Lamtumirë miku ynë i shtrenjtë, Nuri Dragoj!

October 16, 2020 13:07

Lamtumirë miku ynë i shtrenjtë, Nuri Dragoj!

Zylyftar Hoxha

Dje, pas një lufte disaditore me sëmundjen e tmerrshme që ka pllakosur botën, përcillet për në banesën e fundit, studiuesi dhe publicisti i njohur, Nuri Dragoj, një vdekje e parakohshme që na ka lënë pa frymë të gjithëve: familjen; kolegët historianë e gazetarë, shokët e miqtë e tij të panumurt, lexuesit dhe adhuruesit e shumtë të veprave të tij brenda dhe jashtë vendit.

Me një karrierë të gjatë si gazetar profesionist Nuriu ka filluar që me “Zërin e Popullit” dhe më pas në shumë organe shtypi. Ka qenë kryeredaktor i gazetës “Republika”, punonjës në Institutin e Historisë, kryeredaktor dhe botues i gazetës “Dëshnica”. Është autor i shumë librave të karakterit studimor historikë, monografi personalitetesh letrare etj.

Më poshtë pa paraqes një listë prej botimeve të tij më kryesore:

“Lumo Pavari”, 2004

“Hajrulla Muhametaj”, 2005

“Dëshnica dhe Dëshnicarët (3 vëllime), 2005-2008

“Eshtra që akuzojnë”, 2006

“Trebeshina, një jetë para gjyqit”

“Shqiptarët dhe grekët”, 2009

“Familja Qerimi në sfidat e pentagramit”, 2010

“Monografi – rreziku i shkombtarizmit”, 2011

“Xhevahir Spahiu, sfidat e poetit”, 2012

Prapaskenat eKonferencës së Londrës”, 2013

“Arsimi në Përmet (1912-1944), 2015

“Përmeti midis dy lyftërave botërore”, 2015

“Në përballje me krimin”, 2016

“Përmeti dhe Lufta e Dytë Botërore”, (3 vëllime)

U prehsh në paqe, Nuri!

Ke lënë një opus të tërë krijues për të mos u harruar kurrë!

Parajsa është vendi yt, rri i qetë aty, se e ke bërë detyrën tënde si asnjë tjetër karshi të gjithëve. Edhe ndaj Atdheut, që nuk ta dijti asnjë herë për ato që ke bërë ti për Të, të të nderonte siç e meritoje!

I qetë në atë botë, Nuri, ashtu siç ishe edhe në këtë botë të trazuar!

 

SHQIPËRIA DHE AGRESIONI DIPLOMATIK I FUQIVE TË MËDHA

Parathënia e librit të fundit të historianit Nuri Dragoi, të cilin e kishte në shtyp

Mihal GJERGJI

E lexova me interes studimin e historianit Nuri Dragoj për lëngatën shqiptare. Pa mëdyshje e

vlerësoj si një ndër punimet e tij serioze dhe me peshë mendimi. Brenda studiuesit është dhe intelektuali me ambicje të shëndetshme morale; në vend të Biblës ka preferuar të vërtetat dhe parimin e së drejtës për popullin të cilit i përket; përtej mureve të heshtjes i bën thirrje ndërgjegjies qytetare. Është pikërisht zëri i shqetësuar i popullit shqiptar, që përcjell dramat e tij të pafundme, bëmat dhe gjëmat shekull pas shekulli. Indiferenca dhe shpërfillja e treguar nga Perandoria Osmane, Anglia, Franca, Perandoria ruse dhe vendet fqinje, i kanë detyruar shqiptarët që, në vend të fjalëve të përdorin dhe armët. Periudha kohore, objekt i këtij studimi, fillon në shekullin e XIX dhe vijon deri në ditët tona. Ngjarje reale, data dhe vite, konferenca të fshehta dhe traktate coptimi të fuqive të mëdha, kronika drithëruese nxjerrë nga arkivat me përkujdesjen e studiuesit dinjitoz.

Vija logjike ndjek rrjedhën e kohës. Pasioni i hap udhën arsyes, emrat e përveçëm veprojnë brenda fenomeneve, idetë shfaqen dhe marrin jetë mbasi janë shpallur nga drejtuesit e kancelarive. Shqipëria vazhdon të jetë viktima e “mirëbërësve” që veprojnë në emër të ekuilibrit ballkanik dhe atij evropian. Rëndësia e këtij studimi është e dyfishtë, sepse jo vetëm informon, por zbardh e sjell të vërteta historike, afron një model koherent historiografie.

“Numri i studiuesve që kërkojnë të thellohen në rrënjët e kombit shqiptar dhe gjuhës së tij, janë të paktë”. Kështu shprehet Nuri Dragoj, dhe ka të drejtë. Jo të gjithë trajtojnë me objektivitet; rreshtimin e forcave politike, krijimin e formacioneve ushtarake, përballjet e përgjakshme mes ortodoksisë dhe myslimanizmit, strategjitë dhe interesat afatgjata të palëve pro dhe kundër coptimit të trojeve shqiptare. Po mirë, cila ka qënë kultura politike e Fuqive të Mëdha, po e përfaqësuesve të popullit shqiptar në kushtet e mungesës së shtetit dhe pas krijimit të tij? Këto pyetje marrin përgjigje në sudimin të cilit i referohemi.

