LETRA E HAPME / Rrëfehet Henriku: Ja përse Përmeti më hapi sytë!

March 2, 2020 19:47

LETRA E HAPME / Rrëfehet Henriku: Ja përse Përmeti më hapi sytë!

Të nderuar lexues të gazetës Dita

Si fillim, po e nis këtë tekst liberal të frymëzuar nga shkolla e Çikagos, me zhgënjimin tim të thellë ndaj bashkëpunëtorëve dhe intelektualëve analistë, publicistë dhe shkrimtarë, të cilët që orët e para të arrestimit tim u dyndën me shkrime kundër qëndrimit tim në qeli.

Shumica dërrmuese, të habitur për mundësinë qoftë dhe të largët, teorike dhe efemere të qëndrimit tim në qeli, kërkonin me ngulm që çfarëdo faji të rëndë të kisha bërë, unë fare mirë mund të gjykohesha në liri.

Domethënë, e pranonin që mund të kisha bërë faj!! Dhe kush, unë që i bëra njerëz ata batakçinj të ardhur nga katundi, u tregova rrugët e Tiranës, u botova libra, u dhashë çmime, i futa nëpër borde, i dërgova nëpër partira majtas e djathtas, i bëra doktorë-profesorë!

Në pak rreshta, po shpalos para jush ato që janë publikuar në media – shumicën e të cilave i kam furnizuar me reklama – mbi çështjen time, dhe më tej gjykoni vetë.

Thuhet se kunati im, që pranon se është mik i ngushtë me vëllezërit Aliko, ka marrë përsipër të lehtësojë dënimet ndaj tyre si vrasës të oficerit të RENEA-s në Lazarat. Mirëpo drejtësia e re u ka kërkuar shumë Alikove, dhe unë e kunati do ndërhynim që të ulnim çmimin: Nga 1 milion euro për drejtësinë e re, do ta zbrisnim në 1 milion euro për mua, kjo në paratë të thata dhe prona.

Kjo zotërinj, nuk është dhe aq e vërtetë. Fakti që dy apartamente në Velipojë kaluan në emrin tim, dhe fakti që unë telefonova shefen e Kadastrës së Shkodrës për të përshpejtuar certifikatën e pronësisë, nuk tregojnë asgjë.

Ja, mendojeni vetë, ku Lazarati eee ku Velipoja!

Le pastaj, po më kanë përgjuar që jam takuar me gjykatësin e lartë, zotin Dorzani, i cili do bëhej dorëzanë për shqyrtimin e zhdërvjellët të dosjes Aliko. Mundet të jem takuar, mundet jo. Mund t’i kem premtuar një titull tjetër prof.dr, ose botimin e një libri me titull “Të çkulim me rrënjë drejtësinë e vjetër”, po kjo s’ka rëndësi.

Ajo që ka rëndësi është kjo: A mund të prangoset neo-liberalizmi? A ka vargonj që e mbajnë njeriun, i cili ngado të hedhë sytë, në qeveri, në opozitë, në drejtësi, në farmaci, te targat, te bankat, te tatimet, në ushtri, polici, milici, karabinieri, xhandarmëri… do i dalë me patjetër dikush që i kam dhënë diplomë, punë ose të dyja bashkë?

Më besoni, sikur i shkreti Ibrahim Basha të ishte gjallë dhe unë të kisha telefonat e vëllezërve Aliko, do t’u çoja mesazh urgjent: Mos bëni gafë të vrisni policë, vetëm plagosini lehtë! Le që edhe ata vetë e kanë kuptuar që e tepruan…

Për një gjë kanë të drejtë intelektualistët e mi: Unë jam njeri i bërë vetë, apo siç thonë tironsit, Jam i Bom. Themelova një universitet privat pa asnjë ndihmë, me përjashtim të asistencës së një vajze të çiltër dhe të thjeshtë me emrin Argjita, që më dha idenë ta shndërroja ish-rrobaqepsinë ushtarake në një Lalz të dytë universitar. Isha kaq i dhënë pas pasionit tim, saqë më besoni, shpesh harroja dhe të shlyeja këstet e kredive. Por asnjëherë, në asnjë rast, nuk kam lënë pas dore paratë e studentëve. Ua kam marrë një më një në datën e caktuar.

Doni apo nuk doni, unë themelova shkollën neoliberale në trojet shqiptare.

Kjo shkollë mendimi thotë që kur një mazhorancë në pushtet të ka dhënë leje, licensa, para, ajo meriton një mandat tjetër. Kur një mazhorancë e re vjen pas zgjedhjeve, ajo meriton të provohet sepse vendi ka nevojë për ndryshim. Shkolla ime e mendimit thotë që kur je në biznesin e arsimit të lartë privat, ti duhet të formulosh ligjin e ri të arsimit të lartë; ashtu sikurse, kur je në biznesin e shëndetësisë private, duhet të drejtosh politikat e shëndetit publik e kështu me rradhë.

Ajo për të cilën Edi KM u tregua i nxituar, është se nuk priti që unë të konsolidohesha në sektorin e studiove ligjore private, në mënyrë që ta merrja unë përsipër reformën në drejtësi. Do ju kisha bërë njerëz, për zotin!

