Letër pa zarf për ministrin Blendi Klosi dhe drejtoreshën e ISSH

Ismet Isufi* July 22, 2015 13:36

Letër pa zarf për ministrin Blendi Klosi dhe drejtoreshën e ISSH

Zonja Drejtoreshë,

Pas shumë kërkesave të përsëritura për gati 2 vjet, më 29 qershor, u kërkova takim vetëm 3 minuta, për t’u treguar e parë me sytë Tuaj dy dokumente, që provojnë papërgjegjëshmërinë dhe paaftësinë e vartësve Tuaj, si dhe firmosjen verbërisht prej Jush të veprimeve të paligjshme të tyre, për trajtimin e pensionit. E ndjeja vetëm si detyrim moral, sepse e di që Ju nuk merreni me llogaritje pensioni. Ju nuk denjuat. Pritja ka kufi! Durimi m’u sos! Kisha tjetër mendim për Ju, e përfundimisht u zhgënjeva.

Kur përdor në vijim përemrin vetor JU, kam parasysh autoritetin tënd, aktualisht si drejtuese, por edhe të vartësve, e po ashtu edhe të eprorëve. Falenderoj redaksinë e gazetës “DITA”, që bëri të mundur të komunikoj si me JU dhe me opinionin publik për shqetësimin tim, e të mijëra pensionistëve, i lidhur direkt me Institutin që drejtoni, i cili, për mbi 20 vjet, është përfshirë në skandalin e shkeljeve të hapura të Kushtetutës, të ligjeve në fuqi, të shpërdorimit dhe abuzimit me detyrën, të shpërfilljes së Kodit Etik Profesional, duke e kthyer atë në institucion të pasigurisë shoqërore, sepse vjedh, keqtrajton, gjobit e diskriminon mbarë pensionistët. E thënë troç, ky institucion ia ka kaluar edhe trajtimit të frikshëm të Shtëpisë Jetimore në Shkodër a gjetkë, dhe i vetmi ndryshim është se nuk ka vidio e shkelma, ndërsa pasojat janë edhe më të dhimbshme e më të frikshme në trajtimin e ”Fëmijëve Jetimë Madhorë” të Hiç-Shtetit, pra të pensionistëve, në prag ikje nga kjo botë.

Pa patur luksin e të qënurit avokat i pensionistëve, po denoncoj me fakte skandalin që ka ndodhur dje, sot apo atë që mund të ndodhë dhe nesër, a pasnesër me pensionin tim që është i njëjtë me shumë të tjerë, i cili më ka sjellë, ashtu si mbarë pensionistëve, shqetësime të mëdha ekonomike, morale, sociale e shëndetësore. Ai ka mbjellë pasiguri, frikë, duke mos gëzuar të drejtën dhe lirinë themelore kushtetuese, atë të të jetuarit në normalitet, në siguri dhe dinjitet, ndaj dhe besimi për JU më ka rënë për tokë. Insistimi e kurajua për të kërkuar të drejtën legjitime të cenuar, nuk është një fiksim a teprim i një pensionisti kapriçoz a zevzek, që kërkon qiqra në hell, por është rrjedhojë e një vëzhgimi të gjatë 15 vjeçar, që heq në kurriz pasojat e këtyre shkeljeve, sidomos diskriminimin e injorimin deri në skajshmëri, në 5 vitet të fundit, për një çështje gati banale, të kryerjes së një veprimi të thjeshtë aritmetikor për llogaritjen e pagimin e pensionit, në pajtim me ligjin. Qënka e rëndë dhe e padurueshme padrejtësia, sidomos në pleqëri, Drejtoreshë. Populli ka thënë: “ E drejta tund edhe malin”. Për hir të formimit tim profesional e kulturor, nuk më falet të mos di të llogarit dot bukën e gojës, apo të hesht, të bëj rolin e sakatit mendor, të qorrit, të shurdhit, apo të mos mbroj të drejtën, nderin dhe dinjitetin, tim e të çdo pensionisti, të nëpërkëmbur prej “ekspertësh” e “specialistësh” Tuaj, të cilët nuk kanë asgjë të përbashkët me funksionin e përmbushjes së misionit fisnik kushtetues e ligjor të institucionit, për të qenë në shërbim të popullit, ngaqë aktualisht ia kanë hipur në zverk atij. Përsa denoncoj, si askush tjetër, kam mbi 80 faqe dokumente të korespodencës me atë institucion, që “flasin” shumë qartë, dhe vërtetojnë katërcipërisht punën e pistë, të bërë për pensionin, ndaj jam gati të ballafaqohem kudo e me këdo, përpara organeve shtetërore, të drejtësisë, dhe mediave. Si askund tjetër, JU jeni bërë shtet mbi shtetin, ku gjithçka e keni kthyer me kokë poshtë, përmbys, ku zhbëni Kushtetutën dhe Ligjin, shqipen, aritmetikën universale, Kodin Etik-Profesional, ndaj aty, në fund e në krye, sundon Antiligji, në dëm të pensionistëve.

