Laert Duraj: Epërsitë dhe sfidat e Postës Shqiptare

March 8, 2018 13:04

Laert Duraj: Epërsitë dhe sfidat e Postës Shqiptare

 

Laert Duraj ka vetëm pesë muaj që drejton Postën Shqiptare.

Në këtë intervistë për gazetën ‘DITA’ ai tregon se si e gjeti situatën  në shërbimin postar, problemet, konkurrenca dhe sfidat e së ardhmes. Si e ruajtën punonjësit e postës këtë pasuri të madhe kombëtare në vitin e mbrapshtë 1997 dhe sa ndihen ata të shpërblyer për këtë meritë. Mungesa e kontratës kolektive të punës dhe me cilën nga sindikatat pritet të lidhet kjo kontratë së shpejti…

 Intervistoi Xhevdet Shehu

 – Zoti Laert, në këtë intervistë që po bëjmë së bashku në ‘DITA’ dua të flasim për arritjet por edhe problemet e Postës Shqiptare.  Si e gjetën situatën në Postë dhe si ka ndryshuar ajo vitin e fundit?

– Së pari, dua të them që unë jam një person që prirem t’i shoh gjërat me pozitivitet, por kjo gjithsesi nuk më pengon që të kap thelbin e gjërave. Edhe në rastin e Postës Shqiptare, unë dua që ta shoh gotën gjysëm plot. Në këtë kuptim, ka shumë arritje dhe të mira të Postës Shqiptare të cilat duhen vlerësuar, si për shembull shërbimet e reja që ofrohen, si shërbimet financiare, përmirësimet e vazhdueshme në infrastrukturë dhe në infrastrukturën e IT, rritja e cilësisë në shërbimin postar etj.

Por gjithashtu nuk mund të mos përmendim dhe problemet kryesore që hasen.

Duhet të theksohet se Posta Shqiptare është e vetmja Shoqëri aksionare (Sh.A.) publike që i nënshtrohet legjislacionit të prokurimit publik, por që operon dhe vepron në një treg me operatorë konkurentë dhe ku konkurenca është e madhe, ndryshe dhe në dallim nga shoqëritë e tjera aksionare me kapital shtetëror të cilat kanë ekskluzivitet në fushat ku veprojnë si energjia elektrike, uji etj. Pra, Posta Shqiptare vepron në një treg jo ekskluziv.

Problemet më kryesore janë ato që lidhen me shpejtësinë në vendimmarrje dhe në realizimin, vënien në zbatim të tyre. Kjo bën që të ndodhemi para rasteve kur kemi vendimmarrjen e duhur, por kemi procedura të zgjatura në zbatim, procedura të zgjatura ankimimi, të cilat cënojnë apo bëjnë që të humbasë efikasiteti. Një rast tipik që e ka “vuajtur” këtë, ka qenë Sektori i Pullës ku me të drejtë dhe nga filatelistët është ngritur shqetësimi që pulla për shkak të procedurave të zgjatura burokratike, del ne qarkullim afër fundit të vitit duke e ulur në këtë mënyrë efikasitetin. Kjo shoqërohet dhe me uljen reale sistematike të të ardhurave nga ky shërbim në këto 5 vitet e fundit.

Një rrugëzgjidhje për këtë problematikë është planifikimi i mirë strategjik: planifikimi në terma afatshkurtër, afat mesëm dhe afatgjatë dhe një staf shumë i kualifikuar. Por meqë jemi në kushtet e një ekonomie tregu, një staf i tillë i kualifikuar kushton, dhe Posta Shqiptare nuk e ka luksin që të ofrojë nivele të tilla pagese për specialistë të këtij niveli të lartë. Megjithatë, dua të theksoj se fatmirësisht këtu kam gjetur staf të përkushtuar dhe me përvojë të spikatur (shpresoj që kjo të mos i bjerë në vesh konkurencës sepse ata mund të ofrojnë paga më të larta se ne).

