Lamtumirë “noprani” dhe rebeli Trebeshina!

November 8, 2017 09:54

Lamtumirë “noprani” dhe rebeli Trebeshina!

Kasëm Trebeshina mund të konsiderohet si një nga njerëzit me jetën më të paqetë të mundshme. Komunist i devotshëm dhe njëherësh antikomunist ekstrem, nihilist dhe rebel, asnjëherë i përkëdhelur nga fati, pretendues si shkrimtar, por edhe si disident, mospërfillës dhe arrogant me kundërshtarët…

Xhevdet Shehu

Ishte janari i vitit 1991. Kishte kaluar vetëm një muaj nga themelimi i Partisë Demokratike, partisë së parë opozitare pas rreth gjysmë shekulli. PD ishte ende në pelena… Ishte organizuar një miting i kësaj partie para Stadiumit “Qemal Stafa”. Lideri i asaj partie, Sali Berisha, u kërkon dy ithtarëve të flaktë të opozitës së atëhershme demokratike, Edi Ramës (kryeministrit aktual) si dhe publicistit Ardian Klosi, që në atë miting të sillnin shkrimtarin Kasëm Trebeshina. Dhe ata e sollën shkrimtarin që si rrallëkush kishte kontestuar diktaturën me burgje dhe vepra…

Mirëpo, pikërisht këtu do të ndodhte një nga ngjarjet më të çuditshme: Sali Berisha do t’u kërkonte oratorëve të mos e përmendnin (domethënë, të mos e sulmonin) Enver Hoxhën. Nuk asht momenti, kishte thënë…

Shkrimtari Kasëm Trebeshina, (sipas shënimeve të Edi Ramës) i befasuar nga kjo kërkesë, kishte shtangur. Pastaj, qetësisht dhe pa asnjë mëdyshje, siç e ka në natyrë ai, i ka zgjatur dorën Berishës, duke i thënë pamëshirshëm këto fjalë profetike, të ngjashme me ato të Promemories së vitit 1953:

-Doktor, fëmija ka lindur i vdekur! Unë po largohem…

Është mbase përgjigja më lakonike dhe më e drejtpërdrejtë që është dhënë për Partyinë Demokratike dhe për Sali Berishën.

***

Dje, më 7 nëntor 2017, ndërsa në Muzeun Historik Kombëtar zhvillohej një mbledhje e komunistëve fanatikë shqiptarë në përkujtim të 100-vjetorit të Revolucionit Socialist të Tetorit në Rusi, si për ironi të fatit, në varrezat e Sharrës i jepej lamtumira e fundit Kasëm Trebeshinës, një emri të njohur në letrat shqipe dhe një njeriu tejet të anatemuar si në diktaturën komuniste, aq dhe pas viteve 1990.

Ai në rininë e tij kishte qenë një luftëtar antifashist, një komunist që më pas do të shndërrohej në një viktimë e diktaturës dhe do të përjetonte privacionet e atij regjimi që nga burgjet deri tek e drejta e botimit.  Ai ka qenë një shkrimtar i ndaluar. Nisur nga përplasjet në distancë sidomos me Ismail Kadarenë, por edhe me udhëheqjen e Lidhjes së Shkrimtarëve të atyre viteve, emri i tij ngjallte kërshëri dhe shqiptarët mezi prisnin të njihnin jetën e vërtetë të këtij njeriu përtej mitizimit dhe leximin e veprës së tij, e cila u mundësua pas vitit 1990. Prisnin veprën disidente të tij, artin e madh antikomunist e të tjera nëntekste të kuptueshme dhe të mezikuptueshme në veprat artistike…

Kasëm Trebeshina u nda nga jeta në moshën 91 vjeçare. Në varrimin e tij dje në Sharrë pati pak njerëz, madje dhe lajmi për vdekjen e tij u dha me shumë vonesë. Mbase ka qenë dhe ndonjë amanet i vetë Kasëmit për të ikur pa bujë. Ai e urrente hipokrizinë dhe sidomos një nderim formal dhe hipokrit nga ata që nuk e deshën sa ishte gjallë.

