Letra që Kristoforidhi nuk e mori

Xhevat Lloshi February 23, 2015 14:16

Letra që Kristoforidhi nuk e mori

Me mbylljen e marrëdhënieve të K. Kristoforidhit me Shoqërinë Biblike të Londrës më 1883, përfaqësuesi i saj në Stamboll, Aleksandër Tomsoni, e ndërpreu edhe letërkëmbimin me të. Është e natyrshme, që të dyja palët për ca kohë nuk folën mirë për njëra-tjetrën, por nuk mund të shlyheshin kurrsesi marrëdhëniet miqësore prej bashkëpunimit aq të gjatë në të mirë të gjuhës shqipe, të librit shqip dhe të kulturës shqiptare. Prandaj fjalët e para të Tomsonit, në një letër që i dërgoi pas dhjetë vjetësh, në shtator 1893, ishin këto: “U bënë shumë vjet që nuk kemi komunikuar, por unë mund t’ju siguroj që kam menduar shpesh për ju në mënyrën më dashamirëse dhe kam pyetur për ju.”

Pasi i tregonte se tashmë kishin një shkollë vajzash në Korçë dhe se shqipja mësohej edhe në disa shkolla djemsh, i rrëfehej për veten se kishte nisur të mësonte shqipen dhe mund ta lexonte me mjaft lehtësi. Si shenjën më të madhe të përparimit quante përhapjen e përdorimit të alfabetit të Stambollit. Një nga rrjedhojat kryesore të përparimit të përgjithshëm ishte kjo: “Tashti një nga kërkesat e mëdha për kombin është një fjalor i mirë.” Ky ishte edhe qëllimi i letrës, edhe shtysa përse po e thyente heshtjen e gjatë. Ishte i informuar mirë për gjendjen në të cilën ndodhej puna për botimin e fjalorit dhe me një arsyetim të gjatë i vërtetonte se do të ishte më mirë, që të hiqte dorë prej germave greke dhe ta përpunonte lëndën me alfabetin e ri. Nga një shqyrtim edhe i anës financiare, e këshillonte që veprën t’ia dërgonte Shoqërisë së Bukureshtit, pasi të bënte plotësime dhe rregullime të nevojshme: “Ju tashmë keni bërë një punë të madhe dhe ky do të jetë një tjetër përfitim i madh për kombin tuaj.” Dhe letrën e mbyllte, duke thënë se këshillat ia parashtronte me plot dashuri për të mirën e tij dhe të kombit të tij.

Letrat pa përgjigje

Por për Kristoforidhin tashmë kishin perënduar vitet e tij më të mira, plot energji, zell dhe këmbëngulje të pandërprerë. Një nga shkaqet, përse ishte prishur me të Tomsoni kishte qenë se, si elbasanas i plotë, ai i ishte drejtuar rakisë. Për një skocez puritan si Tomsoni, ky ishte mëkat i papranueshëm. Një vit e ca më vonë, më tetë nëntor 1894 do të shprehej: “Sa keq që Kristoforidhi ka rënë kaq poshtë moralisht, sepse është jashtë çdo dyshimi mjeshtëria e tij elegante për gjuhën shqipe.”

Nuk pati përgjigje për letrën, megjithatë Tomsoni gjatë punës me botimet shqipe vetëkuptohet se nuk mund të mos e çonte mendjen herë pas here te përkthyesi i tyre. Librashitësi shëtitës i shoqërisë Biblike, Jovan Ciku, gjatë udhëtimeve kaloi edhe në Elbasan. U takua me Kristoforidhin pasi e kishte marrë letrën dhe biseduan gjatë. Përmbajtjen e bisedës Ciku ia njoftoi Tomsonit dhe ky i shkroi letrën e dytë Kristoforidhit pas katërmbëdhjetë muajsh. Ishte i mërzitur, sepse Kristoforidhi kishte hamendësuar që disa njerëz e kishin cytur t’i shkruante për ca gjëra, që as nuk i kishte përmendur në letrën e mëparshme. Ne nuk kemi dyshim, se fabrika e thashethemeve kurdoherë, domethënë edhe atëhere, ka punuar pa e pësuar nga ndonjë krizë, madje e ushqyer edhe më shumë prej tyre. “Gjatë gjithë viteve që kemi bashkëpunuar me njëri-tjetrin nuk mendoj se ju ndonjëherë më keni parë duke vepruar si vegël e njerëzve të tjerë,” – i shpjegohej Tomsoni.

