Krah njëri tjetrit në bronx, një borxh moral për Ramizenë dhe Zahon

August 28, 2019 16:30

Krah njëri tjetrit në bronx, një borxh moral për Ramizenë dhe Zahon

Nga Arben Saliu

Para pak vjetësh, te ish baraka e Nushajve, po pija një kafe me të ndjerët Todi Lubonja dhe Sofokli Lazri. Ish koha kur Sofua sapo kish hedhur në qarkullim librin e tij të mrekullueshëm “Rikthimi i dhimbjes”.

I paharruari Todi Lubonja, nisur nga mbresat e thella që i kishte lënë ky libër, na rrëfeu për një propozim interesant që i kishte bërë Muntaz Dhramit. Konkretisht, ai i kishte shprehur dëshirën skulptorit të shquar, që bazuar në tragjedinë e Ramize Gjebresë dhe Zaho Kokës, të ideonte një memorial për ta derdhur në bronx dhe ky të ekspozohej në një nga lulishtet e qytetit të Vlorës.

Muntazi ishte shprehur dakord në parim, por kjo punë nuk mund të niste pa mbështetje financiare nga pushteti vendor apo komuniteti i biznesit vlonjat.

Unë e mirëprita këtë ide të Todit, por nuk isha optimist në se do të realizohej. Pse?! Po t’i referohem Dritëro Agollit, kjo ndodh se “S’ka më heronj, tani ka pelivanë”. Dhe këta pelivanë nuk i mungojnë as Vlorës heroike, një nga vatrat më të nxehta të antifashizmit shqiptar.

Ramize Gjebrea dhe Zaho Koka vazhdojnë edhe sot e kësaj dite, që jo të jenë të derdhur në bronx, por s’ka asnjë institucion që të ketë emrin e tyre.

Është e njëjta gjatësi vale edhe me institucionin më të lartë të shtetit, kur në dyzinën e dekoratave për lloj lloj-lloj emrash e personazhesh, antifashistët e shquar janë lënë në heshtje, pasi është parë më e udhës që në vend të tyre të bëjnë “Nderi i Kombit” kuislingët shqiptarë apo edhe ish agjentë të shërbimeve të huaja sekrete.

Si mundet që Ramize Gjebrea, apo ndonjë grua e rrallë si Justina Shkupi, e vetmja shqiptare në Luftën e Spanjës, ende s’e kanë marrë këtë dekoratë plotësisht të merituar?!

Po Bashkitë e Vlorës, Gjirokastrës apo Tiranës kush ua ka prerë iniciativën për të shpallur “Qytetare Nderi” Ramize Gjebrenë, këtë drejtuese të shquar të rinisë antifashiste dhe pishtare të civilizimit të femrës shqiptare?!

Todi dhe Sofua nuk jetojnë më. Por unë si dëshmitar i gjallë i asaj bisede, ia rikujtoj edhe njëherë publikisht Muntaz Dhramit propozimin e Lubonjës.

Njëherazi me këtë desha të rikujtoj edhe përfaqësuesit e pushtetit vendor të Vlorës, të cilët nëse nuk e shprehin për demagogji respektin për Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare, le t’i heqin mënjanë aq para sa i duhen Muntaz Dhramit, me qëllim që Ramize Gjebrea dhe Zaho Koka të jenë në krah të njëri tjetrit në bronx, ashtu siç do ishin në jetë, po të kishin dalë gjallë nga lufta.

Është një borxh moral që ua kemi figurave të tilla mbresëlënëse, të cilat përputhin sentencën se “Lavdia dhe fati nuk shkojnë bashkë”.

Më poshtë pjesa e fundit e dokumentave botuar numrat e fundit në Dita.

 

*****

(Vijon nga numri i kaluar – kliko KETU)

Letra e dytë për Nako Spirun

I dashuri shoku Nako,

Atë hidhërim që ndien ti me pushkatimin e Ramizesë, e ndiejmë të gjithë ne shokët e tu dhe të saj, por jemi të bindur se ky hidhërim nuk do të të mposhti, pse të njohim.

