“Letrat Turke”, një vepër e rrallë në fondin e historisë dhe letërsisë botërore

January 28, 2018 14:16

 “Letrat Turke”, një vepër e rrallë në fondin e historisë dhe letërsisë botërore

 

Përshkrim i mrekullueshëm i Perandorisë Osmane nga diplomati perëndimor i më shumë se katër shekujve më parë, Ogier Ghiselin De Busbecq

E ngritur në art dhe përshtatur si një histori narrative, gati rozë telenovelash, seriali i gjatë filmik i historisë së Sulejmanit të Madhërishëm ka lënë jo pak gjurmë te publiku shqiptar.

Na duket me vend dhe në kohën e duhur botimi nga fondacioni human social-kulturor Alternativa e së Ardhmes (ALSAR)  i “Letrave Turke” të Ogier Ghiselin De Busbecq, pasi ky diplomat i njohur, që më vonë është kthyer edhe në një personalitet historik, ka patur fatin ta njohë dhe të ulet e të “bisedojë këmbëkryq” me Sulejmanin e Madhërishëm. Duke lexuar “Letrat Turke” të Busbecq mëson diçka më tepër dhe më serioze për Sulejmanin e Madhërishëm, këtë figurë të shquar historike, por edhe për gjithë Perandorinë Osmane të asaj kohe, të cilës për shumë vite diplomati perëndimor i ra disa herë kryq e tërthor që nga qendra e deri në ekstremet afro-aziatike dhe evropiane.

Libri “Letrat Turke” të Busbecq paraqet një thesar të literaturës së hershme udhëpërshkruese, që pasqyron talentin e pasur letrar të Busbecq, dashurinë për mbledhjen e objekteve antike dhe aftësinë e jashtëzakonshme për vrojtim. Si një material për lexim të këndshëm dhe zbavitës, ai po ashtu ofron edhe mësime me shumë vlerë për të kuptuarit dhe kapërcimin e ndasive kulturore. Botime të shumta të Letrave  nga fundi i shek. të 16-17 dhe fillim të shek. 18- të dëshmojnë popullaritetin e tyre të mëhershëm. To kanë shërbyer si burim të dhënash për shumë historianë me emër si Gibboni, Motleyit, Robertstoni etj.

Busbecq ishte evropiani i parë që depërtoi në disa pjesë të Azisë së Vogël që nga pushtimi i tyre nga turqit; ai ishte kopjuesi i parë i më të famshmit nga të gjitha mbishkrimet latine “Monumentum Ancyranum”, dhe ai solli në Vjenë nja 240 shkrime klasike dhe pasuroi shumë koleksionin perandorak të monedhave. Ai ka edhe pretendime të tjera për të enë i famshëm në atë që ishte i pari që solli jargavanin dhe tulipanin në Evropën Perëndimore. Letrat zbulojnë një personalitet të hijshëm, një burrë me përvojë të madhe, me një ndjenjë të fuqishme humori, një vëzhgues të sinqertë dhe gjenial të jetës njerëzore.

Edhe veprimtaria në fushën e diplomacisë, për të cilën kishte shkuar në Lindje Busbecq, shndrit si diamanti. Në katër letrat (kaq ka libri) që ai i dërgon mikut të tij, Nhicolas Michault, që kishte qenë shok studimesh i Busbecq në Itali dhe më pas ambasador perandorak në oborrin portugez, ai i detajon mbresat për gjithçka kishte parë dhe përjetuar në Turqi, përfshirë: peizazhet, bimët, kafshët, Islamin, grupet etnike, arkitekturën, skllavërinë, çështjet ushtarake, praktikat e oborrit, veshjet, marrëdhëniet gjinore dhe familjare dhe vetë Sulltanin.

Busbecq i ishte caktuar detyra që ta shfrytëzonte diplomacinë për të ndaluar mësymjet e turqve në Hungari, dhe ai u provua si shumë i suksesshëm me simpatinë dhe vlerësimin për karakterin turk, si dhe durimin tij të palodhur. Ai u kthye nga Stambolli në vjeshtën e vitit 1562 me një reputacion të vendosur si diplomat dhe duke u thyer, në një farë mënyre, edhe në një shkollë të vërtetë për diplomatët e mëvonshëm të të gjitha vendeve që e kanë njohur veprimtarinë e tij.

Përgatiti: Z. Hoxha

 

Fragment nga Letra e Tretë

Stamboll, më 1 qershor 1560

Pse vera konsiderohet si mëkat për myslimanët?

…Këtë  parim të myslimanëve e mësova, kur, në fillimet e mia, isha në Stamboll. Aty mësova pse Muhamedi e kishte ndaluar rreptësisht këtë pije nga një ngjarje reale që kishte ndodhur: Muhamedi një herë kishte qenë për të vizituar një shokun e tij, dhe në mesditë dhe në një shtëpi ku po festohej gostia e martesës, dhe pranoi një ftesë për t’iu bashkuar. Ai menjëherë ishte mahnitur me harenë e skajshme të mysafirëve dhe përqafimet dhe puthjet e tyre. Pasi u interesua, mësoi se shkaku i kësaj euforie të pazakontë, ishte vera. Me t’u larguar, ai e bekoi këtë pije që bashkonte njerëzit dhe i bënte njerëzit të dashur.

