Letër bashkëmoshatarëve

Nga Redan Bushati - Shkodër June 20, 2013 15:07

Letër bashkëmoshatarëve

Të afërm, miq, shokë, dashamirës dhe ju me të cilët patëm rastin të takoheshim, qoftë dhe njëherë të vetme për të shkëmbyer mendimet tona, më lejoni t’ju drejtohem përmes një letre publike.

Si bashkëmoshatarë i juaji, të nderuar miq, shokë dhe shoqe, më të cilët ndamë bankat e shkollës dhe vitet tona më të bukura, që nga 8-vjeçarja e atëhershme (9-vjeçarja e sotme), gjimnazi e deri në botën akademike, që në përgjithësi vijmë nga brezi i viteve ’90, teksa i hapëm sytë për të vijuar jetën nën aromën e demokracisë, siç edhe e shikoni, në këto 23 vite bilanci na tregon se Shqipëria jonë e dashur, kombi ynë rrëzëllues, nuk ka ecur aq sa duhej të ecte; nuk është zhvilluar dhe nuk ka kapur ritmet e duhura europianizuese. Përkundrazi.

Në mungesë për t’ju takuar kokë më kokë, zgjodha përmes këtyre radhëve t’ju drejtohem miqësisht, pasi kam një brengë të madhe për fatin e vendit tonë. T’ju them që e dua me shpirt, kjo është e tepërt. Vlen t’ju përmend veç faktin kur më 29 mars 2010, edhe pse nga strukturat e larta të policisë së shtetit kisha marrë një ditë më përpara informacione konfidenciale që do të më arrestonin ose diç tjetër do të vuaja më pas, nuk e vura për asnjë moment në dyshim se protesta kundra ofendimeve të atëhershme të ushtrisë greke duhej bërë. Si ky moment, edhe momente të tjera jam treguar mospërfillës qoftë ndaj formacionit politik të cilit i përkisja asaj kohe, qoftë ndaj kërcënimeve prej qarqeve antiatdhetare, qoftë edhe ndaj strukturave policore të shtetit shqiptar. Kësisoj, ngaqë e dua këtë Shqipëri të mjerë, këtë komb të krijuar me gjak e lirinë e fituar me forcë shembullore, vendosa t’ju kumtoj shqetësimin tim, i cili ka ardhur në rritje të vazhdueshme.

Fati i Shqipërisë është edhe i juaji; fati i kombit shqiptar është i secilit prej nesh. Të gjithë jemi të rëndësishëm për të ardhmen e kombit tonë dhe të gjithë jemi të panevojshëm për të, sikundër jemi dëmtues nëse veprojmë gabimisht karshi tij. Unë përpiqem ta kuptoj faktin se një shoqëri e dhunuar që në fillimet e veta, qysh në kohët më të lashta, duke filluar me pushtimin romak, me 500 vitet e sundimit otoman, fashizmin mbi krye, 50 vitet e komunizmit dhe tanimë 23 vitet e kinse demokracisë, jo vetëm që e kanë lodhur kombin shqiptar (ah, sikur të ishte vetëm kaq!), por ia kanë rreckosur idetë, ia kanë ndalur zhvillimin, ia kanë shtrydhur mendjen dhe nëpërkëmbur dinjitetin. Shikoni shumë prej miqve e shokëve tanë. Vini re se si janë bërë! Një pjesë s’njihen më. Disa prej asish të përbaltur skajshëm marrin poza të çuditshme, duke harruar ç’mendime kanë ndarë deri para ca muajsh, se nuk po them vitesh, me secilin prej nesh, e sot rropaten të bëjnë servilin për gjëra jo vetëm personale, por edhe tepër qesharake. Një sjellje e tillë pështirosëse, ndonëse është pragmatiste për zënien e një ofiqi a një vendi të vogël pune, është shumëfish e dëmshme për të ardhmen e shoqërisë, të ardhmen e fëmijëve tanë. Ne sot kemi të ardhmen në duart tona: zhvillimin e Shqipërisë.

Miq, më besoni, sot është koha të hapim një dritare të re. Dhe këtë dritare mund ta hapim së bashku. Ne mund ta bëjmë një gjë të tillë dhe jo vetëm me fjalë. Pyetja thelbësore, që secili duhet t’ja bëjë vetes, është: përderisa kemi hequr kaq e kaq andralla, pse duhet t’i japim votëbesimin tonë atyre që na kanë sjellë gjithë këto shqetësime? Nëse tregohemi argumentues, e jo militantë apo lajkatarë të së keqes, do të nxjerrim konkluzionin e duhur që, e keqja kombëtare është e keqja e gjithsecilit prej nesh, prandaj duhet ta shporrim atë.