Ai donte të nderohej si shkrimtar, një titull për të cilin ai nuk kishte asnjë dyshim se e meritonte para shumë të tjerëve. Fati i tij për shkak të rrethanave e solli të shpërfaqej si i tillë shumë vonë. Ai shkruante edhe gjatë viteve të burgjeve dhe të ndalimit, në vetminë e tij, në “kullën” e tij të varfër, ku një makinë shkrimi “Oliveti” ishte pasuria më e madhe. Ai i besoi deri në fund ëndrrës që e la të pagjumë për gjithë jetën duke e stërmunduar të shkruante pambarimisht…

Po cili ishte në të vërtetë shkrimtari Trebeshina? Është një nga pyetjet që nuk ka marrë përgjigje edhe pasi shkrimtari është ndarë nga jeta.

Në të vërtetë, me shumë hezitime disa shtëpi botuese pas vitit 1990 filluan të botonin disa novela, tregime, romane, drama dhe poezi të këtij autori. Por jehona ishte e pakët, nuk kishte aspak entuziazëm, gjë që autori e justifikonte me falangat e regjimit të kaluar që vazhdonin ende ta bllokonin dhe ta ndalonin pamëshirshëm.

Unë mendoj se novela “Odin Mondvalsen” është një nga krijimet më të bukura të tij që është botuar pas vitit 1990. E denjë të hyjë në antologjitë më të mira të letrave shqipe. Është një kuintesencë e raporteve të shkrimtarit me diktaturën dhe i shkruar jashtë çdo skeme të njohur.

Në ato vite u botuan “Legjenda e asaj që iku”, “Qezari niset për luftë”, “Koha tani, vendi këtu”, “Rruga e Golgotës”, si dhe romani me pesë vëllime “Kënga shqiptare”. Romani i tij “Mekami” i botuar në Kosovë ngjalli shumë debate për disa ide kontroverse të shkrimtarit. Gjithsesi, botimi i këtyre librave e bëri të njohur shkrimtarin, por nuk i dha famën që ai ndoshta priste dhe mendonte për ta ngjitur në apogjeun e letrave shqipe. Koha kishte bërë të sajën…

Por edhe mbase duhet të presim. Thuhet se ai ka lënë në dorëshkrim rreth 120 vepra, shumica e të cilave janë krejtësisht të panjohura.

***

Në vitin 1992 kam pasur rastin ta intervistoj Kasëm Trebeshinën për “Zërin e Amerikës”, me ndërmjetësimin e shkrimtarit Xhevat Beqaraj, një mik i hershëm dhe besnik i Kasëmit. Sa herë futej në burg Kasëmi, një kopje të librave të tij në dorëshkrim ia besonte për ruajtje Xhevatit dhe ndonjë miku tjetër.

Intervistën me Kasëmin e kam zhvilluar në rrugën “Myslym Shyri” në një lokal pranë shtëpisë së shkrimtarit. Nuk donte të fliste për politikën. Janë të gjithë pjella komuniste, thoshte dhe e mbyllte bisedën. Sidoqoftë, me diktofonin të hapur unë zhvillova një bisedë të lirshme me të dhe ia mora mendimin që ai kishte për diktaturën dhe politikanët e rinj që kishin ardhur në pushtet. Ashtu e transmetova në ‘Zërin e Amerikës”, pavarësisht dyshimit që më ngjalli me paralelen pa ekuivoke midis sundimtarëve të djeshëm dhe atyre aktualë…

Ai kishte një pakënaqësi ndaj të gjithëve dhe është pak të quhet “nopran” për sjelljen e tij si ndaj kolegëve, ashtu dhe ndaj politikanëve në të gjitha kohët. Për politikanët qëndrimi i tij ishte i justifikueshëm, por sjellja ndaj kolegëve shkrimtarë ka ngrënë gjithnjë diskutim dhe është parë me dyshim.  Ismail Kadare ishte 10 vjet më i ri se Kasëmi, Dritëroi 6. Si mund t’ia zbehnin ata shkëlqimin një shkrimtari më të madh? Dhe të mendosh se ata në atë kohë ishin rreth 30-40-vjeçarë!

***

Kasëm Trebeshina mund të konsiderohet si një nga njerëzit me jetën më të paqetë të mundshme. Komunist i devotshëm dhe njëherësh antikomunist ekstrem, nihilist dhe rebel, asnjëherë i përkëdhelur nga fati, pretendues si shkrimtar, por edhe si disident, mospërfillës dhe arrogant me kundërshtarët.

Më shumë se si shkrimtar, Kasëm Trebeshina u bë i njohur pas viteve 1990 si disident. Albanologu Robert Elsie botoi një promemorie të Trebeshinës drejtuar Enver Hoxhës në vitin 1953, me anë të së cilës ai i kundërvihej hapur metodës së realizmit socialist në letërsi dhe arte.

