Lefter Çipa, mjeshtri i Madh i poezisë popullore

May 27, 2019 13:53

Lefter Çipa, mjeshtri i Madh i poezisë popullore

Prof. Dr. Bardhosh Gaçe

Lefter Çipa me krijimtarinë e vet të begatë e të pandërprerë poetike është pa dyshim bardi më i madh i poezisë sonë popullore të shek. XX. Krijimtaria e tij mund të përfshihet në disa vëllime dhe ka karakteristikat e veta që e dallojnë nga krijimtaria e poetëve të tjerë popullorë në Veri e Jug të vendit.

Kjo poezi u mbrujt në njohjen e thellë e para së gjithash të poezisë popullore të trevës së Bregdetit të Jonit, të Himarës e të Dhërmiut, të Vunoit e të Piqerasit, të Palasës e të Lukovës, por edhe të gjithë poezisë popullore të Labërisë, si dhe poezisë së kultivuar, veçanërisht poezisë së Naimit e të Çajupit, Ali Asllanit, Lasgushit e Dritëroit. Prandaj, në poezinë e Lefter Çipës vihen re edhe veçori estetike të poezisë së kultivuar. Këto veçori dalin më në pah dhe zënë një vend të rëndësishëm e përbërës në krijimtarinë e tij në vitet e pjekurisë, kryesisht në vëllimet poetike “Këngë që tret lotin” “Këngët e Atdheut tim” dhe “Këngët e Akroqeranit” etj.

Poezia e këtij bardi të shquar popullor ka një formë artistike të përkryer dhe shquhet për frymëzim të pashtershëm e larmi motivesh e temash. Poezia e tij është tepër e vetvetishme, e ndjerë e me një gurgullimë mendimesh dhe emocionesh të pandalshme. Me kalimin e viteve e me pasurimin e përvojës jetësore, ajo fiton thellësi e gjerësi, forcon nënshtresën filozofike e psikologjike, bëhet mjaft jetësore e sugjestionuese, duke përftuar karakterin e përgjithshëm në dhënien e faktit apo regjistrimin e një ngjarjeje a ndodhie, me mesazhe të mëdha për kohën e njerëzit.

Lefter Çipa është poet i mirëfilltë dhe i lindur, poezia është brenda qenies së tij. Ajo është për të po aq e rëndësishme sa jeta dhe ajri, sa deti dhe brigjet himarjote. Pa poezinë, shqetësimet e fluturimet e saj mahnitëse, poeti s’do të gjente prehje as edhe kur të pushonte përgjithnjë në tokën e vendlindjes në brigjet detare. Ai pohon: “Seç më kërkon verë zemrë,/ verë e gjak shpirti m’u bëftë. Mos më pastë mbarim kënga,/ pa këngë jeta mos të lëntë”/. Apo te vjersha “Kur të vdes”, që na e paraqet më të fuqishme këtë dëshirë për të mbetur përjetësisht i lidhur me poezinë: “Kur të vdes atje te varri,/ duart të m’i lini jashtë./ Në verë kur të rritet bari,/ penën dua ta marr prapë”/.

Poezia për poetin është shprehje e gjallë e jetës, por ajo për një poet të lidhur me shqetësimet e njerëzve të tij e të botës nuk është një mënyrë për t’iu larguar problemeve dhe dramave të kohës e për t’u prehur në pallatet e ëndërrimeve e të fantazisë dhe as edhe një lehtësim i mendjes dhe i zemrës nga dyndja e mendimeve dhe e përjetimeve vetjake.

Misionin e poetit Lefter Çipa e kupton ashtu si rilindësit tanë të mëdhenj, si Naimi e Çajupi apo si Noli dhe Lasgushi. Poeti dhe poezia, sipas botëkuptimit të Lefter Çipës, duhet t’i shërbejë interesave të kombit, duhet të damkosë të keqen e të ngrejë lart virtytet më fisnike të popullit e të njeriut. Këtë detyrë Lefter Çipa e ndien thellë, ajo s’do ta lërë të qetë as kur të prehet në varr: “Fjala poet do të thotë:/Apostull i shqiptarizmit,/Kombit të tij në këtë botë,/ i dhuron gjakun e shpirtit”. (Poeti pa tribunë).