Por kur u kthye ditën tjetër, në atë shtëpi gjeti një gjendje krejt ndryshe: njerëz të vrarë e të copëtuar si mos më keq, dyshemeja ishte bërë tërë gjak. Dukej se ishte bërë një luftë e egër. Pasi pyeti për këtë gjendje të një lufte të frikshme, ai u informua se mysafirët që kishte parë një ditë më parë plot hare, ishin dehur në atë masë saqë ishin çmendur dhe kishin vrarë njëri-tjetrin në mënyrë të pamëshirshme.

Pikërisht prej kësaj, Muhamedi kishte ndryshuar mendjen dhe e kishte mallkuar përdorimin e verës dhe të njëjtën gjë ua kishte ndaluar ithtarëve të tij përgjithmonë.

Një histori vere në oborrin e Sulejmanit të Madhërishëm

…Kur isha në oborrin e Sulltan Sulejmanit, dikush i shtiri atij në vesh, se në Stamboll po përdorej shumë vera, kuptohet nga të krishterët, hebrenjtë dhe të huajt e tjerë. Kështu që ai lëshoi një urdhër për ndalimin e importimit të verës. Ky urdhër më prekte nga afër edhe mua dhe njerëzit e mi që ishim të pamësuar të pinim vetëm ujë. Unë i udhëzova përkthyesit e mi të kontaktonin me pashallarët për të mbështetur të drejtat tona. Ta fusnim fshehurazi në banesat tona, ishte e rrezikshme, pasi urdhri ishte tepër i rreptë dhe na rrezikonte kokat. Pas bisedave të shumta, më në fund u pranua që ne të pinim verë, por jo gjithmonë, vetëm një natë në javë. Atë javë karrocat kërcenin në port për t’u furnizuar. Kësisoj ne i ruajtëm të drejtat tona.

Ishin disa grekë që u orvatën ta lëkundnin vendosmërinë e Sulltanit me dredhinë vijuese: Pasi mësuan se Ai do të kalonte pranë vreshtave të tyre të mbjella me rrush e pjergulla, ata i shkulën dhe i prenë pjergullat dhe i nxorën në rrugë me dengje për t’i djegur.

Kur Sulltani arriti në atë vend dhe pa batërdinë që kishin bërë, thirri njërin prej tyre dhe i tha pse e kishin bërë këtë gjë. Ai iu përgjigj se meqenëse proklamata e Sulltanit u ndalonte atyre të pinin verë, ata po i shkulnin pjergullat, meqenëse nuk u hynin më në punë, me qëllim që t’i përdornin për zjarr.

Kësaj Sulltan Sulejmani iu përgjigj: “Ju bëni gabim dhe e keni keqkuptuar qëllimin tim. Unë ndalova verën dhe jo ngrënien e rrushit, lëngun e freskët të tij, pa e hedhur në fuçi. Unë jam kundër shpikjes së dëmshme të verës. Ndaloni, o budallenj, dhe kurseni vreshtat që do t’u prodhojnë fryt të shkëlqyer”. Kështu dredhia e grekëve nuk solli kurrfarë rezultati.

 Kush është Ogier Ghiselin De Busbecq

Ogier Ghiselin De Busbecq lindi më 1522, në atë që sot quhet Departamenti i Veriut Francez, në Flandrinë Perëndimore. Busbecq mori një arsimim të shkëlqyer klasik.

Fillimisht në Universitetin Lovain lokal dhe më pas migroi në Paris, në Venetik, Bolonjë dhe Padova. Jeta publike nis për të me misione speciale në ceremonitë martesave të Mbretëreshës Mary në Angli dhe Filipit të Dytë të Spanjës. Më pas ai shkoi në Vjenë ku mori detyrat e rëndësishme të ambasadorit perandorak në Stamboll. Vdiq më 28 tetor 1592 në kështjellën e Maillotit afër kishës së Shën Germainit, ku u varros trupi, ndërsa zemra u mbyll në një kuti plumbi dhe u varros në varrin familjar në Busbecq.

January 28, 2018 14:16
Komento

3 Komente

  1. demo January 28, 18:06

    Korigjoni ca gjera te vogla.!Nuk ka mundesi qe Busbeqi te jete lindur ne 1522 dhe te kete vdekur ne 1852.Ky Grigori me fotografi cpune ka me Busbeqin?Jane dhe ca gjera te tjera te vogla.

    Reply to this comment
  2. Marin January 28, 23:49

    Pirdhu ti dhe turqia

    Reply to this comment
  3. ELIOT February 25, 21:10

    PERSE RRENI PA PIKE TURPI …. TURQIA NE VITET 1600 SHKRUANTE ME GERMA ARABESH ..KISHTE ALFABET ARABBIK DO ME THENE NUK SHKRUANIN LATINISHT ..PRANDAJ SHIKOJENI KOPJEN .. ESHTE QEMAL ATATURKU QE E NDRYSHOI GJUHEN TURKE ..ALFABETIN TURK NGA ARABISHTJA NE LATINISHT ….. DHE ESHTE PO KY QEMAL ..ATATURKU QE E CIVILIZOI PKA TURQIT .I HAPI DYERT E PERENDIMIT ….DHE ATATURKU JETOI NE 1900 … …

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*