Dua të theksoj qysh në krye një ndër idetë aq domethënëse që afron autori: shtetin shqiptar e krijuan shqiptarët dhe e mbrojtën me gjakun e tyre. Faktori i brendshëm, ushqyer nga idetë e ndritura të rilindasve tanë dhe fryma e shëndetshme e atdhetarisë, ka qënë përcaktues në çdo ngjarje, në çdo hap e përballje, ndërsa faktori i jashtëm ka qënë ndihmues. Ky i fundit vlerësohet objektivisht dhe arsyeshëm në funksion të interesave të tyre dhe rastësisht në mbështetjen tonë. Gjuha e autorit zgjedhur me kujdes fjalë pas fjale, mishëron jo vetëm njohjen e thellë të problematikave, por edhe konceptin bipolar; trajtimi i historisë si shkencë dhe mendimi i pandarë nga etika, si model vlere dhe bukurie. Vështirë t’i gjesh të dyja të shkrira në veprat studimore. E them këtë, sepse teoria e Platonit për shtetin s’di të jetë mishëruar praktikisht. Ende s’ka ndodhur që filozofët të bëhen mbretër dhe këta të fundit të bëhen filozofë. Ata që kanë lëvizur mokrat e rënda të pushtetit kanë patur kufizimet e tyre ideore, afrinë me vendet e orgjinës, doktrinat nga të cilat janë inspiruar, doemos edhe interesa pragmatiste.

“Çdo popull ka një kohë në të cilën shfaqen njerëzit e tij të mëdhenj, që bëhen udhëheqës dhe shembull për të tjerët. Ndaj erdhi një ditë që ndërgjegjia kombëtare e shqiptarëve u zgjua ”-shkruan Nuri Dragoj. Kjo më kujtoi një letër që Skënderbeu i drejtonte Ferdinandit të Sicilisë (31 dhjetor 1460), brendia e së cilës rrëfen madhështinë e princit shqiptar: “Unë do të jem mik i Virtytit dhe jo i Fatit”. Prijës të tillë, edhe pse lindin rrallë, shenjojnë pragje epokash dhe ndryshimesh të mëdha. Pikërisht vdekja e këtij strategu ndikoi në rrënimin e Mbretërisë së Arbrit dhe fillesën e shpërnguljes biblike të shqiptarëve, kryesisht në drejtim të brigjeve italiane. Hordhitë osmane vërshuan me zemëratë mbi tokat tona, vranë, plaçkitën e shkretuan. Filloi myslimanizimi me dhunë dhe masakrimi i atyre shqiptarëve që s’pranonin ndryshimin e besimit të tyre.

Ndërsa vendet e qytetëruara nxitojnë t’i ngrejnë monumente nderimi kryezotit tonë, heroit kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu, shqiptarët, kryesisht brezi i ri, ende s’e njohin heroizmin dhe atdhetarinë e këtij qëndrestari, sepse të vërtetat historike i ka mbuluar pluhuri i harresës në arkivat e sulltanit, të Perandorisë Osmane, të Vatikanit, të Raguzës dhe gjetiu. Ai që nxitoi për t’a ngjitur në panteonin e lavdisë ishte Naim Frashëri, para se ta bënim ne. Poetit i duhej shpata e heroit për betejën e lirisë, ndërsa heroit i duhet pena e poetit për betejën e përparimit. Të dy flisnin shqip, qanin dhe qeshnin shqip dhe dashuronin shqiptarisht dheun e tyre stërgjyshor. Balli i rilindasit mendjendritur digjej nga zjarrmia, si Vezuvi. Ndoshta e ka parandjerë lëngatën e mëmëdheut…Gjergji s’ka nevojë

për ne. Ne kemi nevojë për të; ta takojmë në udhëkryqet e historisë, ta njohim, ndryshe s’mund të njohim vetveten

Autori sjell në vëmëndjen e lexuesit ndryshimet e mëdha në marrëdhëniet mes fuqive rivale. “Traktati i Shën Stefanit, pas luftës Ruso-turke të vitit 1877, projektoi copëtimin e trojeve shqiptare, projekt që u zbatua në Kongresin e Berlinit, në të cilin kombi shqiptar u godit me egërsi. Kjo ndodhi edhe për arsye se nuk ishte punuar për identifikimin e kombit. Paria shqiptare ishte pajtuar me politikën osmane, duke i cilësuar shqiptarët “milet osman”…”

Lidhja Shqiptare e Prizrenit (10 qershor 1878) shënoi kthesën vendimtare në veprimtarinë mbrojtëse të shqiptarëve. Tashmë ata janë të organizuar, kanë përfaqësuesit e tyre politik, kanë një prapavijë që krijon frontin e rezistencës, kanë një program konkret hartuar me largpamësi. Pra, kanë lidhur një besë dhe kanë hequr dorë nga lufta me njëri-tjetrin, sepse janë një rracë, kanë një gjuhë dhe një atdhe të përbashkët. Tregues i mirëkuptimit të arritur janë emrat e personaliteteve pjesmarrëse: Abedin Pashë Dino, Iliaz Pashë Dibra, Haxhi Bajrami, Sulejman Vokshi, Ali Bej Guxia, Ymer Prizreni, Mustafa Pashë Vlora, Sheh Mustafa Tetova etj.