Letra që na shkruaje mua dhe Halimit na i forcoi këtë besim, pse e dimë që në momente të vështira, qofshin për punë, qofshin për çështje personale, ti do të jesh kurdoherë nga ata shokë udhëheqës që do të kapërxesh çdo pengesë. Jemi dakort me të gjitha sa na shkruan në letër dhe na gëzon pa masë qëndrimi i yt shumë i drejtë e komunist qoftë karshi Ramizesë, qoftë karshi dënimit që i është dhënë.

Me të vërtetë shokët kanë goditur rëndë dhe s’kanë tentuar t’i japin dorën asaj shoqeje dhe ta ngrinin, në vend që t’i jepnin shkelmin.

Të gjithë shokët, e veçanërisht shoku Xhako duhesh ta shpëtonte atë shoqe, por as në mendimet dhe as në vendimet e tij s’ka qenë i drejtë. Në raportin e tij që bën, jo vetëm që nuk shohim nga ana e tij as më të voglën tentativë që ta këshillojë e t’i tregojë rrugën e mirë, por ka guximin të thotë se e ka bërë këtë gjë pse ka pasë frikë se mos e vrisnin.

Nuk është nevoja shoku Nako, që në konferenca të theksohet çështja e Ramizesë, por të flitet në përgjithësi dhe s’duhet të ndalesh shumë se çdo të thonë bota për ty ose për vendimin që është marrë kundër saj; dua të them për sa na shkruaje në letër ku na përcaktoje pozitën tënde për këtë çështje.

Ti shko përpara në punë dhe në jetë si një komunist i vërtetë dhe si një komandant.

Tarasi, 4 Prill 1944

Zaho Koka

DUSH I FTOFTË PËR MANUSH MYFTIUN

Dy ditë para se të shpallej vendimi i gjyqit në ngarkim të Ramize Gjebresë dhe Zaho Kokës, në Panarit të Korçës, pikërisht aty ku ndodhej Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Nacionalçlirimtare, kishte filluar kursi i Partisë për kuadrot e larta të Qarqeve Korçë, Gjirokastër, Berat, Vlorë dhe të Brigadës së Parë, Katërt, Pestë dhe Gjashtë partizane.

Në këtë kurs asistonte edhe Ramiz Alia, drejtuesi kryesor i Rinisë Komuniste në Qarkun e Beratit. Takimi i tij me Manush Myftiun, përfaqësues i Brigadës së Pestë, do ta vinte përpara një të papriture shokuese. Dhe kjo lidhej me emrin e Ramize Gjebresë, një bashkëluftëtare e Alisë, për të cilën ai ruante kujtime të pashlyeshme nga Konferenca e Parë e Rinisë Komuniste Shqiptare, mbajtur në Zaloshnjë të Skraparit, në fillim të qershorit 1943. Po ç’ndodhi pas takimit të Alisë me Myftiun?

Rreth këtij fakti, Ramiz Alia zbardh për herë të parë publikisht shkakun që e çoi Manush Myftiun të reflektonte menjëherë lidhur me qëndrimin ndaj Ramizesë.

…”Për dy javë rresht, që prej 4 marsit deri më 20 mars 1944 në Panarit të Korçës u organizua kursi teorik i kuadrove të larta politikë të terrenit të Qarqeve të Jugut dhe të formacioneve të mëdha partizane që operonin në këto rajone.

Një prej këtyre kursantëve isha dhe unë, që vija nga qarku i Beratit. Nga kursantët e qarqeve të tjera nuk njifja njeri. Meqenëse përfaqësuesit e Vlorës nuk ishin të pranishëm ditën e hapjes së kursit, gjykova se do kisha rastin të takoja Ramize Gjebrenë, të vetmen kuadro që njihja nga ky qark, për të cilën kisha dijeni se ishte drejtuese e rinisë të Brigadës së Pestë.

Kur ata erdhën, mungesa e saj më shtyti t’i drejtohem Manush Myftiut. Pasi ju prezantova, e pyeta se pse s’kishte ardhur Ramizeja. Ai pa e zgjatur fare, më përgjigjet se “Ç’më pyet për të, ajo e qelbi”. Ishin fjalë që më ranë si bombë dhe për momentin s’dija çfarë t’i thosha. Pikërisht në këtë çast vjen një partizan i kompanisë së Sigurimit të Shtabit të Përgjithshëm dhe i thotë Manushit se e kërkonte Komisari Politik. Ai u nis menjëherë drejt godinës që ishte pak metra më tutje.

