Letër e hapur mbi ligjin për “Statusin Naftëtar” dhe punonjësit e Instituteve të naftës

April 12, 2019 12:03

Letër e hapur mbi ligjin për “Statusin Naftëtar” dhe punonjësit e Instituteve të naftës

Z.Edi Rama, Kryeministër i Shqipërisë

  1. Belinda Balluku, Ministre e Energjetikës
  1. Taulant Balla, Kryetar i grupit parlamentar të PS
  1. Deputet që mbulojnë zonat naftëmbajtëse
  1. Gramoz Ruçi, Kryetar i Parlamentit të Shqipërisë

Gjithë Naftëtarëve

Shkurt, jam diplomuar inxh. Gjeolog nafte në vitin 1980 dhe Doktor i Shkencave Gjeologjike në vitin 1995. Kam punuar në industrinë e naftës 19 vjet e gjysmë, nga këto 18 vjet në Institutin e Kërkimeve dhe Projektimeve Gjeologjike të Naftës dhe Gazit Fier. Që në moshën16 vjeç (1970 fillova studimet në Teknikumin e Naftës, Kuçovë) dhe deri në vitin1998, kam studiuar, menduar, dhe punuar, duke kontribuar me devocion, në fushën e gjeologjisë për kërkim-zbulimin dhe zhvillimin e vendburimeve, për të rritur prodhimin e naftës dhe gazit, pra për të dhënë sa më shumë të ardhura monetare për ekonominë, popullin dhe fuqizuar atdheun tonë. Fillova punë si laborant, në laboratorët e shpim-kërkimit të puseve të gazit në vendburimin Divjakë; në vitin 1979 fillova punë inxh. gjeolog në ndërmarrjen e shpim-shfrytëzimit Patos, në vendburimin Cakran-Mollaj; në vitin 1981 më transferuan në Institutin e Kërkimeve dhe Projektimeve Gjeologjike të Naftës dhe Gazit Fier; në fund të vitit 1998 emigrova në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me kokën pas,dhe gjithmonë me shpresën se një ditë mund të kthehem për të punuar e kontribuar prapë në vendin tonë.

Ne të diplomuarit dhe të punësuarit mbas të ashtuquajturës “veprimtari armiqësore” në naftë,në vitin 1974, mund të konsiderohemi pa hezitim një brez naftëtarësh jo pak i vuajtur dhe i lodhur,i cili vjen direkt mbas asaj plejade të naftëtarëve të parë heroik të cilët krijuan nga hiçi industrinë shqiptare të naftës dhe gazit, ku sot pjesa më e madhe e tyre nuk jetojnë më dhe një numër shumë i vogël jetojnë ditët e fundit në moshën e tretë me një pension varfërie.

Gjatë gjithë kohës, krahas vështirësive të punës në sektorin e naftës, që lidheshin si me kushtet teknike të punës ashtu dhe ato të jetesës, këtu mund përmende dhe presionin e madh politik që bëhej në atë kohë nga partia në pushtet ndaj specialistëve të naftës në përgjithësi dhe veçanërisht ndaj specialistëve të institutit gjeologjik të naftës deri në fund të vitit 1990, kur u shkatërrua sistemi komunist dhe bashkë me të filloj dhe shkatërrimi barbar i industrisë së naftës. Por jo më pak edhe mbas kësaj periudhe, d.m.th. më vonë pas vitit 1992, kur pushteti u uzurpua nga llumpeni, nuk bëhej më fjalë për të punuar dhe rritur prodhimin e naftës dhe gazit por si t’i shkurtojmë deri në shkatërrim të plotë këto hallka shkencore prodhuese që injoranca i konsideronte si të “tepërta” në industrinë e naftës, pra u shtua një presioni jashtëzakonshëm psikologjik dhe filluan kërcënimet me vendin e punës, d.m.th. diskutohej dhe vihej në diskutim buka e gojës dhe ky presion nuk ishte më i vogël se ai deri në vitin 1990, ku mund të përfundoje dhe në burg. Pasiguria për vendin e punës,kushtet e vështira ekonomike, si dhe pasiguria për jetën, detyroi shumicën e punonjësve të naftës dhe sidomos inteligjencën që punonte në këto institucione shkencore të rëndësishme dhe në të gjithë industrinë e naftës të arratisën nëpër botë.