Lefter Çipa i këndon me zjarr dashurisë e bukurive të natyrës, vendlindjes. Ai ka krijuar shumë vargje brilante për dashurinë e bukuritë mahnitëse të brigjeve të Jonit, ku është rritur dhe është mëkuar me mjaltin dhe polenin e poezisë. Dashuria për poetin është një ndjenjë e madhe dhe e fuqishme; pa të jeta humbet ngjyrat dhe kuptimin e saj. Dashuria nuk shtrihet vetëm në sinorët e dashurisë për vajzën apo për gruan e dashur, por ajo përfshin hapësira më të gjera, përfshin të gjithë jetën njerëzore e kozmike. Gjithçka e bukur dhe e madhërishme në këtë jetë dhe në gjithësi, është objekt e burim dashurie për poetin. Ai do vajzën e dashur, që i ka rrëmbyer zemrën dhe e lë shpesh pa gjumë e qetësi, por do edhe shokët e miqtë, edhe njerëzit punëtorë, blegtorë e detarë e të ndershëm të vendit të tij, edhe detin, malet e yjet e qiellit, hënën dhe diellin. Gjithçka i zgjon ndjenja dashurie, e frymëzon të thurë vargje e t’ia marrë këngës si bilbil nëpër fletë lisi, lajthie apo qershie: “Do marr t’i dërgoj një letër,/ T’ia dërgoj se shumë prita,/ T’i them të më vijë patjetër,/Se përndryshe rashë e vdiqa”./ (Me miken e parë u prisha). Pa dashurinë, njeriu me botë shpirtërore të gjerë nuk mund të rrojë. Pa të bota dhe jeta i ngjajnë pa ngjyra e pa shpirt: “Ç’është vallë kjo botë, ç’është pa tyja./Është planet i ftohtë po s’qe bukuria”. (Nuk e di nga erdhe).

Në poezinë e Lefter Çipës me ndjenjë e forcë shprehëse, përmes tablove të pikturuara me dhimbje e konkretësi trajtohet edhe tema e kurbetit, tema e dhimbshme dhe aktuale për shumë familje shqiptare, që djemtë e vajzat morën udhën e mërgimit me ëndrrën e një jete më të mirë. Emigrimi i shqiptarëve në kohët moderne, si në poezinë e moçme shqipe ka po atë zymtësi e dramë. Ai nuk sjell gëzim, por vetëm dhimbje dhe lot. Në realitetin e sotëm plagën e emigrimit e ka vuajtur veçanërisht Bregdeti i Jugut të Shqipërisë. Fshatra të tëra u boshatisën e fushat e brezaret me limonë e portokaj mbetën të papunuara: “Kurbeti një varr me rërë,/Loti mbi varr shkëmb i rëndë”/. (Kënga e kurbetit). “Seç jam tharë e jam plakur./ O kurbet, o varr i hapur./Jam bërë mjegull, jam bërë erë,/ Jam bërë natë dhe nxij dhenë”. (O kurbet, o varr i hapur).

Dëshpërimet e dramat e jetës e bëjnë poetin të humbasë edhe gëzimin e shpresën në jetë. Në këto raste poezia merr ngjyra të murrme e të ftohta dhe na zbulon anën e errët e të pikëlluar të jetës. Këto poezi sado të trishtuara e të zymta nuk janë shprehje e pikëllimit romantik Bajronian, por shprehje e vërtetë e asaj gjendjeje të rëndë shpirtërore e psikike që të shkakton një jetë plot mendime e andralla, varfëri e pasiguri: “Kam mbetur një fener i fikur./Kjo rrojtje është e kotë./ Çdo bukuri është e prishur./Kjo që ndodhi mos ndodhtë./” (Gur i rrokullisur).

Në këtë botë të padrejtë e të pabarabartë asgjë nuk është e përjetshme dhe e patundshme. Dhe pasuria që të lumturon e të verbon një ditë, sa të harrosh miqtë e njerëzit që vuajnë, rrënohet. Pasuria të prish karakterin e të veçon nga njerëzit e shoqëria paralajmëron: “Mos kërko të jesh kaluar./ Se do rrëzohesh një ditë./Do mbetesh i turpëruar./Dhe i verbuar nga sytë”./ (Verbëria e pasurisë). Tema qendrore e poezisë së poetit popullor, Lefter Çipa, si e të gjithë poezisë popullore e të kultivuar shqipe është ajo patriotike, tema e luftës dhe e përpjekjeve për liri e pavarësi, përjetësimi i figurave të ndritura të kombit që s’kanë kursyer asgjë për të mirën e lavdinë e kombit.