Po çfarë kërkonte Lidhja e Prizrenit? Fillimisht autonomi administrative dhe kulturore për të mbritur më tej në krijimin e shtetit të pavarur shqiptar. Katër Vilajetet shqiptare duhet të organizoheshin nën një ombrellë të vetme. Gjuha shqipe duhet të lejohej në shkolla dhe të përdorej në administratë. Duhet të krijohej policia shqiptare dhe kryeqytet të njihej Ohri. Më qartësisht e shprehin fjalët e Abdyl Frashërit në intervistën e tij për gazetën vjeneze: “Messager de Vienne”, se populli shqiptar dëshironte të jetonte i lirë dhe të zinte vendin që meritonte në radhët e kombeve të qytetëruara të Europës.

Shqiptarët historikisht janë ngarkuar me një barrë të rëndë, aq sa s’kanë mundur t’a mbajnë. E si mund të përballohej mungesa e lirisë, e shkollimit në gjuhën e tyre, varfëria e skajshme ekonomike? Si mund të mbijetonin në kushtet kur rendin e tyre moral ua shembën me përdhunë dhe u imponuan një mënyrë të re jetese? Në kushtet që religjioni flet për shpirtin, a mund të përligjen mësymjet skllavëruese dhe pashpirtësia e ortodoksisë lindore dhe myslimanizmit të pretenduar osman? Jemi në shekullin e XIX dhe qëndrimi i kontinentit europian ndaj Shqipërisë ka qënë i akullt. Edhe sot do thoja, ka ndyshuar vetëm dukja joshëse, por jo brendia. Kësisoj, shpresat dhe pritshmëritë që mund të ngjallnin optimizëm vdiqën qysh në lindje.

Në këtë klimë shoqërore dhe politike të shteteve evropiane provoi zhgënjimet e njëpasnjëshme Abdyl Frashëri, ky rilindas i shquar, filozof dhe diplomat vizionar. Përherë kam konstatuar ndryshimin mes Perandorisë Osmane dhe Fuqive të mëdha, fuqinë ushtarake, qasjet kulturore dhe politike. Por befasohem ndërsa kërkoj ndryshimet në vendin tim. Dhe pyes: çfarë fitoi Shqipëria nga rënia e Perandorisë Osmane? Asgjë, çuditërisht. Shqipëria, nga 98.000 km2 humbi 2/3 e teritorit. Kjo padrejtësi, jo vetëm s’u korigjua nga Fuqitë e Mëdha, por vazhdoi coptimi i mëtejshëm i trojeve tona, me traktate dhe konferenca të fshehta ambasadorësh. Kuptojeni pra, ne kemi ndrruar vetëm padronët. Fatet e Shqipërisë ende s’i kanë marrë në duart e tyre shqiptarët.

Këto i analizon në mënyrë të detajuar historiani Nuri Dragoj. Tjetër gjë dua të theksoj, marrëdhëniet e shqiptarëve me fqinjët natyrorë, kryesisht Greqinë dhe Serbinë. Autori nxjerr nga arkivat dokumentat që provojnë shqetësimin e Europës për fatin e fqinjit jugor, Greqisë. Për Shqipërinë s’tregojnë asnjë lloj interesim, tjetërkund janë interesat e tyre. Autori, mes të tjerash i referohet J.Ph. Fallmerayer. “Sot Greqia kërkon të marrë Thesalinë. Provoni t’ia jepni, nesër do kërkojë Epirin, pasnesër Maqedoninë, paspasnesër Thrakën…e kështu me radhë. Edhe sikur Stambollin t’ia japësh, grekët do shtrojnë kërkesa të tjera, nëse Europa nuk do të shërohet prej dobësive të saj foshnjore”. Rusia tund kryqin e Krishtit dhe predikon drejtësi për ortodoksinë greke (në vend të mëshirës), Franca gjithashtu mbron hapur interest e fqinjit tonë. Shtetet e tyre dhe feja që kanë pranuar, janë si vëllezërit siamezë, të dy të sëmurë.