Kamë lexuar ligjin nr.8/2017 të miratuar në Kuvendin e Shqipërisë mbi “Statusin Naftëtar”. Ju përgëzoj për këtë nisëm dhe ligj që kërkohej prej vitesh, por që në fillim do ta konsideroj atë si një ligj absurd, që është hartuar pa përgjegjësi, jo nga specialist të fushës, por që mund të jetë edhe i qëllimshëm për të përjashtuar sa më shumë punonjës të kësaj industrie nga skema për “Statusin Naftëtar”. Për të përfituar “Statusin Naftëtar” me këtë ligj, është miratuar që kufiri minimal të jetejë më pak se 20 vjet punë në naftë për burrat dhe 15 vjet për gratë, dhe me kusht që të kenë një kontribut sigurimi të përgjithshëm në punë përkatësisht 30 vjet dhe 25 vjet. Bazuar në këtë ligj, pjesa më e madhe e naftëtarëve që kontribuuan në industrinë e naftës pas vitit 1974, ku përfshihet ajo pjesë që në masivitet emigruan jashtë shtetit, ata që u hoqën nga puna padrejtësisht për motive politike, apo një pjesë e inteligjencës që janë transferuar nga sektori i naftës për shkak të riorganizimit ose për arsye të ndryshme, nuk e përfitojnë“Statusin Naftëtar”, sepse për kushtet e krijuara në të gjithë këtë histori të gjatë mizerabël tranzicioni është shumë e vështirë ose më saktë e pa arrirë që t’i plotësojnë kriteret e mësipërme për dy arsye:

E para, kjo kategori punonjësish ka punuar më pak ose rreth 20 vjet në industrinë e naftës dhe në ndonjë rast të rrallë diçka më shumë, sepse emigrimi ose heqja nga puna për arsyet e mësipërme filloj menjëherë pas rënies së sistemit komunist, më saktë në vitin 1992, kur në pushtet erdhi Partia Demokratike. Ky është absurdi i parë, sepse vjetërsia minimale në punë për të përfituar një pension të pjesshëm ose gjysmë pensioni, në të gjithë sektorët e ekonomisë tonë, në mos gabohem,është sanksionuar me ligj 15 vjet kontribut sigurimi. Atëherë, pse na u dashka që për ne naftëtarët kufiri minimal për të përfituar “Statusin Naftëtar” të jetë 20 vjet kontribut në naftë ose më shumë dhe pse të mos jetë ky kufi i barabartë dhe i unifikuar me kufirin e vjetërsisë minimale që përfiton pensionin e pjesshëm të pleqërisë?