Kur mbeta vetëm, nisur nga fakti se Manushi nuk më tha asnjë fjalë më tepër, fillova të vras mendjen se çfarë duhet të ketë bërë Ramizeja që e “paska qelbur”. U trondita shpirtërisht jashtë mase, se kurrë s’më vinte mendja që Ramizeja të shkelte në dërrasë të kalbur. Personalisht me të isha njohur nga afër në Konferencën e Parë të Rinisë Komuniste Shqiptare, që u mbajt në Zaloshnjë të Skraparit, në ditët e para të Qershorit 1943, ku ajo ishte një nga delegatet e Tiranës. Te Ramizeja njoha një shoqe mjaft inteligjente, të shkathët dhe të afrueshme. Këtu mësuam se ajo ishte e fejuara e Nako Spirut, udhëheqësit tonë të Rinisë. Ky fakt atë s’e pengonte që të shkrihej njësh me të gjithë delegatët.

Në këtë gjendje të trazuar shpirtërore vazhdova të qëndroj rreth 30 minuta, deri sa Manushi mbaroi takimin me Enver Hoxhën. Kur ai doli nga godina e Shtabit të Përgjithshëm, i afrohem dhe e pyes se çfarë kishte ndodhur konkretisht me Ramizenë!

Manushi, ashtu si në momentin e parë edhe tani përgjigjigjen ma dha bram: “Nuk e ka qelbur Ramizeja, e kemi qelbur ne”. Nisur nga kjo kthesë e papritur në qëndrimin ndaj saj, Manushi më vuri në dijeni çfarë kishte ndodhur në Ramicë dhe që Enver Hoxha jo vetëm s’i kishte miratuar vendimet e gjyqit, por kishte reaguar ashpër ndaj këtij veprimi sektar të shokëve drejtues tw Brigadës së Pestë dhe të Qarkorit të Vlorës”.

PENDESA E RAMADAN XHANGOLLIT:

Ramadan Xhangolli (Xhaka), një nga denoncuesit për ekspozimin e ndjenjave midis Ramize Gjebresë dhe Zaho Kokës dhe inspiruesit kryesor për ndëshkimin e rëndë të tyre, pasi Enver Hoxha e dënoi këtë veprim sektar, nëpërmjet një Raporti dërguar Komitetit Qendror të RKSH, ndien përgjegjësinë e tij dhe përbetohet se kjo eksperiencë e hidhur do të jetë një mësim për të.

“… Për pushkatimin e Ramizesë. Njohja dhe çmimi që kisha për të si shoqe shumë e mirë dhe si gruaja e një shoku të mirë dhe lehtësimet që ju kisha bërë, kur ata kanë pasur nevojën time, kur pashë që ajo ngatërrohej me një tjetër, ma humbën durimin dhe gjykimin si komunist për të marrë masat e para dhe të dyta të mos insistoj me këmbëngulje për evitimin e dënimit me vdekje.

Kam qenë i bindur për dënimin e saj, deri sa më është sqaruar kjo punë nga shokët e KQ të Partisë. Tash e kuptoj se kjo përgjegjësi rëndon veçanërisht mbi mua. Ndjej dy gjëra në ndërgjegjen time: Humbjen e një shoqeje të mirë dhe që unë e doja më shumë se çdo shoqe tjetër, si dhe marrja ime pjesë në dënimin e saj. Më e keqja është se as njërën nga këto gjëra nuk e kam konstatuar vetë, por vetëm atëhere kur më është hequr vrejtje nga Partia, ose kur më është sqaruar mirë kjo punë. Kjo tregon mos pjekurinë time dhe mungesën e një zhvillimi, pse që të bësh gabime dhe t’i pranosh këto kur të vihen në dukje, është një mungesë e madhe sidomos për gjëra që nuk kthehen më, siç është jeta e një njeriu.

Megjithëse i vjetër në punën komuniste, zhvillimi im ka qenë shumë i kufizuar. Çdo përgjegjësi që më është dhënë nga Partia më ka bërë të mendohem për një moment, duke e ndjer vehten inferior, por besimi që kam pasur te Partija më ka bërë të kem kurajo dhe kam punuar brenda atyre mundësive të mija të ngushta. Gjithë këto gabime (për hesapin tim shumë të rënda) më bëjnë që t’i vë punës kujdesin më të madh dhe të mos bije më në të tilla gafa. Vetëm një gjë ndjej shumë të nevojshme, që të kem ndihmën e Qëndrorit të Rinisë dhe atë të Partisë për të shkuar më mirë në punë.