Kësaj teme të dashur e të përhershme në poezinë e tij, bardi i madh popullor, Lefter Çipa, i kushton vjersha, rapsodi, balada e poema. Ai i këndon luftës së luftëtarëve popullorë, heroizmit e shpirtit vetëmohues e kryengritës, këngëtarëve e rapsodëve popullorë që përjetësuan nëpër vargje luftën e jetën e përditshme të popullit, punën, dashurinë për jetën e për natyrën, forcën e karakterit e shpirtin krijues e të ndezur të popullit, që di t’i këndojë gëzimit e hidhërimit, luftës e përpjekjeve të tij. Përmes këtyre krijimeve të frymëzuara e të ndjera na skicohen para syve figura luftëtarësh e veprimtarësh të shquar, poetësh e këngëtarësh popullorë, mësuesish e punëtorësh të dalluar, që e kthejnë shkëmbin në brezare e tokë buke. Ndër këta luftëtarë të lirisë janë edhe Gjikë Çipa e Llambro Çipa, gjeneral Milo Merkuri, Bilbilenjtë, Nase Beni, Sali Vranishti, Zaho Koka e Kozma Nushi: “Nuk t’u tund gjuri nga guri./ Se të kthehej në gjak lumi./ Gjeneral Milo Merkuri./Gjeneral që s’të zij plumbi.” (Baladë).

Lefter Çipa po me nderim e krenari kujton pishtarët e dijes e të arsimit, mësuesit që përhapën kudo në krahinat e Bregdetit fjalën shqipe dhe diturinë, ata që mbajtën gjallë dashurinë për Atdheun e përparimin: “Në njëzet e një seneja/ në Himarë u hap abeceja./Shkruaj penë, mos pusho kurrë./Shkruaj mbi shkëmbinj e gurë”./ (Hapi dritën dritësimi).

Në traditën e poetëve dhe vjershëtorëve të Bregut të Detit ka një përvojë interesante dhe të vazhdueshme, që i ka lidhur gjeneratat me njëra – tjetrën përmes këngës popullore, poetëve popullorë të cilët kanë qenë dhe kanë mbetur një urë lidhjeje mes kohëve, ngjarjeve, psikologjisë popullore, vizatimit të natyrës, lirizmit, pra, të etnopsikologjisë popullore në përgjithësi. Janë poetë të mrekullueshëm, të cilët i kanë qenë mirënjohës njëri- tjetrit për trashëgiminë që ata i kanë lënë shqiptarëve për stafetën që ata i kanë dhënë njëri – tjetrit, që traditën e hershme të tyre mos ta lënë në rrugë.

Lefter Çipa është njëri nga poetët e Bregdetit, i cili gjatë gjithë jetës iu kushtua këngës popullore bregdetase, duke e ushqyer atë me pjalmin e luleve të maleve të Akrokerauneve, me aromën e agrumeve, me hënën e vonë të këtyre anëve, me valëzën dhe shkumën e detit Jon, me përsiatjet e vazhdueshme të historisë me plot lavdi dhe heroizëm të njerëzve luftëtarë të këtyre anëve, të cilët nuk e braktisën kurrë jetën, truallin dhe sakrificën përballë pushtuesve të vazhdueshëm. Ka qenë gjithmonë i bukur, hyjnor dhe plot jetë e begati Bregdeti i jugut përmes këngës dhe poezisë së Lefter Çipës, i cili hyn në plejadën e artë të kulturës dhe këngës së këtyre anëve, i cili e zhyti penën në gëzimet dhe dhimbjet e njerëzve në historinë dhe të sotmen e Bregdetit.

I qartë, i dashur, lirik, mirënjohës, mik i pleksur thellësisht në traditën e kulturën popullore, një personalitet i padiskutueshëm dhe një nga majat e këngës polifonike të Bregdetit, Lefter Çipa ka qenë dhe mbetet i pranishëm në gjithë ansamblin kulturologjik të kësaj treve, dhe atë shqiptare në përgjithësi. Një tipar jashtëzakonisht njerëzor i Çipës është jo vetëm raporti që ai ka me poezinë dhe këngën që ai e ka shumë për zemër, por me të gjithë trashëgiminë që miqtë, poetë të tjerë dhe bardët e këngës popullore të Bregdetit lanë pas tyre, qoftë për kulturën e kësaj treve, po ashtu edhe për vetë poetin Lefter Çipa. Është një mirënjohje, të cilën ai e ka shfaqur, e ka shpallur me gjithë dashurinë dhe shkëlqimin që ata meritojnë.

