Çfarë është sot Ibrahim Basha për ne që deri dje nuk e njihnim

Edi Rama* June 25, 2015 17:35

Çfarë është sot Ibrahim Basha për ne që deri dje nuk e njihnim

Mbi dy mijë vjet më parë, Herodoti, shkruajti, “Në paqe djemtë varrosin baballarët; në luftë, baballarët varrosin djemtë.”

Ibrahimi, siç na e kujtoi xhaxhai i tij mbrëmë, mund të ishte varrosur si dëshmor i rënë në luftë, sepse dy herë me radhë, kishte qenë në misionet luftarake të NATO-s. Por ai sot, do të varroset si dëshmor i rënë në krye të detyrës, në kohë paqeje.

Egërsia në paqe, shfaqet përgjithësisht në forma më pak ekstreme se sa në luftë. Por nganjëherë ajo merr formën e një ekstremizmi vrastar që vetëm lufta mund ta bëjë të pranueshëm, si pjesë të natyrshme të saj. E kur kështu ndodh, ne të gjithë ngremë kokën të pafuqishëm, për të kuptuar lojën tekanjoze të fatit apo vullnetin e Zotit, dhe në pamundësinë më të skajshme përpiqemi megjithatë të marrim vesh diçka që i tejkalon fuqitë tona për të kuptuar.

Është një stërmundim po aq ekstrem sa vetë loja e fatit, që ne të tjerëve na bën të kërkojmë fjalë shëruese, të cila asnjëherë nuk na vjen dot për familjen e mbledhur grusht nga befasia e një humbjeje të pakuptimptë; ndërsa familjarët e prindërit sidomos, ky stërmundim, i transformon në mishërimin e një dhimbjeje që s’ka Zot, e jo më fjalë ta bëjë të durueshme.

Unë s’e kam njohur Ibrahimin.

As të gjithë ju, që keni ardhur ta përcillni sot me nderime jo për kush ishte personalisht për ju, nuk e keni njohur.

Ne nuk dimë asgjë për oborrin ku ka hedhur hapat e parë, rrugicën ku ka gjuajtur topin e parë, shkollën ku ka lënë mësimin për herë të parë, vajzën ku ka hedhur shikimin e parë; nuk dimë çfarë i pëlqente të hante, të bisedonte, të bënte në kohën e lirë; as çfarë muzike e tërhiqte më shumë dhe cilës skuadër futbolli i ishte besnik; nuk dimë as si u ndje kur iku për të luftuar jashtë atdheut, e as çfarë tregonte kur u kthye.

Ne nuk e njihnim Ibrahimin dhe as do ta njohim ndonjëherë. Por, ne erdhëm sot këtu ta nderojmë atë, edhe pse nderimi ynë nuk mund t’ia kthejë atij të ardhmen që u vra bashkë me të; edhe pse prania jonë pranë tij sot, nuk mund të jetë një kujtim tjetër në rrugën e jetës së tij të re; edhe pse përulja, dhimbja e fjalët tona, nuk mund të zbusin zemrën e bërë gur të familjarëve dhe, sidomos, të prindërve të tij.

Jeta që Ibrahimi mund të kishte më tutje, gëzimet që ai mund t’u falte më tej prindërve, dashuria që mund të vazhdonte t’u jepte motrave e vëllezërve, kanë ikur të gjitha. E ardhmja dhe ëndrrat e tij kanë mbaruar, sepse jeta e tij ndaloi për shkak të detyrës. Por, pikërisht kjo e vërtetë e papranueshme na solli ne të gjithëve këtu, për të përcjellë me nderime jo njeriun që nuk njihnim, po të gjithë ata që janë gati të vdesin bashkë me të ardhmen e ëndrrat e tyre, për paqen e sigurinë e të gjitha familjeve tona.

Ibrahim Basha është sot të gjithë ata së bashku.

Duke nderuar këtë njeri, me të cilin neve nuk na lidhte personalisht asgjë, ne nuk përulemi përpara një personi të vdekur po përpara një simboli të sakrificës. Trupi që na ka mbledhur sot këtu, është trupi i një dëshmori dhe njëkohësisht shëmbëlltyra e një ideali. Ai qëndron përpara nesh, si dëshmi e gjallë e vlerës së paçmueshme të paqes e të sigurisë për të gjithë dhe e nevojës, për t’u kujtuar gjithnjë, se paqja e siguria e familjeve tona, nuk është dhuratë e Zotit, por përkushtim e sakrificë e njerëzve që nuk i njohim dhe s’do t’i njohim kurrë. Por, pikërisht këtyre të panjohurve që ndodh, ja kështu si sot, t’ua dëgjojmë emrin kur s’janë më, u detyrohemi gjënë më të rëndësishme për familjen e secilit prej nesh; vazhdimësinë normale të jetës sonë, gëzimet që na falin fëmijët tanë, dashurinë që japim e marrim nga njëri-tjetri.

