Letër nga një mësues në pension

January 12, 2019 06:04

Letër nga një mësues në pension

I nderuar  z.Adrian Thano

Pak kohë më parë, u bë u një gurgule e madhe nga studentët dhe për studentët. Oshëtinë klithmat e rinisë për të shpëtuar arsimin e goditur për vdekje nga dora e shtetit. U tundën sheshet, rrugët, ndërtesat, Ministria e Arsimit nga britmat dhe ofshamat e të prekurve nga “reforma” në arsim. U artikuluan ankesat, kërkesat dhe përbetimet për të flakur tej një ligj që shkatërron sistemin arsimor. Ishte një protestë e zhurmshme në fundin e një honi të thellë, nga ku, nuk duket asnjë fije shprese se gjendja mund të ndryshojë.

Mirpo, as organizatorët e protestës, as vetë protestusit, as gazetarët, as politikanët, as analistët, as opinionistët, nuk goditën,ose nuk deshën të goditin në shenjë: arsimi po vdes nga fiktiviteti dhe fallciteti. Shkollës i është goditur zemra e saj: njohuritë, mësimi dhe edukimi. Përpëlitjet dhe kolapsin e arsimit, plagën e qelbëzuar që çan e dhemb në temperaturë vdekje, që prej shumë vitesh, e njohin dhee shohin të gjithë në sy, po askush nuk ze në gojë shkakun e vërtetë tëkësaj vdekje klinike dhe si mund të shpëtohet. Nesër, do ta braktisin shkollën vetë nxënësit. Aty nuk ka mësim.

Është ngritur zëri dhe këmbëngulet të plotësohen kushtet e studentëve, që janë thjesht kërkesa ekonomike, për tarifat e studimit, për shpenzimet, për taksat, për kushtet e jetesës, të përmbledhura në 8 pika. Mirëpo, ajo që bën “bam!”në arsim me krismë topi e murtaje, ende nuk thuhet dhe ka gjasa të mos zihet me gojë.

Flitet gjatë e stërgjatë për pjesën mbështetse dhe formale të arsimit, “e lagu, s’e lagu bishtin dhelpra!”, po për pjesën thelbësore, qëështë mësimi, cilsia e programeve dhe teksteve mësimore, askush nuk flet. Ajo qëështë rrënqethse sot në shkollat publike para dhe universitare është fallciteti dhe fiktiviteti i llahtarshëm i saj. Është minuar dhe hedhur në erë cilsia shkencore, metodike dhe edukative e tekstevedhe programeve në të gjitha nivelet.

Janë zhbërë dhe degraduar PROGRAMET DHE TEKSTET MËSIMORE, nën maskën e reformimit. Nën maskën e europianizimit. Nën maskën e përkthimit. Nën “maskën” e çudisë! Se si mund të vihet çdo ditë në shkollë dhe të mos mësohet asgjë? Tekstet janëjo didaktike, jo edukative dhe jo mësimore. Ato janë ndërtuar keq,me plot gabime shkencore dhe edukative. Modele të Halluizmit. Se qeveria sot, i ka shumë përzemër maskat… Sa vjen”festa” e Halluizmit, thërret së largu:“Pushim!, Maskat, dhe o burra!Nxirrjani sytë njëritjetrit!” Është e pamundur që në tekstët e “përkthyera” të gjesh një temë mësimi pa gabime, pa formalizëm, pa këmbime paragrafesh dhe pa pyetje e ushtrime të çuditshme, që s’i duhen as dreqit. Kyështë një skandal i madh,që kushtet dhe tarifat duken si shaka. Kyështë një gabim vrastar për fëmijët. I pafalshëm. I pashpjegushëm. I qëllimshëm.

Jo vetëm kaq, është prishur renditja e gjërave. Janë hequr kapituj të tërë, janë hequr tema, paragrafë, përkufizime, ushtrime, problema, teorema që ndihmojnë arsyetimin logjik. Njohuritë e cekta përsëriten nga një klasë në tjetrën pa shtuar asgjë të re. Njohuritë në matematikën 7 janë po ato të klasës tretë.

Nën maskën e “përkthimit” janë deformuar e shkatërruar gjithë tekstet mësimore nga klasa e parë deri në të dymbëdhjetën. Krahësuar me pesë vite më parë njohuritë në tekste janë thjeshtuar në masën 70%. Njohuritë e mbetura nuk e ruajnë linjën: nga e njohura tek e panjohura, nga e thjeshta tek e ndërlikuara. Janë këmbyer me njëra tjetrën pa kriter. Është prishur renditja logjike e kapitujve, e temave të mësimit.  Nëse truri i fëmijës gjatë rritjes, formimit dhe regjistrimit të informacionit mbushet me njohuri të gabuara, ai kthehet në një “kompjutër” të papërdorshëm. Është më mirë të mos e njohësh një dukuri, një informacion, njëligj të natyrës, njëlëndë mësimore, se sa ta mësosh gabim. Këtë kishte parasysh sistemi monist që gabimet lëndore të mësuesve dhe teksteve shkollorei konsideronte skandale dhe indëshkonte rëndë, sepse dëmton mendjet e mijëra fëmijëve. Sot nën maskën e reformës në arsim dhe tekste të “përkthyer”, janë vënë në përdorim tekste shumë të dobët dhe me plot gabime.