Vetëm tek JU, ndodh të shkelet çdo afat ligjor, çon dokumentet 3 muaj para afatit, dhe pensioni i pleqërisë doli pas 3 muaj, ai suplementari pas 6 muaj. Por me se do të ushqehet pensionisti në këta 3-6 muaj, kur s’ka burim tjetër veç pensionit, o Drejtoreshë?! Është shumë i çuditshëm dhe alogjik fakti që më caktohet pension minimal kur sipas ligjit, më takon maksimal, për shkak të pagave të larta në funksionet që kam kryer si oficer, deri 8700 lekë më pak (?!). Mbeta “Përtej Urës së Qabesë”, duke u ankuar për 3 vjet rresht, nëpër zyra. Pensioni u ndryshua nga pak 6 herë, por kurrë nuk shkoi në vendin e ligjit. Herën e 7-të, nëntor 2013, falë edhe të një fjale Tuaj, pensioni i pleqërisë u vendos 24050 lekë, por suplementari, që është sa gjysma e tij, nuk u vendos kurrë, sepse Kryetarja e Degës, Rudina Petri, ose nuk di të pjestojë me shifrën 2, ose nuk do, apo ka ndonjë interes tjetër, ndaj dhe sot është jo 12025, por 11983 lekë. Nuk e vlen fare të ankohesh nëpër zyra, për 42 kacidhe, por ajo e ka detyrë ligjore saktësinë. Pikërisht këtë shfrytëzojnë aty, duke sorollatur, mërzitur e përcjellë me gisht në gojë pensionistët. Për mua, dhe çdo pensionist, edhe 5 lekë janë shumë, sepse jo vetëm i jep ligji, dhe jo xhepi i saj, por dhe se me to blej një pako kinino, apo një bidon ujë të njom buzën e tharë prej varfërisë. U gëzova që pensioni shkoi në cakun ligjor, madje më dhanë 49000 lekë që më takonin, si të papaguara. Teksa bëhesha gati t’u falenderoja, më ngriu gëzimi e buzëqeshja, se fill pas 2 muaj, më vjen mandat- gjoba e parë prej 2200 lekë /muaj për 3 muaj rresht, dhe pas saj mandat- gjoba e dytë prej 2400 lekë/muaj në muaj, për 4 vjet rresht, gjoja për të shlyer shumën “debitor” 111492 lekë, deri më 31 dhjetor 2017, (po isha gjallë!). Si është e mundur, Drejtoreshë, që pas dy muajsh, nga kreditor, “gdhihem” debitor, kur edhe të gjitha pensionet e mbledhura për 6 muaj nuk bëjnë sa shuma-gjobë?! Pra, “shndrit” që së largu se dhe Instituti që drejtoni, qënka pëgërë nga sëmundja e gjobëvënieve për “borxh” të pa marrë, dhe nuk mund të mbetej as i pastër dhe as pas të tjerëve, që vënë gjoba për drita pa ndezuar, apo për ujë të papirë?! Kështu, siç shihet, Instituti, ngaqë do kujdesej për sigurimin shoqëror të përfitimeve të pensionistëve, paska ndryshuar objekt, është bërë Instituti i Tatim-Taksave, apo i Mandat-Gjobave që u vihen pensionistëve, troç, në Institut të Pasigurisë Shoqërore, në përfitim për interes të vet duke rrjepur pensionistët. Ja pse kur kujtoj pensionin ndjehem i frikësuar, i pambrojtur, se nuk e di, Drejtorëshë, se cila dhe sa do jetë gjoba e radhës nesër, a pasnesër, për deri sa JU-ve, u është dhënë çelësi i kasafortës, dhe “pronësia” e këtij sektori publik, dhe na mbani vetë Kuletën, futni në të dorën sa herë doni e të merrni lekë sa të doni! Kështu, na keni në dorë sa Kuletën edhe Jetën, duke na shpejtuar vdekjen, jo më atë natyrale, por atë të imponuar, si ato prej bluzave të bardha! Kush e shpiku gjobë-vënien, meriton çmim “Nderi”! Gjobë-vënia, është një krim i shëmtuar, dhe përbën vepër të dukshme penale, që bashkë me vjedhjen, prej cenimit e pakësimit të pensionit, për shkak të madhësisë dhe gjithëpërfshirjes së pensionistëve, përbën një Gërdec të dytë, shumë më të madh, por pa zhurmë predhash të topave. Është i butë, i padukshëm, ama shumë më i rrezikshëm, që sjell shkatërrim, rrënim shpirtëror, e ndjell vdekje të ngadaltë e masive të pensionistëve.

