“Në politikë kam takuar shumë “kolegë” halabakë dhe injorantë”

April 25, 2018 09:22

“Në politikë kam takuar shumë “kolegë” halabakë dhe injorantë”

Të tërhequr nga politika/ Një bisedë në Dita me ish-deputeten Lajla Përnaska. Rrëfimi i vajzës nga Tirana që e provoi politikën, por shumë shpesh ka qenë në vendin e gabuar me njerëz të gabuar. Ajo shprehet se shpesh ka parë një degradim të modelit femëror në politikë, ku duket se ka një garë marionetash e manekinash si “barby dolls”, që i mbajnë letrat e iso shefit, sesa politikane profesioniste

Nga Entela Resuli – DITA

Kur vendosëm të intervistonim disa nga personazhet që janë tërhequr nga politika, një nga emrat e rëndësishëm ishte Lalja Përnaska. Për dy mandate (2005-2013) ajo ka qenë pjesë e Kuvendit të Shqipërisë si deputete e Partisë Demokratike. Sot nuk është më. Në zgjedhjet e fundit, refuzoi të kandidonte për shkak se lidershipi i PD-së, emrin e saj e renditi diku nga fundi…

Por zonja Përnaska ka një histori të gjatë në politikën shqiptare. Me profesion mjeke pediatre, për më se një dekadë ajo iu përkushtua politikës aktive.

Pavarësisht se beson së Shqipëria bëhet dhe ndryshimi sipas saj mund të vijë vetëm nga politikanë të përgjegjshëm, ajo përsëri ndihet e zhgënjyer nga rruga e saj në politikë dhe nga njerëzit më të cilët është përballur.

Në këtë intervistë për Dita-n, zonja Përnaska, e cila e do shumë Tiranën dhe çdo ditë vë re ndryshime pozitive në këtë qytet, shprehet se nuk e quan të përmbushur misionin e saj politik dhe nëse i jepet mundësia do e provojë sërish të jetë pjesë e kësaj fushe që për të, por edhe për shumë të tjerë nuk ka qenë e lehtë…

-Zonja Lajla, si ka qenë hyrja juaj në politikë, rastësi apo dëshirë

Idealizmi im i plotë për të kontribuar në zhvillimin dhe demokratizimin e vendit tim. Ishte dhe dëshira për t’u bërë pjesë e ndryshimeve që lashë Parisin, (ku isha ne fillimvitet’90 me studime-specializim) dhe për politikë-bërjen lashë mjekësinë klinike (diplomuar me rezultate të shkëlqyera dhe kam punuar si mjeke në Pediatrinë klinike 1986-1994).

– Mendoni se duke qenë pjesë e politikës bëhesh edhe pjesë e ndryshimit të vendit?

Kam qenë e bindur për këtë dhe prandaj kam bërë pikërisht këtë zgjedhje në karrierën time. Për më tepër në Shqipëri ku u ndërrua sistemi dhe filloi një proces intensiv reformash, ka qenë e domosdoshme që intelektuale, profesioniste të fushave të ndryshme, të angazhoheshin në politikë.

Lidhur me “ftesat” për t’u bërë pjesë e politikës, për mua janë falsitet, ose thjesht pazare. Politika për mua është pasion, por dhe profesion që nëse e zgjedh, duhet të investosh shumë për tu realizuar. Që kur e ndava mendjen për tu bërë pjesë e politikëbërjes, kreva diplomimin në Francë për zhvillimin e politikave social-shëndetësore dhe kam kryer pafund specializime e trajnime.

Politika qeverisë dhe po të jenë njerëzit e duhur në vendin e duhur, ka mbarëvajtje, arritje dhe rezultate pozitive, në rast të kundërt ka dështime. Por kjo gjë kërkon së pari vizion të qartë politik, vullnet të plotë, përgjegjshmëri dhe profesionalizëm. Politika jonë e tranzicionit ka provuar më shumë dështime se arritje. Unë kam qenë e bindur se ky vend bëhet, lehtazi madje, nëse drejtimin e tij e marrin në dorë njerëz profesionistë me integritet moral, që punojnë për vendin. Nëse do kishte vazhduar ritmi i duhur i reformave demokratike të pas ‘90-ës, Shqipëria do ishte bërë me kohë anëtare e familjes së Madhe Europiane.

 

 -Zonja Përnaska, sa kohë qëndruat në politikë dhe çfarë mësuat prej saj?