Ju prindër mund të mos i besoni këto që po them, si ka mundësi të ndodhë kjo?, po unë do t’u jap mundësinë t’i shihni vetë, duke u treguar se ku ndodhen. Natyrisht, jo të gjithë tekstet, se ato janë shumë, na duhen po aq libra reflektimi, sa janë tekste, por aq, sa të zbuloni skandalin. Le t’ja fillojmë:

Teksti Fizika7, “I përkthyer”, qëështë sot në përdorim, ka tre kapituj. Kapitulli parë: Forcat dhe lëvizja, ka 7 tema mësimi. Kapitulli dytë: Energjia, ka 8 orë mësimi dhe kapitulli tretë: Toka dhe përtej saj, ka 8 orë mësimi. Gjithsej 23 tema mësimi.

Teksti Fizika7, që përdorej 5vjet më parë, kishte gjithsej 5kapituj. Kapitulli i parë: Dukuri mekanike, 11orë njohuri të reja, kapitulli dytë: Puna, nxehtësia, energjia. 13orë njohuri të reja. Kapitulli i tretë: Dukuri dritore, 10 orë njohuri të reja. Kapitulli i katërt: Rryma elektrike, 13orë njohuri të reja. Kapitulli pestë: Dukuri elektromagnetike, 8orë njohuri të reja. Gjithsej 55 orë njohuri të reja. Ja, ku na doli dhe “horrlliku” i Kryeministrit dhe i Kones tij, për t’i bashkuar orët e mësimit dhe ç’ka mbetet ende bosh, t’i plotësojnë me njohuri fetare.

Pra, nxënësit që vazhdojnë sot klasën e shtatë kanë humbur 32 orë mësimi lëndë e re në krahësim me homologët e tyre të para pesë viteve.

Tani, le të vimë tek cilsia e njohurive në tekstin e “përkthyer”. Tema 1.1 është trajtuar gabim. Duke dashur të shpjegojë, se forca është një madhësi vektoriale, shprehet: “shigjetat e forcave vizatohen duke filluar nga trupi”, qëështë e gabuar, sepse forca ka pikë zbatimi, e cila është plotësisht e përcaktuar. Plus që ka fshirë dhe dy cilsi të tjera të vektorit.

Në paragrafin që vijon jepet saktë forca e gravitetit G, ose e rëndesës, po në atë paragraf bën gabimin e dytë duke identifikuar forcën e Gravitetit me forcën e tërheqjes së gjithësishme, ose Forcën Gravitacionale. Këto janë gjëra specifike, të ndryshme. Veçimin do ta themi më poshtë.

Po në këtë temë, forca e fërkimit është dhënë gabim si koncept. Se ç’janë këto forcat lëvizëse, vetëm “përkthyesi” e di, se ata janë forca burimore dhe rezultantja shkakton lëvizje. “Forcat janë të barazpeshuara, kur ato ZHDUKIN veprimin e njëra tjetrës” E pasaktë. Jo zhdukin, ato janë aty, të pranishme, por ekuilibrojnë njëra tjetrën, rezultantja është zero. Mësimiështë me paragrafë të alternuar, pa lidhje dhe pa asnjë vlerë.

Tema 1.3 “forcat e fërkimit janë forca që ngadalësojnë lëvizjen e trupave” E pasaktë. Duhet: forcat e fërkimit janë forca të bashkëveprimit molekular që shfaqen gjatë kontaktit tëdy trupave. Pasi nuk është domoshmëriqë fërkimi të ngadalësojë shpejtësinë, pasi mund ta lëjë në prehje ose ta përshpejtojë, kur fërkimi zvogëlohet. Duhet theksuar fort, se molekula kavetinë të tërheqë dhe të tërhiqet nga molekulat që e rrethojnë.

Tema 1.4, fq. 14, është trajtuar gabim. Paragrafi i fundit, fusha gravitacionale, nga buron Forca Gravitacionale, si Forcë e Tërheqjes së Gjithësishme, duhej trajtuar në fillim të kapitullit. Dhe nga kjo forcë “veçohet” ajo e Tokës (me që jetojmë në Tokë) dhe quhet forca e Gravitetit, një konstante që e ka vlerën 9,8N /kg.

Forca tërheqëse midis dy njerëzve, midis njeriut dhe Hënës, midis Diellit dhe Jupiterit, midis…., janë forca Gravitacionale, po jo forca Graviteti, sepse i tillëështë veçuar veç ai i Tokës. Pra, përkufizimi në fillim është i gabuar. Dhe “mbas lëngut, vjen pilafi” Forca Gravitacionale vjen si bijë e forcës së Gravitetit, kur është e kundërta. Përkthes! Nuk ka forcë Graviteti mes meje dhe teje, ajo është Forcë Gravitacionale, Graviteti ynëështë lidhur me Tokën.

