Lexoni librin e jetës! (Si një baladë)

Arben Duka October 31, 2015 15:18

Lexoni librin e jetës! (Si një baladë)

Ne e dimë se gjithë jeta,
ka një trend e ka një cak,
nesër është një ditë më shumë,
po është dhe një ditë më pak!

Shpesh mbyll sytë dhe shikoj,
të gjithë jetën si një ëndërr,
pastaj rri edhe mendoj,
si s’u lodh e shkreta zëmër?!

Ç’ka kaluar-ka kaluar,
pa kuptuar e stuhishëm,
na mbetet për t’u jetuar,
vetëm çasti i tanishëm!

Ç’ka kaluar është tretur,
ç’kemi para nuk e dimë,
nga gjithë jeta na ka mbetur,
sekonda që marrim frymë!

Dhe fill pas kësaj sekonde,
vjen një tjetër që na falet,
neve jetojmë akoma,
thjesht’ se zemra s’do të ndalet!

Se Zoti kur bëri Botën,
thellë në çdo detaj u ndal,
i vuri sipas meritës,
kë në llum e kë në mal!

Tani punët janë vulosur,
dhe ndryshime më nuk priten,
shqiponjat do fluturojnë,
dhe zhapinjtë do zvarriten!

Tani punët janë vulosur,
formulë tjetër s’mund të gjendet,
rendi do vazhdojë siç është,
kurrë s’do ndryshojnë vendet!

Tani punët janë vulosur,
asgjë nuk mund të ndryshojë,
kurrë s’do shohim përmbi male,
një zhapik të fluturojë!

Kontradikta kryesore,
nuk ka gjasa që të tretet,
mes zhapikut dhe shqiponjës,
e përjetshme do të mbetet!

Dhe këto antagonizma,
janë bërë ligje të natyrës,
njëlloj si luftë e pasosur,
mes së keqes dhe së mirës!

Zoti e krijoi çdo gjë,
që nga njeriu të dihej,
po të mos ishte e keqja,
e mira si do të njihej?!

Zoti na tregoi gënjeshtrën,
të kuptonim të vërtetën,
në fund na dënoi me vdekje,
që të vlerësojmë jetën!

Zoti në fillim s’e kishte,
në mend fikjen e qiriut,
e bëri për të dënuar,
egoizmin e njeriut!

Dhe pse kishte robër Zoti,
askujt jeta nuk ju fal,
po dhe pas këtij ndëshkimi,
egoizmi nuk u ndal!

Më mirë Zoti mos ua ndizte,
fare dritën e qiriut,
kafsha-kafshës nuk ia bën,
ç’i bën njeriu-njeriut!

Për çdo ditë edhe më shumë,
fort kanë gjëmuar kambanat,
po mbi Botën e mallkuar,
s’kanë mbaruar kasaphanat!

Po njëlloj si vetes sime,
gjithë Botës i qaj hallin,
se dihet që ndënë fre,
Zoti ende s’e ka djallin!

Lexova librin e jetës,
po libri aspak s’më bindi,
mirë ne na bëri Zoti,
po djall-ziun kush e lindi!?

Në terrin e errësirës,
do ketë lindur djall’ i zi,
si një sfidë kundër së mirës,
po pse iu dha kaq fuqi?!

Pse ashtu e pse kështu,
do të pyesin përjetë,
po e di dhe unë dhe ju,
se Jeta është e vërtetë!

Arben Duka October 31, 2015 15:18
Komento

4 Komente

  1. vasil October 31, 21:41

    Ben Duka,fiksou ne liriken dhe filozofin e jetes.Ne keto te ndjej me shume endje.
    Kur del jashte ketyre shperfytyrohesh.

    Reply to this comment
  2. Ky je duka permbi dukë November 1, 04:29

    Une bashkohem me Vasilin,
    Ketu rri, o arben duka
    lere djallin politik
    here ne blu e here me quka!

    Rri ketu, dhe me kendo
    derdhu bukur bukurisht
    Duk’ mbi dukët zbukuro
    Jeten linde shpirt mbi shpirt…

    Reply to this comment
  3. Iliri tjeter November 1, 04:49

    Poezija, Arben Duka, poezija te ben te lesh emer dhe gjurme ne letersine shqipe.
    Bejtet politike do te te zhytin ne llumin e hareses.

    Reply to this comment
  4. garancia November 1, 22:42

    Vazhdo Ben Duka,e mos u ndal para shkopinjve nden rrota,ne qe te lexojme te kuptojme dhe te vleresojme maksimalisht,cdo person gjen dicka te veten ne poezine tende,pavarsisht se mund te ngelesh i varfer,por je i pasur ne bekime shpirti,-kete ta garantoj.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*