Zotërinj këtu po përmend një fakt ku të gjithë jemi dëshmitar, që në vitin 1992, kur në pushtet erdhi Partia Demokratike, për punonjësit e industrisë së naftës filloj një reprezalje e pa parë dhe e pa dëgjuar ndonjëherë ku u hodhën pa të keq si lecka në rrugë punëtorët dhe specialistët me eksperiencë dhe u zëvendësuan me militant të saj, pra ata i seleksionuan të punësuarit dhe punësonin njerëz pa eksperiencë bazuar vetëm në kriterin partiak. Këto lloj aventurash dhe çmendurish që ndodhën në këtë periudhë në gjithë Shqipërinë, si dhe në sistemin e naftës, që e kemi përjetuar pothuajse të gjithë ne naftëtarët, nuk ma merr mëndja se është parë ose dëgjuar në ndonjë vend demokratik në botë. Eksperienca në punë dhe specialistët e shkolluar me eksperiencë janë dhe mbeten kriteret bazë të punësimit kudo edhe në ekonomitë kapitaliste botërore, sepse partitë në pushtet ndërrohen sa herë që populli nuk i do më, por eksperienca e punonjësve dhe specialistët me eksperiencë janë dhe mbeten kapitali i pa zëvendësueshëm. Puna dhe shkenca nuk kërkojnë politikan por specialist dhe punëtor me eksperiencë. Akoma më keq, pjesa më e madhe e këtyre militanteve partiak, pa eksperiencë,vetëm merrnin rrogën në kompanitë e naftës dhe ndërkohë bënin punë private ose punonin jashtë shtetit. Kjo situatë vazhdoj gjatë gjithë kohës së qeverisjes së parë të Partisë Demokratike, bile pjesërisht edhe gjatë qeverisjes së z. Nano. Ajo u intensifikua më shumë akoma me ardhjen prapë në pushtet të Partisë Demokratike dhe deri në vitin 2013 kur pushtetin e mori prapë Partia Socialiste, e cila bëri një farë riorganizimi të Albpetrolit dhe pastroj listat nga këta punonjës që paguheshin pa punuar, por pa i ndëshkuar ata që i kishin regjistruar si të punësuar dhe që i dërgonin rrogën në shtëpi ose që e përvetësonin vetë drejtuesit. Thjeshtë po të llogaritësh këtë periudhë kohe, pra 1992-2013, i takon që një pjesë e kësaj kolonie militantësh partiak, zyrtarisht të punësuar e të paguar dhe pa asnjë lloj kontributi në naftë, me këtë palo ligj, mund të përfitojnë ca të ardhura prapë duke përfituar “Statusin Naftëtar” dhe ne jo.

E dyta, kjo kategori punonjësish (që për arsyet e përmendura më lartë janë larguar nga nafta), edhe në qoftë se ndonjëri që ka punuar 20 vjet ose diçka më shumë në industrinë e naftës (ose 15 vjet për gratë) nuk e përfiton prapë “Statusin Naftëtar”, sepse kontributi i tij i sigurimit (për arsyet e më sipërme) është ndërprerë, pra nuk plotëson kriterin tjetër të ligjit që kërkon që punonjësi të ketë një kontribut të përgjithshëm sigurimi 30 vjet për burrat ose 25 vjet për gratë. Pra, edhe në qoftë se paske punuar kaq vite në naftë (20 vjet për burrat ose 15 vjet për grat), ky kriter i ligjit në këtë rast kërkon akoma, që ne shkencëtarët ose specialistët e naftës të kemi të paktën edhe rreth 10 vjet kontribut sigurimi jashtë kësaj industrie, po vallë ku? Në bujqësi, në blegtori, apo karrocier? Neve nuk përfituam asnjë lloj prone nga privatizimi i pas 1990-tës, sikurse përfituan punonjësit e degëve të tjera të ekonomisë. Pra, ku është objekti jonë i punës? Duhet të dini mirë zotërinj se objekti i punës për naftëtarët ishte vetëm nafta. Në atë kohë shumë njerëz nuk e preferonin, sepse ishte një punë me përgjegjësi të lartë, me kushte pune shumë të rënda dhe kushte familjare shumë të vështira. Sa punonjës janë sakrifikuar,sidomos,në institutet e naftës, nëpër grykat e puseve të shpimit apo prodhimit dhe në fontanat e hapura? Pra, këtu absurditeti bëhet akoma më i madh sepse kërkon të lidhë dy kontribute sigurimi në sektor të ndryshëm të ekonomisë, thjeshtë mekanikisht, dhe pa asnjë lidhje profesionale ose argument logjik, por vetëm e vetëm sepse kështu e propozuan ata “specialistët” që hartuan ligjin dhe ata “ligjvënësit” qe e miratuan këtë ligj. Kjo lë të kuptohet,dhe përforcon më shumë atë, se bëhet qëllimisht dhe vetëm për të përjashtuar sa më shumë punonjës që të përfitojnë “Statusin Naftëtar”.