Kërkoj të më jepen arsyetimet ligjore për mandat-gjobën e parë. Në përgjigjen që firmos e vulos n/drejtori Luan Lapraku, jo vetëm që nuk jepet as nam e nishan i kësaj gjobe, por bëhet biografia se, kur lindi pensioni i parakohëm, si u rrit në vite e u bë burrë, dhe me tej shkruan se me ligjin e ri 10142/’09, pensioni më 1 korrik 2011, 2012, (i zvogëluar, si doku në ujë) është përkatësisht aq e kaq lekë. Nuk ka si të mos e quaj skandaloz këtë “sihariq” të pabesueshëm, që pensioni qënka “ngjallur” si Krishti, sepse unë atë e kam përcjellë me të gjitha nderet që i takonin, në mbrëmjen e 16 qershorit, që pushoi së ekzistuari, pra, para 1 korrikut të 2011(?!). Më i çuditshëm është fakti, i mëposhtëm, se jo vetëm që ky pension nuk ekziston as më 1 korrik 2011, e jo më në prill 2014, por tani “kujtohen” të bëjnë llogaritjen e tij sa ka qenë më 1.7.2009, kur s’ka asnjë dispozitë ligjore, që pas 5 vjetësh t’a nxjerrin atë, si të vdekurin nga varri, dhe për së vdekuri, t’a dënojnë “paq”, të paguajë fajin e vjedhjes së lekëve që nuk e ka kryer kurrë! O Perëndi, këta nuk dinë ç’bëjnë! Më thuaj, o i nderuar lexues, ç’emër t’i vë kësaj!