Kështu, shpresoj që të ndryshojmë këtë situatë, duke përmirësuar bilancin i cili tashmë është pozitiv, të rishikohen pagat dhe gjithmonë me fokus në rritjen e cilësisë së shërbimit.

Sistemi mbi të cilin Posta bazohet është ‘core banking’ që ofron të njëjtën garanci e siguri si bankat e nivelit të dytë. Ne synojmë që ky sistem i cili tashmë operon në rreth 330 zyra postare dhe për të cilin kemi projekt që ta çojmë në të gjitha zyrat, të jetë i pranishëm kudo, duke shtuar dhe elementët e shërbimit financiar, të Postës hibride etj.

Gjithashtu, avancimet teknologjike (posta elektronike etj.) që kanë marrë një pjesë të shërbimeve tradicionale si zarfin, kartolinat, letrat, telegramin etj, t’ja kthejnë borxhin duke i ofruar avantazhet e elementëve të rinj në shërbimet që ofron Posta si E Posta, Posta Hibride, Posta Tracking etj.

Posta Shqiptare ka marrëdhënie shumë të mira me Unionin Postar Universal dhe partnerët europianë,  modelet e tyre të suksesit janë afër nesh dhe janë pikërisht ato që ne përpiqemi të ndjekim me përpjekje të mëdha në çdo moment të veprimtarisë sonë.

– Si gazetar më ka bërë përshtypje fakti se Postë-Telekomi ishin ndër të rrallat pasuri kombëtare që i shpëtuan vandalizmit të vitit 1997, falë përkushtimit dhe vetëmohimit të punonjësve të këtij sistemi. A nuk e meritojnë këta punonjës një trajtim special, qoftë edhe për këtë fakt?

– E kam ditur këtë fakt, por kam dashur që ta shoh gjithmonë si një meritë jo vetëm të punonjësve të Postës Shqiptare po edhe të respektit, që edhe kur mungesa e shtetit qe evidente, ne si shqiptarë i bëmë Postës si mbartëse e lajmit dhe e respektit ndaj tij.

Uroj shumë që kultura tradiconale për respektin për lajmësin, respekti ndaj tij, të vazhdojë ende.

Sigurisht që në veprimtarinë e saj, Posta Shqiptare, një vëmendje të veçantë i kushton dhe trajtimit të burimeve njerëzore. Kjo për faktin se ato përbëjnë një aset të rëndësishëm për Shoqërinë: cilësia dhe përgjegjshmëria në kryerjen e detyrave të caktuara, ndikon drejpërdrejt në rezultatet dhe performancën e Shoqërisë. Shpeshherë punonjës të Postës Shqiptare janë përballur me situata të ndryshme qoftë si ajo e vitit  ’97 por dhe me sulme të keqbërësve ndaj punonjësve të zyrave postare me qëllim për të përvetësuar vlera monetare.

Duhet theksuar se Posta Shqiptare i jep shumë rëndësi sigurisë dhe manaxhimit të veprimtarisë së saj dhe në këtë aspekt, jemi në standardet e një banke, në mënyrë që asgjë të mos cënojë sigurinë e ambienteve dhe punës në Postën Shqiptare dhe ndonjë tentativë, të jetë e kotë, siç edhe ka qenë.

Për punonjësit duhet të pranojmë se mundësitë e shpërblimit qe kemi aktualisht janë të kufizuara. Megjithëse për kuriozitet, sipas sistemit tonë rezulton se Shoqëria bën rreth 2500 veprime në minutë ose e thënë ndryshe, 10 herë më shumë se bankat më të mëdha në Shqipëri.

Punonjësit meritojnë më shumë, padyshim, si për besnikërinë ndaj Shoqërisë dhe për vështirësinë në punën e tyre të përditshme, në përballjen me klientët në sportele, me shpërndarjen e postës, përpunimi i postës në qendrën tranzit dhe në qendrat e filialeve etj. çka nuk është aspak e lehtë.

Megjithatë këtë vit patëm një rritje në pagë që kryesisht pati në fokus postierët dhe përpunuesit me një rritje prej 15% . Vlen të përmendet që dhe vitin e kaluar ka pasur një rritje të ndjeshme të pagës, dhe ndonëse akoma jemi larg dëshirave, jemi në rrugë të mbarë.

