Lëshimi i titujve akademikë, kritere të reja për aplikuesit e universiteteve  

August 11, 2015 17:25

Lëshimi i titujve akademikë, kritere të reja për aplikuesit e universiteteve  

Me hyrjen në fuqi të ligjit për arsimin e lartë do të ndryshojnë edhe rregullat e dhënies së titujve akademike. Sipas propozimeve të bëra në ligj nga komisioni i reformës për arsimin e lartë dhënia e titujve akademikë u takon vetëm institucioneve të arsimit të lartë, të llojit “universitet”. Këto të fundit duhet që para dhënies së titujve të faktojnë se ushtrojnë veprimtari akademike dhe kërkimore-shkencore në mënyrë të vazhdueshme, për jo më pak se dhjetë vjet që nga krijimi i tyre, të jenë të akredituara. Gjithashtu, universitetet duhet të kenë të punësuar si personel akademik, jo më pak se 18 anëtarë të personelit akademik që mbajnë titullin “Profesor”, me kohë të plotë, me kontratë me kohëzgjatje të pacaktuar, si dhe të ofrojnë studimet e doktoraturës apo specializime afatgjata. Nga ana tjetër ligji ngarkon universitetet që të përmbushin edhe kritere të tjera shtesë që mund të përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave. Në nisje të çdo viti të ri akademik, MAS do të zbardhë edhe listën zyrtare të institucioneve të arsimit të lartë që përmbushin kriteret për dhënien e titujve akademikë. Ndërkohë që standardet shtetërore për fitimin e titujve “Profesor” dhe “Profesor i asociuar” do të përcaktohen vetëm me vendim të Këshillit të Ministrave. Referuar detajimeve të bëra në nenin 60 të ligjit, saktësohet se për fitimin e titullit “Profesor i Asociuar” mund të aplikojë personeli akademik që gëzon gradën shkencore “Doktor”, përmbush standardet shtetërore për fitimin e titullit dhe është personel akademik i kategorisë “Lektor”, prej së paku pesë vitesh. Ndërsa për fitimin e titullit “Profesor” mund të aplikojë personeli akademik që gëzon prej së paku pesë vjetësh titullin “Profesor i asociuar” si dhe përmbush standardet shtetërore për fitimin e titullit. Personeli akademik i universiteteve që nuk përmbushin kriteret për dhënien e titujve akademikë, si dhe personat, të cilët nuk janë personel akademik pranë ndonjë institucioni, por përmbushin standardet për fitimin e titujve, paraqesin kërkesën pranë një institucioni i cili përmbush kriteret për dhënien e titujve.

Aplikimi me dosje deri në marrjen e titullit

Kandidati për fitimin e titullit “Profesor i asociuar” ose “Profesor” paraqet dosjen pranë drejtuesit të njësisë kryesore. Dosja e kandidatit i përcillet senatit akademik, pas vlerësimit paraprak të njësisë bazë. Senati i kalon dosjen komisionit të përhershëm për Promovimin e Personelit akademik, i cili merr vendimin përfundimtar pas vendimit të jurisë teknike mbi përmbushjen e standardeve. Titulli regjistrohet në regjistrin shtetëror të gradave shkencore dhe titujve akademikë pranë Ministrisë së Arsimit. Diploma e titullit “Profesor” dhe “Profesor i Asociuar”lëshohet nga institucioni dhe firmoset nga Rektori. Në rast vlerësimi negativ të kërkesës për fitimin e titullit “Profesor i asociuar” ose “Profesor”, kandidatit i lind e drejta të ripërsërisë kërkesën pas një periudhe kohore jo më të shkurtër se dy vjet. Personelit akademik që mban titullin “Profesor” pas daljes në pension, në vlerësim të veprimtarisë së spikatur akademike, me propozim të njësisë bazë ku ka zhvilluar karrierën e tij dhe me vendim të senatit akademik, i akordohet titulli “Profesor Emeritus”.

 

 

August 11, 2015 17:25
Komento

Ende pa komente

  1. Qamil Lireza Universiteti " A.Xhuvani" Elbasan December 27, 11:47

    Jane mbushur pkot 3 muaj nga pergundimi i afatit te KVTA se. Pse nuk procedohet se si do te vazhdohet me dosjet qe nuk u mbtllen dot ne KVTA
    Pse nuk ngrihet ai Komision i Perhereshem prane Rektoratebve per vazhdimin e procedurave >

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*