Ka pasur një sherr të përjetshëm midis Ismail Kadaresë dhe Kasëm Trebeshinës. Më saktë, ai kritikonte njëlloj edhe Dhimitër Shuteriqin dhe Dritëro Agollin, të cilët i quante sa të patalentuar, aq dhe shërbëtorë të diktaturës. Ai kishte shumë vite burgjesh mbi supe, por për shkak të jetës së tij të trazuar, ka qenë më shumë i ndaluar dhe i pabotuar.

Pas rënies së komunizmit filloi të proklamohej si disident duke marrë për bazë një promemorie që thuhej t’ia kishte dërguar Enver Hoxhës në vitin 1953, ku e kritikonte metodën e realizmit socialist. Megjithatë vërtetësia e këtij pretendimi është vënë në pikëpyetje dhe promemoria është quajtur shpikje, e bërë me qëllimin e vetëm të shpalljes së Trebeshinës disident dhe të dëmtimit të imazhit të shkrimtarit Ismail Kadare i cili refuzonte të quhej disident.

Pavarësisht se ajo “Promemorje” është vënë në dyshim thelbi i përmbajtjes së saj përmban një të vërtetë tashmë të provuar. Sipas tekstit të studiuesit Elsie, më 5 tetor 1953 Trebeshina duke iu drejtuar Enver Hoxhës nënvizonte se “varfëria do të bëhet e tmerrshme dhe vetëm regjimi i një terrori të pashembullt mund të bëjë që të qëndroni në pushtet. Por ai regjim do të jetë shumë më i rrezikshëm për atë vetë. Ftohja dhe largimi i popullit do të sjellë një lëkundje edhe brenda radhëve të udhëheqjes që do të transformohet dalëngadalë në një kastë të mbyllur në kornizën e një monarkie pa kuptim në realitetin historik të Shekullit të Njëzetë. Në përfundim të këtij procesi historik ju do të detyroheni të vrisni njëri- tjetrin dhe populli do të mbytet në gjak.”

Parashikim tejet kurajoz sa të duket i pabesueshëm i shqiptuar në vitin 1953  dhe për më tepër i thënë drejtpërdrejt Enver Hoxhës. Shumë të tjerë kanë shkuar para plumbit për gjëra më të vogla. Por këtë dokument e ka botuar Robert Elsie në Historinë e letërsisë shqipe.

Në sprovën e tij “Mosmarrëveshja” shkrimtari Ismail Kadare, duke u bazuar në të dhënat e zbuluara në librin e Sadik Bejkos “Disidentët e rremë” pas hulumtimit në arkiva, e akuzon Trebeshinën si “një themelues i Sigurimit” dhe “vrasës” duke marrë si shkas vrasjen e një të bashkëluftëtari të ri me plumb pas koke që partizani Kasëm Trebeshina kishte bërë gjatë Luftës së Dytë Botërore me urdhër të eprorëve. Më tutje, Kadare shpreh indinjatën për shpalljen e një “ish-oficeri të Sigurimit” si disident, duke ia atribuar një pjesë të fajit për përhapjen e “mitit të disidencës” së Trebeshinës, albanologut Robert Elsie i cili e kishte futur në veprën e tij mbi letërsinë shqipe.

 

 

November 8, 2017 09:54
Komento

8 Komente

  1. Nausika November 8, 10:16

    Ky është njeri, qe e meriton emrin, njeri…
    Mbeti shpirt i paprishur….
    Krahët do t’i hapin engjëjt e parajsës,
    për ate që nuk lëpiu diktaturen.
    Portat do t’i hapi paqja,
    për shkrimtarin e çmuar..
    Të takofshim në atë botë…
    Humbja jote na varfëron..

    Reply to this comment
  2. Mollosi November 8, 10:52

    Ishte nje antishqiptar i madh. Skenderbeun tone e quajti hajdut kuajsh. Per nenat dhe motrat tona te cilat hidheshin nga shkembinjte per te mos rene ne duar te turqve thoshte se ato me deshire u dorezoheshin ushtareve turq. Romani i shkurter i tij “Mekami” eshte teresisht me permbajtje antishqiptare. Kurre nuk pata simpati per kete turk.

