Lëvizja me urbanë e personave me aftësi të kufizuara nga sot me pagesë

July 1, 2014 08:43

Lëvizja me urbanë e personave me aftësi të kufizuara nga sot me pagesë

Nuk merr zgjidhje problemi i njohjes së librezave, me anë të cilave personat me aftësi të kufizuara dhe kategori të tjera në nevojë udhëtojnë falas në të gjitha linjat e transportit publik në kryeqytet. Gjatë ditës së djeshme, Shoqata e Transportit Qytetas ka afishuar nëpër urbanë njoftimin e mosnjohjes së librezave si dokumente të vlefshme për të udhëtuar pa pagesë. Kështu, duke nisur nga dita e sotme në të gjitha linjat qytetase, pavarësisht statusit që kanë, qytetarët duhet të paguajnë çmimin e biletës sa herë që u duhet të udhëtojnë gjatë ditës. Sipas drejtuesve të kësaj shoqate, pavarësisht afateve të lëna, nuk është rënë dakord për zgjidhjen e kërkesave të tyre sa i takon vështirësive ekonomike në të cilat ndodhen. E nisur nga këto kushte, nga dita e sotme lëvizja  e personave me aftësi të kufizuara dhe veteranëve në urbanët publikë do të jetë kundrejt pagesës së biletës përkatëse. Kjo pasi ndryshimet në ligjin për transportin rrugor që hyri në fuqi me 23 maj nuk është plotësuar me akte nënligjore ku parashikohet kompensimi i këtyre shoqërive për këto kategori. Kompetenca të cilat tashmë i janë kaluar Bashkisë së Tiranës. Pas vendosjes së këtyre ndryshimeve ligjore Shoqata e Transportit shtyu me një muaj afatin për t’i lënë kohë institucioneve që të bëjnë rregullimet e nevojshme ligjore, gjë e cila nuk ka ndodhur, pasi ata kanë njoftuar mosnjohjen e librezave dhe aplikimin e pagesave për këto kategori. Shoqata e Transportit Qytetas ka nxjerrë një njoftim të afishuar nëpër autobusët e kryeqytetit, ku thuhet se nuk do të njihen më librezat me të cilat udhëtonin deri më tani grupet në nevojë.  Kjo do të thotë se ngërçi midis Bashkisë së Tiranës dhe Ministrisë së Mirëqenies Sociale vijon ende pas ndryshimeve në ligj ku parashikohej kompensimi i shtresave përfituese që në nisje të muajit që sapo lamë pas.

July 1, 2014 08:43
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*