Për mëse një dekadë kam qenë pjesë e politikës aktive. Kam mbështetur pa kushte dhe pa interesa personale PD, por deri më sot, s’kam marrë vlerësimin adekuat për meritat e kontributin tim. Më 2005, u futa në garën për Parlamentin, në terrenin e një formule (megadushku), ku vota për partitë e mëdha, kalonte tek partitë e vogla për listën e proporcionalit (sistemi ishte 100 deputete maxhoritar dhe 40 proporcional). Nuk m’u ofrua nga PD ndonjë zonë e sigurt, siç ndodh me të preferuarit për t’u zgjedhur. Por bëra llogaritë e mia dhe u futa në garë për proporcionalin në lagjen time, Njësia nr 2 në Tiranë, ku jetojmë dhe kemi investuar prej 5 brezash tashmë. Falë mbështetjes së familjes sime, miqve, dashamirësve dhe mijëra votuesve të kësaj zonë, fitova mandatin tim të parë kuvendor.

Sigurisht jeta parlamentare të përfshin në një agjende politiko-partiake, por unë që në fillim kam pasur axhendën time personale me çështje, probleme që i gjykoj prioritare: si p.sh çështjet e fëmijëve e të të rinjve (nisma ime e parë parlamentare është përgatitja e ligjit për “ndalimin e pijeve alkoolike te të miturit”). Për çështjet e barazisë gjinore (kam një kontribut unik në përgatitjen e ligjeve për barazi në politike dhe futjen e kuotës 30 për qind, marrëdhëniet me jashtë dhe integrimi i vendit, si anëtare e delegacionit shqiptar në Asamblenë parlamentare të Këshillit të Europës.

-A është politika një terren i vështirë për gratë?

Është i vështirë sepse partitë drejtohen nga meshkujt dhe përdoren në shërbim të interesave të tyre. Nuk ka hapësira për garë të ndershme me aftësi dhe kapacitete.

-Ju u larguat me dëshirë nga politika apo ju “spostuan”?

Mund të quhet edhe spostim, por në fakt nuk kam qenë realisht pjesë e pushtetit të maxhorancës në vitet 2005-2013. Gjatë kësaj periudhë nuk m’u dha akses në ushtrimin e pushtetit dhe kjo e vështirëson mjaft detyrën si deputete, pasi në fushatë ti bën premtime, që më pas nuk i mban dot, pasi nuk ke asgjë në dorë drejtpërdrejt. Unë jam përpjekur shumë për zonën time elektorale, që është dhe lagjja ime, ngrita një model të marrëdhënies me votuesit të paarritshëm deri më sot dhe sigurisht kam pasur gjithnjë mbështetjen dhe vlerësimin e tyre, por nuk kam arritur të përmbush objektivat e mia në këtë drejtim. Edhe aq sa kam mundur të nxis investime, apo projekte në zonë, ka qenë me mjaft përpjekje, pra shumë energji e harxhuar për pak rezultate.

Edhe me sistemin elektoral proporcional që u aplikua nga 2009-ta, nuk m’u dhurua mandati parlamentar, (pozicion i sigurt në renditje), pasi në listën e Tiranës, isha nr 15. Edhe mund të tërhiqesha fare nga gara, por e mora si sfidë, kam realizuar një fushatë spektakël, duke arritur rezultatin më të lartë për zonën time, Njësia nr 2 në Tiranë dhe dola fituese, pra të dy mandatet e mia i kam fituar falë punës sime dhe mbështetjes së njerëzve dhe votuesve të mi. Askush s’më ka falur asnjëherë asgjë në politikë. Është politika që ka përfituar prej meje dhe jo unë prej saj. Për të mos folur për lojëra interesash dhe fenomenin e shitblerjes se mandateve që është bërë një plagë e rëndë e politikës.

Vlen të theksohet dhe parimi i korrektësisë me pushtetin politik. Tek ne ka ndodhur fenomeni i abuzimit me pushtetin. Dhe kjo lexohet fare thjeshtë tek individë që në politikë hynë si rrogëtare, apo si të papunë (pabuksa quhen në zhargonin popullor) dhe shndërrohen në parellinj/llesha (“kanë ndërruar lëkurën“, thotë populli). Unë e shoh pushtetin si shërbim, jo si përfitim.

Thuhet se rroga e deputetit është e lartë, por nëse e ushtron detyrën e deputetit siç e kuptoj unë, duke i shërbyer një zone elektorale, ajo rrogë është totalisht e pamjaftueshme.

