Lezhë, 5 të arrestuar për vepra të ndryshme penale

October 9, 2015 20:23

Lezhë, 5 të arrestuar për vepra të ndryshme penale

Një aksion policor i Drejtorisë së Policisë Lezhë, i zhvilluar gjatë mbrëmjes së të premtes dhe i koduar me emrin “Transporter”, ka bërë të mundur arrestimin në flagrancë të 5 shtetasve dhe shpalljen në kërkim të një tjetri, të cilët akuzohen për vepra të ndryshme penale.

Në pranga kanë përfunduar: Roberto Novelli, shtetas italian 48-vjeçar, i akuzuar për “trafikim të mjeteve motorike”, “kontrabandë me mallra të tjera” dhe “vjedhje në bashkëpunim”; Carmine Frascella, shtetase italiane 34-vjeçare, e akuzuar për “vjedhje në bashkëpunim; Valentin Marku, 31 vjeç, banues në Krajën të Lezhës, edhe ky për “vjedhje në bashkëpunim”; Arjan Brahimi, mjek 43-vjeçar nga Lezha, i cili akuzohet për “shpërdorim detyre”; si dhe Ergin Mataj, 39-vjeçar nga Lezha, i akuzuar për “fshehje të të ardhurave”. Në kërkim është shpallur Klajdi Doda, 27 vjeç, nga Fishta e Lezhës, i cili akuzohet për “vjedhje në bashkëpunim”.

Arrestimi i këtyre shtetasve, ndër të cilët siç vihet re dy janë italianë, njëri mjek dhe një tjetër pronar i një hoteli në Lezhë, është bërë për arsye se gjatë ditës së sotme janë kallëzuar penalisht nga një tjetër shtetas italian, R.D. 37 vjeç, lindur e banues në Taranto të Italisë, i cili ka pësuar një frakturë në gjymtyrë gjatë qëndrimit në hotelin lezhian dhe gjatë shtrimit në Spitalin Rajonal të Lezhës i kanë vjedhur automjetin tip “Audi A4”, me targa ED 890 KB.

Denoncuesi italian e ka bërë kallëzimin në pikën e kalimit kufitar të Portit të Durrësit, pasi bashkëkombasit e tij, Roberto Novelli dhe Carmine Frascella, nuk e lejuan të paraqitej në Policinë e Lezhës, me pretendimet se do ta bënin denoncimin në Itali.

Nga hetimet e policisë ka rezultuar se Roberto Novelli ka hyrë në Shqipëri vetëm 3 ditë më parë me një mjet “Golf 5” me targa DE 468 KX, të cilën e kishte sjellë këtu kontrabandë dhe me qëllim shitjen e tij për shumën e 2000 eurove, por së cilës i mungonte dokumentacioni. Me t’u kthyer në Itali ai pritej ta denonconte si vjedhje këtë automjet.

Ndërkohë, gjatë qëndrimit në Shqipëri, italianët Novelli dhe Frascella, së bashku me shtetasit Marku dhe Doda kanë kryer vjedhjen e automjetit “Audi A4”, me të cilin është larguar më pas Klajdi Doda pasi u ka paguar atyre shumën prej 4000 eurosh.

Ndërsa mjeku Arjan Brahimi është arrestuar për “shpërdorim detyre”, pasi gjatë kohës që i ka ofruar ndihmën e parë të dëmtuarit, nuk i ka njoftuar organet policore në lidhje me mjekimin dhe ngjarjen që pati kaluar ai. I fundit, shtetasi Ergin Mataj dhe njëkohësisht administrator i hotelit, ushtronte aktivitet tregtar duke gjeneruar fatura jotatimore të fabrikuara për të shmangur detyrimet tatimore dhe fshehur të ardhurat.

Gjatë operacionit janë sekuestruar mjeti “Golf 5”, shuma prej 2800 eurosh e përfituar nga shitja e “Audi A4”, 3 celularë dhe sende të tjera.

October 9, 2015 20:23
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*