Edhe më tragjikomike është përgjigja nr 20915/’14, që i paraqitet Drejtoreshë Vjollcës, dhe ajo,verbazi, firmos e vulos papërgjegjshmërinë dhe paaftësinë e vartësve “ekspertë”, çka kompromenton rëndë integritetin dhe profesionalizmin e saj, si drejtuese. Komikja qëndron se paragrafi i dytë kundërshton të parin dhe i treti atë të dytin. A thua alogjizmi të jetë në atë shkallë sa që të mos bëjnë dot dallimin e madhësisë së shifrave? Si është e mundur, që të shkruhet e zeza mbi të bardhë nga këto “eksperte”, kur si pagë për rillogaritje në 2009, në mënyrë absurde, (e pabazuar asgjëkundi) vendoset shifra 13768, kur vetë pohojnë se paga e dhjetë viteve më parë, 1999, është më e madhe se kjo, 18176 lekë (realisht kaq). Po a duhet t’a besojmë këtë, kur dihet se paga minimale në shkallë vëndi në vitin 2009, e publikuar nga vetë Instituti është 16120 lekë, dhe se mesatarja është 53 500 lekë”? Dihet se në vitin 2009 për ushtarakët paga më e vogël për gradën toger është 43500 dhe kolonel 80600, atëhere si dalka paga mesatare e këtyre dy shifrave 13 768 lekë? Mos vallë na konsiderojnë ne, ish-ushtarakët, si fiset ZU-Lu të Afrikës, që i gënjenin duke marrë arin e i shkëmbenin me pasqyra? Ky është skandal i paimagjinueshëm, që në Institut u dashka hapur shkollë për të mësuar aritmetikën?! Por skandali e alogjizma vazhdon më poshtë: Pohon se pensioni suplementar më 17 qershor 2011 është 10653 lekë, që llogaritet 1% e pagës referuese neto për çdo vit shërbimi, dhe se po me këtë ligj, pensioni i parakohshëm, që llogaritet 1.5 % e pagës referuese neto për çdo vit shërbimi, një ditë më parë se të lindë ai suplementar, është 4337 lekë? A nuk është marrëzi, i nderuar lexues, kur dihet edhe nga fëmijët e fillores se 1.5% është më e madhe se 1%?! Atëherë, deri sa 1% e pagës referuese është 10653 lekë (e saktë), nuk mund të ndodhë kurrë aritmetikisht, që 1.5% e kësaj page të jetë 4337 lekë, ata e nxjerin 2.4 herë më e vogël se 10653?! Këto janë të shkruara qartë, në shkresën e cituar, dhe me që aritmetika nuk lë tjetër interpretim, ajo nxjerr saktë, pa kurrfarë gjethe fiku, gjithë lakuriqësinë e vjedhjes së hapur të pensionit. Tragjikja, s’ka nevojë për koment, sepse të gjitha shkeljet e ligjit, papergjegjëshmërinë e paaftësinë e këtyre “specialistëve” i heq në kurriz pensionisti, dhe këta “specialistë“,“ekspertë” janë shnëdrruar tashmë në kasapë që i rrjepin varfanjakun pensionist deri dhe lekurën e shtatë.

Mos firmos verbazi, Drejtoreshë! Një firmë juaja, apo e “ekspertëve”, në të mirën ligjore të pensionistit, është një mrekulli, që populli e shpreh këtë mirësi: “Ke bërë një urë në det”. Një firmë në dëm të tij, duke paksuar e vjedhur atë mizerabël pension, është një mëkat i madh, një krim i shëmtuar e i pafalshëm, jo vetëm i Juaji, po edhe i Hiç-Shtetit, është një dënim arbitrar, i padrejtë, i pashembullt, për cilindo pensionist, ashtu si dhe një lëndim i paparë, humbje besimi e mbjellje urrejtje në të afërmit e në shoqëri. Askund në botë nuk preket pensioni! Vetëm këtu tek ne, pensionisti shpërfillet, injorohet, poshtërohet, diskriminohet, vidhet, gjobitet, duke i paksuar bukën e gojës, ujin, veshjen, ilaçet,- troç, i shkurtojnë jetën! As pushtuesit nuk e kënë bërë këtë lloj poshtërimi e diskriminimi. Në Kushtetutë e në ligj është shkruar qartë, se kur del në pension, shteti është i detyruar të bëjë mbrojtjen, sigurimin dhe garantimin e nivelit ekonomik, për të jetuar ne normalitet, në siguri dhe me dinjitet, të kësaj moshe, me qëllim që të ngrysin ditët e mbetura të botës së përkëtejme. Pra, pensioni nuk është luks, as lëmoshë, dhe as dhuratë në dëshirën e tjetërkujt, por është detyrim kushtetues e ligjor i shtetit e qeverisë së tij për garantimin e mbrojtjes financiare të jetës së pansionsttëve, është detyrim për t’i rikthyer secilit kontributin e vet, të dhënë në përputhje të plotë me ligjin.