Nga ana tjetër, po bëhen përpjekje të mëdha që edhe kushtet e infrastruktura në dispozicion të përmirësohet: në 60% të ambienteve, kushtet e punës janë ndryshuar në mënyrë të ndjeshme dhe puna për përmirësimin e tyre do të vijojë. Flota e re, uniformat e reja dhe paisjet e reja, gjithashtu, do t’i shërbejnë lehtësimit të punës së postierëve dhe stafit të Postës Shqiptare në përgjithësi.

– Cilat janë sfidat me të cilat ndeshet sot shërbimi postar në Shqipëri?

– Posta Shqiptare Sh.A. po kërkon të ruajë pozicionin e saj dominues në tregun e shërbimeve postare, duke qenë përpara vështirësive që ka një treg konkurencial.

Zhvillimet e shpejta teknologjike janë një  sfidë e madhe për ofruesit e shërbimeve postare për shkak të rritjes së ndjeshme të mundësive të zëvendësimit të shërbimeve tradicionale postare me shërbimet e rrjeteve elektronike, të cilat kanë çuar në reduktime të ndjeshme të numrit total të objekteve postare kudo në botë.

Por nga ana tjetër, Posta Shqiptare ka synuar që këto mundësi t’i përdorë në favorin e saj dhe për këtë ka ngritur nje infrastrukturë, dhe një rrjet komunikimi elektronik që ka ndikuar në rritjen ndjeshëm të kërkesës së blerjeve online dhe për pakot/paketat postare ndërkombëtare.

Për të qenë konkurrente në këtë treg, një nga sfidat e Postës është rritja dhe pasurimi me shërbime të ndryshme financiare dhe postare, rritja e cilësisë së tyre, besimi i publikut dhe qenia pranë konsumatorit, duke investuar në infrastrukturë, në zhvillimet e reja teknologjike dhe digjitalizimin e shërbimeve.

Konkretisht, synohet:

  • E Posta,
  • Posta Hibride, e cila konsiston në një cikël të mbyllur ku Posta merr përsipër printimin, zarfimin, shpërndarje të kompanive të mëdha; kryesisht në planet afatmesme synohet qe ky shërbim të fokusohet te Shoqeritë e Ujësjellës Kanalizimeve në vend.

Posta Shqiptare ka dy kolona mbi të cilat qëndron:

  • shërbimi postar tradicional dhe
  • ai financiar.

Për të gjithë është e qartë që avantazhi i Postës Shqiptare është tradita 105 vjeçare, fakti që njerëzit e njohin, dhe që Posta është pjesë e jetës së tyre të përditshme, stafi i konsiderueshëm që kemi dhe e fundit por më e rëndësishmja, është shtrirja kapilare pothuajse në çdo njësi administrative të Shqipërisë. 555 pika shërbimi nuk janë pak, kështu që sfidat tona fillojnë së pari nga modernizimi i pikave,  të cilat janë në funksion të këtyre dy kolonave që përmenda pak më lart.

Le të flasim së pari për shërbimin postar: sfidat janë të shumta por do të fokusohemi të disa nga më të rëndësishmet:

  1. Krijimi i qendrës së re Tranzit dhe të Përpunimit. Kemi në plan që brenda 2 viteve ky projekt të mbarojë, çka do të sjellë jo vetëm ulje kostosh po dhe rritje të cilësisë dhe shpërndarjes;
  2. Rinovimi i tërë flotës së mjeteve: të makinave, motorëve dhe biçikletave brenda një kohe të shkurtër;
  3. Falë ndihmës së OSHEE -së, shpresoj që të kemi së shpejti dhe adresarin e saktë i cili pa dyshim do të jetë një hap i rëndësishëm, si në rritjen e cilësisë dhe në ulje kostosh;
  4. Futja e të gjitha dërgesave në sistemin me barcode çka do të bëjë gjurmimin e tyre më të lehtë si dhe do përmirësojë cilësinë e shpërndarjes;
  5. Koliposta, e sidomos lehtësimi i procedurave të zhdoganimit si dhe mbërritja e pakos drejtpërdrejt te qytetari, në mënyrë që klienti të mos vijë dy herë në sportelet tona;
  6. Produkte që do të vijnë në bashkëpunim edhe me shërbimin financiar si Posta Hibride, E Posta etj.