Ja vë në dijeni Qëndrorit të Rinisë këto gabime që të kenë kujdes për punën time tash e tutje. Jap fjalën se jo vetëm nuk do përsëris gjëra të tilla, por shpresoj se kjo eksperiencë e hidhur do të jetë një mësim për mua. “

Të fala shoqërore

                                        Xhaka

VF-LP

19 Prill1944

SHTABI JEMI NE

Në vitet e para të tranzicionit demokratik, një nga dëshmitarët e rrallë të trupit gjykues në procesin ndaj Ramize Gjebresë dhe Zaho Kokës, ish komandanti i Brigadës së Pestë, Shefqet Peçi, në një prononcim publik, pak kohë para se të ndërronte jetë, do sqaronte qëndrimin e vet rreth kësaj ngjarjeje. Sipas tij, ai ishte zëri i vetëm, që Ramizeja, ashtu si Zahua të mos pushkatoheshin, por të dy të çoheshin në Shtabin e Përgjithshëm. “Shtabi jemi ne”, do të reagonte komisari i Brigadës, i cili zotëronte katër informacionet

“ e nxehta” të ardhura kundër dy partizanëve, që mbaheshin në gjendje arresti prej disa ditëve. Ishin këto informacione dhe sjellja shpërfillëse e Ramize Gjebresë ndaj tyre dhe trupit gjykues, që e detyruan këtë të fundit, që ndaj saj të merrej masa ekstreme.

Dëshmia e Shefqet Peçit për momentin e vendimmarrjes mjaft të vështirë të gjyqit të Ramicës:

“Kur vajti Manush Myftiu në Shtabin e Përgjithshëm, Enver Hoxha e kritikoi për vrasjen e Ramizesë dhe i tha se që keni rënë në pozitat e Shefqet Peçit, se ai të vret. Manushi e pati atë burrëri dhe ju përgjegj që Shefqeti është treguar më i arsyeshëm nga ne. Kjo ishte e vërtetë, pasi unë ju thashë që bashkë me Zaho Kokën të dërgojmë në Shtabin e Përgjithshëm edhe Ramizenë. Hysni Kapua tha që “Shtabi i Përgjithshëm jemi ne”.

Dhe shkoi fjala e Hysniut. Atje ishin përveç tij dhe meje edhe Manushi, Hito Çakua, Bilbil Klosi, Ramadan Xhangolli, që raportoi për Ramizenë etj.

Po pse mori atë ndëshkim Ramizeja? Ne ishim në luftë. Ramizeja ishte caktuar në batalionin e tretë, unë jeshë në të parin në Kurvelesh e kështu me radhë. Zaho Koka me Ramizenë bënin dashuri njëri me tjetrin. Këta i kish parë Ramadan Xhangolli. Kur unë vij në Kuç, gjeta Manushin të demoralizuar. Atij i kishin thënë se batalioni u prish. Thirrëm në Ramicë Zahon dhe Ramizenë. Zahua dëftoi si burrat, kurse Ramizeja nuk pranoi. Këtu  u vendos që të pushkatoheshin të dy. Unë ngula këmbë për Zahon që të falej. Ishte trim i madh dhe mbajti qëndrim të mirë. Vendosëm pastaj që Zahon ta dërgojmë në Shtab të Përgjithshëm. Kurse për Ramizenë, nisur nga ajo që tha Hysniu se “ne jemi Shtabi i Përgjithshëm”, u pushkatua jashtë dëshirës sime. Hito Çakua ishte më aktivi. Këtë e di Manushi, nga ata që kanë mbetur”.