Kryeministri i grek J. Koleti (1844) shpalli “Megali Idenë” si themel të ekzistencës politike të Greqisë dhe e bëri objekt vlerësimi në Asamblenë Kombëtare të vendit të tij. Kjo platformë politike e qarqeve shoviniste greke synonte, duke filluar prej fundit të shek. XVIII, krijimin e një shteti të madh grek në kufijtë e Perandorisë Bizantine ku do të përfshiheshin edhe troje të banuara nga popullsi të tjera ballkanike (shqiptarë, maqedonas, bullgarë etj). Në fillim të shek. XX u orvat të realizohej Megali Idea në Shqipëri nëpërmjet të ashtuquajturit Vorio-Epir, përkatësisht aneksimit të krahinave të Korçës dhe të Gjirokastrës. Zbatimi i kësaj politike vazhdon edhe në ditët tona, por me mënyra të reja;

pushtim ekonomik, tjetërsim i fesë, ndërtimin e varrezave, si një pushtim nga ushtria e tyre e vdekur dhe bjerrjen shpirtërore të shqiptarëve përmes shkollave dhe kulturës helene.

Po me fqinjin verior, çfarë ndodhi në këtë periudhë jetike për shqiptarët? Në të njëtën kohë me Greqinë, në vitin 1844, Garashanini i Serbisë hartoi “Naçertanien” – programin e spastrimit etnik të shqiptarëve. Kuptohet qartazi kordinimi i veprimtarisë antishqiptare të shovinizmit serbo-grek.

Para dhe pas Kongresit të Berlinit e duke vazhduar deri në shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë më 1912, u realizua dëbimi masiv i shqiptarëve nga Sanxhaku i Nishit dhe rajoni i Toplicës. Kjo u mundësua përmes terrorit të organizuar shtetëror dhe genocidit. Ky spastrim etnik rezultoi me mbi 700 vendbanime të zbrazura dhe mbi 300.000 shqiptarë të përndjekur, të cilët asokohe jetonin në trojet e veta etnike, apo në një hapësirë sa territori aktual i Kosovës. Në pronat e ligjshme të shqiptarëve të dëbuar u vendosën kolonët serbë dhe malazezët besnikë ndaj atij regjimi, ndërkohë që popullata e dëbuar shqiptare u vendos kryesisht në territorin e Kosovës së sotme dhe një pjesë në territorin e Maqedonisë.

Sipas statistikave të kohës, vetëm në Luginën e Nishit gjatë kësaj periudhe u vranë dhe u masakruan 35.000 shqiptarë. Në një lagje të Nishit të banuar me shqiptarë (dokumentet osmane e vërtetojnë praninë e banorëve shqiptarë në qytetin e Nishit) u plaçkitën dhe u dogjën 300 shtëpi.

“Disa familje shqiptare iknin dhe tërhiqeshin luginës së Moravës Jugore nëpër të ftohtit e madh, nëpër grykën e Gërdelicës, deri te Vranja e Kumanova”, konstaton Stefan L. Popoviq, në librin e tij “Putovanje po novoj Srbiji”, i botuar në Beograd në vitin 1950. Ndërkaq, shkrimtari serb Jovan Haxhivasilev, duke shtjelluar politikën shfarosëse serbe ndaj etnisë shqiptare, shkruan: “Dëbimi i shqiptarëve u bë me qëllim që Serbia të bëhej shtet i pastër nacional dhe të krijohet mundësia që aksioni i mëtejmë të drejtohet kah Kosova”.

Burimet e kohës flasin për rreth 70.000 shqiptarë të therur, të vrarë e të pjekur në zjarrin e shtëpive në rreth 600 fshatra shqiptare të rrafshuara me zjarr vetëm më 1877/1878. Këto burime, gjithashtu, thonë se, asokohe, nuk ishte vërejtur disponimi i fuqive të mëdha për të parandaluar këtë gjenocid serb mbi shqiptarët e Sanxhakut të Nishit. Deri në mesin e shek. XIX, vetëm në rrethinë të Leskoçit dhe të Prokuples ishin më se 300 fshatra shqiptare, kurse deri në vitin 1877 vetëm në rrethinë të Pustarekës dhe të Jabllanicës ishin 1539 shtëpi shqiptare. Se çfarë terrori është bërë mbi shqiptarët, dëshmon e dhëna se, pas dëbimit të shqiptarëve, Serbia udhëzoi Mita Rakiçin të kryesonte ekipet për ta popullzuar atë pjesë me kolonë serbë para se të mbahej Kongresi i Berlinit.

Ekipet për formimin e komunave dhe regjistruesit, ndër të tjera, shkruanin: “Këtu të gjitha fshatrat (53) kanë qenë shqiptare, tani janë të shkreta, të djegura dhe të rrënuara, prandaj edhe nuk mund të formohen komuna”. Se çfarë kanë përjetuar shqiptarët gjatë dëbimit, për këtë flet edhe një fragment i udhëpërshkruesit serb, Sreten Popoviç, ku ndër të tjera shkruan: “Ato netë shumë familje shqiptare, duke ikur me fëmijët e tyre, nga acari i madh pësuan humbje të mëdha në njerëz. Shumë fëmijë në qerre ose në shpinë të nënës u ngrinë dhe vdiqën. Kishte raste të shumta kur edhe pleqtë vdisnin nga të ftohtit.