Kur një pensionist, sidomos ushtarak, i drejtohet gjykatës, për mos korrektesë nga ana JUAJ për zbatimin e ligjit për pensionin që i takon, kjo, ligjërisht e moralisht, duhet t’u shqetësojë edhe JU, si institucion, sepse diçka nuk shkon. Por kur shkojnë mbi 4 mijë ushtarakë, atëhere ky është një alarm, ku jo vetëm vihet në pikpyetje të madhe roli i këtij institucioni, por është më shumë një alarm gjëmim artilerie të rëndë për Shtetin dhe Qeverinë ç’ka do të thonë, se nuk janë fare në rolin që i ngarkon Kushtetuta dhe Ligji. Kur del ushtaraku në rrugë, apo shkon në gjykatë, Shteti, përfshi Qeverinë kanë marrë fund, bëjnë kot hije mbi dhe, nuk kanë më kuptimin e vet që ka realisht Shteti në çdo vend demokratik e përparimtar në botë. Asnjë arsye objektive e ligjore nuk ka, që mijëra ushtarakë, të shpallen debitorë, pa u marrë kurrë asnjë kacidhe, sepse si qyçet dhe kuletën i keni e i mbani JU. Është kjo një tjetër marrëzi te JU, çka i vini atij institucioni një njollë të zezë, për shkak të tjetërsimit dhe të shpërdorimit të detyrës së besuar, ku në shpirt u është shprishur morali dhe nuk u ka mbetur asnjë molekulë ndjeshmërie qytetare e humane, dhe si lejmotiv, aktualisht, keni shpallur publikisht, çuarjen deri në fund të aksionit të mbledhjes së mandat-gjobave të “debitorëve”, duke zhvatur pa mëshirë para gjaku nga pensioni mizerabël i të moshuarve varfanjakë e në buzë të varrit. Ky është skandal i paparë, një turp i pashoq për Shtetin Ligjor dhe Administratën e tij Publik,e që pretendojmë se i kemi të tillë, skandal ky që as Krishti e Muhameti s’e gjykon e mbulon dhe nuk ka as avokat e gjykatë që e mbron. A keni parë ndonjë vendim të gjykatave, pse që u janë rrëzuar pretendimet e “juristeve” Tuaja, zj. Drejtoreshë, sepse këto vendime janë jo pak, por gati 4 mijë? A nuk përbën ky një shqetësim serioz për JU, kur deri më tani dhe nga Instituti nuk ka asnjë reagim, përkundrazi vazhdon avazi i atiligjit, si në kohën e Sulltan S’Aliut të Madhërishëm?!

Kemi dëgjuar e lexuar jo pa neveri, që zyrtar/e si “specialist” delirant tek JU që, me plot entuziazëm , sipas psikikës, formatit të të menduarit dhe modelit të tyre të sjelljes, marrin pamjen e kasapit të dehur, me hanxhar në dorë dhe patën thënë, se në emër të zbatimit “të ligjit”, të demokracisë, të shtetit “ligjor”, do të dalin edhe mbi gjykatat, e do rillogaritin pensionet, se janë llogaritur keq, për t’i përkeqësuar ato, duke i cilësuar “debitorë” (?!). Vetëm të marrët, si tek JU, mendojnë se mund të vënë kollaj nën hudut edhe gjykatat, edhe gjyqtarët. Nuk shterpëzohet kurrë mitra e Nënë-Madhes, ajo ka lindur e do lindë plot djem e vajza të denjë, për Shqipëri, Liri, Drejtësi, e Përparimin. Këto thirrje histerike shkaktojnë sa habi, aq dhe neveri, për këmbënguljen idioteske, për të ecur ende me kokëfortësi rrugën e Antiligjit, që mbolli kudo, si virus kanceroz, Dr. Lugat-Shpellari, jo thjesht si ideologji, si koncept, por edhe si praktikë, si model sjellje e veprimi shkatërrues, që aq shumë dëm i solli Shqipërisë dhe shqiptarëve. Mosreflektimi e mosreagimi, apo më keq vazhdimi i rrugës së antiligjit, është një miopi vrastare, një minë me sahat me rrezik për një kohë të gjatë e me kosto të madhe për mbarë shqiptarët, ndaj të gjithë të reflektojmë, të veprojmë, të kontribuojmë për çrrënjosjen e saj dhe vendosjen përfundimisht të mbretërimit të Ligjit, të të Drejtës.