Halim Ramohito, ish përgjegjësi i Rinisë së Brigadës së Pestë kujton:

“Fatmirësisht është ruajtur proces-verbali i të ashtuquajturit gjyq ndaj Zaho Kokës dhe Ramize Gjebresë. Hysniu dhe Manushi, pas Kongresit të BRASH-it, zhvilluar, më 8 gusht 1944, më thanë me cilësinë e përgjegjësit të rinisë së Brigadës, që në mbledhjet e forumeve të rinisë të punonim për të korigjuar kritikat që na bënë në Helmës për këtë çështje. Më thanë gjithashtu se duhet të punonim kundër zakoneve të pashkruara të fanatizmit, që partizanët dhe partizanet e Brigadës ta kuptojnë drejt çështjen e dashurisë së lirë, të mos jenë të mbyllur e sektarë. Gjyqi i Ramicës ishte përgjegjësi e drejtëpërdrejtë e shtabit të Brigadës. Për të qenë realist, udhëheqja e Partisë e dënoi këtë gjyq, prandaj Hysniu dhe Manushi më pohuan se “i kishin bërë telendi.” Edhe për këtë ngjarje të hidhur, duke shkruar të vërtetën, ne ish partizanët e Brigadës së Pestë i bëjmë një shërbim të madh historisë”.

 REABILITIMI I ZAHO KOKËS

I përjashtuar nga Partia dhe i shkarkuar nga funksionet komanduese me vendimin e gjyqit të Ramicës në mars 1944, Zaho Koka do të mund të rifitonte të gjitha të drejtat vetëm pas disa ditësh.

Në momentin që Ramize Gjebrea do të ekzekutohej në Ramicë të Vlorës, sipas të njëjtit vendim të gjyqit partizan, Zaho Koka udhëtonte drejt Qarkut të Korçës, për t’u vënë në dispozicion të nevojave të luftës. Në rrugëtimin për detyrën e re, ai duhej të paraqitej në komandën e përgjithshme të Ushtrisë Nacionalçlirimtare.

Njeriu që do ta rehabilitonte plotësisht Zaho Kokën, pas atij ndëshkimi të rëndë, ishte vet kreu i PKSH dhe i Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë partizane. I vënë në dijeni për çka kishte ndodhur në Ramicë, Enver Hoxha u përpoq të riparonte çfarë të mundte nga vendimet fatale të atij gjyqi special të komandës së Brigadës së Pestë. Ndërkohë që nuk mund të bënte gjë për fatin e Ramize Gjebresë, të pushkatuar tashmë, ai urdhëroi rikthimin e Zaho Kokës në radhët e PKSH dhe emërimin e tij komisar politik batalioni në Brigadën e Katërt Sulmuese, që përbëhej kryesisht nga partizanë të qarkut të Korçës.

Takimi personalisht me Enver Hoxhën, do ta fuste situatën në një tjetër hulli.

Detajet e këtij takimi, Haredin Meçja, njëri nga partizanët e kompanisë së Sigurimit të Shtabit tëPërgjithshëm, i risjell të freskwta në vëmendjen e lexuesit:

…”Unë nuk e kisha njohur më parë Zaho Kokën, por emrin ja kisha dëgjuar. Një mal e ndante Vunoin me Bratajn, fshatin tim. Ardhja e tij ishte një ngjarje e gëzueshme për ne partizanët vlonjatë. Ai na solli lajme nga Vlora, për miqtë e të njohurit e përbashkët. Zaho Koka ishte vet i tretë. Kur vumë në dijeni Enver Hoxhën në zyrë për ardhjen e tyre, ai doli menjëherë jashtë e u takua përzemërsisht me ta.

Më pas, Enveri i futi krahun Zahos dhe e mori brenda në dhomën ( zyrën) e tij. Se çfarë bisedoi e ç’porosi i dha, nuk di gjë. Por vura re se Zahua, ai djalë i gjatë e i pashëm ishte i vrarë shpirtërisht. Asgjë nuk na tha. Qëndroi me ne tre apo katër ditë. Bisedonim deri vonë e ja merrnim labçe. Ja kthente shumë bukur. Ditën që do nisej, Zaho Kokën e përcolli deri në një farë vendi vetë Enver Hoxha. Unë me një partizan tjetër ecja disa hapa prapa tyre. Kur do ndaheshin, Enveri i tha: “Për ne je ai Zaho që ke qenë” dhe e përqafoi dhe e puthi me dashuri. Zaho Kokës i shkuan lotë në faqe. “Të jap fjalën shoku Taras, jeta ime është për Partinë, sa të kem frymë”. – “Kam besim të plotë se do të punosh e luftosh ashtu si dinë djemtë trima të Bregdetit, /Të penës e të dyfekut,/ Aman trima kapedanë /, apo jo, – i tha Enver Hoxha, për ta nxjerrë nga ajo gjendje e rëndë emocionale në të cilën ndodhej Zahua.