Sikur të mos mjaftonin kolonizimet e përgjakshme në vitet 1877-1878, vrasjet, përndjekja dhe pushtimi i trojeve të kosovarëve nga barbarët serbë, nxitur e inkurajuar nga sivëllezërit rusë, represioni ndaj shqiptarëve vazhdoi edhe në shekullin vijues. Politika tradicionale serbe, e këtij shteti hibrid të krijuar nga Kisha Ortodokse Ruse, është udhëhequr nga principi: “Ballkani popujve të Ballkanit”. Kjo qasje diabolike, përtej bashkëjetesës (në dukje paqësore) me popujt e tjerë të gadishullit, duhet të përligjte luftën kundër Imperatorisë Otomane dhe rezistencën kundër Monarkisë Austro-Hungareze. E përtej kësaj, Italia duhet të synonte vetëm Dalmacinë dhe një pjesë të bregdetit shqiptar, asgjë më shumë. Gjithsesi, më 25 mars 1937 u miratua pakti i miqësisë italiano-jugosllav, çka nënkupton marrëveshje për ndarjen e trojeve tona. Serbia do kënaqte interesat në Jugperëndimin e saj, ndërsa Italia në Lindje.

“Me ndarjen e Shqipërisë do të zhdukej edhe qendra tërheqëse për pakicën shqiptare në Kosovë, e cila në situatën e re do asimilohej më lehtë. Eventualisht, ne do merrnim nja dy-treqind mijë shqiptarë, por shumica prej tyre janë me fe katolike dhe marrëdhëniet e tyre me muslimanët kurrë nuk kanë qënë të mira”. Shkëputa pak rreshta nga sygjerimet e Ivo Andriqit (shkrimtar nobelist), i cili kryente detyrën e K/shefit në seksionin politik të Ministrisë së Jashtëme në Mbretërinë e Jugosllavisë.

Politika serbe aktivizoi inteligjencën e saj, e cila afroi idetë. Kësisoj u hartuan platformat e dëbimit masiv të shqiptarëve.

Vasa Qubriloviqi, profesor universiteti në Beograd, në ligjeratën e mbajtur në Klubin Kulturor serb (07.03.1937), mes të tjerash i sygjeron politikës serbe: “Pozita ushtarako-strategjike e bllokut shqiptar në vendin tonë zë njërën nga pikat më kryesore, ujëndarësi i lumenjve kah Deti Adriatik, Deti i zi dhe Deti Egje. Pra, posedimi i kësaj pozite vendos, në pjesë të mirë, fatin e Ballkanit qendror, vacant bastin e vijës kryesore rrugore Moravë-Vardar…Vetëm përmes dëbimeve masive me dhunë, duke e ditur se cka duam, duke mos i kursyer viktimat, duke mos kursyer as në para, por as në gjak, shteti ynë do të mund ta bëjë Kosovën dhe Dukagjinin një Toplicë të re”.

Porositësit e këtyre platformave janë shteti dhe politika serbe. Hartuesit janë intelektualë mbarsur me urrejtje ndaj shqiptarëve. Zbatues janë ushtria dhe policia. Viktima janë shqiptarët. Gjithmonë pyes: pse kjo urrejtje primitive ndaj shqiptarëve? Studiuesit e filozofisë argumentojnë se urrejtja dhe veprimet barbare mishërohen nga tributë, ato grupime njerëzish që jetojnë të vetmuara brenda kurorës fisnore dhe s’janë pjesë aktive e shoqërisë. S’dua të largohem nga vijimësia e analizës që ka bërë historiani Nuri Dragoj, por e gjykoj me vend të sjell edhe një qëndrim tjetër të Serbisë lidhur me vendin tonë. Dua të bashkoj disa pjesë të kësaj dhimbjeje të madhe për të krijuar portretin e Shqipërisë. Pakti i Londrës, i përfunduar më 26.04.1915 mes Francës, Britanisë së Madhe, Rusisë dhe Italisë, (neni 5) mes të tjerash përcaktonte:

“Serbia, Kroacia dhe Mali i Zi përfitojnë bregdetin, nga Kepi Planka deri në Drin me portet në Split, Dubrovnik, Kotorr, Tivar, Ulqin, Shën Gjin. Porti i Durrësit i ndahet shtetit të pavarur musliman, të Shqipërisë. Italia (neni 6) do të marrë tërë Vlorën, ujdhesën e Sazanit, përvec këtyre dhe mjaft hapësirë për mbrojtje të tyre, pjesën në mes Lumit Vjosa në veri, ndërsa në jug deri në Himarë… Fuqitë e Mëdha aprovuan në princip ndarjen e Shqipërisë duke kënaqur kështu interesat italiane, serbe dhe greke. Pas katër vjetësh, konkretisht në Konferencën e Paqes në Versajë, (Franca, Britania e Madhe dhe SH.B.A) pranuan Konferencën e Londrës të vitit 1913 dhe i njohën Italisë sovranitet të plotë mbi Vlorën. Po cili ishte reagimi i fqinjit verior? Po shkëput pak rreshta nga Memorandumi i datës 09.12.1919 i palës jugosllave drejtuar Konferencës së Paqes.

