Laprakë, Veliaj: Plan për të rehabilituar çdo vit 50 blloqe banimi

June 5, 2017 11:25

Laprakë, Veliaj: Plan për të rehabilituar çdo vit 50 blloqe banimi

Gjatë dy viteve të ardhshme, investimet e Bashkisë së Tiranës do të shtrihen në nivel kapilar në çdo lagje. Në kuadër të turit “Tirana – 2 vjet zgjuar”, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj zhvilloi sot një takim me banorët e njësisë administrative Nr. 11, ku premtoi investime në të gjithë territorin për transformimin e qytetit. Veliaj deklaroi se Bashkia synon që çdo vit të rehabilitojë 50 blloqe banimi. 

“Një nga fokuset kryesore tani që janë rregulluar gjërat e mëdha, tani që hapet sheshi Skënderbej, tani që hapet Bulevardi i ri, tani që mbaruam me Pazarin e Ri, tani që mbaruam me Parkun  Olimpik, na jepet mundësia që ne të fillojmë dhe të punojmë më shumë nëpër lagje. Ne çdo vit kemi bërë një plan që të riparojmë 50 blloqe. Që do të thotë  nëse bëjmë 50 blloqe në vit, i bie rreth 200 në gjithë mandatin tonë”, tha Veliaj.

Kreu i Bashkisë deklaroi se është vetëm çështje kohe dhe përfundimi i punimeve për kinemanë e re të Laprakës e cila do të shërbejë edhe si një qendër komunitare në këtë zonë.

“Sot pak ditë na ndajnë nga hapja. Më në fund do kemi kinemanë modern në qendër të Laprakës që do jetë edhe qendër komunitare, përveçse për filmat dhe për argëtimin”, tha ai.

Veliaj deklaroi se ajo që është bërë gjatë këtyre dy viteve të para të drejtimit të Bashkisë së Tiranës, është tregues i vullnetit për të transformuar kryeqytetin. Si shembull konkret, ai solli ndryshimin që ka pësuar sheshi Skënderbej që është një nga më të mëdhenjtë në rajon.

“Një ndër gjërat madhore për të cilat do të doja të bëja një ftesë është hapja e sheshit Skënderbej që  do të ndodhë ditën e shtunë, në 19.30. Çdo person e banor i Laprakës është i ftuar në hapjen e sheshit Skënderbej sepse është sheshi i të gjithë shqiptarëve, nuk është vetëm i qendrës së Tiranës. Do të kemi shumë shqiptarë që do të vijnë nga Kosova, Maqedonia, Mali I Zi, Greqia dhe besoj që do të kemi mundësi që më në fund t’i kthejmë dinjitetin qendrës së qytetit”, u shpreh kryebashkiaku.

Kreu i Bashkisë deklaroi se gjendja aktuale e Tiranës me atë që ishte më parë është si nata me ditën, kjo falë punës së të gjithë administratës. “ Fakti që Bregu i Lumit përmbytej çdo herë që binte shi dhe futej uji në gjithë Laprakën, duke nisur nga zona e Bregut të Lumit e këtej, fakti që ndriçimi ishte bërë si në mesjetë ku shumica e njerëzve as nuk kishin parë një poç të ndezur në shumicën prej rrugicave. Shih, sa shumë punë mund të bëhen kur Bashkia nuk fle gjumë dhe kur e ka mendjen tek puna! Unë besoj se ky slogani që kemi këtë vit quhet “Tirana 2 vjet zgjuar” sepse besoj se secili prej nesh është i ndërgjegjshëm se vetëm kur je zgjuar, mund të bësh punë, po gërhite, po ia fute gjumit, sigurisht plehrat do të bëhen mullar, pusetat s’do i zëvendësojë njeri. Unë dua të falenderoj të gjithë kolegët e Bashkisë që i kanë qëndruar punës tek koka dhe sot flasim për një kategori komplet tjetër problematikash”, theksoi Veliaj.

June 5, 2017 11:25
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*