Ndërsa në fushatën e 2013-ës më vendosen nr. 17 në listë, që ishte një pozicion i sigurt humbës i PD në Tiranë, kështu që e gjykova të tërhiqem fare nga gara. Për më tepër që në zonën fituese të listës ishte një ekip i dobët ne gjykimin tim (dhe jo vetëm) me figura jo përfaqësuese, pa integritet e personalitet (madje që s’kishin fare lidhje me votën e votuesin në Tiranë), gjë që e tregoi dhe humbja e thellë në kryeqytet.

-Pse ndodhi dhe pse veproi kështu partia juaj?

Sepse modeli im politiko-profesional rezulton i preferuar nga zgjedhësit, por jo për lidershipin partiak. Unë e prisja këtë gjë, por tejet të zhgënjyer u gjetën mbështetësit dhe dashamirësit e mi, realisht të shumtë në Tiranë dhe jo vetëm, për të cilët duhej të kisha qenë patjetër, jo vetëm përfaqësuese e tyre në Kuvend, por edhe anëtare e kabinetit qeveritar.

-Me çfarë sfidash përballet një femër në politikë?

Më një kulturë politike vulgu që është ushqyer në vite në klasën politike shqiptare, me një terren amatorizmi politik dhe mungesë integriteti e profesionalizmi.

– Ju gjithmonë keni dhënë përshtypjen e një gruaja të fortë, por a keni patur ndonjë çast dobësie në jetën tuaj politike ku ndoshta keni thënë: “kjo punë nuk bën për mua”?

Familja ime më ka kultivuar një karakter të fortë, për të qenë e zonja e vetes, me aftësitë e duhura për të arritur objektivat e mia. Parimi që ne kemi trashëguar në breza, është që të realizohemi falë talentit e punës e investimit. Ky është çelësi i suksesit të karrierës sime. Sigurisht në situata absurdi të jetës politike, me është dukur vetja në “vendin e gabuar’, kur shihja rrotull meje “kolegë” halabakë, injorantë, amoralë, defiçientë, mediokër, sigurisht e kam menduar shpesh këtë gjë. Por është edhe ana tjetër e medaljes: nëse të gjithë intelektualët e profesionistët tërhiqen, në dorë të kujt do mbetet politika?!

-Është më e vështirë rruga e një gruaja apo e një burri në politikë?

Varet, se me çfarë rruge hyn në politikë, me rrugën e vlerave, aftësive, kontributeve, apo me rrugën e pazareve e amoralitetit. Këtu s’ka asnjë dallim gjinor burra-gra.

-Zonja Lajla, tani që jeni jashtë, a vini re një mungesë të theksuar besimi që kanë njerëzit ndaj politikës?

Mosbesimi është në rritje, dhe kjo në një aspekt është pozitive, pasi shumëkush nuk gënjehet me nga ajo që sheh në skenën politike. Por nga ana tjetër rritja e besueshmërisë së qytetarëve është e domosdoshme për një demokraci funksionale dhe me rregulla të qarta.

-Besohet më shumë një grua apo një burrë?

Për mua besohet individi, me modelin që përfaqëson, me karakterin, moralin, aftësitë e tij. S’ka dallim burrë-grua. Në çdo garë të jetës sime meshkuj kam pasur konkurrentë, por aty ku ka qenë vërtet garë, kam dalë fituese.

-Pse ndodh kjo?

Gjithnjë me shumë shoqëria jonë po emancipohet, është në evoluim. Rëndësi kanë modelet që i ofrohen nga politika, si për femra edhe meshkuj. Unë shoh shpesh një degradim të modelit femëror në politikë, ku duket se ka një garë marionetash e manekinash si “barby dolls”, që i mbajnë letrat e iso shefit, sesa politikanë profesioniste.

Koncepti im i politikanes është ai i “këpucëve sheshka”, me një aktivitet dinamik, në terren, pranë njerëzve. Është sajesë e shëmtuar modeli i politikanes “maje takave firmato”, që sfilojnë ne oborrin e sallën e Kuvendit, apo nëpër studio televizive. Por ama dihet , se skarpinat te rrezojnë edhe nga shkallet, apo foltoret ku të hyp partia!

– A nuk ju duket edhe ju sikur liderët politik nuk frymëzojnë…?

Ka ikur koha e frymëzimit.

– Çfarë duhet bërë në këtë pikë?

Duhet një cikël i ri i politikës, dhe besoj se sa më shumë hedhim hapat drejt Bashkimit Europian, me shumë do përmirësojmë standardet tona në këtë drejtim.

