Legjendë dashurie

Arben Duka June 17, 2016 10:39

Legjendë dashurie

Kjo histori është natyrisht,
dhe më e lashtë nga lashtësia,
që flet e flet pafundësisht,
se ç’mund të bëjë Dashuria!

Një vashë e ëmbël po vajtonte,
me engjëjt dhe me xhindet fliste,
po qe se Dielli perëndonte,
djaloshi i saj do të vdiste.

Ç’të bënte vashëza e shkretë,
dhe shpirti i saj që dashuronte,
se kishte miliona vjet,
që dielli ecte e s’ndalonte.

Ashtu e heshtur dhe e tretur,
në horizont i nguli sytë,
ku pakëz diell që kish mbetur,
sa një kandil lëshonte dritë!

Ashtu dhe shpirti i djaloshit,
me diellin fikej pak nga pak,
porse këtej shpirti i vashës,
si një vullkan digjej në flakë!

Ndaj sytë i mbante të gozhduar,
andej nga dielli po ikte,
në horizont duke u shuar,
dhe zemrën djalit do t’ia fikte!

Po ndriti çasti i mrekullisë,
sa mendja nuk ja pret njeriu,
nga klithmë e zjarrtë e dashurisë,
në horizont Dielli ngriu!

Dhe më s’lëvizi asnjë grimë,
po vetëtiu si n’agim,
dhe shpirti i djalit që po fikej,
iu kthye jetës me rrëmbim!

Ka ndodhur kjo me të vërtetë,
sepse legjenda nuk mbaron,
në një qytet që nuk ka net,
po vetëm Diell që s’perëndon!

Po veç një Diell që s’perëndon,
që ndrin dhe ndrin dhe vetëm ndrin,
ti mik i dashur-që s’beson,
vrapo ca ditë gjer në Dublin!

Ky është fundi i historisë,
që Lashtësia do tregonte,
ku klithmë e zjarrtë e dashurisë,
e bëri Diellin të ndalonte!

Dhe kjo ka ndodhur në Dublin,
aty ku Dielli s’perëndon,
dhe që ahere-pa dyshim,
dhe djali rron-dhe vajza rron!

Dublin, 16.06.2003

Arben Duka June 17, 2016 10:39
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*