Poezia Piko ti moj penë është një nga poezitë përmes të cilës poeti shpalos vetveten dhe lidhjen e fortë të saj me realitetin njerëzor, poetin dhe burimin e saj, të cilin ajo nuk duhet ta humbë kurrë. Është një poezi, e shkruar mbi shtratin e vargut popullor, por edhe harmonisë që zakonisht bart poezia popullore. Është një poezi e natyrës “lapidare’ për poezinë popullore, si një traditë e hershme e komunikimit me kohën, me historinë, me të sotmen dhe me të ardhmen. Pjesën më të madhe të njohjes së historisë sonë kombëtare, veçmas bëmat dhe ngjarjet e personazheve të njohur popullorë, e heronjve dhe luftërave, ne e kemi mësuar nga këngët dhe krijimtaria me frymë popullore.

Poeti shikon dhe gjen një ndërsjelltësi të nevojshme dhe të domosdoshme të poezisë me atdheun, me historinë dhe të qenit bashkë të tij, të atdheut dhe të historisë, ashtu siç e sheh si burimin jetik të poezisë për këtë shkak.

Poezia “Piko ti moj penë” ka një lidhej organike me gjithë krijimtarinë e poetit popullor. Në poezi poeti përmend elementë, simbole, sende, situata dhe zbulesa psikologjike të caktuara, sa thua se në të gjithë poezinë është “shtrirë” atdheu. Në të gjejmë fjalë me ngarkesë të madhe leksikore të natyrës komunikuese bazë si: “penë”, “shkruaj”,“shpirtin”, “të huajt”, “margaritarë”,“kombësinë”,“nëna”,“gjuhësi”,“Lumin”,“tokë”, “të lashtë”, “dëborë”, “majave”,“dritareve”, “yje”,“qiellit”, “diellit”, “mjaltë”, “bletës”, “kurbeti”, “zogjtë”, apo sintagma poetike me ngarkesë të madhe emocionale dhe kuptimore si: ”piko ti moj penë…”, “kombësinë time”,“gjuhën e artë”, “tokë të lashtë”,“shikoj Atdhenë”,“dritareve u fola”, “shikimin e diellit”, “mjaltë blete”, deri te vargjet:”Piko ti moj penë, piko ti dhe shkruaj”,/ Shpirtin dot s’ma blenë me flori të huajt“, “Tek linda u rrita për kombësinë time”,“Shumë ma do zemra këtë tokë të lashtë”,“Si qiri të ndezur e shikoj Atdhenë”, “Shikimin e diellit e mbaj nëpër duar” dhe mjaftë vargje të tjera, përbëjnë elementët dhe strukturën e komunikimit poetik, ku shquan raporti i poezisë me atdheun në kompleksin e tij….

Këto mesazhe bashkëkohore poeti  i përcjell edhe në vargjet e këngës Mbeta shokë mbeta, një poezi e shkruar mbi një refleksion që shpjegon lidhjen e fortë të poetit me vendlindjen, por edhe gjithë Bregut të Detit Jon siç shkruan ai, tek i cili ka lënë djalërinë, ka gjetë “dëshirat e mija”, margaritarë, bukuritë e mëdha, zogjtë, “që rrinë me poetin”, ku ka gjetur pemët me agrumet, shkëmbinjtë, vashat e djemtë, kompleksin e jetës; ka gjetë qytetet e bukura, që puthen çdo stinë me valët e detit, çka do të thotë se; për këtë shkakësi bukurish dhe dashurish, poeti ka mbetur atje, anës së Jonit.

Poezia është një himn për vendlindjen dhe Bregun e Detit, të cilin poeti e shpalos mjeshtërisht përmes “sakrificës”, pasi ka falur djalërinë, njërën nga kohët më të rëndësishme të jetës së njeriut . Jeta anës së Bregut të Detit është e shëndetshme, është e gjallë, është epike pasi gjithë lirika është ndërtuar mbi një stil rrëfimtar dhe dëftor, është romantike, ku nata e dita anës së Bregut të detit, njëra është më e mirë dhe më e bukur se tjetra, ku jeta mbushet se “këndej vërtetë gjeta dëshirat e mija”, me njerëzit, dashurinë, qytetet dhe vendbanimet e bukura “Qytezat e shumta,/Butrinti dhe Ksamili, Vuno e Dhërmi, Sarandë e Himarë…”.