-Historia më interesante e jetës suaj politike?

Zgjedhja nga Asambleja parlamentare si Kryetare e Komisionit të Shëndetësisë dhe Çështjeve sociale në Këshillin e Europës, Strasburg,(2007-2008) si dhe zgjedhja si Zv/ Presidente e grupit politik te PPE-vë në Strasburg (2008-2013).

-Si ju duket politika tani që e shihni nga jashtë?

Nuk harxhoj aspak nga koha ime, për të ndjekur falsitetin e “politikës se ditës”, që ka degraduar ne një shterpësi totale. Jam e interesuar për mbarëvajtjen e vendit tim, jam e vëmendshme ndaj procesit tonë të integrimit europian, për arritjen e standardeve të munguara deri më sot. Besoj se Hapja e Negociatave në procesin e anëtarësimit në BE, është një hap pozitiv për vendin. Është përgjegjësi e mbarë politikës të përmbushë obligimet e veta (jo vetëm maxhoranca, por edhe opozita)

-Tani që e mendoni, bëtë mirë, apo ishte një gabim përfshirja juaj në politikë?

Politikën unë kam zgjedhur, kultivuar e investuar si profesion. Mbetem nga politikanet e rrallë, e diplomuar e specializuar për politikëbërje e menaxhim në Lidership, në vendet më të avancuara të botës nga SHBA, Europe e Izrael. CV-ja ime profesionale dhe politike, mbetet unikale dhe përbën një aset kombëtar, dmth që është politika që ka nevojë shumë më tepër për mua dhe kapacitetin tim, se sa unë për të. Prej ca kohesh unë jam tërhequr nga politika aktive, se nuk kam gjetur hapësirën për të ushtruar parimet e mia dhe mënyrën se si e konceptoj unë politikën, në shërbim të njerëzve, jo të partive.

– Nëse do ju jepet mundësia, ka shanse për rikthim, apo jeni ndarë përfundimisht me politikën?

Nga njëra anë, politika për mua është art i komunikimit me njerëzit. Ajo më ka dhënë një marrëdhënie intensive njerëzore, që nuk ta jep asnjë profesion tjetër. Kam një kapital politik dhe elektoral të pakonkurrueshëm në qytetin e Tiranës. Në dy mandatet e mia kam investuar nonstop në marrëdhëniet me të gjithë zonën time elektorale, duke ngritur marrëdhënie miqësore e respekti më shume kategori sociale njerëzish, që nga vendalinjtë e të ardhurit në kohët të ndryshme si banorë të Tiranës, kam ndjekur nga afër çdo problem e shqetësim të zonës. Nëse krijohen kushtet për garë kandidimi, pa diskutim që futem dhe jam e sigurt që e fitoj garën përsëri.

Nga ana tjetër, nuk e quaj të përmbushur karrierën time politike. Kam qenë pjesë e ligjvënies, por jo e vendimmarrjes, pra e qeverisjes. Mendoj se kam akoma shumë për të dhënë, nëse do të më krijohet mundësia për ta bërë këtë gjë, pasi kapacitetet dhe eksperienca ime në politikëbërje e menaxhim programesh, mbetet unikale. Kam përfaqësuar me dinjitet të plote vendin tim në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës (2005-2013) , duke u zgjedhur në nivelet më të larta drejtuese të këtij Institucioni dhe duke ndihmuar në Integrimin Europian të Shqipërisë, mision të cilit i qëndroj besnike.

-Ju jeni një grua që keni bërë karrierë, keni një eksperiencë jetë, çfarë do i thoje një të riu që ka dëshirë të punoi dhe jetoi në këtë vend?

Të rinjve ju them se pari të investojnë tu bërë profesionistë të mirë, duke u shkolluar dhe jo duke u bërë militantë partish. Nuk duhet të bien në grackën e partive që zakonisht i përdorin të rinjtë kur ju duhen. Mos e shohin politiken si mundësi karriere, apo me keq akoma, mundësi përfitimi, apo pazarllëku. Është e domosdoshme të formohesh së pari si profesionist. Në politikë mund të përfshihesh ne një hap të dytë, nëse vërtet e ke dëshirë.

-Me çfarë merreni aktualisht?

