Le të jetë 2016, viti i drejtësisë së shumëpritur për shqiptarët!

Fatmir Xhafaj December 22, 2015 22:56

Le të jetë 2016, viti i drejtësisë së shumëpritur për shqiptarët!

Kjo është ndër ftesat më të bukura që më ka qëlluar të bëjë në pragfestash të fundvitit.

Në këtë sallë janë të ftuar protagonistët kryesorë të këtij viti, kontribuesit kryesorë të reformës në drejtësi. Kemi arsye të forta për të qënë këtu së bashku në këtë ceremoni të thjeshtë, por kuptimplotë.

Viti që po mbyllim ishte një vit i intensiv pune e angazhimi për të shtruar shinat e asaj që konsiderohet ndryshe një ndër reformat më të mëdha të periudhës së tranzicionit. Një proces me shumë, shumë punë, përmes dilemash e keqkuptimesh dhe jo rrallë edhe agresiviteti ndaj tij.

Rreth një vit më parë kur paraqitëm projektvendimin dhe relacionin shoqërues me vizionin e konceptimit dhe realizimit të kësaj reformë ishte krejt ndryshe. Ishim shumë pak që e shkruajtëm dhe dinim për cfarë po synonim.

Një pjesë, dhe jo pak e nënvlerësuan dhe ose nuk e lexuan fare ose i hodhën një sy atij relacioni dhe nuk e kuptuan fare.

Një pjesë na quajtën të marrë që guxonim që mendonim se kjo mund të ndodhte. Disa edhe nënqeshën apo edhe u tallën haptas. Normale për ata që i njohin dhe që e dinë se sa shumë janë tallur me këtë vend.

Shumica dhe që ende vazhdojnë të mbeten shumicë, ishin skeptikë. E me të drejtë. Nuk po kërkojmë të ndryshojmë pllakat në bulevard, por mënyrën e të menduarit e sjelljes të 25 viteve, me atë që quhet ligj, shtet i së drejtës, themeli i funksionimit të shtetit dhe demokracisë funksionale.

Dikush më tha ato kohë se kjo ishte thjesht një ëndërr. I thashë se, edhe nëse është një ëndërr, prapë është një gjë e bukur, që ja vlen ta besosh dhe të luftosh të bëhet realitet.

Sot një vit më pas gjërat janë krej ndryshe.

Reformimi i drejtësisë nuk është më një ëndërr, është një projekt konkret ambicioz, realist dhe i fortë. Padyshim dhe i debatueshëm dhe kjo është një vlerë tjetër e tij.

Nuk është thjesht një ëndërr, por një shpresë konkrete me besimin e madh për tu bërë shumë shpejt një realitet i prekshëm.

Dhe e gjitha kjo falë përfshirjes, angazhimit dhe kontributit të dhjetra, qindra e tashmë edhe mijra njerëzve që janë bërë pjesë e këtij projekti konkret.

Nuk jemi më një grusht njerëzish rreth një dokumenti disa faqe, por qindra njerëz të ditur e të angazhuar për jetësimin e tij në institucione e norma konkrete, me qëllimin e lartë, për ti ndryshuar jo thjesht imazhin sistemit, por zemrën, mesazhin dhe produktin prej tij.

Sot pas një viti nuk është thjesht një vendim kuvendi dhe një relacion disa faqesh mbi procesin.

Sot kemi një dokument të plotë të skanimit të situatës reale në sistemin e drejtësisë, të parën analizë analitike në këta 25 vjet.

Kemi një dokument strategjie mbi zhvillimin e reformës si dhe një projekt konkret amendamentesh kushtetuese të cilat shumë shpejt do të shoqërohen nga draftet e para të projektligjeve që rregullojnë organizimin dhe funksionimin e sistemit.

Të gjitha produkt i një procesi të pandodhur më parë në këtë vend, një procesi që ka kapur standartet me të larta të llojit të tij. Një proces tërësisht gjithpërfshirës, transparent dhe profesional me standartet më të mira të fushës, me asistencën më të mirë ndërkombëtare të kontributit dhe vlerësimit ligjor.

Për projektin kanë punuar mbi 30 ekspertë të nivelit të lartë, vendas e ndërkombëtarë, rreth 100 ekspertë në përbërje të sekretariatit teknik dhe janë angazhuar aktualisht rreth 150 të tillë si think tank nga rradhët e gjyqsorit, prokurorisë, avokatisë e shoqërisë civile.

Janë organizuar rreth 42 tryeza konsultimi në Tiranë dhe pothuaj në të gjitha qendrat kryesore të rretheve gjyqësore si dhe në të gjitha qendrat universitare publike e private. Kanë marrë pjesë në to rreth 2800 pjesëmarrës dhe kanë debatuar e kontribuar në to rreth 400 të ftuar, ekspertë të fushave të ndryshme.

Ne sot kemi një portal në funksion të transparencës dhe debatit publik tërësisht funksional i cili në këto 5-6 muaj të tij është vizituar nga rreth 9000 vizitorë.