Po ku shkuan ato të shkreta lekë, që u mbahen mbarë pensionistëve? S’duhen as mend e as kalem, që me to u paguan qindra atobuzë e dhjetramijë mitingashë, tërë ato parada, koncerte e davete, u paguan me dhjetëra mijë EURO tërë ato, të vetëquajtura këngëtare,që puthin fort në buzë e në faqe KryeMarrshal-Qeveritarin dhe që shpalosin hiret e lakuriqësitë, se sa për zërin, e kanë, fiks-fare, si të sorrave. Dhe pensionistët, të mbetur “me gisht ne gojë” në skëterrën e varfërisë, duke pritur vdekjen, “gëzohen”, kur i shikojnë këto maskarada. Eshtë kjo arsyeja, që masa e madhe e pensionistëve, në shkrime apo dhe biseda, u vesh e u ngjesh epitete të ndryshme punonjësve të (pa)sigurimeve shoqërore, si: këpusha,shushunja,thothëlopa,- që pijnë gjakun e pensionistëve, apo hajdutë, gjobëvënës, taksidarë e kasapë pa shpirt, – që vjedhin e rrjepin pensionistët etj.

Të joshur e verbuar nga praktika antiligjore, te JU është rrënjosur mendësia absurde se çfarë del nga goja e “ekspertëve”, specialistëve” aty, ne, poshtë, duhet t’i marrim medoemos , jo vëtëm si të vërteta, por edhe si ar të kulluar, nga që del nga goja e “elitës”, me firmën Tuaj dhe e vulën me stemën e Republikës, paçka se ato nuk kanë asgjë të përbashkët me ligjin, të vërtetën, e të drejtën, por me të kundërtën e tyre. Kur lexojmë përgjigjet Tuaja pa përgjigje, që na fyejnë e injorojnë, na vjen ndërmënd ironizimi që i bën “elitës” filozofi i shquar grek Platoni, 2400 vjet më parë, Duhet t’i thoni popullit “Gënjeshtra Fisnike” për ta mbajtur pasiv, të përmbajtur dhe pa rrezikun e trazirave”. ”Fisnike” janë edhe këto gënjeshtrat Tuaja, nga që kanë dalë nga goja e “elitës,”: ekspertë, specialistë, juristë, drejtor/e, etj. që vetëm kjo elitë, e di të vërtetën në formën më të plotë dhe jo ata poshtë, të pagdhëndurit, kopeja, që duhet t’i besojnë verbërisht këto të pavërteta, që “elita” të mund të mbretërojë qetësisht e pa u trazuar. “Bukur”!

Natyrshëm lindin pyetjet, znj. Drejtoreshë: Ku e gjeni JU gjithë atë guxim e kurajo të shkelni haptazi Kushtetuten, Ligjet, vendimet e Gjykatës Kushtetuese, apo të delni mbi vendimet e gjykatave lidhur me trajtimin e pensioneve? S’keni fare frikë se ndëshkoheni nga ligji, për këto shkelje? Me ç’guxim fallsifikoni shifrat në dokumentete zyrtare, (ç’ka përbën vepër penale), apo që shkelni çdo dispozitë të ligjit për ankesat, kërkesat dhe informacionin? Ku e mbështesni zhbërjen e aritmetikës universale në llogaritjen e pensioneve, duke u dhënë më pak sesa dikton ligji? Pse fshihni dokumente e nuk bëni trasparencë për çdo gjë, lidhur me pensionet? A janë edhe për Ju të detyrueshme, si për gjithë qytetarët, zbatimi i Kushtetutës, ligjeve, apo jeni shtet mbi shtetin dhe keni tjetër kushtetutë, tjetër ligj e tjetër aritmetikë? A jeni institucion publik në mbrojtje, sigurim e garantim të përfitimeve të pensionistëve, apo jeni për përfitim Tuajn, në kurriz të tyre, duke i vjelur,vjedhur nëpërmjet paksimit të pensionit dhe vënies së tatim-gjobave?

Nuk ka fare dyshim, se pas JU-sh, fshihet një DORË ogurzezë, që është e lidhur me Hiç-Shtetin. Dhe në se vazhdohet kështu, vajmedet jo më për pensionistët, por për gjithë shqiptarët.

Qëllimi i këtij shkrimi, nuk është të nxij këdo aty, te JU, apo t’u vë parpara skuadrës së “pushkatimit”, për shkelje të ligjit, por të nxit reflektimin për ndryshim një sahat e më parë, që si unë dhe gjithë pensionistët të kemi në fakt siguri që të gëzojmë pensionin që përcakton ligji, dhe JU, të ktheheni në normalitet e dinjitet Institutin dhe Veten, të kryeni ndershmërisht misionin në bazë e për zbatim të Kushtetutës e të Ligjit, në shërbim e në të mirë të qytetarëve. Vetëm kështu, ku të mbretërojë realisht Ligji, do të jemi jemi të gjithë të fituar!