Këtu do të shtrojë një pyetje sepse nuk e kuptoj logjikën e atyre, “specialistëve”, që kanë përgatitur dhe atyre, pseudo naftëtarëve deputet, që e kanë diskutuar dhe miratuar ligjin; pse “Statusi Naftëtar”, 20 vjet punë në naftë (15 vjet për gratë) duhet të kushtëzohet me kontributin e përgjithshëm të sigurimit 30 vjet për burrat ose 25 vjet për gratë? Këto janë dy gjëra të ndryshme sepse për të gjithë ata që fitojnë “Statusin Naftëtar”, sipas këtij ligji, sigurimet shoqërore do të paguajnë një shtesë prej 1% ose 0.6% vetëm për çdo vit pune që secili ka punuar në naftë. Nuk paguan këtë shtesë prej 1% ose 0.6% për çdo vit të punës për pjesën tjetër që punonjësi ka punuar jashtë sektorit të naftës dhe në qoftë se e paguan këtë nuk është e drejtë. Le të marrim një shembull të thjeshtë: Jemi dy shok ose koleg, me të njëjtin status dhe kohë pune aktive në sektorin e naftës, p.sh. 20 vjet, pas kësaj kohe njëri nga ne ka punuar në punë të tjera jashtë sektorit të naftës dhe tjetri nuk ka punuar më ose është larguar jashtë shtetit sikurse është përmendur më sipër. Në këtë rast ky i fundit, sipas këtij ligji, e humbet të drejtën, pra nuk e fiton “Statusin Naftëtar”, ndërsa tjetri e fiton dhe merr shpërblimin shtesë të pensionit prej 20% (ose 12%) për vitet që ka punuar në naftë. A është i drejt ky ligj në këtë rast kur të dy këta punonjës kanë kohë të barabartë pune dhe kontributi në sektorin më të vështirë, në naftë? Pra, kontributi për vjetërsi pune në industrinë e naftës nuk duhet të lidhet ose ngatërrohet në asnjë mënyrë me kontributin e punës jashtë sektorit të naftës.

Zotërinj, unë seriozisht do të sugjeroja që ti shikoni mirë këto dhe mundësinë për ta përmirësuar dhe ndryshuar ligjin mbi“Statusin Naftëtar”, në mënyrë që të përfshij të gjithë naftëtarët që kanë dhënë kontribut në këtë industri për një periudhë kohe minimale të barabartë me kohën për pension të pjesshëm, pra të paktën 15 vjet. Kjo do e bënte ligjin më të arsyeshëm, më të plot dhe logjik, ku secili do të marr kontributin që ka dhënë në atë industri. Diferenca midis kohës minimale prej 15 vjet, për të përfituar pension të pjesshëm dhe viteve që kërkohen si kontribut minimal në naftë sipas këtij ligji për burrat është shumë e vogël, dhe nuk ka argument pse duhet të jetë 20 vjet dhe jo 15 vjet ose më pak.

