Lazarati i Gjirokastrës dhe simotra e tij në Kretë

Nga Agron Berdaj* June 22, 2014 22:22

Lazarati i Gjirokastrës dhe simotra e tij në Kretë

Teksa ndiqja përmes lajmeve veprimet e suksesshme të Policisë së Shtetit në Lazarat, menjëherë m’u kujtua Zonjanaja e Kretës. Të dyja këto fshatra, njëri në Shqipëri dhe tjetri në Greqi, janë vlerësuar si bastione të drogës. Veçse ndryshimi mes tyre qëndron në kohë. Lazarati shqiptar vazhdon të ndodhet i mbikëqyrur nga Policia e Shtetit, nga opinioni i brendshëm dhe ai ndërkombëtar, pra ai është në fazën e kurimit, të lënies prapa të një të shkuare të errët dhe kthimit në normalitet, ndërsa Lazarati i Greqisë e ka kaluar këtë të keqe gati tre vjet më parë.

Sot atje është kthyer normaliteti dhe e shkuara kujtohet si një e keqe që duhet përbuzur. Çuditërisht këto bastione të drogës, kishin shumë gjëra të përbashkëta. Pozicioni gjeografik gati i njëjtë, malor me mundësi disi të kufizuara lëvizjeje, me hapësira të gjëra, por jo të gjitha të kontrollueshme. Natyra e tyre disi e ashpër, në forma të ndryshme kishte krijuar një distancë nga pushteti qendror, në shumë raste ata e quanin territorin dhe pushtetin lokal si një shtet brenda shtetit, madje nuk pranonin asnjë kontroll prej tyre. Kartelët e drogës mbroheshin rreptësisht deri edhe me armë zjarri. Madje jo vetëm kaq, por në të dy rastet, monopolet e drogës mbijetonin përmes shumë krimesh dhe rrjetesh të tjera mafioze si i tregtisë së armëve, i mishit të bardhë, atij klandestin etj.

Operacioni policor i organizuar në Zonjana u prit me të shtëna armësh, me prita, me diversion psikologjik ndaj policisë dhe banoreve të zonës prej falangave të bosëve të drogës. Edhe atje pati muhamutër e vandamë, pararoja e krimit, të cilët pasi goditën forcat e ndërhyrjes së shpejtë u arratisën si cubat, por kur e panë se laku po u ngushtohej u dorëzuan dhe ju nënshtruan gjykimit. Edhe atje pati dekonspirator të planit goditës të policisë, por fajtorët u dënuan më tepër se vetë monopolistët e drogës.

Ngjashmëria mes këtyre bastioneve të drogës shkonte deri në detaje, si për shembull vlera e mushkave në të dy Lazaratet kishte kapur shifra astronomike deri në 2000 euro, ndoshta çmimi më i lartë në botë. Ndërsa konstruktorët në botë po punonin për perfeksionimin e aparateve të telekomandimit, bosët e drogës në këto të dy vende kishin stërvitur mushkat në një formë të tillë, më mirë se ato të drejtoheshin me ndonjë aparat të sofistikuar telekomandimi, pa nevojën e njeriut mund të transportonin drogën me kilometra të tëra, madje edhe duke kapërcyer kufijtë ndërshtetëror, pa më të voglin problem.

Pra ngjashmëritë mes Lazaratit shqiptar dhe atij grek janë të pafundme, pasi krimi dhe kriminelët udhëhiqen nga të njëjtat ligësi e parime, nga e njëjta taktik dhe strategji, nga e njëjta filozofi dhune e korrupsioni. Por mes fenomenit Lazarat të Shqipërisë dhe atij të Greqisë, në mënyrën e trajtimit nga politika dhe shteti ka dallime të pakrahasueshme. Në Greqi nuk pati ndonjë subjekt politik apo segment të shoqërisë civile të krijonte ndonjë aleancë kundër drogës, por të gjitha partitë politike të pozitës dhe opozitës, bashkë me ta edhe shoqëria civile, pushteti administrativ, ligjvënës, ai i drejtësisë krijuan aleancën e madhe kundër drogës dhe ja dolën mbanë duke e shpëtuar Zonjananë nga kthetrat e vdekjes prej drogës.

Ndërsa në Shqipëri po ndodh e kundërta, ku kemi një shoqëri që e ka marrë seriozisht luftën kundër drogës dhe një “opozitë” të droguar. Lexoni me vëmendje deklaratën e bërë nga PD-ja për ndërhyrjen e policisë në Lazarat, ku veç antipatisë, lexuesi do të gjejë dhe argumentet se si në këtë deklaratë mbrohen me shumë kujdes karterët e drogës dhe i shpallet luftë atyre që e luftojnë atë. Diversioni ndaj forcave të operacionit fillon me përkujdesjen dhe thirrjen e drejtuar ndaj policëve profesionalist të mbetur, pra kuptohet policëve që ajo i quan të Partisë Demokratike dhe jo të shtetit e të depolitizuar, që ata të ruajnë qytetarët, të ndalojnë çdo veprim terrori psikologjik ndaj popullsisë civile. Pra, atje, kriminelët dhe prodhuesit e drogës vetëm sa këshilloheshin, por kurrsesi të luftoheshin me rreptësi.