Forca Gravitacionale varet nga masa dhe largesa e trupave, teksa forca e Gravitetit është konstante 9,8 N /kg.. Përkthyesi dhe këtë e ka bëë lëmsh. Ai thotë: “ masa tregon sa lehtë trupi përshpejtohet, apo ngadalësohet.” Gabim. Kjo ndodh, po ky nuk është kriteri për të përkufizuar masën. Pamvarsisht nga bashkëvëprimi, masa është sasi lënde dhe lënda është sasi e cilësi molekulash dhe molekula është sasi e cilsi atomesh. Dhe atomi është ai që dihet. Masa ruhet në çdo planet, pamvarsisht nga bashkëveprimi.

Tek tema 1.10. thuhet: “ forca që mban trupin në lëvizje rrethore është forca qendërsynuse.” Gabim. Janë një çift forcash.

Tek tema 2.1, “përkthysi” ka bërë një eksperiment, se si duket një temë mësimi, kur ia fut kot…” Sportistët dhe gratë, kanë nevojë për shumë energji!…”dhe i kashtis biologji, fizikë gjeografi bashkë. Si mund të jepet në fizikë koncepti i energjisë, pa dhënë më parë konceptin e punës, si madhësi qëlind nga forcë herë zhvendosje. Njëra nga ato të bëhet zero, s’ka punë. Kur trupi fizik është i aftë ose kryen punë, ai zotëron energji. Teksti i “fizikës” përkthyer thotë: “ Energjiaështë të furnizojmë makinën me naftë!?”

Tema 2.6, duhej zhvilluar para temës 2.3.

Për kapitullin e tretë është e kotë të merremi, pasi ato janë njohuri të zhvilluara më parë në lëndën Dituri Natyre klasës tretë e të katërt.

Rubrika “Kërkim shkencor”është një bllof, pasi ato njohuri duhen trajtuar në klasë si situatëproblemore dhe të konfirmohen tek punët praktike, laboratorike dhe ushtrime. Me që ra fjala, ja një “kërkim shkencor” sa për ilustrim.: 2.8, fq. 44.

“Cila lëndë djëgëse e ngroh ujin më shpejt? (pa patur njohuri nxënësi nga fuqia kalorifike e lëndës djegëse ). A duhet të përdorim lëndë fosile përr të gatuar? Sa lëndë djegëse i duhen Shqipërisë në të ardhmen? Me çfarë ushqehen shimpazetë? Cili vend përdor kryesisht qymyr?” Vazhdimin shikojeni në tekst, do shkuleni së qeshuri.

Dhe në faqen që pason: “ Pse shimpazetë ushqehen më shumë me fara se me insekte? A ushqehen gorillat njëlloj si shimpazetë?

Tek 3.1. Edhe njëherë tek trupat qiellorë. Dhe jo pak, po tri herë të përsëritur që përbën gjysmën e tekstit.

Nuk po ndalemi  tek ushtrimet dhe aparati pedagogjik i tekstit që janë zero.

Mendoj se Fizika7 duhet të largohet menjëherë nga përdorimi dhe t’u kthehet nxënësve teksti i duhur.

Tani le t’i hedhim një vështrim lëndës Fizika 8. Tek teksti I “përkthyer” kapitujt janë:

Shpejtësia, Tingujt, Drita, Magnetizmi. Teksti i para pesë viteve kishte: Ndërtimi molekular i lëndës, 7orë. Atomi dhe elektriciteti, 10 orë, Dukuri mekanike. Lëvizja dhe bashkëveprimi, 17 orë, Energjia mekanike, 10orë. Ruajtja dhe shëndrrimi i energjisë, 10orë.

Nxënësit e klasës 8 sot, kanë humbur rreth 80 %të njohurive krahësuar me pesë vite më parë. Programi reduktohet nga 70 orë mësimi në 34 orë.

Tani, le të shohim konkretisht “përkthimin”. Tek 1.1, Shpejtësia, janë shmangur pa arsye koncepte bazë si: lëvizja mekanike, trajektorja e lëvizjes, rruga, koha dhe më pas vjen shpejtësia. Fillojnë njohuritë direkt nga shpejtësia, duke e trajtuar si koncept bazë dhe jo si i rrjedhur nga lëvizja. Nxënësi i njeh simbolet e rrugës, kohës dhe shpejtësisë, por jo, “përkthyesi” nuk e përdor formulën: v=l / t, po e le atë veç me fjalë. Tema 1.2, si temë më vete, është shpërdorim. Gabimet në matje, kur nxënësi ende nuk i njeh madhësitë fizike, është “si të vësh bishtin para sqeparit”. Tema 1.3, shkrihej natyrshëm tek 1.1 e kjo të shfrytëzohej për llojet e lëvizjes mekanike.