Të afërm familjarë, ne asnjëherë se deshëm të majtën. Historikisht kemi qenë me të djathtën, madje qysh në kohën e Mbretit Zog, e sidomos gjatë komunizmit, ku ndonëse nuk patëm të pushkatuar, vuajtëm si të diferencuar, të përbuzur dhe shpronësuar e të hedhur rrugëve si të leckosur. Madje, Partinë Socialiste të sotme gjithherë e kemi lidhur me komunizmin, me Enver Hoxhën, Ramiz Alinë e farën e pistë të këtij lloj degjenerimi njerëzor. Por në fakt, siç po e vini re, nuk ka ndarje ideologjike në vendin tonë. Nëna e Arben Brocit vëren me pështjellim në zemër se në partinë e djalit të saj, që luftoi për demokracinë e vendit, janë xhelatët e tij, apo bijtë e tyre, duke filluar nga Lufter Xhuveli e deri tek i mbrami, Kastriot Islami. Në krahun tjetër, tek Partia Socialiste ke demokratë njëzet e katër karatësh si Spartak Ngjela e Kurt Kola, që u përpëliten burgjeve. Kështu, siç e shikoni s’bëhet fjalë për ndarje ideologjike në të majtë e në të djathtë. Sot ka grupe interesi, që orvaten të marrin votën tuaj më 23 qershor e më pas për të mbushur xhepat e tyre me mandatin e deputetit, jo përmes rrogës që marrin si të mandatuarit tuaj në Kuvendin e Shqipërisë, por përmes allishverisheve të tjera, nga tenderat e ndryshëm deri tek aleancat e fshehta me ata që janë në pushtet. Kështu, ju ftoj të hapni sytë. E keqja duket ashiqare. Nuk është e vështirë ta dallosh, po duhet të jesh realist kundrejt situatës aktuale. Veç kaq mjafton që t’iu venitet gjithë kjo maskaradë politike, e cila ka sjellë shumë e shumë të këqija e o Zot sa pak të mira.

Miq e shokë, sidomos ju të 12 viteve të para të shkollimit, tashmë një pjesë e juaja është stabilizuar në punë të ndryshme ose po përfundon masterat në degët e fituara. Ju kërkoj të besoni në energjitë tuaja dhe të bindeni se vota është e shenjtë. Jo vetëm është turp, por edhe fyerje e inteligjencës, karakterit, dinjitetit e personalitetit tuaj hedhja kuturu e saj, apo qoftë dhe vetëm për ca interesa të ndotura partiake. Dikur pishtari i demokracisë Azem Hajdari thoshte pak a shumë kështu: “Ne kemi në dorë diçka që ata s’mund ta kenë kurrsesi: moshën e re”. Prandaj, le të bëhemi promotor të zhvillimit të vendit, që më pas të marrim frenat e zhvillimit të tij në duart tona. Ju të gjithë e dini se në Shqipërinë tonë të vogël nuk ka as meritokraci, as drejtësi, as sistem të kualifikuar dijesh, as pavarësi mediatike, as mbajtje fjalësh e premtimesh politike, as ekonomi të superzhvilluar sikurse thuhet. Ju të gjithë e dini se në rastin më të keq universitetet tona janë të korruptuara, e në rastin më të mirë ju kurrseni nuk pandehni se jeta jonë akademike është më e arrirë se e një studenti në Gjermani, Angli, SHBA, Kanada, Itali, Francë, Danimarkë, Suedi etj. Ju e dini, e së bashku me ju edhe unë, se sa kanë harxhuar prindërit tanë që ne të vijojmë një jetë të rregullt studentore. Ne të gjithë thuajse jemi sa nevojtarë, aq edhe borxhli ndaj familjarëve tanë. Nuk kemi luksin të shkojmë një jetë të pavarur si bashkëmoshatarët europianë. Një familje me përkrahje sociale nuk e ka të mundur të çojë fëmijët në universitet. Këtë s’mund ta mohoni, apo jo?! Një i moshuar me pensionin e tij krahas ushqimeve kurrsesi s’mund të mbijetojë për të blerë edhe ilaçet, që në këtë stad të moshës janë të nevojshme. Një fëmijë handikap assesi nuk ka një komunitet të caktuar, ku ai të ketë lehtësi socializuese, dhe familja e tij të ndihet e pashqetësuar së paku ekonomikisht. Ju të gjithë e dini se lista e problemeve është një çarçarf, që tek ne s’ka të sosur. Dhe deri kur kështu? Derisa ju dhe unë së bashku me ju të jemi në një rrugë, në rrugën e drejtë të asfaltit, i cili është shtruar nga ne pa hile, ashtu si është projektuar. Dhe projektin do ta bëjmë ne, të gjithë së bashku për të ardhmen tonë, që asfalti i sotëm mos të prishet pas dy muajsh, por të qëndrojë për një kohë relativisht të gjatë dhe të ripërtërihet e mirëmbahet në kushte bashkëkohore. Ëndrrat tona të sotme janë po ata që patën studentët e dhjetorit ’90. Liria është e cunguar, pavarësia e pushteteve e cënuar dhe sistemi politik i radikalizuar. Atëherë, duhet një lëvizje e fuqishme që vetëm ne mund t’a bëjmë e t’ia japim zhvillimit historik të Shqipërisë. Por fillimisht ta nisim si njerëz vizionar, duke i dhënë shkelmin fatal copëzave të diktaturës së djeshme, për të nisur një udhëtim tjetër, që edhe nëse nuk është më i mirë, është disa herë më i lehtë për t’u rrëzuar sesa instalimi i plotëfuqishëm i një diktature komuniste në ditët e bardha demokratike, që për ne qenkan kaq të zymta. Unë jam njëri prej jush, e ju këtë e dini më së miri. Jam me ju në çdo udhëtim të mundshëm, nëse ai është për të mirën e vendit. Sa për merita, në dreq vafshin të gjitha ato! S’ka rëndësi kush do ta nisin luftën i pari, i dyti apo i fundit, e rëndësishme është që së toku të shembim diktaturën 23-vjeçare dhe të nisim një epokë të re. Italia fqinje na e dha një model, Beppe Grillo thotë shpesh Fatos Lubonja në “Opinion”. Por ne nuk kemi pse i ngjajmë askujt. Me inteligjencën tonë përqasim vlerat më të mira të demokracive europiane dhe i implementojmë ato në vendin e shqipeve.