Kemi ndërtuar një rrjet aktiv të konsultimit publik që përbëhet nga 1900 persona, nga të cilët 350 gjyqtarë të të gjitha shkallëve, 300 prokurorë, 200 pedagogë të Shkollës së Magjistraturës dhe fakulteteve të drejtësisë private dhe publike në vend, rreth 600 avokatë, 200 përfaqësues nga profesionet e lira (noterë, përmbarues, avokatë), rreth 70 ekspertë të pavarur të fushave, 30 përfaqësues të organizatave të shoqërisë Civile, 20 përfaqësues të institucioneve shtetërore bashkëpunuese me procesin, rreth 100 aplikantë që i janë përgjigjur thirrjes publike, ekspertë të rinj e të reja nga vendi dhe jashtë ku ata studiojnë e punojnë.

Kush dëshiron ti shoh nga afër të gjithë këta tregues kuptimplotë është i mirëpritur.

Sot, në këtë vend, askush nuk mund të thotë se nuk pasur mundësinë të dëgjohet, të flas apo të shkruaj për cfarë mendon për procesin dhe produktin e tij.

Tashmë është dëgjuar edhe arbitri, ai që të gjithë e dëshironim aq fort të shprehej, Komisioni i Venecias. Përmes një opinioni paraprak ky organizëm prestigjoz ndërkombëtar ka dhënë vlerësimet dhe komentet e tij për procesin dhe projektin kushtetues të tij. Ju duhet të jeni krenar për atë cfarë keni shkruajtur e mbrojtur teksa lexoni vlerësimet dhe komentet e këtij komisioni të nderuar. Vlerësime që shumë pak dokumentat të tilla kanë pasur fatin t’ju adresohen kaq pozitivisht nga opinioni i KV. Në këtë opinion ndër të tjera theksohet se : “Komisioni i Venecies shpreh mbështetjen e tij për përpjekjen që po bëjnë autoritetet shqiptare për reformën e thellë në sistemin gjyqësor shqiptar. Një reformë e tillë nevojitet në mënyrë të menjëhershme dhe situata kritike në këtë fushë i justifikon zgjidhjet radikale. Ndryshimet kushtetuese përfaqësojnë një bazë të qëndrueshme për punë të mëtejshme në këtë drejtim”

Natyrisht kjo është baza për fazën tjetër të punës që sapo ka filluar. Sic edhe ju e keni bërë publike pak javë më parë në përmbyllje të procesit të konsultimit, projekti aktual duhet të pësojë ndryshime, ndryshime të rëndësishme, për të reflektuar ide e zgjidhje më të mira nga Komisioni i Venecias, ekspertët e opozitës, gjyqtarët, prokurorët mbështetës të procesit dhe padyshim dhe nga vet publiku i përfshirë aktivisht në këtë proces.

Padyshim gjithshka kemi sot më këtë projekt ambicioz është fryt i punës e angazhimit tuaj të jashtëzakonshëm.

Fjalët më të mira dhe falenderimet e para në këtë event i takojnë padyshim grupit të ekspertëve të nivelit të lartë, vendas e ndërkombëtar, që dituritë dhe eksperiencën e tyre të vyer e vendosën në një punë intensive në funksion të këtij qëllimi të lartë dhe me një shpirt kurajo për tu admiruar edhe përball cinizmit, shpifjeve dhe hakmarrjes së verbër të kundërshtarëve të këtij procesi. Ne duhet të jemi të lumtur që kemi një pasuri të tillë njerëzish jo thjesht me dije, por edhe me përgjegjshmëri e kurajo qytetare ! Faleminderit !

Një falenderim i vecantë ju shkon ekspetëve më të rinj, djemve dhe vajzave të papërtuar të Sekretariatit Teknik që i kanë dhënë procesit aq pasion e angazhim që të gjithëve na ka surprizuar. Jam shumë i lumtur që i kam njohur ! Padyshim janë pjesë e një brezi të ri të ditur, mëndje hapur dhe me pasion e dëshirë për ti bërë ndryshe gjërat në këtë vend. Jemi me fat që kemi të rinj e të reja të tillë, kemi detyrimin ti mbështesim ata si garanci për të pasur një sistem të ri jo thjesht në formë por kryesorja në mentalitet e veprim !

Një falenderim i përzemërt për angazhimin aktiv në proces të gjithë atyre prokurorëve, gjyqtarëve, avokatëve, ekspertëve të institucioneve të sistemit, por dhe ekspertëve të grupeve të ndryshme parlamentare që pavarësisht diferencave në gjykimeve e vlerësime e kanë bërë më të frytshëm e më produktiv debatin dhe padyshim edhe produktin që do të kemi ! Debati i këndvështrimeve të ndryshme e jo rrallë edhe të kundërtave e ka bërë procesin më të hapur, më produktiv e padyshim dhe më eficent. Faleminderit të gjithëve !