Tema 1.4, koncepti i nxitimit është i errët dhe i gabuar nga ana lëndore. Dhe ja konkretisht:” për të treguar se sa shpejt ndryshon shpejtësia e trupit, përdoret madhësia fizike nxitimi” dhe më pas vjen përkufizimi: “Nxitimi është i barabartë me ndryshimin e shpejtësisë gjatë një sekonde.” Gabim. Shpejtësia e çastit nuk është nxitimi. “Përkthyesi” e di, atëhere përse e jep gabim? Sepse ai ka dashur të gatuajë një gjellë që nuk haet. Nuk mund të jepet koncepti i nxitimit pa treguar më parë, se ç’është lëvizja njëtrajtësisht e ndryshuar. Nxitimi është një madhësi fizike që gjendet veç tek lëvizja njëtrajtësisht e ndryshuar. Tek lëvizja e ndryshuar jepet koncepti i shpejtësisë mesatare. Sepse të gjithë e dimë se: nxitimi është një madhësi fizike që tregon me sa e rrit apo e zvogëlon shpejtësinë trupi në njësinë e kohës në lëvizjen NJËTRAJTËSISHT TË NDRYSHUAR. Që do të thotë, në njësinë e kohës që pason, sekondë, minutë, orë, shpejtësia rritët ose zvogëlohet me të njëjtën madhësi, qëështë nxitimi a dhe matet me njësi gjatësie mbi sekondë për sekondë, ose orë për orë dhe shkruhet sekondë katror. Ka përdorur një shpjegim të stërgjatë, që ta shpif, në vend të: a=( V – Vo) / t dhe l =( V0t + at2) / 2.

Tek tema 2.1, studiohen valët zanore, pa njohur karakteristikat e valëve në përgjithsi. Vala zanore është një valë mekanike që prodhohen nga lëkundjet harmonike. Pse iështë trembur “përkthysi” konceptit bazë?

Karakteristikat e valëve futen si shtojcë tek intensiteti i zërit, ku janëjo vetëm të paqarta, po edhe të gabuara. Thuhet: “largësia midis dy pikave më të afërta që ndodhen në të njëjtën largësi nga qendra e valës, quhet gjatësi e valës.” Cila është qendra e valës dhe ku është dhënë në tekst ky koncept?

Kur jepen valët mekanike, gjatë ngjeshjes dhe rrallimit të molekulave të lëndës nga trupi që lëkundet, jepet nocioni i “kreshtave” dhe “gropave”, në ilustrimin grafik, nga ku del dhe kuptimi i gjatësisë( llanda ) të valës

Tek 3.1, “ Dritaështë një rast i tejçimit të energjisë. Burimet e dritës rrezatojnë dritë. Ne i quajmë ndriçues.” Ç’e shtyn “përkthysin” të shprehet kaq ngatërruar, paturpësisht? Ç’e pengon “përkthysin” të shprehet qartë e saktë, se drita është valë elektromagnetike me gjatësi të caktuar? Kujt ia fsheh? Po përsërit njohuritë që nxënësi i ka marrë në Dituri Natyre vite më parë. Tek 3.2, Përhapja e dritës, një lëmsh të dhënash, fraza të paqarta, pa lidhje që s’thonë asgjë. I është larguar njohurive bazë, tufë drite, rreze drite, po përsërit njohuri gjeografie.

Tek 3.4, Pasqyrimi i dritës, asnjë njohuri nuk jep për pasqyrat e rrafshta e sferike dhe shëmbëllimet në to. Mban “sekret” ligjet e pasqyrimit dhe përthyerjes së driës. Tek 3.6, fq. 49, vazhdon “provokimi” i nxënësve, kur regjistron për ajrin shpejtësinë e dritës prej 300 milion km/s dhe për ujin 230 milion km/s. nuk jepet kuptimi i trupit optikisht më i dendur dhe optikisht më i rrallë, treguesin e përthyerjes etj. Tek ngjyrat e trupave dhe drita monokromatike është bërë një ngatërresë e panevojshme, kur gjërat janë të thjeshta dhe të qarta.

E ka turbulluar, po nuk e ka qartësuar natyrën e dyfishtë të dritës, të cilën nuk duhej ta prekte fare, sepse është njohuri e shkollës së mesme, ku tregohet karakteri materialist i botës dhe drita është në atë diapason thërmijash që shfaq atë veti që i duhet, valore dhe korpuskulare e sintetizuar qartë tek formula E = mc2. Kishte plot gjëra për t’ithënë  mirë e saktë, po s’i ka thënë.

Teksti Fizika 8, më tepër është një libër kuriozitetesh, se sa një tekst mësimor. Shumë i dobët, i cekët, i paqartë, i reduktuar, me plot gabime, pa zgjidhje detyrash. Ata që e kanë hedhur në përdorim duhet të skuqen.

Dhe tani vështrojmë tekstin Matematika 7. Teksti i “përkthyer” renditet: Hyrje, Shprehje algjebrike, Figura dhe shëndrrime gjeometrike, Numrat thyesorë, Numrat dhjetorë, Grumbullim dhe përpunim të dhënash, Gjatësia, Masa, Vëllimi, Ekuacionet. Sërish, Figurat gjeometrike, Shëndrrimet gjeometrike, Paraqitja inerpretimi dhe diskutimi i të dhënave. Syprina, Perimetri, Vëllimi, Shëndrrime të tjera gjeometrike, Vargjet, Probabiliteti, Funksionet dhe paraqitja e tyre grafike. Thyesat, Numrat dhjetorë, Përqindja, Paraqitja dhe grumbullimi i të dhënave. Raporti dhe përpjestimi. Koha dhe njësitë e matjes së saj.

