të rrugës së fshatit që kalonte në një hapësirë që konsiderohej publike. Fillimisht është vendosur kufiri nga autoritetet dhe kryepleqësia, duke e rrethuar me gardh pjesën e përfituar nga një prej familjeve. Por në debatet e lindura më tej, ka ndërhyrë kryekomunari, i cili ka lëvizur gardhin për sipërfaqen e tokës në favor të familjes tjetër. Dhe e penalizuar ka qenë familja Gjata, që nuk lëshoi pe dhe rivendosi kufirin e parë mbi pronësinë publike. Pas këtij veprimi për gjerësinë e rrugës dhe vendin ku ajo do kalonte në fshat, ka ndërhyrë përsëri kryekomunari, duke i ndërprerë pagesën e invaliditetit gruas në fjalë, e cila e ka denoncuar në prokurori për shpërdorim detyre. Dhe pas hetimit që zgjati më shumë se një vit, organi i akuzës gjeti elementë të veprës penale, duke e dërguar për gjykim të zgjedhurin vendor.

 

 

 

August 10, 2014 08:19
Komento

2 Komente

  1. semimir August 10, 13:22

    mir ja beri qelbesires se nuk e dini kush eshte kjo qelbesira ju

    Reply to this comment
  2. semimir August 10, 13:26

    femra me moster e mollsit mir ja beri kryetari turp per ps

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*