Mos harro se ky shkrim apo dhe i mëparshmi, nuk është një zë në shkretëtirë, por është zëri edhe i mijëra ushtarakëve, brenda dhe jashtë Shqipërisë, që mbështesin shqetësimin, dhe me gjithë këmbënguljen e tyre për të nënshkruar poshtë tij, e pashë me vend, t’u drejtohem i vetëm, për të marrë përsipër edhe përgjegjësinë para kujdo për gjithçka të shkruar, sepse e vërteta duket sheshit, shkëlqen si drita e diellit dhe s’ka nevojë fare për firma. Shkrova edhe përkundër dëshpërimit të shumë ishkolegëve që u shprehën:” Kot e ke që shkruan, se ata lart nuk i lexojnë fare gazetat dhe as që duan t’ia dinë ç’flitet e ç’bëhet, për vete e kanë në terezi!”, që të mos humbasin shpresën e fitimit të të drejtës, se shpresa vdes e fundit.

Përfundimisht, në këto rrethana, cilido pensionist, civil a ishushtarak, për padrejtësitë që i bëhen, të mos hezitojë që t’i drejtohet gjykatës. Megjithë klimën jo të shëndoshë shqiptare, ende ka shumë bij e bija nënash, që me profesionalizëm, integritet e ndershmëri, kanë dhënë e japin DREJTËSI! Cilido që na cënon të drejtat dhe interesat legjitime kushtetuese e ligjore, duhet t’a denoncojmë në organet e drejtësisë, që të përballet me ligjin, dhe detyrohet prej tyre të dëmshpërblejë nga xhepi i vet si dëmin ekonomik, ashtu edhe atë moral, që ka shkaktuar.

Po e mbyll me thënien e Ciceronit: “Ligji mbron të zgjuarit, jo ata që flenë.”

 

*Ish ushtarak, nënkolonel në pension

Ismet Isufi* July 22, 2015 13:36
Komento

10 Komente

  1. Kris 1 July 22, 13:57

    Kot e ke shkruar se keta nuk dine te lexojne e Jo me te shumzojne e pjestojne.Qeveria merret me piktura dhe paret e pensioneve I menaxhon LSI e thesarit.
    Pa vajtur dhe Horri I rilindjes pas shokut Sali mos Priti ndryshim

    Reply to this comment
  2. Pjeter Mustakuqi July 22, 14:02

    Drejtoresh e ka mprehur lapsin per ata qe kane punuar 45 vjet, dhe mezi presin pensionin.
    Por une do i kerkoja Drejtoreshes, te verifikoje gjithe ato pensione fallco te PD, qe kane bere gjyqe e firmosur vite pune qe nuk i kane bere.
    Keto Pensione fallco do i rendojne Shtetit perjete, se ca hajdute qe vinin verdalle PD, kane marre pensione me dokumenta fallco.
    Kontrolloni Shkodren dhe do ta shikoni qe Sigurimet Shoqerore atje jane Shoqate Bamiresie, ku merr me shume pension ai qe nuk ka punuar, se ai qe ka punuar, boll te kishe teseren e PD.

    Reply to this comment
  3. Marina July 22, 14:33

    Ju falenderoj shume Z.Isufi,keni emrin tim e te bashkeshortit ne se na lejoni ne shkrimin tuaj…

    Reply to this comment
  4. jona July 22, 14:45

    Drejtoresha e sigurimeve shoqerore o shoke nuk ka dhe shume faj sepse qeveria e nallbanit Sali Berisha e mbushi istitucionin ne gjithfar njerezish te pa afte, me kurva e kurvare qe jo vetem qe nuk punojne por gjate orarit te punes merren me lyerjen e thojve sa qe nuk i lejojne te punojne dhe ne konpjuter, ato merren se kush e kush te nxjerre shalet pejashta,qe jo vetem neve nuk na pranojne ne zyre e nuk na japin pergjigjie por dhe koleget e tyre e kane te veshtire ne mos te pa mundur te komunikojne me to.Erjon veliaj thote e bera reformen e pensioneve por ne fakt ka bere gjysmen se la ne detyre po ata badakçoj e hajdute,dhe ky ministri i ri po eshte hallve e ftohte.Ne shqiperi duhet rrevolucion pa me llafe administrata, drejtesia,e qeveria nuk marrin vesh e asnjehere nuk kane per te marre populli ate qe i takon.