Kapitujt janë dhënë të renditur sipas tekstit me qëllim që lexuesi të shohë se: Kapitujt3, 9, 13 janë e njëjta gjë, dhe 4, 5, 17 janë e njëjta gjë, kapitujt 6, 10, 18, janë pikë për pikë e njëjta gjë.

Matematika 7, e “përkthyer” është e thjeshtuar së tepërmi, jepen njohuri të klasës tretë fillore, kur teksti duhet të dominohej nga njohuritë themelore algjebrike e gjeometrike. Me tekstin Matematika 7 të para pesë vitesh, për nga cilësia,ky ndryshon si nata me ditën. Teksti nuk u afron nxënësve njohuritë që duhet.

Matematika 8, është një tekst edhe mëi dobët. Fillon me ushtrime të thjeshta për klasat e 3 dhe të 4, bëhet i mërzitshëm dhe nuk afron njohuri të reja. Tek “metoda” e shmëzimit, dyfishimi i njërit nga faktorët dhe përgjysmimi i tjetrit bie më gjatë se sa ta bësh shumëzimin drejtpërdrejt.

Tek 1.2, “shpjegim kyç” ështëi gabuar. Thuhet: “për të gjetur ndryshesën midis dy numrave (me shenjë), zbrit numërin më të vogël nga numri mëi madh” dhe ka shkruar 6 – – 3 =* 9, kur rregulliështëi qartëdhe  thjeshtë: të parit i shtohet  kundërti i të dytit. Nuk kuptohet pse autori ka qejf t’i bëjë varg shenjën e veprimit me shenjën e numërit, pa përdorur kllapat. Në fq. 4 , shmang pa arsye rregullat e veprimeve të numërave me shenjë. Tek 1.3, fuqitë dhe rrënjët nuk janë shpjeguar si koncepte, fuqia si veprim shumzimi, prodhim i  numërit me vetveten dhe rrënja veprim i anasjelltë. Nuk jepet veçimi i bazës nga eksponenti, fuqitë më eksponentë çift e tek të numërave negativë, rrënja me tregus çift i numërave negativë në R. etj.

Tek teksti i “përkthyer”, kapitujt 1, 5, 7, 10, 13, janë e njëjta gjë. Materiali dhe ushtrimet janë ato të fillores. Sot, nxënësi i kl. 8, humbet rreth 80 % të njohurive që mirrte nxënësi i para pesë viteve. Dhe për çudi, kjo qënka reforma në arsim, t’u heqësh nxënësve njohuritë nga tekstet dhe t’i mbushësh me gabime shkencore. Ja njëri prej tyre: “ pingulja e hequr nga një pikë mbi një drejtëz, quhet largesa e kësaj pike nga kjo drejtëz.” Mirëpo, pingulja nuk është largesë. Mungon fjala thelbësore, gjatësia, e pingules. Për teorema, aksioma, teoremë e anasjelltë, vërtetime, rrjedhime, problem ndërtimi…, as që bëhet fjalë në tekste. Zbërthimin kanonik të numrit dhe gjetjen e (sh.v.p) dhe (p.m.p)-ve janë kapacitete për kl. e pestë, jo për kl. e tetë. Shih ku arrin “ngatërrestari”, kur pyet: “si mund ta tregosh, cila është lartësia pingule?”, fq.41. Në vend që tëthotë: lartësia është gjatësia e pingules. Ose, “faktorizimi bën që një shprehje të ketë kllapa”, që nuk është domosdoshmëri, mjafton të jetë prodhim faktorësh. Një varg monomesh të ngjashëm të lidhur me shenjën e mbledhjes dhe zbritjes faktorizohen duke bërë reduktim kufizash të ngjashme.Përkufizimi, “ të zgjidhësh një ekuacion, do të thotë të gjejsh vlerën e numërit të panjohur”, e pasaktë, duhet: të gjitha rrënjët. Nuk jepet koncepti i  identitetit dhe shëndrrimit identik, po jepet koncepti i peshores. Kur dihet se barazpesha arrihet dhe me sende të ndryshme, që s’i ngjajnë fare njëra tjetrës, hekur me sheqer. Shikoni çfarë “shpjegimi kyç”!,  “kur ka një të panjohur në të dy anët e ekuacionit, atëhere me anë të metodës së barazpeshimit, të dyja të panjohurat mund të vendosen në një anë të ekuacionit”?dhe ja një ushtrim i zgjidhur (thjeshtë): 3(3g-5)= 3x3g + 3x-5=9g-15 fq.93?

Krahasimi dhe rrumbullakimi i numërave na ndjek me vite klasë për klasë. Dhe më pas vinë rebuset: “mendo!, pse një thikë e mprehtë, pret më mirë se një thikë e pamprehtë?” Broçkullat janë pa fund, po veçojmë një tjetër: “megjithëse nuk duket, makinat kanë ingranazhe njëlloj si biçikletat. Sahatet me akrepa gjithashtu kanë ingranazhe” fq. 115.

