Letrat e një miku grek për miqësitë e Fan Nolit

January 11, 2017 11:35

Letrat e një miku grek për miqësitë e Fan Nolit

 

Prof. Nasho Jorgaqi

Një faqe pothuajse e panjohur për opinionin e gjerë është miqësia mes disa personaliteteve të kulturës shqiptare dhe të asaj greke në të kaluarën. Këto kanë qenë lidhje me rrënjë në fqinjësinë e përjetshme dhe në aspiratat e përbashkëta liridashëse të popujve tanë. Dhe është për nderin e përbashkët, që komunikime të tilla nuk kanë dashur t’ia dinë për klimat e ftohta politike dhe psikozat shoviniste. Në rastet më të mira, përfaqësues të kulturës së dy palëve i kanë zgjatur njëri-tjetrit dorën e vëllazërisë, të besimit e të mirëkuptimit të vërtetë.

Një nga shembujt e parë na e jep Naimi: është miqësia e tij me eruditin grek I. Karalidhisin, të cilit poeti ynë i kushtoi dhe përmbledhjen me vjersha, shkruar greqisht, Dashuria. Po kështu, në analet e lidhjeve kulturore shqiptaro-greke ka mbetur i paharruar takimi në vitet ’30-të i patriarkëve të poezisë së kohës, i Gjergj Fishtës dhe Kostas Pallamait. Apo miqësia disa vjeçare e K. Kallamarit me poetin e shquar Ali Asllani kur ishte ambasador i shtetit shqiptar në Athinë. Mund të vijonim kësisoj edhe me shembuj të tjerë, por në këtë rast do të ndaleshim te Fan Noli.

Duke u marrë me hulumtimin e epistolarit të Nolit në Arkivin Qendror të Shtetit, ndeshëm në një pjesë të letërkëmbimit që ai ka mbajtur me miqtë e tij grekë. Mund të themi se është nga kapitujt më të bukur e më interesant të epistolarit nolian. Njihet, bie fjala, letra-rrëfim e tij dërguar, në 1910 nga Bostoni, një shoku grek të gjimnazit të Adrianopojës. Po kësaj here gjetëm një tufë letrash të një miku grek drejtuar Nolit. Janë shtatë letra të Jani Apostolit, çuar nga Franca gjatë muajve janar-nëntor 1922, vëllait Fani. Apostoli nuk është emër i panjohur në jetën e Nolit, përkundrazi i takon të jetë një nga dy shokët më të ngushtë të kohës kur punoi në teatrot shëtitëse greke (1900-1909). Në autobiografi ai e përshkruan atë me këto fjalë: Apostoli nga Athina ishte një njeri me kulturë të gjerë, me të cilin Fan Noli kalonte gjithë kohën e lirë duke biseduar për artin dramatik dhe letërsinë botërore. Ai ishte i shkurtër e i thatë, shëndetlig, por me tipare të bukura të fytyrës. Me gjithë zgjuarsinë dhe talentin, atij i jepnin role të parëndësishme… Prandaj, Apostoli e la teatrin dhe u bë gazetar i dorës së parë.

Ashtu si shoku i tij, dhe Noli do ta braktisë teatrin dhe nga kjo kohë jeta e tyre do të marrë rrugë të ndryshme. Ata do të rigjejnë, me sa duket, njëri-tjetrin pas afro njëzetë vjetësh në rrethana krejt të tjera. Noli është bërë diplomat i shquar i vendit të tij, Apostoli gazetar me emër i shtypit grek në Francë.

Për fat të keq, kemi në dorë vetëm letrat e Apostolit dhe, megjithëse mungojnë ato të Nolit, nuk është e vështirë të kuptosh e të ndjesh miqësinë e tyre të fortë. Një miqësi vëllazërore, tepër e sinqertë dhe e hapur, ku vendin kryesor e zënë komunikimi shpirtëror dhe dialogu intelektual. Flet zemra e mikut të vjetër, mbushur plot kujtime, flet dhe mendja e mençur dhe e kthjellët e njeriut të kohës. Në tërësinë e tyre letrat tingëllojnë si rrëfime të vërteta, nga të cilat gjykimet për jetën gërshetohen me kuptime filozofike, serioziteti me intimitetin, shqetësimet e brengat e moshës së pjekurisë me tone gazmore që evokojnë rininë e tyre çapkëne.

