Libër me një histori që na lartëson

Bardhyl Ermini April 8, 2015 21:11

Libër me një histori që na lartëson

Ja vlen që në çdo fund jave ta heqim mëndjen nga ligësitë politike e vështirësitë e jetës që na mbysin çdo ditë, dhe të mirësohemi e njerëzohemi sado pak në oazet e bukura të letërsisë. Në të vërtetë, këto vitë janë pakësuar disi këto oaze, por fatmirësisht ato që kanë mbetur, janë të bollshme për të freskuar kokën e trupin njëkohësisht, e për të na bërë më njerëzor për kohët që vinë. Të paktën kështu mendoj, pas mbarimit të leximit të një libri, për të cilin kam kënaqësinë të shpreh ndonjë mendim e opinion, në se gazeta e gjërë dhe e nderuar juaja më lejon. Këto kohë në tregun e librit, edhe mund të rastisësh ta gjesh këtë libër, roman historik, të shkruar nga një emër, që në këtë fushë e ka fituar fronin e vet. Libri quhet “Mallkimi i priftëreshave të Ilirisë” dhe emri i kësaj shkrimtareje të “heshtur”, por tashmë shumë të njohur është Mira Meksi. Sot, ndofta në çdo 10 vajza e gra, dy prej tyre e kanë emrin Teuta, emër i një gruaje, mbretëreshës të Ilirisë në vitet 230-228 p.e.s.,kohë që udhëhoqi e rivalizoi perandorë të mëdhenj. Do të duhej mendja dhe dora e saj, për të ruajtur një shtet të lulëzuar dhe për ta çuar më përpara atë. U vu në krye të ekspeditës ushtarake ilire (230 p.e.s.) kundër Lidhjes Epirote në jug, e në saj të luftrave që bëri në det e në tokë, shpartalloi grupimin detar grek, duke pushtuar edhe Korkyrën e famshme, ishullin me rendësi strategjike në detin Jon. Shpejt u bë objekt interesimi, veçanërisht nga Roma. E sulmuar nga këjo perandori e frikëshme, nga diplomacija e pas tavolinave (ajo që i mer shpirtin shqiptarëve edhe sot) në vitin 228 p.e.s. Ilirija ra. Legjenda thonë se Teuta vdiq e vetmuar. Kaq është ajo ç’ka dihet për këtë mbretëreshë. Por, kaq është edhe ajo që i “mungon” edhe peshës tonë kombëtare. Kush e di se sa mijra faqe do të ishin shkruar në të tjerë vënde, për një rast analog. Një grua që në shekullin e 3-të p.e.s. ka mbretëruar në një nga kombet më të zhvilluara e të kulturuara të Europës lindore, e aq më tepër ka sfiduar edhe Romën me luftë?

Me qindra e qindra faqe janë shkruar për heronj “anonim”. Legjenda folklorike e viteve 1300 Robin Hudi, është kthyer në një hero jo vetëm i Anglisë, por i të gjithë atyre që janë në luftë me jetën. E kush do ta njihte Robin Hudin e viteve 1300, në se nëpërmjet “Ivanhoe”, atë nuk do ta gdhendëte penda e artë e Valter Skotit? Mira Meksi, këjo grua, këjo shkrimtare gjyrmuese deri në molekula të personazheve, e cila na ka befasuar me jetën e Frosinës të Janinës dhe që ka arritur deri në enigmën e të kuqes të Onufrit, tani me 370 faqe, Teutën, këtë simbol të femrës e krenarisë kombëtare na e ka gdhëndur në qiellin e paanë të letërsisë. Tani, krahas librave të tjerë, bibliotekat tona i madhëron edhe Teuta e madhe e ilirëve, ajo vasha e mrekullueshme e delikate “me trupin si sirenë, flokët ngjyrë mjalti, sytë e qelibartë dhe lëkurën e praruar”, e deri te gruaja e pamposhtur, mbretëresha e denjë për popullin e vet, diplomatja e pazakontë me “përkrenarë mbi gërshetat e thurura…, gjoksi i të cilës shkundullit nga drithma të panjohura brënda prazmores prej metali”.

Nuk është luks që të krenohemi me të parët tanë, jo thjesht pse kanë qënë ilire që udhëhiqeshin nga burra të fisëm e shpatarë të vrazhdët, por edhe nga një grua si Teuta, që me “trimat e saj luftonin me një tërbim që i bënte shpatat të lëshonin xixa përmbi parzmakët dhe tarogzat e kundërshtarit. Mjerë kush dilte para shpatave të ilirëve”. Misjoni që ka marë përsipër këjo shkrimtare, kjo Mira Meksi është i pa zakontë. Sepse ka arritur, që nëpërmjet asaj që quhet “magji” e të shkruarit, të na e sjellë ngjarje krejtësisht të gjalla, që të bëjnë të dukesh deri edhe si protogonist. Shkrimtarja, e imët në pamje por e “rëndë” në mëndjen që e komandon dhe në shpirtin që e frymëzon, ka ditur në mënyrë mjeshtërore, ta ndaj bukurinë e hijeshinë e gruas, nga detyra që asaj ja kanë atribuar “hyjnitë e Ilirisë”. Paralelizmi që ajo i ka bërë, thënjes se “për dashurinë jap jetën, kurse për atdheun dashurinë”, me atë të mbretit Agron se “gruaja mund të jetë e jotja, mbretëresha i përket vetëm Ilirisë”, tamam në kontekstin e kohës që ndodhin ngjarjet, është e mjaftueshme për ta ngritur nivelin e perceptimit të historisë nga ana e kësaj shkrimtareje, aty ku do ta dëshëronte cilido historian serioz, që është përpjekur ta shkruaj historinë e Iliri-Shqipërisë me korrektesën e shkencëtarit, shkrirë brënda luftës që i kanë imponur këtij populli të lashtë, luftëtar e krenar.

