Lexoni çdo faqe të kontratës kur merrni kredi

July 3, 2017 10:34

Lexoni çdo faqe të kontratës kur merrni kredi

Bardha Nergjoni*

Familja Bozhiqi paditi një bankë të nivelit të dytë dhe shoqërinë përmbarimore për pavlefshmëri kontrate kredie bankare dhe rrëzim të një urdhëri ekzekutimi. Për fat ata i kishin ruajtur faturat dhe dokumentet që vërtetonin pagesat.

Banka ku familja Bozhiqi, nga Elbasani,  kishte marrë kredinë në përfundim të saj e kishte transferuar atë tek një tjetër kredidhënës dhe ky i fundit i kërkoi qytetarëve të shlyenin sërish të njëjtën shumë.

“Ne kemi marrë dy herë kredi, një herë 500 mijë lekë dhe një kredi tjetër 250 mijë lekë, të cilat i kemi shlyer me këste mujore. Me kalimin në bankën tjetër na komunikohet se kemi kredi të pashlyer. Për këtë na ka ardhur përmbarimi dhe kërkon sekuestrimin e pasurisë”, thuhet në padinë e familjes Bozhiqi.

Nisur nga provat e paraqitura gjatë gjykimit, Gjykata e Shkallës së Parë vendosi pro kredimarrësve, por ky është rasti i rrallë kur një qytetar fiton përballë bankave. Avokati i çështjes, Altin Ago, thotë se abuzimi në këtë rast ishte shumë i qartë dhe i vërtetueshëm, por sipas tij shumë pak qytetarë kanë mundësi t’i vërtetojnë të drejtat e tyre dhe rastet e fituara përballë institucioneve nuk numërohen as me gishta.

“Qytetarët nënshkruajnë kontrata që nuk i lexojnë dhe më pas vuajnë pasojat”, thotë ai ndërsa tregon për shumë raste që e kanë humbur procesin përballë përmbarimit, por edhe vetë institucioneve bankare.

Sipas një investigimi të publikuar nga BIRN, transferimi i kredive konsumatore nga bankat te kompanitë e mbledhjes së borxhit dhe më tej të përmbaruesit privat shpesh shoqërohet me kosto shtesë dhe të paligjshme për konsumatorët, të cilët për shkak të kulturës së dobët financiare bëhen pre e lehtë e abuzimeve, në një treg pa mbikëqyrje dhe në vakum ligjor.

Sipas Dhomës Kombëtare të Përmbaruesve Gjyqësor Privat, rritja e numrit të kompanive financiare jobankare gjatë viteve të fundit, zhvillimi i tyre me ritëm të shpejtë si dhe transferimi apo shitja e portofoleve të kredive me probleme, nuk është shoqëruar me miratimin e një kuadri rregullator përkatës.

Edhe pse zhvillimi i këtij sektori sjell avantazhe të shumta për sektorin bankar, mungesa e kërkesave të qarta rregullative mbart rreziqe për sigurinë juridike dhe garantimin e të drejtave të kredimarrësve. Operatorët ligjorë jobankarë në Shqipëri operojnë me licencë “factoring” të licencuara nga Banka e Shqipërisë, dhe mbështeten tek marrëveshje e cedimit të kredisë të parashikuar në Kodin Civil.

Kundërshtimi i vendimeve përmbarimore konsiderohet nga qytetarët si mundësia e fundit e shpëtimit për t’i ikur ekzekutimit të një vendimi gjyqësor apo sekuestrimit të pasurisë.

Në gjykatën e shkallës së parë Elbasan për vitin 2016 janë regjistruar 106 kërkesa për kundërshtim vendimi përmbarimor, nga të cilat 20 kërkesa janë refuzuar, 48 të pushuara dhe vetëm 16 janë pranuar për gjykim.

Gjyqtarja Idush Maliqi thotë se janë shtuar çështjet për kundërshtim vendimi përmbarimor për të fituar pak kohë, por përgjithësisht përmbaruesit respektojnë procedurën dhe vendimi nuk është në anën e qytetarëve.

Ajo thotë se qytetarët nuk duhet të merren me vendimin përmbarimor, por me vetë çështjen në themel kryesisht kundër bankave, por edhe me subjekte të tjera.