– “Po, po, e kemi kënduar këto ditë këtë këngë, me këta patriotët e mi, – i tha Zahua, duke u munduar të buzëqeshë midis lotëve që i shkonin çurk.

U takuam dhe ne me mall me këtë shok të mirë, që u vra më pas, atje në ballë të luftës e që më vonë u bë një nga Heronjtë e Popullit.

Kur po ktheheshim për në zyrat e Shtabit, Enver Hoxha, më shumë si për vete, sesa për ne, tha tepër i mërzitur: ”Shokët tanë po ngatërrojnë dynjanë”.

Ne nuk dinim gjë se çfarë kishte ndodhur. Nuk dinim për historinë tragjike të Ramize Gjebresë me trimin Zaho Koka”.

MISIONI QË IU BESUA ZAHO KOKËS

Zaho Koka s’ishte mëkatar. Ai s’ia kishte pasur me hile shokëve dhe s’i kishte bërë dredha luftës, të cilës i kishte dhënë më shumë se kushdo tjetër në Bregdet, prandaj me plotë të drejtë Enver Hoxha e riktheu menjëherë në radhët e Partisë, ku ai kishte milituar si anëtar besnik i saj, si dhe e caktoi komisar batalioni në Brigadën e Katërt. Por, para se të fillonte detyrën e re, atij ju ngarkua një mision tepër i rëndësishëm.

Duhej që në ishujt e Korfuzit të siguronte një motobarkë, me të cilën do të udhëtonte drejt Barit të Italisë delegacioni i Shtabit tonë të Përgjithshëm, me në krye Bedri Spahiun, për t’u atashuar pranë shtabit të Forcave Aleate të Mesdheut.

Sot flitet se kanë luftuar edhe ballistët e legalistët, por ja që edhe Forcat Aleate në shtabin qëndror të tyre në Mesdhe s’e kishin të vështirë të bënin selektimin, prandaj kërkonin pranë tyre përfaqësues të Ushtrisë Nacionalçlirimtare dhe jo bashkëpuntorët e nazifashistëve.

Zaho Koka u nis drejt Himarës për ta përmbushur me nder këtë mision.

Dhe ashtu si Odisea, atë s’e penguan dot as dallgët e detit Jon, as armiqtë në të dy anët e kufirit. Doli faqebardhë.

Meqenëse në këtë periudhë, në Bregdet vepronte Brigada e Gjashtë Sulmuese, Zahua mori detyrë nga Bedri Spahiu që të punonte për shtimin e saj me një batalion të ri partizanësh, me djem e vajza të Bregut. Kjo situatë e diktoi atë që të mos të rikthehej në Korçë, por të operonte në vendlindje. Filloi ta vinte në zbatim edhe këtë detyrë të re.

Kjo valë pune e gjeti atë dhe më 8 qershor. Forca naziste, në kulmin e Operacionit të Qershorit, duke depërtuar në drejtim të Vunoit, ndeshën në rezistencë të fortë. Zaho Koka ishte në krah të shokëve. Kur një grup i vogël gjermanësh tërhiqen drejt kishës së Shën Pjetrit dhe pozicionohen brenda saj, Zahua vihet në ndjekje të tyre. Por fatkeqësisht bie si një lis i rëndë, pranë rrënjëve të një ulliri. Te ky simbol i paqes, Zaho Koka ngeli përjetësisht si simbol i lirisë i krahinës së Himarës.

Batalioni i ri mori emrin “Zaho Koka”. Tani fillonte për të pavdekësia. Me dekretin nr 4600, datë 24 nëntor 1969, Zaho Kokës i akordohet Urdhëri i Artë “Hero i Popullit”.