    Reply to this comment
  5. Euro Maloku July 22, 16:45

    Janine e tatepjeteeeee
    Si ka qene edhe do te jete….

    Kot…me qe drejtoresha eshte çame dhe interesohet per pasurite e saje…..
    Nuk kemi kohe tani te merremi edhe me popullin.
    Pastaj edhe zgjedhjet kane mbaruar

    Reply to this comment
  6. Lion July 22, 16:47

    Me shkurt zoteri, me shkurt, qe t’ju kuptojne me mire.

    Reply to this comment
  7. Emigrant July 22, 17:37

    Ju zoteri kini shume te drejte dhe me vjen shume mire per aftesine tuaj per te llogaritur dhe vene para pergjegjsise morale te gjithe paaftesine dhe pandershmerine e njerzve qe punojne ne keto zyra. Une isha vitin e kaluar ne Shqiperi per te mare pensionin e parakohshem qe me takonte si ish ushtarak Per hir te vertetes nuk u vonova sepse ishin mare disa shoke te mij me kete pune por nje gje nuk me erdhi mire qe per kete pune ata kishin dorezuar leket tek sekseret qe jane vetpunesuar atje dhe ata mbaronin cdo gje kjo nuk me pelqeu Por une nuk kam llogaritur se sa me takon dhe nuk di te them ndonje gje. Shpresoj qe edhe keto te regullohen nje dite.

    Reply to this comment
  8. Zoro July 22, 17:37

    Me mire zoti N/Kolonel kishe bere nje liber per Institutin e Sigurimeve Shoqerore e Drejtoreshen si libri i Edi Rames “kurbani”, se per shkrime gazetash as ai shtet qe iku dhe as ky shtet qe erdhi nuk e kane rruajtur dhe nuk do ta rruajne ndonjehere per pensionistet dhe aq me teper kur ata jane ish ushtarak.
    Shoqatat tuaja le te krijojne nje Levizje apo Parti dhe me 250000 vota qe kane ne te gjithe Shqiperine bashke me pjestaret e tyre te familjeve sigurojne gati 20 deputet ne parlament dhe jo t’ju veni nga pas ketyre zagareve, por t’ju vijne ata politikanet nga pas e mos tja varni.
    Ndryshe asnjehere nuk do fitoni te drejtat tuaja, ju kane percare ne 5 shoqata dhe kryatareve te shoqatave tuaja ju mbushin xhepat dhe juve ju lene me gisht ne goje.
    Shkruajte kesaj here mos u lodh me per here te tjera.

    Reply to this comment
  9. Zogu July 22, 20:09

    Ketu more shoke nuk ka shtet. Ne cilindo vend tjeter te botes mbas tere ketyre denoncimeve ne drejtim te kesaj drejtoreshes ( u bene dy vjet qe lexojme per skandale pa fund) prokuroria duhet te niste hetimet per shkelje te rende te ligjit dhe abuzim me detyren. Prokurori e korruptuar, shtet i marrur fund. Rrofshin te huajt qe na e kujtojne cdo dite se ne cfare llumi ne jetojme.

    Reply to this comment
    • kipi July 23, 12:42

      Mos shkruani kot se kurre nuk ka per te shkuar hetimi ne ISSh. Pasi askush nuk don tja dije ne kete vend per hallet e ushtarakeve ne rezerve. Ka ndodh qe edhe formula e aktit normativ eshte zbatuar “gabimisht”. Jane perfshire ne “rillogaritje” shume ushtarake ne rezerve qe i kapi akti normativ dhe ISSh s’kish pune me “rillogaritje” te tyre. Kaq mbaron filmi. Une mendoj ashtu si Ismeti qe ne kete insitucion ka bere cerdhe paaftesia, militantizmi partiak i verber dhe idiotesia e disa zyrtareve nendrejtore e nenshefa, etj, etj. Aty duhet plugim

      Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*