Kolona e dytë është shërbimi financiar. Në fakt, fjala Postë lidhet me shërbimet e saj tradicionale postare, por duhet të theksohet që Posta po e zgjeron vazhdimisht gamën e saj të shërbime novatore krahas atyre tradicionale. Posta Shqiptare nuk është shndërruar ende në postë – bankë dhe shpresoj që ky shndërrim të realizohet gjatë kohës që unë do të shërbej në detyrën e Administratorit të saj.

Edhe në këtë mënyrë si është aktualisht, segmenti i shërbimeve financiare që ofron Posta është i mbushur me sfida dhe ne jemi duke i përballuar më së miri ato. 40% e të ardhurave janë nga shërbimi financiar. Jemi veçanërisht krenarë që Posta Shqiptare i shërben moshave të treta dhe personave në nevojë duke qenë pranë tyre nëpërmjet shpërndarjes së pensioneve, ndihmës ekonomike etj. dhe shpresojmë që së shpejti t’u shërbejnë dhe pensionistëve të cilët jetojnë jashtë atdheut.

Dua të theksoj se bankat e nivelit të dytë dhe shumë shoqëri tregtare e kanë Postën Shqiptare një partner serioz në plotësimin e nevojave të tyre. Pra, shërbimet e Postës Shqiptare janë në nivelet e një banke të zakonshme dhe gjej rastin që miqësisht t’i bëj thirrje klientëve, të cilët nga mungesa e informacionit ose nga ngjarje të së shkuarës, mund të kenë dyshime, të përdorin shërbimet e Postës Shqiptare, si shërbime cilësore dhe të sigurta dhe në çdo rast Posta Shqiptare do të dëmshpërblejë përkatësisht për probleme të shkaktuara për faj të Postës Shqiptare.

Unë jam ekonomist dhe shoh me prioritet garën mes shërbimeve postare dhe financiare. Shpresoj të jetë një garë e fortë, do të doja të ishin të barabarta por duhet që rritja të jetë reale. Sfidë është rritja e të ardhurave, është e vështirë por ne do t’ia dalim.

Po në këtë kuadër:

  • Ofrimi sërish i shërbimit të mbledhjes së detyrimeve të tatimeve, taksave dhe kontributeve të sigurimeve Shoqërore e të kujdesit shëndetësor për subjektet e regjistruara në organet tatimore, pranë sporteleve të Postës Shqiptare Sh.A. do te jetë nje vlerë e shtuar jo vetëm për Postën Shqiptare, në kuadrin e një tregu dinamik e konkurencial, po dhe për konsumatorin, duke ofruar lehtësira në gjithë territorin e vendit dhe sidomos edhe në ato zona ku bankat e nivelit të dytë nuk janë të pranishme. Nga ana tjetër, do të ndikojë po aq pozitivisht në rritjen dhe përmirësimin e mbledhjes në kohë të detyrimeve tatimore dhe kontributeve nga ana e autoriteteve dhe institucioneve përkatëse shtetërore.
  • Ofrimi i shërbimit të arkëtimeve të faturave të Ujësjellsit në nivel kombëtar nëpërmjet lidhjes së marrëveshjeve me shoqëritë e Ujësjëllës Kanalizimeve, do te ketë avantazhe për konsumatorin dhe bashkitë në cilësinë e pronarit – aksionar. Nëpërmjet sporteleve të Postës Shqiptare konsumatoriët do të kenë mundësinë të paguajnë në më shumë se një sportel, mund të përdorin zyrat tona në çdo njësi administrative dhe më e rëndësishmja, mund të paguajnë pa asnjë pengesë faturat e shtëpive të dyta, shtëpive të tjera që ata kanë.