Me sa duket, deklarata e PD-së plotë demagogji, dinakëri e një lloj sentimentalizmi të pështirosur mundohet me kotë të bindi njerëzit se në kohën e qeverisjes së saj nuk ndërmori as edhe një masë penguese ndaj këtij bastioni të drogës, pasi kishte hallin të mos dhunonte psikologjikisht njerëzit që mbillnin, korrnin, paketonin dhe tregtonin drogën. Për ta ishte më e drejtë të mbrohej një krim, të ushqeheshin kartelët e vdekjes njerëzore se sa të zbatonin ligjin e të realizonin shtetin ligjor. Ndërsa kumbullat e tjera të deklaratës së PD-së, si ajo që thuhet se operacioni është një pozicion taktik për t’i hedhur hi syve të botës, se kjo nuk është një luftë ndaj drogës, por luftë për kapjen e tregut etj., janë tepër dashakeqe dhe ordinere, që i bëjnë dëm më shumë se vendit vetë subjektit politik që i fabrikon dhe i përhap ato. Me deklarata të tilla ata nuk bëjnë gjë tjetër veçse kërkojnë të thellojnë politikat izoluese të vendit nga bota, gjë që në kohën e qeverisjes së tyre në këto katër vjetët e fundit e realizuan me sukses.

Por le të kthehemi te krahasimi me Lazaratin grek dhe qëndrimin e mbajtur nga shteti dhe shoqëria atje. Një nga ish-ministrant që drejtonte policinë, në atë kohë i dalë në opozitë, bashkë me stafin që drejtonte, u bë mbështetje e fuqishme e operacionit duke e parë këtë edhe si autokritik që në kohën e drejtimit të tij të këtij dikasteri, nuk i kishte shkuar problemit deri në fund. Ndërsa ne kemi një ish-ministër të Brendshëm të quajtur Flamur Noka, mediokër, pa nivel bazik kulturor, që operacionin e policisë e quan një shou banditesk të pasardhësit të tij në shtet. Sipas ligjeve të logjikës formale, pasi ligjet e logjikës shkencore, Flamuri nuk i kupton dot, del që bandit në këtë operacion të jenë ata që e luftojnë drogën dhe jo monopolistët e drogës.

Në Greqi vetëm se një nga ish-kryeministrat i dalë në pension, me origjinë nga Kreta, edhe pse e luftoi ashpër fenomenin, për humor tregoi një barsoletë që lidhej me drogën në atë zonë –  të nesërmen mjetet e masmediave në formë kritike nxorën një reklamë ku ai tymoste një cigare droge.

Ish-kryeministri shqiptar, përgjegjësi i të gjitha tragjedive në Shqipëri, me emrin Sali Berisha, me pesë të ashtuquajturat arsye, si pesë dacibaot e Mao Ce Dunit, të revolucionit kulturor, aksionin e policisë e quajti të dështuar. Mos thëntë Zoti që Berisha me zylot e tij, siç flitet, drejtonte bandën e Lazaratit në luftimet ndaj policisë, pasi ndryshe vetë ai duhet të shkojë në hapsanë siç bënin burrat e parë kur dënonin vetveten dhe atje t’i kërkojë komandantit të burgut mundësisht ta vendosi në një dhomë me Mahmutin. Vetëm në një simbiozë të tillë mund të ruhet sekreti rreth mëkateve dhe vendi që zë çdonjëri nga këta në hierarkinë e mafies së drogës në Shqipëri, por edhe më gjerë. Që të mbetemi te krahasimi: në Lazaratin e Kretës bashkia dhe kryebashkiaku u bënë pjesë e operacionit të policisë, ndërsa Dashua i Lazaratit shqiptar kërkoi që policia të negocionte me banditët e kriminelët, pasi ndryshe sipas tij nuk ka zgjidhje.

Lazarati iu kthye hartës administrative, por në të ardhmen në këtë zonë do të duhen edhe operacione të tjera policie, ndoshta jo të këtyre përmasave por nuk duhet menduar se situata u vu plotësisht nën kontroll, se problemi u zgjidh përfundimisht, se komuniteti në këtë zonë shpëtoi nga e keqja. Vendin e operacioneve policore në të ardhmen duhet ta zëri asistenca e shtetit dhe e shoqërisë, përkrahja ekonomike, integrimi real, programet e përpunimit moral e psikologjik. Këto operacione janë të barazvlefshme me operacionin e policisë.

Më në fund nga ndërhyrja e shtetit në Lazarat të gjithë dolën të fituar, edhe shteti edhe shoqëria, por edhe lazaratasit pasi shpëtuan nga një vdekje e ngadaltë që kishte nisur 23 vjet më parë. Edhe opozita është e fituar pasi do të ketë mundësinë të rilindë përmes transfuzionit antidrogë. Pa harruar se shpëtuan deri në një farë mase edhe mjaft emigrant të përfshirë në trafiqet e lëndëve narkotike. Vetëm në Greqi mbi 60 për qind e të dënuarve, me të drejtë apo pa të drejtë, vuajnë dënime për një akuzë të tillë.