Zotërinj, pa përmendur punën dhe sakrificat e mëdha të paraardhësve të mi, por edhe gjatë periudhës time në Institutin e Kërkimeve dhe Projektimeve Gjeologjike të Naftës dhe Gazit por dhe në atë Teknologjik, është bërë një punë kolosale duke kryer një numër të konsiderueshëm studimesh shkencore gjeologjike, në të gjithë territorin shqiptar, dhe veçanërisht direkt për vendburimet e naftës dhe gazit ose në shërbim të tyre duke i shoqëruar ato me projekte pusesh për shpim dhe kompletim të cilët kanë prodhuar dhe prodhojnë akoma naftë e gaz dhe që kanë pasuruar dhe vazhdojnë të pasurojnë akoma kompanitë e huaja koncensionare dhe politikanët që fshihen pas tyre. Konkretisht, unë për rreth 10 vite rresht deri në vitin 1991, në këtë institut, kam drejtuar departamentin e zhvillimit të vendburimeve të naftës dhe gazit duke filluar nga Durrës-Kryevidhi, në Patos-Marinës-Kuçovë, Ballsh-Cakran-Gorisht dhe deri në Delvinë, ku së bashku me kolegët kemi dhënë një kontribut të madh në projektimin e puseve të rinj, zbulimin e rezervave të reja të naftës dhe gazit, përgatitjen e tyre për shfrytëzim, që ishin bazë për rritjen dhe stabilitetin e prodhimit në këto vendburime, sepse zbulimi i fushave të reja naftë gazmbajtëse në këtë periudhë u bë shumë i vështir dhe i pamundur. E njoh shumë mirë kapacitetin e vendburimeve tona të naftës dhe gazit. Punonim për zgjerimin dhe zhvillimin e tyre 10-12 orë në ditë, nuk bënim as lejen e zakonshme vjetore, ndonjëherë edhe pushimin e javës nuk e kalonim pranë familjes, jetonim në godinat e vjetra me lagështi të qytetit të Patosit, ku në shumë raste mungonin dritat, nuk kishte as ujë për t’u larë, hanim si mos më keq. Kishte raste që punonim gjithë ditën dhe pas pune shkonim në vendburime, për të ndjekur gjithë natën ecurinë dhe testimin e ndonjë pusi ose në mbledhjet e sektorëve të nxjerrjes, ku diskutoheshin planet e fryra të prodhimit të naftës dhe gazit të cilat diktoheshin nga lartë.

Nuk mund të lë pa treguar këtu një rast, ku bashkë me kolegët nga të dy institutet, kemi ndjekur dhe studiuar me përgjegjësi të lartë, për më shumë se një muaj, ecurinë e prodhimit në pusin Delvina-12, jetonim dhe hanim si mos më keq, pa u larë, ku gjithë ditën punonim dhe diskutonim rezultatet e pusit se kërkohej përgjigje se çfarë do bëhej me të dhe cila ishte perspektiva e zonës për shpime të reja. Nuk na jepnin as makinë për të shkuar në ndonjë hotel që të bënim ca orë gjumë, por kur binte nata prisnim që të shkonin punëtorët e turnit të tretë në punë dhe të lironin krevatet e tyre për të fjetur ne, shkencëtarët e naftës. Kjo pra ishte puna në naftë dhe ky është ligji i famshëm që ju keni miratuar dhe që nuk mbështet punonjësit e këtij sektori.

Kishim institute nafte model, sa që edhe IFP do ta kishte zili, të kompletuar me pajisje dhe specialist të zot dhe me eksperiencë në të gjitha fushat e gjeologjisë dhe teknologjisë. Pas vitit 1990 kemi debatuar dhe dhënë shumë opsione, nga më të ndryshmet dhe bashkëkohore, për të ruajtur këto pasuri shkencore dhe natyrore me vlera kolosale financiare, por ishte më se e kotë, sepse qeveria e Partisë Demokratike kishte vendosur që t’i shkatërronte ato dhe e bëri sa hap e mbyll sytë, ndërsa socialistët në opozitë bënin sikur nuk dëgjonin ose sikur nuk kuptonin së çfarë po ndodhte, ndërkohë që shkencëtarët e naftës u detyruan të merrnin arratinë nëpër botë. Këto institute do të ishin një oponencë e fortë shkencore lidhur me shfrytëzimin racional të rezervave në to, koncesionet që jepeshin dhe zbatimin e programeve të tyre tekniko-financiare për investimet që duhet të bënin në vendburimet ekzistuese të naftës ose për sipërfaqet e reja të kërkimit,sepse që në atë kohë qeveritarët dhe politikanët dalloheshin qartë që ishin përfshire mirë në rrugën e korrupsionit dhe të shkatërrimit të tyre duke ja dhënë këto pasuri nëntokësore disa kompanive të huaja fantazmë, pa eksperiencë, pa emër, dhe pa para. Këto i morën të gjitha vendburimet falas dhe nga operator të tyre që duhet të ishin kontraktuar, u bënë pronar me të drejta të plota mbi to dhe mbasi i shfrytëzojnë barbarisht për ca vite dhe pa bërë asnjë lekë investim, pa paguar asnjë taks, ja shesin simotrave të tyre. Kjo gjë nuk ka ndodhur  edhe në vendet më të prapambetura të botës. Kishim pak shpresa se gjërat mund të ndryshonin rrjedhën me ardhjen e z. Nano në pushtet në vitin 1997 dhe z. Bufi ministër të energjetikës, por dhe ata nuk qenë të zot të ndalonin këtë maskarallëk dhe të administronin vendburimet e naftës, por përkundrazi i favorizuan këto kontrata, megjithëse ne, pjesa më e madhe e specialistëve dhe punëtorëve, nuk ishim dakord dhe i kërkonim atyre, me çdo kusht, që ato kontrata të vendburimeve të mos firmoseshin, por çdo përpjekje e jona ishte e kotë dhe dukej që edhe këta e kishin nuhatur mirë erën e korrupsionit që bëhej në naftë.