Duke i gjykuar më nga afër letrat e Apostolit, të bën përshtypje në radhë të parë dashuria dhe stima e thellë deri në adhurim e grekut për mikun e tij shqiptar. Ai e cilëson atë shpirtin dhe krenarinë e shoqërisë së tyre, e quan shenjt në kuptimin e fisnikërisë e të humanizmit dhe të drejtësisë së mendimeve. Këtë e dëshmon dhe me letrat që merr prej tij, të cilat janë për të si një urim i Zotit, i një Zoti të mirë, si kurë optimizmi apo motiv i një zemre të gëzuar për të luftuar hidhërimin. Apostoli i shkruan Nolit se duke marrë librat e tij, morëm shpirtin tënd, morëm shpirtin e së mirës, drejtësinë që zotëron në fjalët e tua… Kjo ndodh, arsyeton ai, sepse kujtimi yt është për ne ringjallje e një bote të tërë dhe më tej: Ne na lidh dashuria më e madhe, dashuria me të vërtetë vëllazërore që ekziston mbi dhe.

Kuptohet se përse nga një letër në tjetrën përsëritet si një lajtmotiv dëshira e zjarrtë për t’u takuar. Nuk është vetëm Apostoli, por edhe shokë të tjerë grekë që e presin me padurim Nolin në Sen Kly. Ata i ndjekin lëvizjet e mikut të tyre diplomat sa në Gjenevë e në Romë, në Berlin e gjetkë dhe shpresojnë t’u vijë në Paris. Ardhja e tij është për ta ëndërr dhe premtim i fortë dhe mungesa e gjatë është kthyer në brengë. Prandaj letrat janë të mbushura plot thirrje vëllazërore: Kur do të vijë dita që të shihemi? Duhet të kemi shpresa të shihemi se po të mos jenë këto shpresa çfarë na ngelet? Ata i mban shpresa se kur të takohen, do të flasin mbi gjithçka… dhe me një paqë të shenjtë shpirtërore.

Nga gjithë sa i shkruan Apostoli, marrim vesh jo vetëm se me ç’ndjenja të thella janë lidhur, por dhe interesat, konceptet dhe shijet e përbashkëta. Duke qenë intelektualë dhe krijues të vërtetë, priren kryesisht nga sferat e artit e të kulturës dhe temën kryesore e përbëjnë letërsia dhe teatri. Prandaj dhe gjykimet dhe informacioni që jep Apostoli kanë të bëjnë me to. Arsyetimet e tij flasin për nivel kulturor, për pavarësi e origjinalitet mendimesh. Kështu, duke folur për raportet mes Gëtes dhe Bethovenit, ai pohon se Gëtja është i vetmi oborrtar që nuk e kuptoi Bethovenin, ndërsa më poshtë, duke marrë shkas nga shkrimtari gjerman, i kujton shokut të vet se sofisti Gëte është kudo, njësoj si Noli që është kudo, veç këtu jo. Apostoli, që ndjek jetën teatrore franceze, nuk mund të rrijë pa i treguar për këtë ish-kolegut të vjetër të skenës. Ai ka parë dramat Fundërrinat e Gorkit dhe Xhaxha Vanja e Çehovit dhe i shkruan për mbresat e thella që i kanë lënë. Madje i kujton çaste nga shfaqjet, si skenën, kur, pasi këndojnë një këngë, një nga personazhet thotë: “Uf, sa rëndë na vrau kënga” (Fundërrinat) ose fjalët e Sonjës që i thotë xhaxha Vanjës kur largohen profesori parazit me të shoqen: “Eja të fillojmë sërish punën që braktisëm këtu e tre muaj më parë. Kështu, me punë do t’i kalojmë vitet deri sa të vdesim (“Xhaxha Vanja”). Ai është aq i entuziazmuar nga këto drama, sa në fund pyet Nolin: “Cili nga popujt e Perëndimit ka folur e flet ende si populli rus?

Duke e pritur shokun ai dhe rrethi i tij, në Paris, kanë ndërmend ta shëtisin nëpër qytetet e artit të Francës e sidomos në bregun e artë francez, i cili në mungesë të Nolit u bëhet se është aq larg sa i duket njeriut bukuria që dëshiron.