 

Së fundmi, do të theksoj se jemi shumë të angazhuar që të jemi në krah të nismës së qeverisë duke ofruar lehtësimin e procedurave për qytetarët nëpërmjet shumëllojshmërisë së shërbimeve që ofrohen nga platforma E-  Albania dhe ADISA. Disa nga këto shërbime ofrohen në sportelet tona por sfida në këtë drejtim është që të paktën një pjesë kryesore e tyre, që merret në portale, të jenë pjesë e rëndësishme e paketës që ofrohet në sportelet tona.

– Ndërkohë kanë dalë edhe disa firma private që ofrojnë këtë shërbim. A e ndjeni konkurrencën e tyre?

– Ashtu si theksova edhe në fillim të kësaj interviste, Posta Shqiptare është e vetmja që vepron në një treg konkurencial, pra që nuk është ekskluzive në tregun e saj, dhe kjo shihet si në shërbimet postare dhe ato financiare. Në kushtet aktuale të tregut, shërbimet postare ofrohen nga ofrues të ndryshëm shërbimi, kjo si pasojë  e ndryshimeve që i janë  bërë Ligjit “Për Shërbimet postare”,  i cili u përafrua me direktivat e BE-së duke  liberalizuar kështu shërbimet postare.

Është e vërtetë që në disa shërbime të caktuara si shërbimi Express “kemi lëshuar terren” dhe kjo është mëse normale pasi nuk mund të konkurohen lehtë kompanitë e mëdha ndërkombëtare me flota avionësh  etj . Është fakt tashmë që çdo operator postar publik kudo në botë, është përballuar me këtë fenomen global. Patjetër që është një përballje e vështirë dhe me kosto dhe për ne, por jemi përpjekur që aty ku humbin terren, ta kompensojmë diku tjetër, duke ofruar shërbime të tjera si koliposta apo shërbime për shoqëri të ndryshme.

Drejtoria e Marketingut e Postës Shqiptare i kushton shumë vëmendje jo vetëm portofolit të shërbimeve aktuale dhe pasurimit të tij po dhe konkurencës, dhe çfarë ofrojnë kompetitorët. Me strukturën e re organizative, tashmë Postës Shqiptare i shtohet dhe drejtoria e re e Strategjisë e cila analizon me kujdes dhe shërbimet e reja në tregje të reja në mënyrë që investimet të planifikohen me kujdes dhe të jenë të drejtuara drejt tendencave të duhura dhe t’i paraprijmë ndryshimeve në kohë dhe me efikasitet.

Nuk kemi luksin që të bëjmë të njëjtin gabim dy herë sepse është e pamundur që të rikuperojmë ndaj duhet të jemi shumë të kujdesshëm dhe vizionarë në lidhje me parashikimet dhe planifikimet e strategjisë tonë.

Përsa i përket shërbimit financiar duhet të theksoj që Bankat dhe institucionet financiare jobankë janë kompetitorë “agresivë”. Ato e kanë luksin e ofrimit të formave te ndryshme të joshjes së klientit megjithatë kjo ka nisur të ketë pasojat e veta. Duhet thënë se shtrirja e madhe e Postës Shqiptare është baza ku do të mbështetemi për të rifituar këtë terren të humbur. Tashmë ka bashki të tëra ku dhe bankat më të mëdha janë tërhequr duke ia lënë Postës Shqiptare përgjegjësinë kryesore të ofrimit të këtyre shërbimeve.

Në fakt për disa gjëra ne i kemi prishur punë vetes. Disa vite më parë kur Posta Shqiptare nuk e kishte ende sistemin e menaxhimit të informacionit elektronik, disa prej punonjësve tanë iu është dhënë mundësia që të abuzojnë dhe ky perceptim i krijuar në kohë shfrytëzohet nga konkurentët tanë. Shpesh më ka rastisur dhe  mua, që, pa dashur, të bëjmë një reklamë negative. Ndjej keqardhje për këtë mënyrë jo korrekte të të bërit biznes dhe si përgjigje më të mirë tonën, gjej përkushtimin maksimal dhe garancinë që u japim klientëve tanë për standardet tepër të larta të sigurisë që ofrojmë.