Drejtuesit partiak në çdo hallkë të industrisë së naftës si dhe një pjesë e qeveritarëve dhe deputeteve të lidhur me të, sapo merrnin frenat gufonin si ata gjelat e detit para vitit të ri, por me një dallim të madh midis tyre sepse këta të fundit nuk e dinin se i priste thika kurse ata ishin të vetëdijshëm dhe profesionist sepse po u hapej një dritare e re nga do të hynin parat e korrupsionit. Ata nuk e kishin mendjen fare se çfarë diskutonim dhe kërkonim ne që të mbijetonin këto pasuri shkencore dhe njëkohësisht vendburimet e naftës dhe gazit. Ata vazhdonin të qetë dhe me gjak të ftohtë, sepse vetëm korrupsioni në naftë do t’i bënte të pasur, me vila dhe prona të paluajtshme, ashtu sikurse janë bërë një pjesë e mirë e tyre, të cilët akoma dhe sot e kësaj dite qëndrojnë prapa kontratave të lidhura me kompanitë e huaja koncensionare. Këto nuk janë kontrata për të zhvilluar pasuritë tona natyrore nëntokësore dhe për të zhvilluar ekonominë por akte marrëveshje midis qeveritarëve dhe politikanëve me kompanitë koncensionare për korrupsion. Kjo nuk kërkon shumë mënd dhe ndonjë shkollë të madhe për të dalluar korrupsionin por mjafton vetëm, që në gjithë këtë periudhë tranzicioni, të krahasosh jetën luksoze dhe pasuritë marramendëse të drejtueseve partiak në industrinë e naftës, tregtarët, biznesmenët dhe politikanët e lidhur me të dhe t’i krahasosh me jetën e varfër të naftëtarëve të thjeshtë, qofshin këta edhe specialist të shkolluar me eksperiencë. E pa krahasueshme, sepse gjithë kjo lukuni hajdutësh ordiner të veshur me petkun politik, që në fillimet e demokracisë, u turrën si ata qenët në kërmë, sidomos në sektorët e nxjerrjes dhe përpunimit në këtë industri, mbasi atje korrupsioni ishte i majm dhe pasurimi i shpejt. Prandaj rënkojnë dhimbshëm ato pasuri natyrore dhe ekonomia kombëtare sot e kaq vite dhe ne zbuluesit e tyre i lutemi qeveritarëve për të bërë një ligj për “Statusin Naftëtar”.