Nga strofa në strofë, poeti shpalos ekuilibrat natyrore dhe shpirtëror, ku natyra dhe njerëzit duket se plotësojnë njëri- tjetrin, që nga “Këtu ku kam lerë, botë margaritare”, ku “Mbi pemë e shkëmbinj, syri guduliset”, se “Këtu vashat janë të shkruara mbi faqe”, e që “Vala lozonjare, pagëzon dashurinë” etj. Poezia është ndërtuar mbi një sistem vartëror të këngës polifonike, ku vargjet 12 rrokëshe përkëmbehen mjeshtërisht në përthyerje të vargjeve 8 rrokëshe dhe rimat abab e bëjnë atë harmonike dhe që tingëllon mirë.

Në këtë mjedis bregdetar poeti këndon: “Për të venë me kadife”, një poezi brenda së cilës ka diçka nga natyra aventureske apo kaçake, e njohur anës së Bregdetit, përmes të të cilës poeti zbulon bukurinë e natës, me një “grua” (ëndërr a zhgjëndërr), e cila identifikohet e bukur dhe joshëse. Poezia është ndërtuar si një rrëfim lirik, herë real dhe herë fantazmagorik, ku shquan shpirti lirik dhe erotik i poetit. Është një erotizëm i mrekullueshëm, për shkakun e thjeshtë, se ai përshkohet nga natyra romantike, në marrëdhënie të hapur me natyrën, sepse lirika ka një prani të konsiderueshme  dhe të vazhdueshme të elementëve të natyrës, siç duket edhe në shfaqjen e gruas rishtare të poetit, e cila “…si Afërdita,/ M’u shfaq pranë e unë u ngrita,/ Ishte nga të tjerat, ndryshe,/ E tëra në trandafilishte.”  Siç shihet në poezi, ka diçka nga konceptimi lirik i poezisë së dashurisë së Naim Frashërit. Poeti përdor mjeshtërisht dhe stilistikisht togfjalëshat e ngrohtë dhe komunikues si: “buzës së kulluar”, “atë buzë, tjetër s’dua”, “veshur kadife”, “piramidë Egjipti”, “kërthizës së botës” dhe të tjerë që duken mes realitetit dhe fantazisë, mes tokësores dhe hyjnores.

Poezia është një feksje, një raport ekzistencial i poetit me jetën e shfaqur përmes një gjendjeje të brendshme dashurie dhe erotike, Dikund poeti shkruan: “Shpejt në qiell lart më shkoi (ajo e veja, gruaja e ve, e bukur si Afërdita),/ Ku desh ajo më lëshoi,/ Veç pashë se shpirti më rrinte,/  Mbi një piramidë Egjipte.” Poezia ka një “deltë” interesante refrenore në dyvargëshin “Për atë qiell, për këtë re,/Për të venë veshur kadife.”, me ç’rast poeti njofton një rrëfim, një ngjarje eterne shpirtërore, sa qiellore (“një natë fjeta përjashta,/Ç’bukuri që paskësh nata…”një “ngjarje që bëhet apo ndodh vetëm natën, si në baladat  shqiptare, që në fund të fundit shpalon raportin e poetit me jetën dhe etapat nëpër të cilat kalon ajo. Poezia është ndërtuar me një varg dhe kapërcime kohe dinamike, nga nata me poetin, brenda të cilës koha lëviz me shpejtësi, pasi vjen ajo, ai shkon dhe vjen në qiell e në tokë (ku shfaqet një transhendenticalitet kohor dhe shpirtëror) dhe më në fund e gjen veten te Piramidat e Egjiptit, si koncept vendor, kulturorogjik, por edhe si kohë ku thyhen në mes mosha dhe e vet poetit.

Poezia “Djaloshi i këngëve” (Kushtuar Neço Mukës) është një poezi mes dedikimit dhe jetëshkrimit sinkretik, lirik dhe poetik të njërit nga bardët të poezisë, këngës dhe lirikës së Bregdetit, të njohurit Neço Muka. Neço Muka, si edhe vetë poeti Lefter Çipa janë palca e këngës së Bregdetit, pasi krijimtaria e tyre ka përcjellë traditën e këngës dhe folklorin e kësaj treve të gjerësishme, me një shtrirje kohore në thellësi të historisë dhe me një valorizim të konsiderueshëm.