Por këto ikën tashi. Për shkak të një serie keqkuptimesh, unë u ndodha në Përmetin e kulturës, luleve dhe rilindasve. I shkrova Edit:

“Po mirë, ju të Rilindjes në Përmetin e rilindasve gjetët të më burgosni? Jeni komplet pa fantazi, shumë të lexueshëm! Plus që unë vërtet nuk e kam takuar gjykatësin Dorzani, por kush e di, mbase dhe e kam takuar! A të leverdis ty si neo-liberal post-socialist ta degdisësh gjyqeve Dorzanin e shkretë, që mezi e ke? Think Edi, think!”

Dhe ç’është e vërteta, ai u mendua. Kështu duket, të paktën. Por ne, labinotasit e Çikagos nuk mund t’i kemi më besë këtij kallëpi; kjo është çmenduri. Këta janë të çmendur. Njërit i prezantoj nusen e ardhshme dhe ja si ma shpërblen. Tjetrit i çoj pako postale Salianjin dhe tre-katër këlyshë liderësh të tjerë, me premisa për t’u bërë liderë të vërtetë, dhe ai nuk hap gojën fare kur më arrestojnë.

Jezui ndenji 40 ditë në shkretëtirë për t’u kthjelluar. Unë ndenja 40 orë në Përmet dhe m’u hapën sytë. Prandaj Përmeti përbën një gur themelor për ne çunat e Çikagos. Unë do t’u futem me themel studimeve penale dhe paskëtaj s’ka ç’më bën më i miri. Po njësoj, nëse më hapin avaze të natyrës fiskale, do t’u futem me themel studimeve të financës dhe do t’i lë të gjithë në bisht. Me të njëjtën logjikë të shëndoshë, po më zunë në timon pa patentë, do t’i futem kursit të makinës dhe do t’i lë të gjithë me gojë hapur.

Kini parash një gjë, more jezitër! Unë jam si Sulltani more qafira. Unë duroj, ndonjëherë mbyll njërin sy, pa ndonjëherë mbyll dhe njërin vesh, por ama kur e teproni zullumin unë e shkoj në hu gjithë Arnautllëkun, ju hedh zinxhirët dhe ju çoj në hapsanë!

E kam fjalën, në hapsanën neoliberale ku tregu privat vepron si auto-rregullator i të gjithë vektorëve socio-ekonomikë, që në fund çojnë në një rezultante pozitive të zhvillimit të qëndrueshëm, megjithë kostot e tranzicionit…

Po e mbyll këtë letër me bindjen se dy apartamentet neoliberale të Velipojës do mbeten në shërbim të përhapjes së dijes dhe kulturës, dmth, do vijojnë të jenë të miat.

Falmeshendete….

Juaji, Henrik Skilja

 

 

******

Shënim / A jeni të sigurtë se rubrika e vërtetë satirike është Gojët e Liga dhe jo këto po ngjasin rrotull nesh?

March 2, 2020 19:47
Komento

6 Komente

  1. luani pa kasko March 2, 20:08

    hahahaaa 🙂
    mos vdekshi!!

    Reply to this comment
  2. kastrioti March 2, 20:33

    Nuk ka asgje ne bote qe të na binde per te kunderten e akuzave ndaj Henrit. Gjithe rrjedha e ngjarjeve eshte e qarte si ujet e kristaltë. Aliko>Ajdini>Fishtat>Henri>Kadastra Shkoder> Takimi me njeriun e drejtesise, te gjitha te lene te mendosh qe Henri eshte nje mafioz i bere vet.

    Reply to this comment
    • He se 1miljon jane, s'jane 2 March 3, 01:02

      Shiko se po te kisha marre dy nuk do tju kundershtoja dot por jane vete dy vila e 750 mije evro. Shtrohet pyetja po Dorzani sa do merrte ? Dhe pyetja e dyte po te niste shkollen e dorezaneve sa do te kursente nga ky akt ? A mos eshte ky nje rast – Leje leje se do t’i paguaj une ? Kto e shume te tjera vetem mbasi te keni marre masterin, e jo me dy dite burg.

      Reply to this comment
  3. Lindita March 3, 02:19

    Hahahaaaa
    Ahahahahahaaaaa
    Kush e ben kete rubrike o Dita.
    Hahahaaaa mu zgjat jeta nga te qeshurat
    🙂 🙂 🙂

    Reply to this comment
  4. Illyrian March 3, 10:43

    Pse more shtet i shkerllyer deri ne fyte vetem populli do denohet po ti o shtet i degjeneruar kurve hajdut maskara peder lezbik katran i mbaruar kur do denohesh e gjithe administrata duhet te kete denime me te larta se njerezit normal per arsyen se njerezit normal paga 5 here me te uleta populli i thjesht ka me shume arsye per te kryer krime ose shkelje administrat duhet te kete denime maksimale qe te vije ai komb ne vete dhe stop promovimit te imoraleve femra kurva meshkuj pedera neper televizione se na degjeneruat deri ne palce Stop Stop Stop Ciljeta Nevina etj etjera plot e per plot

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*