Zotërinj qeveritar dhe politikan, dëgjojini mirë këto që ne specialistët shkruajmë nëpër gazeta, kaq kemi në dorë, se aty është puna dhe investimi jonë që është bërë ndër vite, djersa e gjaku i naftëtarëve dhe i taksapagueseve shqiptar. Në ato vendburime nuk janë zbuluar rezerva të reja nafte dhe gazi por vetëm vidhen ato ekzistuese dhe për zyrtarizëm abuzohet dhe mashtrohet duke i raportuar ato si zbulime dhe rezerva të reja. Aty do të gjeni mjaftë para për të na paguar ne për “Statusin e Naftëtarit” dhe për zhvillimin e ekonomisë. Dëgjojmë shpesh, nga ju qeveritar dhe politikan, se parat për të paguar shtesën e pensionit të naftëtarëve do merren nga buxheti i shtetit, pra një sakrificë e madhe që po bëni ju, shteti, që po na paguani ne një lëmosh duke taksuar qytetarët shqiptar, sepse ne nuk paskemi lënë kontribut sigurimi për këtë. Zotërinj mendohuni mirë kur bëni këto deklarata, sepse kontributi jonë për këto shtesa është atje, në ato vendburime që ne kemi zbuluar, brenda atyre kontratave abuzive, në ato marrëveshje të fshehta që janë bërë midis jush për pasurit marramendëse që i keni falur këtyre kompanive me emra fantazmëdhe që janë bërë sot pronar të tyre. Është paaftësia dhe dëshira juaj për të mos i kontrolluar dhe detyruar që ato të paguajnë taksat në shtet dhe të mos raportojnë se gjoja po punojnë me humbje. Në asnjë vend të botës, privati nuk punon një orë me humbje dhe jo më për vite të tëra. Logjik e papranueshme kjo, dhe ju bëni sikur rregulloni TVSH për kompanitë e shërbimit, sepse gjoja qenka kjo arsyeja që kompanitë koncensionare të nxjerrjes dalin me humbje. Pra, sipas kësaj logjike ju ligjëroni që kompanitë e nxjerrjes të vazhdojnë të raportojnë se po punojnë me humbje. Jo zotërinj qeveritar dhe politikan, nuk është kjo arsyeja,çdo kompani që punon, sidomos në sektorin e naftës, duhet të paguaj të njëjtën taks mbi fitimin, dhe kjo duhet të ishte bërë vite të shkuara, që në kohën e lidhjes së kontratave me to, sepse sot është shumë vonë. Arsyet pse kompanitë koncensionare të nxjerrjes raportojnë me humbje kërkojeni diku tjetër, tek abuzimet që ato bëjnë dhe lëshimet ose marrëveshjet e fshehta që janë bërë që në lidhjen e kontratave, pra duke shfrytëzuar relacionet tuaja për interesa që keni krijuar me ta, dhe në mes qëndron korrupsioni. Në krahasim me kohën tonë, prodhimi i naftës të paktën në disa fusha naftëmbajtëse me rezerva kolosale, është 3-4  fishuar dhe çmimi i naftës në tregun botëror është rritur me të njëjtën herës. Atëherë, si ka mundësi që këto kompani punojnë me humbje me këtë shfrytëzim barbar që po i bëjnë vendburimeve? Përgjigjen e dini ju. Historia e shkatërrimit të industrisë tonë të naftës është shumë e dhimbshme, sidomos për ne që kemi punuar në ato vendburime dhe e kemi jetuar gjithë këtë periudhë tranzicioni, ajo mbanë vulën tuaj, të qeveritarëve dhe politikanëve. Jemi përleshur me këta drejtues mafioz të emëruar nga Partia Demokratike dhe Socialiste, në të gjitha organet drejtuese të industrisë së naftës,që vetëm shkatërronin dhe vidhnin hapur këtë pasuri. Shkurt, shkatërrimi i institucioneve shkencore të naftës dhe dëbimi i specialistëve që punonin në to, kishte vetëm një qëllim shkatërrimin dhe vjedhjen e pasurive natyrore nëntokësore pa i kërkuar kush hesap.

