Laçi “shthuret” në fund, Partizani s’di të fitojë

January 26, 2015 13:23

Laçi “shthuret” në fund, Partizani s’di të fitojë

Partizani nuk arriti të marrë fitoren në transfertë me Laçin edhe pse në minutat e fundit thjesht për paaftësi të të kuqve, topi nuk e tundi për herë të dytë rrjetën e portës kurbinase. 1-1 ishte rezultati përfundimtar i këtij takimi, që u luftua maksimalisht për pjesën më të madhe të lojës, por që në fund laçianet u shpërfytyruan në fazën mbrojtëse. Partizani e nisi me agresivitet, takimin, ushtroi presion në gjysmëfushën e vendasve, por e kishte të vështirë për të gjetur portën e Vujadinoviç. Mirëpo pa u mbyllur 9 minuta lojë laçianët aplikuan një skemë të mirëmenduar në zhvillimet e një goditjeje dënimi, që u finalizua me golin e malazezit Cetkoviç, i cili e pati të thjeshtë për ta dërguar topin në rrjetë.

Partizani humbi një mundësi të artë për të barazuar shifrat në minutën e 13, ku pas krosimit të Trashit nga e majta Nexhipi dhe Raçiç nuk arritën ta devijonin topin drejt portës.

Në minutën e 20-të Vila depërtoi nga e djathta pranë zonës së portierit Vujadinoviç, por topi i futur prej tij në qendër nuk gjeti asnjë fanellë të kuqe.

Pak çaste më pas Partizani tentoi me dy goditje të njëpasnjëshme për të barazuar shifrat, por topi në të dy rastet nuk e depërtoi mbrojtjen laçiane.

E pabesueshmja ndodhi në minutën e 34, kur goditja me kokë e Raçiç u ndal nga shtylla.

Në minutën e 42 të sulmuesi serb humbi një tjetër rast të pastër për të kuqtë, me topin e goditur prej tij që përfundoi pak mbi traversë.

Pjesa e dytë nisi me një ndryshim në formacion dhe në rreshtim për Partizanin. Endri Vrapi i bëri vend Dorian Bylykbashit, me Trashit që u tërhoq në krahun e majtë të mbrojtjes, ndërsa Cuculi u zhvendos në qendër.

Në të 57-të erdhi momenti i Bylykbashit, që ekzekutoi mjeshtërisht një goditje dënimi, duke barazuar shifrat dhe rritur shpresat e të kuqve për fitore.

Në të 60 Partizani shënoi sërish me Raçiç por Jorgji vërshëlleu për ndërhyrje të gabuar të serbit në dyluftim me Dokun. Pak çaste më pas ishte Vujadinoviç që shpëtoi portën nga goli i dytë. Në minutën e 82-të, pas një kundërsulmi të shpejtë, kurbinasit fituan një 11-metërsh, por nga pika e bardhë Buljan zhgënjeu me një ekzekutim të dobët. Në minutat e fundit të ndeshjes edhe pse loja e skuadrës së Laçit la shumë për të dëshiruar në fazën mbrojtëse, të kuqtë nuk përsëri nuk arritën të merrnin një rezultat pozitiv edhe pse humbën raste ta panumërta, derisa Enea Jorgji vërshëlleu për herë të fundit, në një sfidë që u dha të dyja skuadrave nga 1 pikë.

January 26, 2015 13:23
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*