Nga ana tjetër, kur merr vesh se Noli gjendet në Romë, Apostoli i shkruan se dhe ai mund të shkonte atje, se kish nevojë për një udhëtim në Itali, në mënyrë që të pushtohet nga shpirtrat  e Renesancës. Ai bën fjalë dhe për një udhëtim të përbashkët në Greqi. Vetë Noli ka hedhur idenë në një letër, për kthimin tonë në Itakë dhe Apostoli e pret me një habi të gëzuar: “Zoti të faltë për këtë “ligësi” të pashpjegueshme! Si mund ta mendojë një gjë të tillë një njeri i shenjtë si ti?” Kjo pyetje shpjegohet me faktin se ai e di mirë që disa rrethe të caktuara në atdheun e tij nuk pajtoheshin me shqiptarizmin e Nolit.

Është me shumë interes dëshira që Apostoli ka për të vizituar Shqipërinë. “Këtë Shqipëri – pyet ai – nuk do ta shohim ndonjëherë? Dhe kur është aq afër Evropës?” Tingëllon si ironi e dhimbshme kjo pyetje e fqinjit të atdheut të vet. Ai nuk ia bën rastësisht. Noli është në krye të veprimtarisë diplomatike shqiptare të kohës dhe miku i vjetër e di se sa e çmonte ai miqësinë shqiptaro-greke. Apostoli ka dëgjuar nga një zyrtar grek në Paris se peshkopin shqiptar e përdorin për punët e tyre jashtë dhe e kupton nëntekstin jo dashamirës të zyrtarit të lartë dhe tërthorazi nuk pajtohet me të. Për Apostolin, në politikën ndaj fqinjit të Veriut mungon dashamirësia e sidomos qëndrimi realist. Kjo, sipas tij, vjen në radhë të parë nga mosnjohja, sepse njohja është kusht i parë i së vërtetës, i civilizimit. Ai e qartëson më tutje mendimin kur shkruan: “Megjithatë, ata që e drejtojnë këtë Greqi, jo vetëm nuk kanë ide, po as informata, që është një gjë kaq e lehtë të kenë. Jam i sigurt se vetëm grekët  e informuar mirë do të ishin të civilizuar. Po kjo s’ndosh vetëm me grekët. Kjo është një e vërtetë banale për të gjithë njerëzit… mungon në radhë të parë informata e saktë” dhe, për mendimin e tij, “kjo përbën një gjë elementare… është gjëja më elementare për dritën, është elementi i parë i dritës”.

Një logjikë e pakundërshtueshme e përshkon këtë arsyetim të mençur të mikut grek. Është logjika e së vërtetës, larg paragjykimeve dhe prapamendimeve. Prandaj letrat e Apostolit, ndonëse të shkruara mbi 95 vjet më parë, duken sikur janë shkruar sot. Ato i bën të tilla, mbi të gjitha, mesazhi i miqësisë që sjellin në kohën e sotme. I një miqësie të sigurt dhe të pastër, që nuk u takon vetëm dy personaliteteve të kulturave tona, por dhe dy popujve që jetojnë në fqinjësi të përjetshme.

 

P.S.

Fan Noli, dy vjet më vonë, kur u bë kryeministër, në një intervistë që i dha gazetës greke “Politia”, do të shprehej publikisht nga Parisi në dt. 9 shtator 1924 se: “Ekzistojnë kaq lidhje race dhe historike dhe aq bashkim interesash midis dy popujve tanë, sa që çdo njeri i arsyeshëm dhe i çliruar nga paragjykimet është e natyrshme të presë lidhje shumë miqësore dhe bashkëpunimi të sinqertë midis dy shteteve. Është e tepërt të flasim për origjinën e përbashkët të dy popujve që kanë të njëjtët stërgjyshër. Gjithnjë dy popujt kanë pasur komunikim. Kolonitë greke që njëherë e një kohë lulëzonin në Iliri, u lanë gjakun grek shqiptarëve dhe kolonitë e shumta shqiptare në Greqi, që po shkrihen përditë, e përforcuan shumë kombin grek… Nga ana tjetër shqiptarët nuk harrojnë se në saje të kulturës greke lulëzoi ndjenja e tyre kombëtare. Apostujt e parë të idesë shqiptare kanë qenë të diplomuar në gjimnazin grek të Janinës. Pastaj jemi kaq të vegjël sa veç dispozicionit tonë të mirë dhe të sinqertë, jemi totalisht të parrezikshëm.