Në fund fare, në pamundësi për t’jua dhënë këtë mesazh të gjithëve, ju ftoj juve njerëzit e familjes sime; farefisit me xhaxhallarë, halla e teze; miqve më të mirë, të orëve të para e të fundit; shokëve e shoqeve të shkollës; kolegëve sportistë apo me ata që punuam për njëfarë kohe me strukturat studentore, politike apo gazetareske, që të reflektojmë. Këto çka unë them mund të mos jenë më të mirat, por më të këqija se e keqja e sotme s’ka pikë dyshimi që nuk janë. Kështu shporrim të keqen e sotme, pastaj mund të ndërtojmë qelizat e një shteti demokratik. Përndryshe, me ekperiencën e shembjes, mund të shembim sërish, por kësaj here me lehtësi më të madhe, pasi shembja më e bujshme në këto 23 vjet do të jetë kjo e tanishmja, dhe një ditëz patjetër do të ndërtojmë Shqipërinë Europiane, atë që deshëm të gjithë në vitet ’90 dhe që morëm së bashku Ndoc Rrokun deri tani që po flasim. Përderisa të gjithë jeni të mërzitur nga kjo klasë politike do të thotë se ajo nuk është e mirë. Hajde, pra, të zgjedhim atë që na duhet, atë që na përfaqëson më drejtë, më mirë! Thirrja ime e fundit është: merrni pjesë në votime. Vota është e drejtë e sovranit. Njerëzit që kanë detyrime morale karshi vetes, detyrime të qenësishme ndaj së ardhmes së familjes e detyrime qytetare ndaj shoqërisë, duhet të shkojnë të hedhin votën e tyre në kutitë e votimit, cilado qoftë ajo. Secili përfaqësohet me votën e tij: kush ndihet i papërfaqësuar e i zhgënjyer nga kjo klasë politike hedh një votë të bardhë në kutinë e votimit, ai që vlerëson njërën prej partive voton për atë e kështu me radhë. Ja, pra, të afërm, miq, shokë e shoqe, dashamirës dhe të njohur, kjo është demokracia. Besoj në mirëkuptimin tuaj. Qofsha i gabuar, por kërkesa ime besoj se është e thjeshtë dhe e kuptueshme. Votoni më 23 qershor për të shembur parinë e bijve të komunizmit dhe për të ndërtuar Shqipërinë e ëndrrave tuaja, jo atyre me sy mbyllur, po atyre me sy hapur. Mirëudëgjofshim!

 

I juaji në çdo kohë,

Redan Bushati

Nga Redan Bushati - Shkodër June 20, 2013 15:07
Komento

3 Komente

  1. beni June 21, 16:04

    SHBA e Berisha ju ka lene pas 90`ne opozite dhe keni ngelur pa pune, pa leke. Vetem grate gjejne pune po ishin te mira……….Ju degjeneroi Imperializmi Amerikan o komunistet e Enverit.

    Reply to this comment
  2. Florent Hoxha June 22, 03:36

    Nese duam demokraci duhet t’ja nisim nga A-ja, dhe kjo eshte hedhja e votes. Kuptohet qe me hedhje vote nenkuptohet qe votuesi duhet ta beje kete me pergjegjesi per kandidatin qe i duket se e meriton. Pergezime z. Bushati per kete shkrim sensibilizues. Shpresoj ne votime te qeta.

    Reply to this comment
  3. Luli June 22, 17:54

    Përshëndtje z. Bushati ! Jam 52 vjeç dhe e lexova letren dërguar bashkëmoshatarëve tuaj. Të lumtë që jeni kujtuar pikërisht në momentin më deçiziv, në të cilin ndodhet jo vetëm Shqipëria politike, por i gjithë kombi ynë. Jam shumë dakord me ato ç’farë keni prekur në letrën tuaj. Besoj se këtë thirje duhet t’a përqafojnë jo vetëm bashkëmoshatarët e tu, por dhe ato të moshës time.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*