Zotërinj, shpresoj dhe kamë besim të plotë që do të më kuptoni drejt, dhe do t’i merrni parasysh edhe mendimet e mia, dhe do ta përmirësoni ligjin për  “Statusin Naftëtar”, i cili do të ngrejë lartë moralin tonë dhe do të vlerësoj drejtë punën e vështirë që është bërë nga armata e madhe e naftëtarëve që e presin këtë ndryshim dhe që mendoj se ashtu si unë edhe ata janë të pa kënaqur nga ky ligj. Një ndryshim shumë i madh vihet re në të ardhurat financiare midis naftëtarëve dhe pensionistëve naftëtar në Shqipëri krahasuar me ata në vendet e ndryshme të botës. Pse? Ky shpërblim nuk është se do të na nxjerri ne naftëtarët nga fukarallëku dhe do të na bëjë të pasur, por do të na bëjë krenar para brezave të shoqërisë dhe fëmijëve tanë, për rolin që ne kemi luajtur dhe kontributin që kemi dhënë në industrinë e naftës, e cila ka mbajtur gjallë ekonominë për vite të tëra,bile dhe në kohët më të vështira të konjukturave politike që kalonte vendi ynë.

Përshëndesë gjithë naftëtarët që më njohin, ju uroj shëndet dhe pleqëri të këndshme. Përzemërsisht kërkoj të diskutojnë rreth këtij ligji, ndërkohë i bëjë thirrje qeveritarëve dhe politikanëve të hedhin sytë edhe nga ne, naftëtarët e vjetër, sepse kanë nevojë për eksperiencën dhe mendimet tona mbi zhvillimin e kësaj industrie dhe përmirësimin e kontratave koncensionare skandaloze që po shkatërrojnë vendburimet ekzistuese të naftës dhe ekonominë kombëtare. Në asnjë vend në botë nuk ekzistojnë këto lloj kontratash të lidhura për vendburimet ekzistuese të naftës dhe gazit.

Isuf Tushe, USA

Doktor i Shkencave Gjeologjike

 

 

April 12, 2019 12:03
Komento

4 Komente

  1. Alban April 12, 12:29

    Te vetmit njerez qe kane kontribuar per ekononomin e vendit e s’kane rrjepur shqiptaret, hidhen ne rruge si pa te keq.Absurde! Respekte per pune tuaj!

    Reply to this comment
  2. Petraqi April 12, 15:29

    Petraqi
    Problemet e naftës në vëndin tonë janë shumë të thella dhe të ngatërruara, ashtu siç ka rrjedhur dhe është e gjithë jeta shqiptare përgjatë këtyre viteve të tranzicionit. Shëmbulli është i gjallë, shikoni çka ndodhur me sistemin e drejtësisë, që janë njerëzit e ligjit, pa le me të tjerët.Vjedhje spektakolare u bë këto ditë në Aeroportin e Rinasit, por nuk qëndrojnë më poshtë vjedhjet që i kanë bërë industrisë së naftës Rezart Taçi me shokë. E pra, një veting edhe më i fuqishëm duhet për aktivitetin kriminal në industrinë e naftës. Ari i Zi i thërrasin naftës, ndërsa shteti ende nuk do ta kuptoj, se duhet të kapet fort pas saj, jo për veten e tijë por për të mirën e popullit. Për problemet që ngre zoti Isuf Tushe ka plotësisht të drejtë, Statusi i Naftëtarit padushim që duhet riparë, gjithkushë që ka punuar në Industrinë e Naftës duhet të marri diçka për pleqëri nga djersa e tij e akumuluar, edhe 1 përqind është pak.

    Reply to this comment
  3. Naftëtari April 12, 16:40

    I dashur Isuf ! Uroj të gëzosh shëndet të plotë !
    Fjala dhe letra jote në vesh të perëndisë ,sepse qeverisë ne këtu nuk ka kemi gjetur dot veshët ,i kemi rënë “daulles dhe borisë” pa pushim për vite të tëra fort ,shumë fort por e keqja qëndron tek truri dhe zëmra ,pastaj tek veshi ,po nuk i deshi qejfi trurit dhe zëmrës s’punon veshi.Ato që shkruan janë të vërteta qe nuk i luan as topi .
    Naftëtari Veteran

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Sondazh

A ËSHTË EDI RAMA I MAJTË?

Shiko rezultatin