Landi : Me Florin vdiq një pjesë e jetës sime

November 23, 2014 11:21

Landi : Me Florin vdiq një pjesë e jetës sime

Miku i ngushtë i kantautorit Florian Kondi, i cili u nda nga jeta ditën e hënë, ka zgjedhur ta rrëfejë dhimbjen e tij përmes ‘Facebook’-ut. Më poshtë mund të lexoni statusin e tij: Ju lutem ta lexoni deri në fund para se të bëni ‘like’ apo ‘comment’! Shumë të dashur miq, mbështetës që më keni shkruar dhe publiku ynë (i ‘West Side Family’)! Më poshtë do t’ju rrëfej ndjenjat e mia bazuar vetëm në ngjarje të vërteta dhe pasi t’i keni lexuar, ju nxirrni konkluzionet! Zoti dhe ju qofshit gjykatësit e mi nëse jam i pavërtetë! Ende pa qarë e vajtuar e futur në dhé (groposur) me duart e mia një pjesë të jetës sime, një veprim ky i tmerrshëm, por që në fund të fundit ishte detyra ime t’i qëndroja pranë deri në këtë moment asaj pjese të jetës sime që e ka emrin Floran Kondi (që mediat ende nuk ia kanë mësuar e ia shkruajnë Florian), më kërkuan të shprehem për Dr. Florin duke më thënë:

– Eja dhe thuaj diçka për Dr. Florin.

– A ke mundësi të vish t’i dedikojmë një “In memoriam”?

– Të ftojmë për një speciale me njerëzit e rëndësishëm të tij

– Etj.

Nuk kisha ndjerë ndonjëherë dhimbje të tillë në jetën time sa ikja e Dr. Florit dhe. sigurisht, këto thënie, nuk po ma lehtësonin dhimbjen, pasi në mendimin tim, ishin jashtëzakonisht shpejt për t’u bërë. Në ditën e zezë të 17 nëntorit, rrugës në makinë, nga telefonata apo SMS të ndryshme mësova që buçisnin lajmet mbi ikjen (pa luajtur edhe një lojë të fundit basketboll së bashku) e Dr. Florit:

– Vdiq nga kjo…

– Vdiq nga ajo…

– Dyshohet se kështu…

– Dyshohet se ashtu…

– Ekskluzivisht tek ne…

– Jo, më parë te ne…

– Fenomeni X.

– Fenomeni Y.

– E të tjera, që thoshte atë ditë opinioni publik i gjerë, gojëlig kudo në Shqipëri. U mpiva, u fryva dhe u ënjta nga çka dëgjova dhe mallkoja e shaja pa fund çdo shpifje apo aludim të ngjashëm, me sa thashë më lart, që nuk më linte të mësoja të vërtetën e bërë publike nga një version zyrtar mbi ngjarjen dhe më pas të qaja e vajtoja i vetëm. U mata shumë t’i dedikoj një status të ndjerë Florit dhe nuk doja të tërhiqja vëmendjen nga Flori që ta marr këtë vëmendje për vete. Diku nga ora 17:47 bëra një dedikim në rrjetin social (në disa raste) idiot ‘Facebook’ që të gjithë e shfrytëzojmë për të qarë hallet me dynjanë, por jo me personin që mund ta kemi hallin. Pra, për shembull, jemi zënë me të dashurën/in, atëherë, i fusim një kopje një shprehjeje të një shkrimtari të cilin deri para 1 minute e pandehnim që ishte futbollist dhe ia pëlcasim një statusi në ‘Facebook’ që ta marrë vesh e dashura ose i dashuri që e ka gabim. Pra, bjeri (trokit) dritares që të dëgjojë dera! Shqipëria në moshën e internetit. Po pra… Përsëri, edhe pas statusit, çështja u qetësua disi, por nuk u venit plotësisht. Sërish, mua (sipas disave) më duhej të jepja një qëndrim për Florin, se vërdallë po dilnin njerëz që nuk kishin lidhje me të e bënin si të përshpirtshëm. Ehhh, ç’më gjeti! Ende dhe sot nuk e kam marrë veten nga kjo ngjarje të cilën po e pranoj dhunshëm që ndodhi, por dua të them:

I dashur publik dhe njerëz dashamirës të West Side Family!

Flori, unë dhe Miri ju kemi qenë gjithmonë mirënjohës!

Ju na deshët dhe na vlerësuat sepse ju e gjykuat të arsyeshme dhe të vlerë punën tonë! Ju falënderoj pa fund, sepse mbështetja dhe komentet tuaja për Dr. Florin, janë të njëjta si ditën kur na duartrokitët për këngën ‘Mesazh’, madje edhe më shumë! Ju na deshët dhe ne ju deshëm njësoj dhe dashuria është fitimtare sepse nuk shikon mangësitë e një personi, por zemrën! Nuk na gjykuat për veshjen apo pamjen e jashtme, por sepse ishim të vërtetë.

Ju ishit ne dhe ne ishim ju. Ju na zgjodhët si ambasadorët tuaj dhe ne punuam për ju o publik i dashur! Ne nuk mbajtëm asgjë për vete, sepse nuk vlente dhe do të ishte e pavlerë nëse nuk ndahej me ju. Ne nuk ishim politikanë, por këta të fundit, me hir ose me pahir, na vlerësuan. Sigurisht, merita është e Dr. Florit si themelues i grupit ‘West Side Family’! Tre gjëra mësova këto ditë ferri mbi tokë e që çdokush ta mbyllë e të mos grijë sallatë:

  1. Ata që vërtet e vlerësojnë dhe e duan Florin, le të kujdesen për familjen e tij. Por kujdes! Mos ia tregoni njeriu, sepse do të quhej mburrje.
  2. Secili prej nesh nga grupi i artistëve, duke filluar nga unë i pari, ose dhe publik që ka respekt për veprën e Dr. Florit, sa të keni apo kem/i jetë, përpiquni të ruani, kujtoni dhe çoni përpara veprën e tij.
  3. Të tjerat, janë fjalë e i merr era!

U prehsh në paqe o Flor!

S’më besohet që do më lëndoje kaq!

Sinqerisht, Landi i ‘West Side Family’.

November 23, 2014 11:21
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*