 

*Autori jeton në Athinë

 

 

Nga Agron Berdaj* June 22, 2014 22:22
Komento

9 Komente

  1. petrit June 23, 08:33

    Shqiptaret jetojne akoma nen veprimin e nje droge edhe me te rrezikeshme e jetegjate, droges se trushpelarjes komuniste.
    Sipas ketij zoterise qe jeton ne Athine, Lazarati i Kretes, ndonese Geqia tashme disa dekada qe eshte bere pjese e BE, paskej vetem tre vjet qe eshte vene ne zap.
    Ky fakt sikur na e humb optimizmin se Lazaratet tona do te “asgjesohen” kaq shpejte pasi po ti referohemi kronollogjise historike, duhet qe Shqiperia te prese edhe 47 vitet te tjera te humbura te diktatures komuniste, plus edhe 24 vite te tranzicionit, e vetem pas nja dhjete vitesh sic na e ka taksur BE, te fillojme te numerojme vitet qe nga 2011 kur Greqia paskej pasur sukses me Zonjanane e Kretes.
    Eshte interesant se te githe qejfllite e socializmit, e nisin historine me vitin 1990 sikur Shqiperia te mos kishte katandisur ne kete vit si vendi me diktaturen me te eger komuniste ne bote, vendi me i izoluar ne bote e vendi me i varfer ne bote e krahasimet i bejne qofte edhe me Greqine fqinje, ku emigruan jo nga qejfi, por nga varferia ekstreme, pothuajse nje milion shqiptare.
    Greqia vertete ishte shumefish me mire se Shqiperia ne fund vitet 80-te por ne te njejten kohe, ishte vendi me i varfer i BE. .

    Reply to this comment
  2. Pipi June 23, 12:04

    Nje shkrim interesant. Sidomos, kur behet fjale per ndryshimin midis “Lazaratit grek” dhe atij shqiptar, ne pikpamjen e luftes kunder droges. Kjo tregon shkallen e ulet te pjekurise politike te opozites sone, e cila, ne momentin kur duhet te tregoje realisht se eshte ne krah te popullit, del “lakuriq”, ashtu si e “ka bere nena”, kunder tij. Ndryshe nga fqinji yne grek, te cilin e kemi edhe “armik”.

    Reply to this comment
  3. eglantina June 23, 16:14

    Ngjashmëria mes këtyre bastioneve të drogës shkonte deri në detaje, si për shembull vlera e mushkave në të dy Lazaratet kishte kapur shifra astronomike deri në 2000 euro, ndoshta çmimi më i lartë në botë. http://goo.gl/PqHYCx sa e forte 😀

    Reply to this comment
  4. Artan Kristo June 23, 16:21

    Analize shume e mire! Urime Goni!

    Reply to this comment
  5. lame çobani June 23, 16:29

    Lame çobani
    Greku mbetet grek dhe finok. gjithemone ia ka futur fqinjit te tij te mire dhe te urte.

    Reply to this comment
  6. Nertil June 23, 19:06

    Urime Agron.Shume analize interesante.E degjofshim emrin tend me kto analiza ne median e shkruar me te lexuar te Shiperise dhe pse jo mos e pafshim dhe imazhin tend duke diskutuar si analist ne emisionet politike te Blendi Fevziut apo Sokol Balles…

    Reply to this comment
  7. Sasati June 24, 16:05

    Shume mire Agron.Kultura dhe perjvoja jote ne te dy vendet duket ne kete analize jo vetem te vertete deri ne detaje ,por edhe te shkruar bukur.

    Reply to this comment
  8. Pellazgu June 24, 16:29

    “…bosët e drogës në këto të dy vende kishin stërvitur mushkat në një formë të tillë, më mirë se ato të drejtoheshin me ndonjë aparat të sofistikuar telekomandimi, pa nevojën e njeriut mund të transportonin drogën me kilometra të tëra, madje edhe duke kapërcyer kufijtë ndërshtetëror, pa më të voglin problem.”, – thotë autori i shkrimit.
    A mund të më shpjegojë ndokush sesi një mushkë mund t’i kalojë kufijtë ndërshtetërorë në Kretë?

    Reply to this comment
  9. Martin Iden September 6, 04:51

    Me duket nje shkrim interesant.Eshte nje analize e plote e gjendjes qe ishte dhe nuk behet fjale per Greqine se ajo i di vete problemet e veta,por autori flet per gjendjen ne Lazarat si dhe qeverine e meparshme qe nuk desh qe ta luftonte fenomenin.Ka ndonje verejtje qe kerkon te rrumbullakose gjerat – si kufijte ndershtetrore.As qe behet fjale per Kreten,por per Lazaratin.Po keshtu edhe numurimi i viteve qe ben dikush tjeter eshte krejt pa lidhje me konteksin e shkrimit.Kam mendimin se autori i shkrimit me nje pende te lirshme,pa frazeologji,pa teprime profesionalisht ka shkruar nje shkrim dinjitoz.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*