“Shteti ynë ka edhe të drejta të moçme në këto vise. Shkodra ishte selia e sundimtarëve serbë. Populli ynë ka derdhur lumenj gjaku, veçan në luftën e vitit 1913, që i kushtoi Serbisë më se njëmijë ushtarë të saj, ndërsa Malit të Zit ë tretën e ushtrisë. Për t’i kënaqur dëshirat e Fuqive të Mëdha, trupat serbe e malazeze e zbrazën Shkodrën më 1913, dhe Shqipërinë veriore…Lugina e Drinit me Shkodrën përbën një tërësi gjeografike dhe ekonomike me Malin e Zi dhe me viset kufitare të Serbisë. Lugina e Drinit të zi është e vetmja rrugë natyrore e daljes në Detin Adriatik…”

Të njëjtin qëndrim mbajti edhe fqinji jugor i Shqipërisë. Për të mundësuar dëbimin masiv të shqiptarëve u shfrytëzua Konventa e Loznës më 30 janar 1923. U nënshkrua marrëveshja turko-greke mbi shkëmbimin e grekërve të Anadollit me “turqit” që jetonin në Greqi. Këtu u përfshinë edhe shqiptarët e besimit musliman, kryesisht të Çamërisë. Me një dekret të posaçëm Greqia përvetësoi pronat e shqiptarëve muslimanë dhe i trajtoi si popullsi shkëmbyese, ashtu siç e parashihte Marrëveshja e Lozanës. Në vitin 1924 dëbimi mori karakter masiv. Të njëjtën gjë e shfrytëzoi edhe Mbretëria e Jugosllavisë në vitin 1938. Nënëshkroi një konventë me qeverinë turke për deportimin e popullsisë muslimane. U realizua dëbimi masiv i shqiptarëve nga Banovina e Zetës, Moravës dhe Vardarit. Pronat dhe trojet shqiptare i zotëruan uzurpatorët sllavë.

Nuri Dragoj ka pasqyruar jo vetëm ngjarjet, përballjet diplomatike, betejat tona të humbura apo tradhtitë politike, por, në mënyrë analitike ka sjellë personalitetet publike të jetës shqiptare, para dhe pas pavarësisë, udhëheqës të revoltave në mbrojtje të interesave kombëtare, luftëtarë që sakrifikuan gjithçka për interesat e vendit. Ndaj s’mund të përsërit autorin, veçse dua të theksoj precedentin e rrezikshëm të krijuar nga Fuqitë e Mëdha, kohë pas kohe. Vendet e vogla si Shqipëria mbeten përherë lodra në duart e tyre. Mirëpo Francën, djepin e iluminizmit europian; Gjermaninë si vendi i ideve dhe filozofëve; Amerikën si vendi i lirive dhe të drejtave të njeriut; Britaninë e Madhe si laboratori i diplomacisë kontinentale, s’mund ti përfaqësojë (sepse s’mund ti mishërojë në vetvete) – vetëm Presidenti, Kryeministri apo një ministër i jashtëm. Shkaqet e këtij indinferentizmi ndaj nesh duhet ti kërkojmë edhe tek vetja.

Në shumicën e rasteve, udhëheqësit shqiptarë kanë vuajtur nga sindroma e inferioritetit përballë të huajve, rrjedhojë kjo e optikës së tyre të kufizuar dhe mungesës së ideve. Duhet theksuar se faktori shqiptar asnjëherë s’ka qënë i unifikuar, me një frymë dhe një zë të vetëm.

Gjithsesi, vendimet arbitrare të drejtuesve evropianë dhe sjelljet e tyre imponuese kanë prishur ekuilibrat rajonalë. Nuri Dragoi ka aplikuar edhe metodën krahasuese në renditjen e burimeve të

referencës. Pikërisht kjo e pasuron informacionin aq të nevojshëm për studiuesit e historisë dhe lexuesin kurreshtar.

Më konkretisht po bëj një renditje të përpjekjeve shqiptare, të cilët kërkojnë ndihmë dhe mbështetje nga faktori ndërkombëtar. Në vitin 1886, sipas autorit, Preng Doçi, abati i Mirditës, i drejtohet Papës me një promemorie, për të shpëtuar Epirin nga qëllimet e politikës greke. Më 1888, Kostandin Kristoforidhi vazhdon korespondencën me mërgatën shqiptare në Bukuresht, konkretisht me Nikolla Naçon. Rilindasit shqiptarë vihen në shërbim të çështjes kombëtare para dhe pas shpalljes së pavarësisë, në kushtet e vendimeve të Konferencës së Ambasadorëve në Londër dhe veprimtarisë së delegacionit qeveritar të Shqipërisë. Trajton përpjekjet për saktësimin e vijës kufitare me Greqinë (KNKV) dhe lojën e diplomacisë greke. Ndërkohë vazhdon ekspansioni me krijimin e qeverisë së Kristaq Zografos (1914) dhe përballja me luftëtarët shqiptarë. Autori trajton edhe problemin aq delikat e me qëllime prapavepruese të varrezave greke në teritorin shqiptar. “Varrezat greke, gur varri apo gur kufiri?”-është pyetja e shqetësuar e autorit. Mirëpo kjo dhe shumë pyetje të tjera mbeten pa përgjigje, ose thënë ndryshe i ka mbuluar heshtja e politikës.