 

*****

Botuar në Dita. Ndalohet ribotimi i plotë ose i pjesshëm pa lejen me shkrim të redaksisë

August 28, 2019 16:30
Komento

8 Komente

  1. Pacauret.... August 29, 11:52

    Ramize Gjebrea,Drita Kosturi,Musine Kokalari…..sa e sa vajza te emancipuara te botes Shqiptare shkuan ne ferrin e krimeve enveriste
    z.Arben Spahiu,nuk ishte vetem Sofo Lazeri nga Vunoi qe dinte historine e Zaho Kokes dhe Ramizese, ishte i gjithe fshati qe e perjetoj.Denglat ! lotet e krokodilit te Enverit per Ramizene,”e beri Manushi me koken e tije”
    Vrasja e saj vajze tronditi gjithe bregdetin e lidhur me luften ne ate kohe.Zaho Koka ishte trim i ralle e djal me karakter,nuk e duroj dot vrasjen e felliqur te dashures se tije.Perplasjen me Gjermanet ne kishen e Shen Pjetrit ne ate kohe edhe femijet e fshatit e muarne vesh qe ishte vetevrasje.I dha fund jetes si hero per ti lare borxhin e jetes Ramizese.”Na u lendua enveri” Ku i ke
    permendoret,statujat emrin lapidaret e Ramizese mbas
    clirimit ?!

    Reply to this comment
  2. Limani August 29, 12:39

    Ky Arben Saliu i cili , mendoj unë , e mban veten për të majtë , është një rrufjan , është një provokator në rezonansë të plotë me maskarain k/ministër dhe me institutin e alabakut Tufa !
    Në mes të halleve të mbëdha që ka ky vënd i mjerë , Arben agai na hedh në vitin 1944 për të na kujtuar krimet që ka bërë Lufta Antifashiste ( ? ) !
    Për të na bindur na kujton edhe Sofo Llazarin , dallkaukun e KQ dhe Tod Lubonjën , liberalin e festivaleve . Autoritete të mbedha këta të dy ( ! ) ?
    Enveri , jo gjithmonë e ka patur gabim !
    Partizanët e uritur , me këmbët që u kullonin gjak , që iu vriteshin shokët , që kishin përballë bishën fashisto- naziste , morën atë vendim që morën , më të drejtin në ato rrethana . Duhet të jeshë palaço të sajosh histori mbi histori , vetëm e vetëm për të çvlerësuar heroizmin dhe sakrificat e tyre !

    Reply to this comment
  3. Precizim August 29, 12:53

    Udheheqes i madh Enveri..
    Me gjykim te forte dhe real edhe ne kushtet e veshtira te luftes.
    Ne ate kohe nuk kishte telefon celular qe te pyesnin si tja bejme ta vrasim apo jo.

    Si tani qe Tom Doshi i thote Edi Rames:
    – Ver kete Valdrinin e ke cun persmari.
    – Po eshte nje cike me PD more Tom
    – Po cte plasi ty, merr vota edhe nga krahu tjeter.
    – Po ka bo edhe nje cik droge, more Tom
    – Droge kan bo te gjithe, o cun i nerum.
    – Hajt spo ta prish, po thuj te punoj fort eee.
    – Me droge? Pa merak.
    – Me droge po more Tom, po edhe me zgjedhjet ne Shkoder nga pak. Hajt, kije kujdes vete tashti, ta dhashe Shkodren. Mos me felliq.

    Reply to this comment
  4. labi August 29, 15:07

    Ky Zahua,
    paska qene nje burre i ulet!
    Ka disa gjera ,e kur nje femer i mohon ,eshte ne nderin e nje burri te mos flasi.
    Shpetoi lekuren me lekuren e Ramizese!
    Burrec bregu.