    Reply to this comment
    • shabani December 27, 12:08

      Qe ishte trim ishte sa i talentuar si letrar kete nuk e di se nuk e kam lexuar por eshte Per tu besuar sepse i dergoj letren e dyte Hoxhes ku kerkonte te heqjen e shtetesise shqiptare sipas se drejtes Nderkombetare per a-patrite dhe me pas largimin drejt Zvicres,asnje nuk e pati guximin e tij mbase sepse ishte kusheriri i pare i Fiqerete Shehut,diktatura komuniste nuk luftonte me trimat qe nuk i trembeshin vdekjes diktatura denigronte frikacaket

      Reply to this comment
  3. Drejtesia do te behet, duan apo nuke duan mijte e kenetave dhe avoketerit e ligesise. November 8, 11:37

    Disident apo viktime brenda lloit?Kasem Trebeshina kur pa qe diktatura komuniste po hante pjellat e saje, si dhe dhunoje ne menyren me makabe lirin e fjales, pra te drejtat dhe lirite themelore te njeriut, Ai mori force ti kundervihej diktatures,packa se dikure ishte pjese nga me agresivet e saj. Ne kete konteks ku dhe vete Trebeshina ka rrefyer bemat e tije me te mirat e te keqijat ne to, Trebeshines nuke mund ti faturosh etiketimin “viktimave brenda lloit “por disidences,ngase ai pati kurajon ti kundervihet direkt diktatorit, gje qe te tjere viktima brenda lloit kur nuke guxuan, por pranuan bashkejetesen me te mirat e te keqijat e tyre ne vite. Zoti e prehte ne paqe Kasem Trebeshina-n dhe familjareve e miqeve te Tije i dhente force ta perballojne kete dhimje.Amen.

    Reply to this comment
  4. Smith November 8, 12:17

    Te prehet i qete ne token Shqiptare. Nje Shqiptar i rralle

    Reply to this comment
  5. vasili November 8, 12:19

    Shehu,eshte e natyreshme,qe nuk mund te shkruaje ndryshe nga cfare ja dikton geni i vet i bastarduar islamo-komunist.
    Trebeshina nje raja i neveritshem turkoshak dhe nje karikature e mjere e antishqiptarizmes,ka zene nje vend ne majat e Panteonit,te tradhetise kombetare.
    Nje vend te ketille ne kete lartesi,nuk e kane as vet kuislinget.
    Do te thote dikush,qe ke harruar,krimet ne pozicionin e oficerit te sigurimit komunist.
    Del dhe shume tepron,nga ajo qe permban e verteta ne citimin e pare.

    Reply to this comment
  6. ISH ANTIENVERIST November 8, 14:04

    Dy verejtje miqsore per zotin Xhevdet Shehu.

    I nderuar ka disa artikuj si ky i sotmi ku tregohuni shume konfuz dhe i pabesueshem..

    .I
    Ju nuk duhet te admironi ne te njejten kohe dhe Trebeshinen dhe dyshen Agolli & Kadare qe ishin armiqte e tij te betuar
    .
    II
    Kjo promemoria qe ka “zbuluar” i ndjeri Elsie (qe ndonjehere ja kalonte dhe Dashnor Kaloqes apo Karstriot Derrvishit ne diarrete e tyre) ne fakt egziston por jo ne kete forme qe eshte ndryshuar ne menyre kriminale pas 1992-ish….Nqs Trebeshina do ti kishte shkruar me te vertete keto gjera ne promemorie..Enveri do ti kishte bere koken synet…Edhe nje njeri me nivel nen mesatar e kupton qe kjo promemorie eshte revizionuar 100% pas 1990..nga kanibale enverbolengrenes te specializuar qe Xhevdeti e di se ka ngrene nje luge corbe te prihsur ne kazanin e “elezit”
    .
    E fundit…
    .
    Zoti Xhevo e perseris qe kam qene..jam dhe do te jem antienverist..antikomunist per shume aresye…POR e them me bindje te plote se koha e Enverit ( shejtan apo shenjtor) ishte 1000 here me e mire se kjo koha e sotme ku ai vend ka kaluar ne cmenduri kombetare “me ndihmen nderkombetare”
    .
    Ja ha ” mishin” Enverit se pse nuk na beri nje shtet si amerika…

    ..Por ja i ruaj kockat biles duhet shpallur shenjtor per kete nivel ekstremisht te pabesueshem qe ka arritur shoqeria shqiptare sot…

    Reply to this comment
  7. shabani October 25, 09:25

    Trebeshina dhe gjithe pjesemarresit e konferences se Tiranes ne 1956 qe folen hapur kunder udheheqjes komuniste dhe privilegjeve te saj jane te vetmit disident te paster

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*