Jep njohuri kot tek raportet, nuk flet fare për gjymtyrët dhe vetitë e raporteve, po kthehet sërish tek renditja dhe rrumbullakimi. Dhe shikoni xhevaire pa turp: “ vlerëso vëllimin dhe syprinën e sipërfaqes të një personi të rritur!” Dhe ja ku përfundon “shpjegimi kyç”, “kur një drejtëz pret dy drejtëza paralele, formohet një formë në trajtën “ Z”! Në brendësi të kësaj forme, ndodhen këndet ndërruese”!? Pothuajse të gjitha “shpjegimet kyçe” janë të gabuara dhe ngatërrestare. Ja një pohim i gabuar: “këndet përgjegjëse janë në të njëjtën anë të diagonals” fq. 135. Se nga bift kjo diagonale veç “përkthyesi” e di. Pa përmendur se prishet  kuptimi themelor e drejtzës, ‘përkthyesi” i orienton drejtëzat me shigjetë, pa qënë nevoja.

Shiko se ç’koncept përdoret me nxënësin e kl. 8. “Një thyesëështë një llojë pjestimi. Ajo ndan një FORMË në pjesë të barabarta”. Më absurd dhe më ngatërruar nuk mund të bëhet. Fq.161. Jo një lloj pjestimi, po është herësi i saktëi pjestimit tëdy numërave, 2/3. Jo, ndan një formë, mund të mos ketë fare formë, po krejt abstraksion. Jo vetëm i ka thjeshtëzuar në ekstrem, po i ka bërë çorap. Dhe harron se është në matematikë, shkruan: shpejtësia = distancë/ kohë. Nuk ka distancë aty, ka rrugë, se distancaështë segment, rruga është trjektore shtëpi, shkollë.

E mban “sekret”, ta vrç, nuk e thotë në tekst se, kur dy madhësi janë në përpjestim të drejtë ose të zhdrejtë, mandej të tregojë vetitë e tyre, po paraqet ca grafikë që s’thonë asgjë. Ja, ç’ështëi detyruar të mbajë truri i fëmijës: “ ciliështë kuptimi i përqindjes, apo raportit që tregon një statistikë rrugore?” Dhe shikoni shkathtësinë që kërkon të arrijë qeveria me “përkthimin” dhe reformën në kl. e 8, që të qeshni: -1×4 :  3x-2 :  -2x-3 :  -2×5.

Kam bërë një shfletim kalimthi, as që bëhet fjalë për analizë profesionale të këtyre teksteve, të cilat do të donin një libër shumë më të madh se vet teksti, por sot askush nuk ua ven veshin këtyre gjërave, po mua nuk më rrihej pa e denoncuar publikisht këtë skandal, me një kosto shumë të lartë për brezat. Dhe mos harroni! Për këtë masakër shpenzohen shuma të majme. Tekstet janë blerë.

Së fundi, dua të ndaj shqetsimin me publikun; ç’e shtyn qeverinë dhe shtetin të bëjë një masakër të tillë mbi arsimin dhe fëmijët? Ç’e shtyn qevernë të flakë tekstet shumë të mira të matematikës nga klasa e gjashtë deri në të dymbëdhjetën, hartuar nga dy mjeshtrat e kësaj fushe, Edmond Lulja dhe Neritan Babamusta, apo tekstet e Fizikës të hartuar nga Maksim Shimani dhe Dolores Cipo dhe të sjellë këto paçavure? Hë? Ç’e shtyn?

Dhe mos harroni, është pikërisht Ai, që do ta bënte shtetin më të mirë se Enver Hoxha!

Lirim Shtylla

Mësues në pension

 

 

 

­

January 12, 2019 06:04
Komento

9 Komente

  1. ilenia January 12, 10:29

    Keni shume te drejte i nderuar mesues . Por progresi nuk vjen vetem nga Edi Rama . Sikur te gjithe te punonin si Edi qe ka vetem 5 vjet e po perpiqet , Shqiperia do te ishte ndryshe . Cfar tu besh partive politike qe duan te marrin qeverine se duan pasuri ,e nuk bejne asnje pune po vec shkaterrojne . Te flas me shume eshte e kote .Pershendetje

    Reply to this comment
  2. Perkthyesi January 12, 10:37

    Jeni shume i sakte, mesues i nderuar! Ndjehem krenar qe kam mesuar me tekstet e para viteve ’90! Ishin shume me te plote, me bindes. Mesuesit i kishim te pergatitur, te perkushtuar dhe te apasionuar! Sot? Niveli i arsimit, pergjithesisht eshte mjaft i ulet. Vete kryetari i partise, nuk ben as nje veprim shume te thjeshte matematikor (!). Ne se doni te shkaterroni nje komb, shkaterrojini arsimin, dhe nuk keni me nevoje te perdorni armet. Ky eshte mendimi im… Fundja, gjithsekushi gjykon vete……