Padyshim do të ishte e mangët kjo përshëndetje pa një urim të vecantë për ata që sot janë me ne dhe për ne në këtë proces. Për kolegët tanë të ekspertizës ndërkombëtare, që kanë qënë jo në rolin e këshilluesit apo vëzhguesit, por të kontribuesit aktiv, të përfshirë aktivisht në hartimin e produkteve të procesit duke mos e parë shtëpinë tonë të përbashkët nga jashtë po brenda saj, me të mirat e të kqiat që ajo ka dhe kryesorja me të njëjtën dëshirë, pasion e angazhim për të ndryshuar e bërë atë si edhe shtëpitë me themele të forta nga ata vijnë !

Nuk e di se si do të ishte ky proces pa energjinë e Rainerit dhe ekipit të tij fantastik të Euralius aq miqësor e bashkëpunues, pa qetësinë dhe vullnetin e jashtazakonshëm të Jon dhe bashkëpunëtorëve të tij të palodhur të OPDAT, pa kontributin e Fiorentinës e Arturit dhe ekipit të mrekullueshëm të ekspertëve të prezencës së OSBE-së. Koha nuk më mundëson ti përmend këtu të gjithë. Ju jemi atyre shumë mirënjohës për cfarë janë duke bërë së bashku me ne shqiptarët ! Edhe për durimin dhe qetësinë e treguar, kur jo rrallë ne si ballkanas të zellshëm nuk kemi nguruar ti hedhim sytë e fjalët nga ata për pazotësinë e paaftësinë tonë për të bërë punët tona në shërbim të vendit tonë !

Një falenderim mirënjohjeje dua ti shpreh Fondacionit Shoqëria e hapur për Shqipërinë – Sorros, Andit dhe ekipit të tij të palodhur për suportin e fortë teknik e financiar, përcaktues për ecurinë e mbarë të procesit dhe padyshim nismëtar për nevojën për një projekt ndryshimesh kushtetuese në vend.

Një falenderim i shoqëruar me një mirënjohje të vecantë edhe në emrin tuaj, që aq shpesh e kam dëgjuar prej jush, padyshim ju shkon partnerëve tanë ndërkombëtar të angazhuar në këtë proces, Bashkimit Europian, SHBA, OSBE dhe përfaqësuesve të tyre në vendin të cilët kanë qënë pjesë aktive e rrugëtimit të këtij procesi, pjesë aktive dhe e palodhur e gjithshka që është ndërtuar gjatë dhe si rezultat i këtij procesi. Shumë nga ambasadorët e nderuar të vendeve anëtare të BE kanë qënë pjesë aktive e tryezave dhe debatit tonë, me këshillat dhe asistencën e vyer që kanë dhënë.

Padyshim që kam mirkuptimin e të gjithë juve nëse do të përmendja këtu në mënyrë të vecantë emrat e dy njerëzve shumë të nderuar dhe vendimtar në fatin e këtij procesi : Ambasadores Vlahutin të BE dhe Ambasadorit LU të SHBA ! Dy miq të mirë të procesit të reformës, dy miq të mirë të vendit e të ardhmes së tij europiane !

Faleminderit shkëlqesi ambasadorë, për besimin, angazhimin e vecantë dhe durimin e jashtëzakonshëm me të cilin e keni përcjellë këtë proces kaq jetik për fatet e vendit tonë.

Faleminderit të gjithëve atyre që janë angazhuar në këtë process, shqiptarë dhe ndërkombëtar !

Mirkuptim që nuk mund t’ju përmend të gjithëve në kaq pak kohë !

Sic e shihni sot po flas për Ne, për JU që jeni zemra dhe shpirti i këtij procesi, që besoni te ndryshimi ! Nuk dua të flas për ATA, kundërshtarët e këtij procesi, se nuk e meritojnë ata të na i marrin edhe këto minuta gëzimi e mirënjohjeje, se mjaft kanë marrë ditë, muaj e vite me atë cfarë i kanë bërë dhe vazhdojnë ti bëjnë sistemit e përmes tij shqiptarëve !

Le të mendojmë, punojmë e besojmë për të ardhmen !

Po mbyllim një vit pune, angazhimi e shprese, për të hyrë në një vit të Ri ! Në një vit me një fillim po aq të vështirë, po aq intesiv, por me besimin e madh se mund tja dalim ta përmbyllim me sukses reformën në drejtësi, reformën aq të mirëpritur për të ardhmen e vendit, për shpresën e qytetarëve të shteti i tyre, te sistemi i tyre i drejtësisë !

Një sfidë e madhe, por jetike për të nesërmen e vendit tonë !

Besoj fort se të gjithë bashkë mund tja dalim !

Në mos sot, kur ? Në mos ne, kush ?

Le të jetë 2016, viti i drejtësisë së shumëpritur për shqiptarët !

Qoftë një vit i mbarë !

Besimi të e drejta, besimi te drejtësia, dashuria për vendin e shqiptarët na dhëntë forcë e kurajo në rrugën tonë !

Shëndet, gëzime dhe mbarësi !

Urimet më të mira për ju dhe familjet tuaja !

Faleminderit të gjithëve !

Fjala e kryetarit te komisionit te Drejtesise, Fatmir Xhafaj në ceremoninë festive të organizuar nga Komisioni i Drejtësisë për festat e fundvitit

Fatmir Xhafaj December 22, 2015 22:56
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*