Përmbaruesi privat Halit Cani i tha BIRN se për fat të keq qytetarët janë të painformuar. Sipas tij kundërshtimi i vendimeve përmbarimore nuk i jep asnjë shans qytetarit që të fitojë.

“Qytetarët kundërshtojnë vendimet e përmbarimit ndoshta të pa informuar mbi mënyrën se si funksionon procedimi përmbarimor. Ata mendojnë si hallkë të fundit kundërshtimin e vendimit përmbarimor ndërkohë që duhet të merren me çështjen në themel. Ka shpesh kontrata abuzive apo edhe shkelje të cilat kalojnë gjatë procesit të gjykimit. Qytetari duhet të mbështetet pikërisht në çështjen në themel dhe jo të besojnë çdo gjë që ju thuhet se mund të fitojnë një kundërshtim vendimi përmbarimor. E vetmja gjë që ndodh në rastin më të mirë është pezullimi i përkohshëm”, tha Cani.

Në zyrën e tij janë me qindra dosje përmbarimore. Qytetarët përballen shpesh me inspektoriatin ndërtimor, me bankat për sekuestrimin e pasurisë apo të llogarive bankare për shkak se nuk kanë lexuar mirë kushtet e kontratës apo kanë neglizhuar në kohë pagesa që pas shumë vitesh janë kthyer në miliona për shkak të kamatvonesave që shpesh sipas juristëve janë në kundërshtim me ligjin.

*BIRN

Titulli është i redaksisë. Titulli në origjinal: Qytetari kundër bankës; i kërkuan të paguante dy herë të njejtën kredi

July 3, 2017 10:34
Komento

2 Komente

  1. A July 3, 16:36

    E pergjithshmja e shqiptareve eshte se kane mangesi ne kulture te pergjithshme, gjithashtu ne veçanti dhe ne kulture juridike dhe ekonomike.
    Bankat e nivelit te dyte kur nje person merr kredi bankare, shikon perpara teje se ke nje dokument ne format A4 te shkruar me germa te vogla qe me zi shikohen, ku shkruhen kushtet e kontrates, kredise dhe detyrimet qe ka kredimarresi te cilat nuk lexohen pa “dylbi”, por nenshkruhen nga kredimarresi pa u lexuar fare.
    Mbas pak kohe kredimarresi shikon se e ka henger sa krahu dhe kjo kredi nuk eshte kollaj te shlyhet nga sanksionet dhe detyrimet financiare.
    Kuptohet ketu ka detyrim edhe qeveria shqiptare me Ministrine e Financave qe duhet te jene vezhgues dhe ruajtes te shtetasit te vet te mos bijen pre e bankave te papergjegjeshme qe shikojne klientin si nje menyre rrjepacaku.
    Keshtu eshte kur eshte krijuar nje ide e gabuar qe te marresh arsimin me ryshfet dhe bakshishe e del mbas mbarimit te shkolles nje injorant me shkolle por edhe me diplome.
    S’kemi se çfare te bejme keshtu eshte nje pjese e shoqerise shqiptare injorante dhe gelle si na konsiderojne nje pjese e Europes. Prandaj edhe statistikat nderkombetare na krahasojne vetem me vendet e varfera dhe te mjeruara te Afrikes. Ate qe po mbjedhim ate do te korrim me vone.

    Reply to this comment
  2. Futja kot July 3, 18:10

    Më vjen shumë shumë keq që janë disa “peshkaqenë” atje në treg që përfitojnë nga situata të tilla; janë bankat që kanë dhënë kredi, dhe që kanë marrë interesat e parë, janë ato që i kanë blerë me skonto, dhe në fund po këto i përfitojnë të gjitha vjedhjet me shkrim, me firmë, duke abuzuar me detyrën, duke e shpërdoruar atë. Pse nuk ndiqen penalisht këto subjekte, apo individë, që vetëm të VJEDHIN e kanë mendjen??? Ku është Policia, Krimi Ekonomik, apo për vjedhjen e energjisë elektrike njerëzit duhet të futen në burg, dhe kur njerëzit VIDHEN, hajdutët duhet të bredhin të qetë???

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*