Prej kohësh kam fituar statusin si National Consultatnt (Konsulente Kombëtare) për proceset e Integrimit dhe politikëbërjes. Ruaj bashkëpunimin me organizata partnere dhe mjaft miq të Këshillit të Europës. Një pjesë mjaft të rëndësishme të agjendës sime e zë tashmë sipërmarrja. Familja Përnaska ka rikthyer në treg brandin e parë të modës shqiptare ONUS, të nisur nga im gjysh Jonuz Pernaska që në vitin 1927, në Tiranë.

-Çfarë do të thotë ONUS?

ONUS derivon nga emri i tim gjyshi, Jonuz Pernaska, i cili është stilisti që hapi sallonin e parë të Modës në Tiranë, që prej vitit 1927 dhe që shumë shpejt u bë epiqendra e realizimit të veshjeve femërore për gjithë periudhën që ushtroi aktivitetin e tij. Për te pasur një lexim më të thjeshtë të Brandit ONUS dhe në gjuhë të huaja, ne vendosem termin ONUS që në latinisht do të thotë Pblgim, forcë.

– A stilon ndonjëherë vetë?

Kam stiluar që e vogël. Im gjysh më kishte si modelen e tij, më vishte si kukull sa që edhe në rrugë njerëzit më ndalonin për veshjet. Më merrte kudo me vete madje dhe flinte me mua. Kam kujtime fantastike të jetesës me të, ndonëse fëmijë, se ai u nda shpejt nga jeta. Nuk e suportoi dot sistemin e diktaturës, sepse ishte një artist i lindur me shpirt të lirë.

Nena ime trashëgoi zanatin e tij dhe gjithnjë veshjet e mia janë bërë brenda familjes. Dhe në vazhdim 50 për qind të gardërobës e kam pasur gjithnjë me stilimet e mia personale.

-Si një vajza që keni lindur dhe jeni rritur në Tiranë, si ju duket kryeqyteti këto kohë?

Unë e dua Tiranën dhe kam bërë shumë përpjekje edhe si deputete e këtij qyteti, për të përmirësuar standardet e tij. Do të doja të bëja realisht më shumë. Ka ndryshime të dukshme pozitive në kryeqytet, por ka edhe plot probleme. Dua të theksoj se në lagjen time, ekipi aktual i Bashkisë, në vëmendjen e Kryebashkiakut, ka realizuar disa projekte, për të cilat jam përpjekur edhe unë në vite dhe këtë e vlerësoj. Për Tiranen dhe jo vetëm, duhet të angazhohemi më shumë të gjithë, pa kolorit partiak. Në mendimin dhe eksperiencën time, partitë janë thjesht sigla, ato i bëjnë njerëzit dhe kur janë njerëzit e duhur, në vendin e duhur, ka mbarëvajtje. Uroj të kemi një garë dinjitoze, me kandidate dinjitoze për raundin zgjedhor, që po afron.

– Djali u rrit? Ju fton ai për një birrë tani?

Sigurisht vitet ecin. Më shumë e ftoj unë për fundjavë, si dhe udhëtojmë shpesh bashkë. Për politikën e kam mbajtur unë si këshilltar timin. Tashmë kam zgjedhur ta kem Administrator të Kompanisë, që familja jonë ka ngritur. Ndërsa ai më ka partneren e tij të pazëvendësueshme.

 

April 25, 2018 09:22
Komento

2 Komente

  1. Lili April 25, 17:52

    Grate aty perzgedhen vetem nese ia ‘çojne’a jo KM…
    Pfffff per keto barbie dolls.

    Reply to this comment
  2. Sa per dijeni April 25, 20:03

    Vetem fakti qe Saliu , me mentalitet bajraktari mesjetar , i lidhur koke e kembe me sherbimin sekret serb , njeri teper autoritar e me seder te semure malsori , qe keshilltaret i mban per ti keshilluar dhe jo te prese keshilla prej tyre, qe i mban nen kontroll e pergjim te vazhduesherm , si kundershtaret , ashtu edhe te perzgjedhurit e tij , njeri hakmarres dhe mizor sic u provua per tre dekada … ,e shume te tjera qe s`numurohen , pra mjafton e tepron vetem qe ti i ke ardhur atij pas oreksit gjate dy mandateve , na ben te dyshojme ne te gjitha sa thua , se VETEM SALIU NUK KA MENDUAR KURRE PER TE MIREN E KETIJ VENDI DHE ESHTE PERPJEKUR TE GJEJE NJEREZ HARBUTE E TE DHUNSHEM SI VETEN E TIJ , QE ME TE HYRE NE PD , KANE KOPJUAR E MARRE TIPARET E EGRA TE TIJ !

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*