U detyrohemi sigurinë e të ardhmes dhe të ëndrrave tona.

Askush nga ne nuk e di sa të gjatë e kemi mbi këtë tokë. Ne nuk e dimë se kur dhe si, pse jo e jo, fati ynë do të përmbysë përgjithnjë planet tona. Por me të njëjtën siguri që ne dimë, se nuk kemi asnjë fuqi ta zmbrapsim ndërhyrjen e mistershme që do të ndërpresë jetën tonë, ne dimë gjithashtu se mund të zgjedhim vetë si ta jetojmë, kohën që na është dhënë.

Ne mund të japim dashuri, jo urrejtje.

Mund të ndihmojmë njerëzit që kanë nevojë për ndihmë, jo të mendojmë vetëm për veten.

Mund t’u mësojmë fëmijëve tanë të jetuarit me gjërat që vlejnë me të vërtetë, jo me arritjet e kollajshme që squllin trurin e shkretojnë shpirtin.

Ne mund të zgjedhim respektin për tjetrin, në vend të përçmimit; respektin për ligjin, në vend të shkeljes së ligjit; anën e duhur të historisë së vendit tonë, në vend të anës së gabuar.

Por, në të gjitha rastet, në zgjedhjen që ne bëjmë, ne s’jemi asnjëherë të pandikuar nga shembujt me të cilët rritemi, nga modelet në të cilët besojmë, nga njerëzit të cilët admirojmë.

E unë dua t’u përulem sot me ndjenjën më të sinqertë të respektit, prindërve të Ibrahim Bashës dhe t’ju them:

Djali juaj jetoi me gatishmërinë për të dhënë gjithçka, sepse ju i dhatë gjithçka.

Ai ishte në anën e çdo familjeje shqiptare që kërkon siguri e qetësi, sepse ju i mësuat atij vlerën e nderit, të respektit e të detyrës.

Sado e pamundur qoftë për ju sot, kur ju duket e kotë çdo frymëmarrje teksa djali juaj ka pushuar së marri frymë, unë ju përgjërohem të mos mendoni vetëm për atë që ai ishte, apo për atë që mund të bëhej; të mos e torturoni veten vetëm me kujtimet që ju la, apo me parafytyrimet e nipave ose mbesave që nuk ju dha dot. Por ju lutem të mendoni edhe se sa shumë fëmijë apo të rritur, se sa shumë familje shqiptare janë mirë, edhe falë përkushtimit e sakrificave të djalit tuaj e të shokëve të tij të armëve.

Ai sot do të prehet në varrezat e dëshmorëve të atdheut dhe është bërë përgjithnjë pjesë e gjakut të të gjithë atyre, që po kryejnë e do të kryejnë në gjenerata të tjera, misionin e punonjësit të Policisë së Shtetit.

Një fjalë e vjetër thotë: Në fund fare, e vetmja gjë që mund të shpresojmë, është që fëmijët tanë do të na bëjnë krenarë duke bërë dallimin në këtë botë.

Ibrahimi e bëri dallimin edhe kur u kthye krenar në shtëpi pas misioneve të vështira jashtë vendit apo në operacionet policore brenda vendit, po edhe kur nuk u kthye dot më, për shkak të detyrës.

Unë nuk e njihja.

Por, për mua ai është bërë një tjetër shembull i gjallë nga ata që ndikojnë zgjedhjen e njeriut, në mënyrën se si vendos ta jetojë qëndrimin e vet të përkohshëm mbi këtë dhe dhe ta bëjë detyrën që i takon. Ashtu siç është bërë padyshim një shembull frymëzues, jo vetëm për të gjithë ata që do të vazhdojnë të kryejnë detyrën e punonjësit të Policisë së Shtetit edhe për të, po për këdo tjetër që kërkon frymëzim për ta jetuar jetën duke bërë krenarë prindërit e vet.

Ju, prindër, vëllezër e motra të Ibrahim Bashës, jeni sot një familje dëshmori që në breza do të krenohet me gjakun që dha për popullin e Shqipërisë gjaku juaj.