    Reply to this comment
    • Limani August 29, 16:48

      Labi ,
      fol si lab , fol si shqipëtar , mos shajë të vdekurin , mos shajë heroin , as Zahua e as Ramizea s’duhen sharë . Janë gjykuar sipas kohës , në kohë shumë të vështira , në Operacionin e Dimërit të 44-ës kur heronjtë partizanë u shperndanë shpellave , pa bukë e pa ujë , zbathur e xhveshur , por , nuk dezertuan .
      Për këto që përmenda i kam parë me sytë e mij dhe i kam vuajtur bashkë me t’a ( isha fëmijë atëhere ) , jo në shpellat mbi Vuno me Zahon e Ramizenë , por në shpellë në një mal tjetër . Kam parë dhe partizanin me këmbë të ngrira që lëngonte në kasolle bashkë me ne fëmijët dhe mbas disa ditësh ai mbylli sytë dhe e varrosi nëna jonë , se babai ishte partizan larg nesh .
      Se ç’është ky heroizëm masiv , nga shqipëtarët më të thjeshtë , këtë le t’a shpegojnë filozofët dhe intelektualët tanë të shquar , por jo ata të Akademisë bashkë me fashistin k/ministër që janë turpi i Shqiperisë !
      Zaho Koka është ashtu siç i këndohet kënga- nderi i Bregut dhe i gjithë Shqipërisë !
      Po gjirokastritja e bukur , Ramizea ç’farë është ?!
      Është një heroinë antifashiste , një agjitatore e flaktë e Luftës .
      Ramize dhe Zaho , po ju drejtohem në emër të atyre partizanëve që ju gjykuan ashpër dhe që s’jetojnë më :
      Na falni , kohë e ashpër me ligje të ashpëra. Në vendimin per ju , jemi ndikuar edhe nga Balli Kombetar , që thoshte se partizanët janë imoralë .
      Zahua dhe Ramizea janë heronjtë tanë antifashistë , por , edhe heronjtë kanë dobesitë e tyre brënda natyrës njerëzore , por , kjo s’ua ul vlerat .
      Fashistë dhe neofashistë , qëndroni larg nga Zahua dhe Ramizea , ata janë heronjtë tanë !

      Reply to this comment
  5. BK August 29, 15:35

    -Ramize Gjebrene, nuk e denuan as partizanet dhe as populli.
    -E denuan drejtuesit e brigades qe kishin bere ca shkolle, bile dhe ne perendim.
    – Shefqeti i pashkolle e mbrojti.
    -Kur e pushkatuan, partizanet deshmitare, jane larguar te traumatizuar, prandaj pushkatimin e saj, mos ja ngarkoni partizaneve dhe mentalitetit te kohes.

    – Po sikur Ramizja gjysme e fejuara e Nakos, se e fejuar nuk ka qene asnjehere, te ishte dashuruar me Dushan Mugoshen dhe jo Zaho Koken, do te pushkatohej sikur te ishte nje egersire pylli?

    Na jepni nje pergjigje ju te ligjit te luftes.

    Me 28 Shkurt 1944, nje jave para pushkatimit, Ramizja i ka derguar nje leter Nako Spirus, ku i kerkon te takoheshin me cdo kusht brenda javes.
    Per cfare e kerkonte me ngulm kete takim?
    Ne rast se ka qene vertete e dashuruar me Zahon, a mund te vinte ne dijeni partine per kete dashuri pa u takuar dhe dakordesuar me Nakon?
    Dashuria lind brenda minutes apo nevojitet nje periudhe miqesie, njohjeje apo ne kete minute ajo duhet tja deklaronte partise?
    O ju te ligjit te luftes:
    Ramize Gjebrea nuk ka kryer asnje veper qe bien ne kundershtim me moralin dhe ligjin e luftes.
    Nuk jam dakord, per nje monument te perbashket, por secili te vetin, pasi dashuria e tyre nuk eshte e provuar.

    Deshmitare me emer nga brigada e 5, e kane mohuar dashurine, dhe kane deklaruar se gjithcka ka qene nje shpifje.

    Ta simpatizosh nje person, apo ti besh dhe shoqeri, nuk do te thote se je dashuruar me te.

    Reply to this comment
  6. besniku August 29, 15:49

    Nuk mund te felliqni LNCÇL duke ketkuar ” gjilperen ne kashte”.
    Ramize Gjebrea, intelektuale me shkolle te mesme, duhet ta dinte me mire se vajzat e tjera partizane , pa shkolle, se çdo te thoshte ” disipline partizane”..
    Ne se nuk ishte ne gjendje te permbante vehten ajo, me nje barre mend, si i behej halli ballisteve, qe vetem nxirrnin helm nga goja per Luften?
    Po nuk u lodhet qe flisni vetem per te ??!!
    po qindra-mijra vajzat e tjera partizane, Margarita Tutulani, Zoja Çurre, e sa e sa te tjera qe luftuan , nuk dini te permendni.
    Apo me Ramizene ju paska mbetur gozhde

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*