Fuqitë e Mëdha me kulisat e tyre diplomatike, me rjetet e spiunazhit dhe mjetet financiare, mundësojnë që në drejtimin e shteteve të vogla të vendosen kuislingët e tyre, shërbëtorë besnik dhe të bindur. Populli shpreson dhe pret ndryshime e zhvillime demokratike. Po nga kush? Të zgjedhurit pushojnë së qëni drejtues dhe organizatorë të shtetit, ndërsa shndrrohen në sundimtarë, ndërkaq Republika Parlamentare vetëm de jure mbetet e tillë, ndërsa de facto shndrohet në Monarki absolute. Ndoshta është një fenomen jo vetëm shqiptar.

Forcat politike s’hartojnë programe zhvillimi, prandaj qytetarët s’konsiderohen si partnerë, por si kundërshtarë dhe shtypen me përdhunë. Fuqia e një vendi s’përcaktohet nga madhësia teritoriale apo numri i popullatës. Përkundrazi, nga madhështia kulturore, rezatimi i saj dhe përfaqësuesit dinjitozë, nga elementi njerëzor si pasuria më e çmuar, po kështu edhe nga pasuritë natyrore.

Në Shqipëri kondsiderohen si fuqi; pushteti i pakufizuara i Kryetarit të Shtetit, i Kryeministrit dhe Kryetarit të Parlamentit, rrethuar nga shërbestarët e tyre. Përsëri pyesim: mos vallë sundimtarët tanë parapëlqejnë sjelljen e huazuar nga drejtuesit e kancelarive europiane? Këta tregtarë të vegjël interesash, konkretisht në Gadishullin e Ballkanit, kanë krijuar brenda vendeve të tyre, sigurisht në miniaturë, modelin e Fuqive të Mëdha. Jam i bindur se vazhdojnë të ndjekin në mënyrë të përpiktë sjelljen e padronëve të tyre. S’ka arsye që drejtuesit e shtetit shqiptar të shikojnë me syzet e Athinës, Beogradit apo Stambollit, pavarësisht që dora e zgjatur e këtyre të fundit ka mbritur në Tiranë qyshkur. Po përse?

Fan Noli, në një nga analizat e tij trajton perversitetin dhe shpërdorimet e mëdha financiare të nipit të Mehmet Ali Pashës, i cili ishte Guverrnator i Egjiptit, Ismail Pashës. Por evidenton edhe një vlerë të tij të spikatur. “Ismail Pasha i ka bërë shumë dëm vendit të vet, por i ka ruajtur edhe bakshishin më të madh, pikërisht para se të rrëzohej, nacionalizmin, kundërhelmin për të gjitha sëmundjet e imperializmit të huaj”. Po nacionalizmi shqiptar, cilat drama ka përjetuar nga “humbja” e kujtesës historike? Kjo barikadë mbrojtëse është shembur. Tradhëtia i rrënon kështjellat. Shqiptarët janë bërë armiq të shqiptarëve, sepse politika antikombëtare i ka ndarë e përçarë. Kosova rrezikon të shndrrohet në një Palestinë të Ballkanit, ndërsa Rripin e Gazës mund ta zëvëndësojë Mitrovica. Dhe kosovarët luftojnë njëri-tjetrin me armët e vrasësve të tyre, serbëve. Çamëria vazhdon të digjet si Vezuvi, ndërsa 4 milionë arvanitas në Greqi, bëjnë gjumin shekullor. Kohë pas kohe kemi ndërruar kryqtarët, ndërsa të kryqëzuarit jemi ne. Të parët janë të lyer nga gjaku ynë, ndërsa ne lahemi në lumin e lotëve.

Degradimin e shtetit s’mund ta shkaktojë populli, ose ajo shumicë që e cilësojmë fitimtare përmes votës. Po pse s’e pengon atëherë? Sepse mjerimi ekonomik, demagogjia konstante dhe propaganda boshe kanë helmuar shpirtin e njeriut dhe kanë vrarë guximin qytetar. Prandaj Nuri Dragoj paralajmron rrezikun e shkombtarizimit. Makiaveli e ka trajtuar “laboratorin” e biologjisë politike, tjetërsimin e prijësit dhe bjerrjen e vlerave morale si rrjedhojë e privilegjeve të pushtetit. Kjo është një nga fatkeqësitë tona kombëtare, kryesisht në dekadat e fundit. Këta “drejtues” s’kanë të shkuar, as të ardhme, gjithsesi sundojnë. Epërsinë intelektuale e takojmë rrallë, ndërsa varfëria mendore ka mundur të ngjitet në postet e pamerituara. Kultura dhe ata që e përfaqësojnë përballen me shpërfilljen e “politikbërësve” mediokër.