    Reply to this comment
  3. MH January 12, 15:36

    Te tre jeni te nderuar.
    ilenia,Perkthyesi dhe ne vecanti Mesuesi pensionist.
    Asht koha qe solli demokracin me ne krye filozofin Pashko, qe tundte cekun e bardhe, sot ne fund te detit qe i dha dituri feudalit Berisha te shkatrrojme cdo gje monizem. Ku Perkthyesi e mbyll ne menyre ekselence mendimin e vet: “””Ne se doni te shkaterroni nje komb, shkaterrojini arsimin, dhe nuk keni me nevoje te perdorni armet. “””

    Ndersa E.Hoxha u orvat dhe ia arrit ta ndertoj kombin me nivelin e shkollimit nga 6 vjec deri ne diplome universitare.
    Pershendetje tre mendimtarve kopetent me nivel te larte ne komentet e tyre.

    Reply to this comment
  4. Flaka.al January 12, 15:57

    I dashur Lirim,

    Ju pergezoj per shqetesimin qytetar dhe profesional per te ngritur problemet jo te pakta, te renda dhe deri skandaloze te teksteve shkollore, rigorozitetit shkencor te permbajtjes dhe gjuhes adekuate te tyre si dhe te metodoligjise dhe konceptimit pedagogjik te percjelljes se tyre tek nxenesit.

    Me durimin e nje njeriu qe eshte shume familiar me kete problematike, me permabajtjen dhe metodologjine e teksteve shkollore te matematikes dhe fizikes, e ndoqa pothuaj ne detaje shkrimin tend dhe duke u bashkuar me shume nga shqetesimet dhe konstatimet e tua, njeherazi duhet shume miqesisht te sugjeroj se ne publicistiken e pergjithshme qe kerkon te sensibilizoj opinionin dhe organet shteterore pergjegjese per te tilla tematika, duhen reduktuar ne maksimum detajet dhe shembujt profesionale qe nuk i ndjek dot lexuesi jo i fushes.

    Keto detaje, nese ta lejon koha dhe angazhimi, mund t’i paraqiten organeve te specializuara qe kane kompetencat dhe tagrin te nderhyjne dhe te korigjojne situata te tilla.

    Gjithesesi, le te jete thelbi i shkrimit tend nje thirrje publike dhe nje zile alarmi per keto organe per te reaguar dhe ndryshuar gjerat per mire.

    Pershendetje miqesore.

    Reply to this comment
  5. Mesuesja January 12, 17:59

    Keto tekste qe ne mesuesit i kemi neper duar bashke me nxenesit jane jo katastrofe po a mund te gjendet ndonje fjale tjeter edhe me regresive? Mesuesi duhet te hartoje vete ushtrime ne matematike se librat kane vetem lojera se ata jashte mesa duket i kane terezitur gjerat dhe kalamajte e tyre vetem luajne, keshtu eshte kur librat nuk behen nga profesoret si njehere e nje kohe po nga mesues qe tundin flamure partish.LE vleresimi dhe evidencat qe lene shteg per manipulime allishverishe per mesues te paafte qe shkollen e kane marre me 5 dhe qe ne pune vijne vetem per hije apo per te marre rrogen.Eh sa keq qe nq vjen qe para 30 vitesh zgjodhem te ishim te nderuar po sot jemi aq po aq te turperuar.Vendin e formave te edukimit na e kane zene takimiet me drejtuesit e partive , kryebashkiaket dhe kreditet qe vazhdojme ti blejme nen presion.ZOTI i pafte femijet e shqiperise se çdo behen pas 10 vitesh!

    Reply to this comment
  6. Adih January 12, 19:03

    Atdhetarit Intelektual Lirim ..
    Faleminderit ,per ndihmen tuaj .Po kujt ja thua??
    Doja te shtoja vetem nje gje ..Ku ,e kam menduar prej kohesh ,dhe e kam diskutuar shume here me miq .:::
    Shqiptaret ,ne ,do ta ndjejme ne nje te aferme shume te afert ,kete karastrofe te arsimit ,dhe konkretisht ,kur brezat e para 90 ,do dalin ne pension .Do me kujtojne te gjithe .-.
    Do ta shkaterosh nje komb ,shkatero Arsimin .Ja ariten qellimit me dashje ,kete katastrofe ,anti shqiptaret ,politikane te ketij tranzicioni post komunist .
    Nderime dhe respekt Zoti Profesor Lirimi .