Kishin kaluar shumë vjet, pjesa më e madhe e librave të përkthyer prej Kristoforidhit ishte shitur dhe kërkohej të kishte shqip më shumë pjesë prej Dhiatës së vjetër. Tomsoni po lexonte me vëmendje përkthimet e mëparshme, duke përdorur Fjalorin shqip-gjermanisht, pjesë të veprës së albanologut të njohur, J. G. fon Han, botuar më 1854. I dilte se “fjalët tuaja janë zgjedhur mirë dhe përkthimi juaj është i përpiktë”. Ndërkaq, nuk e dinte sesa libra të tjerë kishte përkthyer. Prandaj këtë radhë kërkesa kryesore ishte t’i kthente dorëshkrimet në alfabetin e Stambollit dhe t’i rishikonte me kujdes, duke gjetur edhe ndonjë ndihmës kompetent. Ndërkaq, ia thoshte hapur se në atë periudhë Shoqëria Biblike ishte në vështirësi financiare dhe nuk mund t’i premtonin një honorar shumë të madh. Sërish i përmendte që “Unë kurrë nuk i harroj miqtë e vjetër dhe mund t’ju siguroj se kam menduar shpesh për ju dhe gjithnjë me dashamirësi e me keqardhje.”

Letra e tretë është e një muaji më vonë, më 5 janar 1895, bashkë me urimet për vitin e ri që sapo kishte hyrë. Këtë radhë i parashtronte dy vështirësi, që e vononin për t’ia blerë dorëshkrimet. E para mbetej po ajo: dorëshkrimet duheshin rishikuar me kujdes dhe të ndryshohej alfabeti. E dyta, qeveria osmane nuk lejonte të botoheshin më tej libra shqip. Në letrën e tetë nëntorit që u citua më lart, Tomsoni theksonte, që përveç xhelozisë dhe intrigave të grekëve si më parë, ndoshta ishte vetë qeveria osmane, e cila “ka frikë se po të qytetërohen shqiptarët, në fund të fundit kjo do t’i çonte të kërkonin autonominë.” Kurse në letrën për ambasadorin e ri britanik më 30 nëntor, pikërisht po atë ditë që i ishte drejtuar Kristoforidhit, e shtjellon gjerësisht kundërshtimin e qeverisë osmane, i cili ishte shkelje e lirisë së ndërgjegjes, të sanksionuar nga vetë ajo qeveri.

Në fillim të vitit 1894 kishte vdekur fare i ri Gjerasim Qiriazi. Vendin e tij në marrëdhëniet me Shoqërinë Biblike e kishte zënë i vëllai, Gjergji. Ka një letërkëmbim të gjerë e me shumë interes mes tij dhe Tomsonit. Ia ka përsëritur edhe atij kërkesën, që Kristoforidhi të përpunonte dorëshkrimet, sepse pas aq shumë vjetësh, më në fund u dha leja për të shtypur libra shqip. Dhe po këtë çështje e ka rimarrë në letrën tjetër për Gjergjin më 6 mars.

Pikërisht më 6 mars 1895 Tomsoni ka shkruar edhe letrën e katërt për Kristoforidhin. E njofton me kënaqësi, se njëra nga vështirësitë e trajtuara në letrën e mëparshme tashmë kishte rënë: me ndërhyrjen e ambasadës britanike, qeveria osmane e kishte dhënë lejen për shtypjen e librave shqip. Ndoshta J. Ciku i kishte bërë një vizitë dhe ia kishte treguar. Do të dëshironte që Kristoforidhi të hynte në letërkëmbim me Gjergjin, i cili së shpejti do të kalonte për një kohë në Korçë, dhe të merreshin vesh se cilin njeri të shkolluar mund të merrnin për rishikimin e dorëshkrimeve. Pastaj dorëshkrimet, të shoqëruara me një vërtetim prej redaktorit, se gjithë puna ishte rishikuar me kujdes, do t’i dërgoheshin Gjergjit dhe do të bëhej pagesa e honorarit.

Tomsoni ndalej me hollësi në anët e teksteve, që kërkonin vëmendje për t’u përmirësuar. Ia quante se nuk ishte shumë vonë që të pendohej dhe të hiqte dorë nga mëkati i të pirit. I shprehte besimin se “Zonja Kristoforidhi dhe gjithë familja juaj janë mirë. Unë gjithnjë mendoj për ju me dashamirësi, por dhe me keqardhje”. I kërkonte të falur se po i shkruante fare hapur, por “që të dy, ju dhe unë tashti jemi burra të moshuar dhe ditët tona mund të jenë të pakta.”

Nuk e dinte Tomsoni se tashmë nuk kishte vend për imtësi të punës së rishikimit të teksteve, për të hequr dorë nga pija, për të gjetur shpëtim te besimi, për dashamirësi e keqardhje, për të pranuar të falur, madje as ditët e mbetura nuk mund të ishin të pakta. Dy javë më parë, më 23 shkurt Kristoforidhi kishte vdekur. Ai nuk do ta merrte atë letër. Miku i tij Losh Papamihali do të shkruante në regjistrin e esnafit të bojaxhinjve: “1895 në shkurt 23: Kostantini i Anasatas Nelkos (Kristoforidhi) ka vdekun, e mur Zoti, ky ashtë ati gjithë dheut, qi ndriçon gjuhun ton. E lemia e Kostantinit 1827.”