Poezia “Djaloshi i këngëve” është ndërtuar përmes një dialogu të njëanshëm, por të nënkuptuar mes poetit të gjallë dhe poetit jo të gjallë, një komunikim që kalon përmes një “zinxhiri” të shumë hallkave komunikuese, ngjeshur në simbole, përshkrime të natyrës dhe elementë të tjerë psikologjikë që bëhen edhe pjesë e shpalosjes së gjerësisë apo dimensionit të poetit që nuk jeton më, por i mishëruar në natyrë dhe në gjendjet emocionale të poetit të gjallë. Poezia është ndarë në dy pjesë. Në pjesën e parë njoftohet përmes natyrës mungesa e poetit që nuk jeton dhe një lloj jetëshkrimi sintetik në natyrën, në të cilën mishërohet lidhja dhe prania e tij, ndërsa në pjesën e dytë poeti që nuk jeton më reflektohet përmes gjuhës dhe komunikimit të natyrës dhe një gjendjeje të brendshme.

Mungesën e vjershëtori (Neço Mukën), poeti e kujton përmes, kryesisht pranverës, me lule dhe varrin e tij, mbushur me manushaqe.  Poeti shkruan:”Ja, pranvera erdhi/ Dhe bota lulëzon,/Varri mbushur manushaqe,/ Ç’djalë në varr pushon?”, ku shihet një natyrë e pikëlluar për mungesën e tij, e cila në këtë rast shndërrohet në kujtesë . Poeti shpesh përdor mjeshtërisht elementë të tjerë të peizazhit të natyrës, përmes emrave rrëfyes me fuqi emocionale, për ta sjellë në vëmendje poetin që nuk jeton më. Strofa pasuese vijon me këtë lloj ligjërimi përmendësh: “Bora vërtet shkriu,/Dielli majave shkon./Era e detit kudo fryu,/ Syri i qiellit lotin”, shiko si krijojnë vëmendje emrat bora, dielli, era, syri. Në vazhdim, në dy strofat vijuese poeti e ndërton komunikimin për të kujtuar dhe karakterizuar poetin që nuk jeton më përmes zogut dhe bilbilit, dy shpendë që përdoren në lirikën popullore shqiptare, kryesisht në një lëvizje të vazhdueshme si: ”Si të rrihet zog me fletë,/ Ti si s’fluturon!?” dhe “Bilbili për ty,/ Del,thërret gjithmonë.”, që kujtojnë “Netët plot me hënë,/ Hëna shket mbi tokë,/ Ç’jastëk vallë ke vënë,/ Djalosh nënë kokë?!”

Pra, sa mjeshtërisht poeti e mishëron poetin që nuk jeton më, të cilin e gjen dhe e identifikon në forma të ndryshme, por që në të vërtetë poeti bën fjalë për vokacionin që krijoi dhe la pas poeti dhe vjershëtori Neço Muka.  Lefter Çipa ka krijuar një marrëdhënie mjeshtërore në këtë rast, ku malli, kujtesa, pikëllimi, mungesa dhe prania e poetit që nuk është më i gjallë duket dhe zhduket përmes këtij vokacioni nga njëra anë, por edhe lidhjes së fortë që Muka kishte ma natyrën dhe dukuritë apo elementët e tjera të natyrës që përmenden në poezi. Pjesa tjetër e poezisë vijon lidhjen dhe mishërimin sinkretik, me ç’kuptohet, poeti përpiqet t’i pleksë bashkë, pasi në poezi është krijuar një dialektikë e brendshme, ku bashkë ne mungesën, të cilën e ndjejnë elementë natyrorë kryesisht me të cilët siç duket ka qenë i lidhur poeti i vdekur, ai i lartësoi dhe i shndërroi në perla këngësh gjatë jetës së tij.

Në këtë pjesë poeti i gjallë ka bërë më gojë detin “Thonë se deti qa,/ Qan për perëndi,/ Se kjo botë s’ka,/ Mik vërtet si ti”, pikëllimin për penën e tij që hesht :”S’i s’të shkruan pena,/ Që mbaje në duar,/ Ajo flori verdha,/ O zog i pamartuar”, pas të cilit shfaqet një pikëllim madhor për jetën e tij personale, si mishërim i fatalitetit njerëzor, i cili e ka kompensuar vetminë e tij me një dashuri të përjetshme. Gjithsesi pikëllimin e bën të thellë lidhja e tij e fortë me të gjallët, madje edhe pritja e një vajze për të qenë me poetin që nuk jeton më e bën më pikëlluese këtë mungesë. Çipa shkruan: “Vashëza sa do presë,/ Mbi gur shpirt pikuar,/ Dhe ajo do vdesë,/ Ty duke kërkuar”.