    Reply to this comment
  7. ETHEM January 12, 19:21

    SHUME MIRE D I T A QE BOTON SHKRIME TE TILLA TE NJERZVE QE E DUAN NJERIUN E DITUR,ARSIMIN QE ESHRE “A”-JA E NJE KOMBI,QE VE NE HUDUT MEDIOKRIT QE PO I NXIJNE BANGAT E SHKOLLES SON TE DIKURSHME QE MESOHEJ E JO SI SOT QE LODROHET ME CELULAR,DISKO E PABE..!
    KY SHKRIM E SHUME PROBLEME SI KY DUHET TE MOS NGELET ME KETE SHKRIM NE D I T A POR TE SHKOI NE VESHIN E “PERENDISE” ATJE KU KA FORCE LUGJI E JO MALIQI…DHE ATA QE KAN BERE LIBRA TE TILLE ME GABIME TRASHANIKE…TE VIHEN PARA-PERGJESISE.
    ME VJEN MIRE QE PROFESORI PESIONIST SHKRUAN ME E M Ë R,HAPUR SI BURRE I VERTET E JO ANONIM.
    KA ARDHUR KOHA QE DERRIT TE MOS I THUHET DAJO,PASI MEDOIKRITETI PO MERR DHEUN NE ÇDO FUSHE NE KETE VEND.
    TE LUMT LIRIM SHTYLLA(NDONSE NUK ESHTE DETYRE E K/MINISTRIT)POR DHE GAZETES D I T A QE BOTON NJERZ TE DITUR QE E DUAN KETE VEND.
    E.L-FIER

    Reply to this comment
    • 777 January 13, 15:57

      Bravo Ethem mavria,qe ashtu si ngul mushka kembet fort ne toke edhe ti ngul keme per te perdorur gjithnje germat e medha!
      Ne se nuk ke gjetur akoma samar,ta porosis une nje ne Kavaje!

      Reply to this comment
  8. Vasili January 14, 13:22

    Arsimi nje shqetesim i madh cilesor,per te sotmen dhe te ardhmen e kombit,por fatkeqesisht i perdhosur qe kur kullat e errta,filluan marshimin dhe pushtuan qytetet tona kohet .
    Dhe autori i shkrimit i ben kritike vetem majes se ajzbergut te pseudo-arsimit.
    A thuan,nuk e di Lirimi,qe shaljanet,qe zbriten nga kullat,sic pushtuan,pozicionet,politike,shteterore,territore etj,ashtu ju versulen dhe shkolles,ku cfaqen jo vetem ´´profesore´´rapsode,pra alifimatrake,por dhe hajdute te paskrupullte dhe antikombetare deri aty sa jane marre dhe grada doktoresh,duke denigruar dhe shperfytyruar historine dhe lartesuar pushtuesin aziatik osman.
    Nje epidemi kjo qe gjeti shtrirje me shpejtesi,brenda tufes aty dhe tek lloji i fusharakeve te species dhorikule etj,etj,
    Arsimi,ashtu si politika,pushteti,media,etj,zhvilloheshin si rrethe vicioze,me rrathe koncentrike,me reze ne zmadhim.
    Mire nuska-diploma,shperndaheshin pa hesap neper gjithe fakultetet,por kur vinte puna tek mjekesia,kjo merrte,dimensione fare te prekeshme kriminale.
    Per hir te se vertetes,fillimet e sundimit te rames ishin shume premtuese:
    Filloi te mbylle,universitetet-piramide te dijes(truri bosh-nuske-diploma ne xhep),planifikoi nje menyre tjeter te funksionimit te shkolles se larte,por fatkqesisht nuk i ndoqi dhe problemet erdhen dhe u ridemensionuan si me pare.
    E para mendoj ,qe nje sistem arsimor i ri i propozuar te funksionoje,kjo varet nga lloji i mentalitetit dhe kultures se vendit,ku ai aplikohet.
    Eshte e provuar,qe kur nje strategji arsimimi ne nje vend ka pasur sukses,aplikuar ne nje vend tjeter, ka pesuar deshtim.
    Vec te tjerave,kjo do harmonizuar,ne te gjitha hallkat e arsimit,nga fillor deri ne arsimin e larte.
    Kete duhet ta dirigjonte akademia,te cilen sali-haleja e politizoi-aziatizoi dhe e shkrumboi.
    Ne te njejten kohe,vicidolizimi dhe cepanizmi,filloi te shperfytyroje dhe denatyroje,ate shkolle tradicionale,qe ndonse kish mangesi,ne anen eksperimentale(shtet i varfer),por cfaqte nje seriozitet te admirueshem,ne maredheniet pedagog -nxenes-student.
    E keqja historike,me arsimin e´´ri´´,ka te bej me ate,qe mentaliteti i dijes-piramide,nga pedagoge dhe pronare xhambaze,eshte perhapur thelle dhe ne mentalitetin studentor:
    Ne kerkesat e studenteve(ku duheshin perfshire dhe nxenesit e shkollave,pasi eshte e njejta sindrome)),nuk gjen asgje konkrete,per cilesine e dijes,qe se pari lidhet me ekspozimin e emrave te ´´pedagogeve´´ qe duhet te flaken jashte prej bythe nga fakultetet,pa le me me ndonje propozim per nje strategji cilesore te arsimit aktual dhe perspektiv.
    E kush nuk donte ta merrte,nje diplome qyl,ne kete arnautistan,qe vjen verdall sipas ligjeve te kulles se erret:
    perlaja se ta perlau tjetri.
    E pra ne pritje te nje Ataturku,na kane ardhur vrases te dijes,te punes te kombit,ne krye te institucioneve shqiptare..

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*