Lajmet dhe letrat vononin për të shkuar nga Shqipëria në Stamboll. Tomsoni kishte marrë një të ftohtë dhe po përgatitej të dilte në pension. Ende më 15 mars i shkruante Gjergjit, se “Më erdhi shumë keq kur mora vesh se z. Kristoforidhi ishte i sëmurë. Ndoshta tashti është jashtë fuqive të tij të rishikojë përkthimet që ka bërë të Ruthit, Ezras, Nehemias, Esterit dhe Jovit.” Prandaj t’ia dërgonte dorëshkrimet Gjergjit në Korçë; ai bashkë me Athanas Sinën do t’i shqyrtonin që të ishin të plota dhe t’i bëhej pagesa familjes, që ishte në nevojë.

 

Dy letra të tjera të Tomsonit

Së fundi, më 6 prill 1895 Tomsoni ka shkruar dy letra. E para i drejtohej Gjergjit. Tashmë ngjarja ishte bërë e njohur. “Kam qenë shumë i interesuar, – i shkruante, – për të shkretin Kristoforidhi dhe nga aftësitë e tij dhe stërvitja me dr. Hahn-in, shpresoja se ne i kishim bërë shërbime të mira kombit të tij dhe ai ka qenë i dobishëm. Dhiata e tij e re e vitit 1879, pavarësisht nga gjithë të metat, është një përparim i madh kundrejt dy botimeve të mëparshme të vitit 1827 dhe 1858, kurse besoj që librat e tij të tjerë të Dhiatës së vjetër dhe Dhiata gegërisht e Psalmet ende mund të jenë të dobishme për shumë veta.”

Letra tjetër i drejtohej zonjës Kristoforidhi, sepse kishte marrë letër prej saj, ku mësonte lajmin e hidhur të vdekjes së të shoqit, “të cilin e kam njohur që në vitin 1864 dhe me të cilin jemi munduar bashkë për kombin shqiptar 15 vjet dhe jo më kot.” I përsëriste mundësinë që i biri, Aleksandri, t’i dërgonte dorëshkrimet në Korçë te Gjergji.

Në fillim të vitit pasues, Tomsoni do t’ia dorëzonte dorëshkrimet pasardhësit të vet, T. Hoxhsonit: “Unë nuk mund të mos shpresoj që dorëshkrimet e përmendura do të dalin me vlerë të madhe dhe, po të rishikohen e të transkriptohen me kujdes në alfabetin e ri kombëtar, do të përshëndeteshin si një dhuratë e madhe për kombin.”

Këto katër letra të fundit të A. Tomsonit për K. Kristoforidhin po ia paraqes lexuesit për herë të parë me rastin e përvjetorit të vdekjes së tij, sepse më kanë rënë në duar para jo shumë kohësh.

Xhevat Lloshi February 23, 2015 14:16
Komento

3 Komente

  1. ortodoksi February 23, 22:47

    Kontributi juaj i vyer ne ndricim te vepres se Kristoforidhit z.Xhevat Lloshi, jane edhe keto letra te pabotuara,qe beni mire kur i botoni ne “DITA”,sepse kane dale sharlatane plagjatore qe i marrin nga ju,nga vepra e Simon e Dhimiter Shuteriqit dhe i botojne sikur i kane zbuluar vete gjoja nga familjaret,nga ,

    Reply to this comment
  2. Bregdeti February 24, 10:02

    Ka dy te paverteta-sipas meje- ne kete shkrim. 1-Une qe po shkruaj jam nip elbasanlliu (edhe ortodoks i lagjes kala) prej se paku 150 vjetesh. Kam pasur gjyshin dhe kater daja lindur e rritur ne Elbasan. Po ashtu nga ajo lagje si elbasanllij “te plote” jane edhe Aleks Buda, Dhimiter Shuteriqi etj etj etj KOKA te shkences dhe dhe kultures shqiptare. Asnjeri nga keta nuk ka qene perdorues i rakise apo alkooleve ne ate mase sa te degjeneronte jeten.2-Autori thote se ne letren e trete shkruat me 5 Janar 1895 Tomsoni ben urimet per vitin e ri???Dy persona te lidhur midis tyre per bindjet e thella fetare, para me shume se nje shekull, urimet i benin per Krishtlindjen dhe jo per vitin e ri. Te tjerat jane shume interesante.

    Reply to this comment
  3. isi February 24, 11:17

    Kristoforidhi vdiq nga ceroza ne melci(semundje e pasherueshme edhe sot,qe kishte si shkak perdorimin e tepruar te alkoolit).Ju mbush barku me uje,sa ja hiqnin me markush.Me vjen keq,por kjo eshte e verteta qe tregon nxenesi i tij Simon Shuteriqi.Ne mos gaboj ne kete gjendje perfundoi edhe Beethoveni dhe te jesh perdorues i alkoolit nuk eshte mekat!

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*