Poezia ka një natyrë të drejtpërdrejtë komunikimi, për shkakun e një ngjashmërie me krijimtarinë e vetë Mukës, ku bie në sy një refren për çdo strofë me elementë simbolik, ku poeti quhet djalosh dhe lule maji, e ka fshehur bukurinë në varr tashmë, ku shpeshherë këmbejnë emrat bukurinë dhe djalërinë. Është një refren që e mban në vijimësi lidhjen mes majit, muaji i bukur i luleve dhe bukurinë e poetit në të gjithë vertikalitetin e poezisë nëpër të cilën është përshkruar jeta, krijimtaria, lidhja e fortë me vendin dhe muza e Neço Mukës. Dy vargëshi refrenor është: “O djalosh lulja e majit,/ Djalërinë (bukurinë) mos ia fal varrit!”

Një nga krijimet më të bukura të Çipës mendoj se është edhe balada “Beno Nase Bregu”, një titull simbolik dhe një baladë rrëfimtare, me një ngarkesë të lartë shpirtërore dhe njohëse, përmes një lirizmi të thellë, ku poeti dhe luftëtari janë bashkë. Poeti ndjek rreptësisht natyrën komunikuese të baladës tradicionale. Beno Nase Bregu është nga Mjegulloshi, i cili ka lënë vetveten pas, pasi “Ishte tallaz Joni jo varr faraoni,/ Për besë ta besoni, Benua ishte Froni.”

Për të sjellë tiparet dhe cilësitë e tij poeti shfrytëzon natyrën e ashpër të shkëmbinjëve të Bregut të Detit, kur ai është i egërsuar: “Tallaz i përplasur mbi faqen e shkëmbit,/ Shkëmb me faqe zbardhur, zjarr i parë i vendit./Emër i pagëzuar në valët e Jonit…”, ku vijon kujtesa historike e këtyre anëve :”Bilbil i dëgjuar, ortak i Suljotit,/ Dragoi syzgjuar, majave të Sopotit”, tipare dhe cilësi të mishëruara mjaft mirë dhe kuptueshëm dhe në shpirtin këngëtorë të tij. Pra, ka një dysi interesante, një dysi lapidare në Beno Nase Bregun, luftëtarin e plotëson edhe poeti apo vjershëtori.

Çipa e gjen veten bashkë me të gjithë poetët e tjerë të Bregdetit të lidhur ngushtë, bashkëpunues, atdhetarë bashkë, lirik bashkë, në një vend ku i bashkon historia, natyra, deti, lirizmi, shpirti i ndjeshëm, stolitë e natyrës, aq sa në kohën e tij, ai nuk përjashton asnjërin. Ai shkruan: “Sikur vërtet zoti lutjen të ma dinte,/ Vërtet fuqiploti, shpejt prapë do ta sillte./Nasia, unë dhe deti po të ishim bashkë,/ Do këndonte nderi mbi bregun e lashtë…”, shiko ç’tipar vë në dukje poeti i kohëve tona, siç është nderi. Pikërisht për këtë shkak, nderi dhe Atdheu, janë ata që Beno Bregun e bëjnë Kasnec, por edhe referenca pa të cilat ai nuk mund të kuptohet.  Poeti i gjallë e kujton kështu Benon: “Se ashtu vjen nderi, bijë të Bregut qofshim./Kur të shkrijë bora a të hyjë Prilli,/ Dhe të bjerë këmbora të nisë bilbili,/Bashkë me zogtjë e bukur ngrehu, dil nga maja,/Ngrehu o shtat i bukur me armë të stërmaja…”.

Në frymëzimin e vet balada shpalos gjerësisht talentin e tij, lidhjen e tij të fortë me vendin, ku spikat patriotizmi, të cilët janë bërë bashkë si rrallëherë te Thanas Beni. Çipa kur flet për penëartin Benua, gjen rastin të shpalojë dhe të japë një lloj informimi mbi krijimtarinë e tij kontekstualisht. Shih si shpalohet ajo në strofën e parë të pjesës së dytë të baladës:”Pena jote e artë vërtet penë mbeti,/ Mbi gurin e thatë kënga kurrë s’të fjeti./Që nga minareja të qëllojmë Çulajnë,/ Gjithë nuset e reja të pushojnë, vajnë./Mbi supet e Jalit karshi syrit t’detit,/ Shfaqu sipër varrit, si hark i ylberit./ O ti soj i sojit vdekja s’është frikë,/ Nasia e Vunoit, Benua për të gjithë.”, ku përzihen bashkë këngëtari, luftëtari dhe kushtrimtari.