Ju, punonjës të Policisë së Shtetit, keni nga dje një detyrim më shumë për ta mbajtur të panjollosur uniformën e trupës suaj jetike për sigurinë e qetësinë e këtij populli, dhe një motiv të fortë më shumë për ta luftuar me kurajo, pa mëshirë e sukses krimin.

Ne, që të gjithë, kemi nga dje një arsye më shumë, për të ecur më shpejt përpara, në drejtimin e duhur, që t’u japim fëmijëve të Shqipërisë një atdhe të denjë për gjakun e të rënëve në krye të detyrës.

Lamtumirë mik i panjohur dhe të qoftë i lehtë dheu!

*Fjala e Kryeministrit Edi Rama në ceremoninë shtetërore të përcjelljes së efektivit të Policisë së Shtetit, Ibrahim Basha, rënë në krye të detyrës.

Edi Rama* June 25, 2015 17:35
Komento

15 Komente

  1. al-boston June 25, 17:45

    I paharuar ky hero.

    Reply to this comment
  2. bimi June 25, 17:54

    O Edvin, leri pordhet dhe bej shtet. Fut malokun dhe kriminelet e medhenj brenda, se minjte e gjejne vete veren pastaj…

    Reply to this comment
  3. LABI June 25, 18:11

    I pa haruar kujtimi i Tij. I qofte e lehte lendina.

    Reply to this comment
  4. shpatar June 25, 18:44

    Rama i ka te gjitha ne dore por deri me sot ne nuk dim pse ai nuk ndeshkon .Nuk dim pse nuk ndryshon ligjet e vendosura nga euforia demokratike .Te vritet nje polic ne Turqi apo dhe ne nje vend demokratike kriminelve u shkohet lodra .Sa raste kemi patur dhe nuk pa shohim nje shembelltyre te beje qe tu dridhet buza p[or shohim te afermit e Imbaimit qe ngasherehen per dhimbjen .Nese nuk ka ligj a ka llogjike qe tu jepen organeve te policise e te luftes antikrim kopetenca qe tu garantojne jeten gjate perplasjes me krimin . Cdo te beje Drejtesia nese ndryshojme regullat e kesaj loje te rrezikshme .Do mbroje perfaqsuesin e shtetit e jo kriminelin .
    Shpesh themi te nxjerrim mesim nga ato qe ndodhin dhe ja qe e pesojme nga vet neglizhaencat qe na ndjekin per hire te demokracise .As te mos mendohet se ka qendrimi unik per keto raste .Keto segmente ja maisur nga politikat e ndjekura deri me sot . Rama zduhet te mendoje se keto do te zgjidhen me dialog .Lufta kunder krimit ka regullat e saj qe nuk pranon te fusin hundet kushdo per hire te politikes.Ka nje shkujdesje te pa justifikuar dhe me ate qe quhet infornacjon gazetaresk .per hire te asaj qe thot Luli kerkohet trasparence .Kujt i detyrohet nje polic ti japi llogari kur perplaset me krimin .Politkes apo mbijeteses .keto jane degjeneruar ne punene policise deri me sot .
    Shpreh ngushellimet por dhe urejtjen ndaj kiminelve .

    Reply to this comment
  5. lato June 25, 19:18

    Sikur 5 fjale te kishe thene per ngushellim,por 5 kriminele te asgjesuar ne perpjekje, do te kishin me shume dobi,se ky hartim prekes.

    Reply to this comment
  6. Ndue June 25, 19:25

    Kaq pa vlere eshte jeta e nje polici? Kaq lehte dhe pa pasoja eshte te qellosh apo vrasesh nje polic te shtetit? Kaq pak vlen jheta e nje polici te shtetit? Çfar rendesie kane keto fjalime e parada me trupin e policit te vrare? Sa mund te quhet shteti shtet kur ka frike te vrase kriminelet dhe terroristet sepse do ngrihen OJQ politike qe mbrojne te drejtat e kriminelve? Drejtuesit e nje shteti jane te mire per vendin e tyre kur jane shume te mire me qytetaret e rregullt dhe shume te keqinj me kriminelet dhe terroristet.