 

 

January 11, 2017 11:35
Komento

3 Komente

  1. Dhimiter M.Xhoga(Guri Naimit D) January 11, 15:32

    Studim Pr.Nasho Jorgaqit per F.S.Nolin
    -dhurate per cdo shqiptar.!

    Profesor Jorgaqi, faleminderit per kete shkrim te persosur,sa parashkrimet ne vepren Tuaj,per figuren e Te madhit; Imzot Noli, ketu, per maredheniet e tij mese atdhetare me fqinjin Apostol te Greqise,nje miku te tij, si thekson vete Apostoli-grek.
    (E ndiej veten analfabet,sa shkruani Ju, Pr. i nderuar .
    Ju falenderoj.
    Kam shkruar nje permbledhie ne Vargje,pos shkrimeve te vecanta, per vepren e Nolit,dhe qortoj veten,sa mesoj nga Juve.Po prape nje gur jam munduar te ve,ne Vepren per njohien e ketij Kollosi te Madh te kombit tone, si NOLI.
    Pena Juaj,si Gjithnje PENE dhe, shendet te plote,per mbrodhesi te atdheut tone,qe ka nevoje per FJALEN Tuaj, perkushtuar vepres se asaj figure te Madhe SHQIPTARE,pos te tjerave.
    Me falni qe ju ze kohen Tuaj te cmuar,une,nje lexues i thjeshte pasionant dhe i juaji.
    Ndodhem si e dini, tek femijet tej Oqeani,mezi pres te ndihem me mire; te vij te prehem ne atdhe, kaluar te 80 vite jete; keq me vjen,pa dhene c’duhet atij vendi.
    Me konsiderata..
    Toronto12-10-2017 Dhimiter M.Xhoga(1e shpesh shkruaj me “Guri Naimit D”(:Nipi mare emrin,..)

    Reply to this comment
  2. Pellazgos January 11, 18:12

    Zoti Athanasios.
    Thuaje troc apo akoma kini frike nga Sulltani berisha apo Rama?
    Ithaqi eshte simboli i patridhes se Odhiseas,d.m.th nje Patridhe,por cfare te bej Theofan Stilian Mavromatis i quajture ne Albanistane Noli!
    Sa e forte,Peshkopin Shqipetare e perdorin per punen e tyre jashte Turqit e vetequajture Shqipetare qe mbanin titujt turq Bej,Pasha,Aga edhe pas “Pamvaresise” nga Turqia.
    Adrianopoja,Kostandinopoja?
    Kur do mesoni te nderoni dhe respektoni te verteten?
    Ckuptim kane keto emertime dhe pse qellimisht?
    Adrianopolis dhe Kostandinopolis apo Jeorgios Kastriotis Orhodoks.
    Dashuria tregohet me vepra dhe jo me llafe,
    “Per fat te keq” nuk kemi letrat e Mavromatis!
    Cdo gje qe eshte Greke ne Pashallekun e quajture Shqiperi eshte urrejtje.
    Kur nje gjeolog ne Fier rastesisht me nje shok zbuluan dicka te lashte qe qe me germa Greke,pergjegjesi turkoallvano u tha qe mbulojeni!
    E kuptoni ju pse,se do vinte “Arkeolloget” shqipetare dhe e dini ata pastaj.
    Disa rrethe te caktuara nuk pajtoheshin me “shqipetarizmin” e Nolit!

    Reply to this comment
  3. Realisti. January 11, 18:28

    TMER I VERTETE.

    Ne shqiptaret jemi fatkeqe edhe per faktin se shume te verteta qe lidhen me jeten tone,o nuk i dijme krejt o i dijme te deformuara.Realisht s’kemi 500 vite pa shkolla e pa gjuhen e nenes, por kemi 600 vite., me njohuri calamane,qore, o te pa plota.Eshte marezi kur shohim qe disa shqiptare kerkojne te na mbajne ende ne eresire edhe per vitet qe vijne,tmer i vertete.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*