Çipa ka një marrëdhënie lartësimi për Nasen deri në pavdekësi, pasi tashmë ai është në qiell “Ty të shëtit shpirti, mali të vjen mbrapa,/për ty ndizet ylli viteve të gjata./hajde o Nase Beni zbrit nga kupa e qiellit”, dhe mishërimi i tij në përjetësinë e tokës :”Mbete. Nase Beni, bilbil, përmbi gurë./tallaz i përplasur mbi faqen e shkëmbit…”, dhe që e mbyll baladën dyzimi dhe metafora deri në pavdekësi :”O ti zë kuvendi, lule vilajeti,/ vallë kush të bëri Vunoi apo Deti.”apo “O qiell i gjerë, vargmali me maja…” etj.

Shpirti poetik i Lefter Çipës shpaloset më së miri në poemën “O shokë vdeksha nga kënga”, përmes të cilës poeti shpjegon lidhjet e forta shpirtërore që ai ka me këngën dhe burimet nga ai frymëzohet. Çipa ka dëshmuar se ka pasur një lidhje të fortë me natyrën, me njerëzit, me historinë dhe shpirtëzimin e natyrës, me zogjtë, lulet, me stinët, me pyjet, me erën. Në poemë ai flet me një pezëm dashurie për prillin dhe majin “O shokë vdeksha nga kënga,/ Në një ditë prilli a maji…”, flet për zogjtë dhe bilbilenjtë “Aty në brigjet thëllëza,/ Ligjëroftë mëngjes e darkë…”, dhe “Zogjtë e bukur krahëlehtë,/ Ia thënçin me gjuhë të ëmbël…”, deri te “Midis lisave të gjatë,/ Kurorë ngritur në qiell.”, “Kur të fryjë erë e beharit,,/ Nga deti, a nga Kalbaqi…”, pra siç shihet është një manual konvencional në gjerësi dhe në natyrë, ku gjendet dhe shtrihet shpirti prej këngëtori, të cilit i blaton dhe ia bën kurban edhe jetën poeti Lefter Çipa.

Poema është një deklaratë e shpirtit të poetit, një udhëtim në natyrë dhe në hapësirë, përmes së cilës tregon raportet që ai ka me këngën nga njëra anë, por edhe aty ku ai gjen muzën, krijimtarinë. Kënga në perceptimin e poetit është si jeta, është jeta në vetvete, ku mund të lindësh sa herë ato këndohen “Vdeksha edhe prapë u ngrefsha,/ Shokët në këngë i gjetsha…”, një dyvargësh refreni, të cilët ai i vendos në fundin e çdo strofe. Në konvencionin e manualit të poetit janë të pranishëm hëna, si një aspekt i rëndësishëm i gjendjes së brendshme të poetit, dielli, që i jep jetë dhe syrit i çel rrugën për të parë atdheun “Kur dielli do hap dritë,/Përkarshi Vanovës sime,/ Edhe unë do të jem ngritë,/ të pi ujë, mo, në Toçille…” e kështu ky ritual jetësor do ta mbushë përjetësisht këngën me motive dhe jetën me këngë, ku poeti ngjallet herë pas herë, për t’i gjetur aty në sofrën e polifonisë shokët. Poema “O shokë vdeksha nga kënga”, është ndoshta një nga poezitë dhe rrëfimet më të çiltra të ndonjë poeti lidhur me lidhjen e fortë dhe motivet poetike që e ushqejnë poezinë shqiptare në përgjithësi.

l.h/ dita

May 27, 2019 13:53
Komento

1 Koment

  1. demo May 27, 22:04

    Meqe po kujton shkollen e pare shqipe ne Himare,bilbil i kenges himariote Lefter Cipa,po te kujtoj mesuesin e pare te asaj shkolle,qe ishte Peter Elezi nga katundi i Onufrit dhe Kostandin Shpatarakut ,Shelcani i Shpatit.
    Nje mbremje kur korigjonte detyrat e femijeve nen strehe te catise,,grekomanet i hodhen uje te perveluar ne koke.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*