    Reply to this comment
  7. Artur June 25, 19:36

    RIP Ibrahim Basha e ngushellime familjes. Kryeministri hipokrit te mos pregatise fjalime te bukura ne varrimet e punonjesve te policise te vrare por te largoje kriminelet, drogaxhinjte, te korruptuarit qe ka futur ne polici duke filluar nga ministri. Ky eshte respekti per Ibrahim Bashen dhe jo fjalet e lotet e krokodilit

    Reply to this comment
  8. I.Troplini June 26, 03:16

    I lehte dheu o deshmor i kombit tim,

    u vrave nga plumbat e atyre qe perfaqesojne derrat e ketij vendi, qe te frymezuar dhe te mbrojtur nga nje plak i rrjedhur e tinzar, ishin te gatshem jo vetem te mbillnin e shitnin droge per tu kamur por edhe te benin trimin ndaj “atyre” qe guxonin tu thonin NDAL, deri ketu e jo me tej.
    Ata qe qelluan mbi Ibrahim Bashen dhe i moren jeten, do arrestohen apo asgjesohen nga koleget e tij. Kaq, eshte e sigurte. Ajo qe mbetet pa pergjigje, eshte pyetja, se cdo behet me tutoret e Lazarateve shqiptare? Edhe sa jete bije nenash shqiptare duhet te sakrifikohen, derisa koka e kucedres te prehet nga shpata e drejtesise?
    Sa mire do ishte, sikur Kryeministri yne, te betohej per drejtesi, ashtu si deshmori Ibrahim Basha, u betua para flamurit tone. Tek e fundit, ndaj e kemi zgjedhur.

    Reply to this comment
    • Arben June 26, 09:35

      ESHTE BETUAR.

      DY KRIMINELA DHE TRAFIKANTE I BERI KRYETAR BASHKIE.

      PER TE MOS THENE SA NGA KETA KA FUTUR NE PARLAMENT.

      Reply to this comment
  9. Arben June 26, 05:50

    NDERIMI ME I MIRE QE MUND TI BEHEJ KETIJ TE SHKRETIT DO TE ISHTE
    MOSKANDIDIMI NGA EDI RAMA I PERSONAVE TE DENUAR PER PLAGOSJE ME ARME ZJARRI PER KRYETAR TE BASHKISE KAVAJE DHE ATIJ TJETRIT PER DROGE DHE PROSTITUCION NE KRUJE.
    TANI ATA KANE FITUAR TE DY.

    KY FJALIM ESHTE NJE TALLJE ME JETEN E KETIJ TE SHKRETIT

    Reply to this comment
  10. Rimi June 26, 16:49

    Kur lexon keto reshta te qendisura e te thena ne menyren me te sinqerte e atdhetare,nga ana e E.Rames te vjen peshtire ti hedhesh nje sy komenteve pa vlere e meskine te disa komentuesve qe fatkeqesisht sot nen hijen e kryekrimit shqipetar jane bere shumice ne kete nivel ose siç e theksoi edhe Kryeministri rama ne diten e zgjedhjeve qe:Sot ndjehem katunar por i konvertuar ne qytetar pasi nuk do te kete me katune sepse i jane bashkuar qyteteve si me inventar edhe me gjene e gjalle si keta qe komentojne me siper!I paharuar kujtimi e vepra e Tij ne lufte me bandat e plantacioneve te droges qe krijoji kryekrimi Shqipetar!

    Reply to this comment
  11. Albi June 26, 17:25

    Shoku amerikan i Ibrahimit ,kur degjoi per “gjemen e madhe “, dergoi nje mesazh ngushellimi : “Fluturo lart Ibrahim vella !” Ngushellime te perzemerta familjes se Ibrahimit !

    Reply to this comment
  12. roberto June 26, 18:12

    Keshtu te ndodh,o zoti kryeminister,se ti ushtaraket i vlereson vetem pas VDEKJES e jo sa jane gjalle!
    edhe ne MIJRA ISH USHTARAKET,sot ne rezerve PER ATDHEUN KEMI SAKRIFIKUAR JETEN,por as ARMIKU YNE Sali Berisha dhe as TI nuk na jepni te drejten qe na i japin STATUSET E USHTARAKUT dhe KUSHTETUTA,por na trajtoni si ARMIQ!!!
    HARRAM VOTAT TONA!!!

    Reply to this comment
  13. Mark uk June 26, 19:16

    Ngushllime familjes se tij.Rama thot se nuk dime as gje per jeten e tij.As atanqe e kan futur ne pune nuk ditur as gja,as per arsimin as per prevojen.Vetem ka perfituar si militant.Nga ana profesionale dihet nuk ka qen i praktikuar.Ket e tregojn edhe shoket e tij qe kan ikur si ballistet qe na prrallisnin komunistet.

    Reply to this comment
  14. lato June 27, 08:28

    Z Rama,kujdes me drejtshkrimin:Shkroi;,jo shkruajti!;

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Njoftim

Njoftim