E çmoj kurajon intelektuale të Nuri Dragoit, edhe pse të vetmuar, ndërkohë që të tjerë historianë s’guxojnë të vendosin gishtin mbi plagët e atdheut. Heshtja e tyre është blerë dhe ata s’duan

të humbasin privilegjet e afruara nga pushteti dhe politika. Një zë i brendshëm më thotë se duhet protestuar, qoftë edhe me fjalë, sepse revolta është themeli dhe barikada e lirë. Dhe unë s’kam ç’humbasin veç prangave të varfërisë. Të gjitha na i morën, por fjalën s’mund t’ua falim.

Këto interpretime, sigurisht jo shteruese, janë rrjedhojë e përjetimeve tona, e pikërisht këto përjetime më kanë bindur se trualli ku duhet “mbjellë” demokracia duhet punuar thellë dhe pastruar nga hithrat dhe gjembat. Ende s’kemi mundur ta bëjmë një gjë të tillë. Jo vetëm që kemi humbur kujtesën historike, njohjen e rrënjëve tona, por prej dekadash s’prodhojmë vlera. Çfarë ushqimi shpirtëror do t’u afrojmë brezave?

Të kapesh fort pas lavdisë së dikurshme është një absurditet, shprehet mendimtari rilindas Branko Merxhani, ndërsa më tej vazhdon: “Sot s’ka mbetur asnjë turk i ditur që të ëndërrojë përrallat turanike. Asnjë grek me mëndje të shëndoshë, sot nuk mburret se është stërnipi i Perikliut. Edhe Romanët e sotëm e kanë harruar prej shumë kohësh orgjinën e tyre. Jeta e popujve nuk ësht veçse Mrekullia e Zhvillimit…Sytë tanë nuk janë mësuar akoma të shohin me simpati Diellin e Intelektit. Ku janë kujtimet tona të shoqërisë? Ku është uniteti ynë sentimental? Ku është kultura jonë? Shqipëria nuk e ka ngrehur akoma Faltoren e saj”

Unë besoj tek e nesërmja, besoj shumë te shqiptarët. Tashmë kemi një ndryshim befasues: pushtuesve të jashtëm ua kanë zënë vendin ozurpatorët e brendshëm, njerëzit tanë, me të cilët nuk di si të përballesh! Por heshtja jonë e gjatë, durimi ynë kaq i madh, s’tregojnë padije, as nënshtrim, as mungesë dinjiteti dhe shpirti të lirë. Përkundrazi, kjo tregon fisnikërinë gjenetike të kultivuar të shqiptarëve, të kësaj rrace të bukur, krenare dhe sypatrembur, të cilën s’mundën ta asimilonin fuqitë më të mëdha të kohërave, që shembën dhe zhdukën pa gjurmë; shtete, popuj dhe rraca. Ndoshta kjo pritje është grumbullim energjish, kalitje forcash, një vështrim brenda ndërgjegjes dhe vetëdijes së seicilit.

Shqiptarët vuajnë një mungesë të theksuar civilizimi (teknologji, infrastrukturë, zhvillime bashkëkohore – si shoqëri), për njëmijë e një arësye, por kanë përcjellë nga shekulli në shekull, nga brezi në brez, një trashëgimi kulturore me rrezatim të mahnitshëm e të pakonkurueshëm me asnjë vend të Ballkanit dhe përtej tij. Shqipëria është djepi i baladave, i mitologjisë, i heroizmave në kufijtë e legjendave, i ushqimit shpirtëror: pikturës, poezisë dhe muzikës, por edhe i misticizmit. Çdo epidemi mund të ndalet, çdo sëmundjeje mund t’i gjëndet ilaçi. Edhe lëngatës shqiptare besoj se do t’i gjëndet shërimi.

 

 

 

 

 

 

 

October 16, 2020 13:07
Komento

1 Koment

  1. Hysi October 17, 18:16

    U prefsh ne paqe!
    Nuriu ishte blta punetore permetare e koheve tona. Atdhetari, qe jo rrall mori mbi vete dhunen e klaneve dhe strukturave antikombetare te veshura me koloritete e forma te ndryshme.
    Studiuesi i skutave te historise kombetare, botues serioz dhe i thelle ne argumentat e tij shkencor.
    Kam me autograf disa nga librat e Tu.
    Portreti yt olimpik e fisnik do te jet perhere me i qarte, seç ishte gjate jetes tende te shkurter por plote vlera. Do te kem prane duke shfletuar vepren qe na le.
    Dhimbje vllazerore e pa zvendesueshme.
    Ti, Nuro je nje vend bosh ne frontin e çeshtjes kombetare, per te cilen fatkeqesishte, shteti dhe shoqeria e sotme po zbehet dhe duket se e perçmon ate dhe njerzit qe e mbajne mbi shpatlla.
    Koha sido qe te jet, do te respektoj vlerat e djerses dhe te mundit tend, Nuro Dragoi. Sepse mbiemri yt i thote te gjitha ne sinkron me vlerat qe le.
    Ngushellimet e mia familjes dhe te afermeve!
    Prof. Dr. Shyqyri Hysi
    Gjirokaster, 17/102020

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Njoftim

Njoftim

Njoftim