Në rritjen e përditshme të besimit të qytetarëve, sidomos nxitur nga fakti i shtimit të shërbimeve të reja, ka ndikuar padyshim dhe përkrahja e madhe e Qeverisë Shqiptare, e cila e vlerëson jashtëzakonisht punën tonë dhe po na mbështet që Posta Shqiptare në të ardhmen të shndërrohet në një institucion të plotë financiar, në një postë – bankë.

Gjej rastin të falënderoj Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë për bashkëpunimin dhe përkushtimin, sepse jo vetëm që ka plotësuar kërkesat tona po na ka orientuar më së miri drejt sfidave të reja.

– Punonjësit tuaj, me sa kam vënë re, janë të kënaqur me shërbimet që u janë krijuar. Por, ndërkohë ata kërkojnë një garanci: nuk kanë një kontratë kolektive pune me ju? Pyetja e drejtpërdrejtë është si i kini marrëdhëniet me sindikatën apo sindikatat që operojnë brenda sistemit tuaj dhe kur dhe me kë do ta lidhni këtë kontratë?

– Në përvojën time si manaxher, gjithmonë kam qënë i prirur t’i vlerësoj dhe t’i motivoj punonjësit, të mbroj  të drejtat dhe interesat e tyre.

Që në fillimet e punës time si Administrator i Postës Shqiptare, u informova që  Posta Shqiptare nuk ka një kontratë kolektive për faktin se ndodhet përpara një procesi gjyqesor me Sindikatën me të cilën Posta Shqiptare, kishte lidhur kontratën kolektive. Çështja është ende në gjykim dhe jemi në pritje të vendimit përfundimtar të gjykatës. Duke vlerësuar pa masë rëndësinë e sindikatës në rritjen e performancës së Shoqërisë dhe, pavarësisht vendimit të gjykatës, ne kemi nisur prej kohësh veprimet tona, që punonjësit të jenë të përfaqësuar.

Në këtë kuadër janë ngritur grupet e punës, të cilët aktualisht  po ndjekin  procedurat përkatëse ligjore dhe po verifikojnë dokumentacionin sipas kritereve ligjore e nënligjore.

Nga informacioni deri tani, kanë shprehur interes për lidhjen e marrrëveshjes kolektive një numër i konsiderueshëm si:

  • Sindikata e Punonjësve të Postës Shqiptare;
  • Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë;
  • Federata Sindikale e Ndërtim Drurit dhe Punëve Publike të Shqipërisë;
  • Sindikata e Punonjësve Postë -Telekom;
  • Sindikatat e Pavarura të Shqipërisë

Në përputhje me parashikimet e procedurës ligjore, fillimisht do të verifikohet dokumentacioni përkatës për shmangien e  diskriminimit me qëllim sigurimin e besimit dhe transparencës si dhe trajtimin e barabartë të të gjithë organizatave sindikale dhe më pas do të fillojnë bisedimet për lidhjen e Kontratës Kolektive të Punës.

Në përfundim, më lejoni të shpreh falënderimet për ju dhe gazetën “Dita”, i bindur që Shoqëritë tona do të kenë te njëra – tjetra një partner të besueshëm.

March 8, 2018 13:04
Komento

1 Koment

  1. Bege Musta March 11, 21:55

    Inteligjent, me histori menaxhimi te sukseshem, energji dhe vullnet per ti ndryshuar gjerat drejt se mirës dhe perparimit, person i merituar në momentin dhe vendin e duhur, nje model i mire dhe shembull per të riparë rrenjesisht strukturat e administrates publike, qe fatkeqesisht katandisur ne piken e hallit, dhe nuk sjellin asgje tjeter veç bllokimin e reformave dhe lenien e Shqiperise jashte Bashkimit Europian. Suksese z. Duraj!

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*