Të shkruash për mbretëreshën Teutë, dhe historinë e saj, është një misjon jo vetëm tepër i vështirë, por edhe fisnik e thellësisht atdhetar. E kur arrin që me këtë krijimtari shtriesh krejtësisht në truallin ilir, si dhe gërmon në thellësitë e tij, siç ka bërë këjo “arkeologe” afër fundit të vitit që kaloi, arrin të ndihmosh jo me dogma por me jetë reale cilindo ilir të mëpastajshëm, shqiptarët, që jo vetëm ta kuptojnë më mirë, por t’ju japë edhe një motiv me jetë mijra vjeçare, për të qënë krejtësisht të bindur për lashtësinë dhe kulturën e tyre. “Drita që përshkruante shtresat e ujit – shkruan Meksi me pendën e vet që drithërohet së bashku me të – që nga portat e shkëmbinjëve të thiktë mbi det dhe mbërrinte në guvë, së bashku me dritën e diellit që filtrohej nëpër poret e gurit të shtuftë të kubesë të saj, bënin që deti aty brënda të kishte një ngjyrë blu të thellë, ndërsa gjithëçka që dallohej përfund tij shndriste si argjëndi”. Ja, më thoni se ku mund të gjëndet ky vënd, ku bashkohet toka me detin, përveçëse aty në ato tokat “barbare”, ku toka është konsideruar e shenjtë dhe bregu i detit një mbrojtës, ku sipas Heredotit, “është i banuar nga popuj jo greke të cilet flasin një gjuhe “barbare” e që në një kohë të lashtë quheshin Pellazgë”, që shpikën panteonin e perëndive, të cilin grekët e adoptuan më vonë. Shihni edhe sot! Shkoni në ndonjë “qoshe” të virgjër të këtij bregdeti, e menjëherë do ta kuptoni se pse shkrimtares plot vlerë, i drithëron fjala së bashku me shpirtin. Ujë, tokë e ajër, që duket sikur i ka ndërthurur vetë Poseidoni, për tu prehur pas tallazeve e rrebesheve që binin mbi “hyun Ilyrios, vatrën, të shkuarën, të ardhmen, kujtesën, fuqinë dhe shpirtin tonë”.

Vetkuptohet, që të shkruash një libër, është e pamundur në se bashkë me virtuozitetin e pendës dhe kthjelltësinë e mendimit, nuk kondenson edhe një punë tepër të rëndë, që “minatorja” e palodhur Mira Meksi duhet të ketë kryer, duke deshifruar, lexuar e stërlexuar, hulumtuar e hetuar deri në mikron dokumentat autentike, të historisë të kësaj mbretëreshe. Ja ka arritur e na e ka sjellë mbretëreshën tonë të lashtë e zulmë madhe mu përpara syve, gati ta prekim. Ashtu, përmes “brohorimave të flotës që kishte luftuar krahë saj duke shungëlluar detin”, ashtu si edhe në shtratin e vet intim, i cili jo vetëm nuk ka “cënuar” hirin e saj femëror, por e ka përcjellë atë siç përcillet çdo hyjni, e bukur dhe e zgjuar deri në thellësi të shpirtit të saj. Të lexosh se si në shekullin e 3-të para Krishtit, jo të luftosh për sytë e bukur të Helenës për të cilën rrënohet gjithëçka, por për të zhvilluar e forcuar truallin e dheut të vet, rrethuar nga komandantë që para beteje njohin vetëm shprehjen “jam ushtar i juaj mbretëresh deri në vdekje”, nuk është një histori e zakonshme mbretërish, por një traktat i vërtetë për një “hyjni” paqeje, që megjithëse grua, dinte ta mbronte atë nëpërmjet një luftë, të barabartë me ushtarët e vet. Një histori, që i këndon instiktit jetësor, i cili mund të vijë vetëm nga një popull i emancipuar, që për dheun e vet toleron shumë, çdo gjë, deri sa të mos kapërxehet “Mallkimi i priftëreshave të Ilirisë”, këjo “kushtetutë shpirtërore”, qëndisur me kaq mjeshtëri e kaq hijeshi nga Meksi, nga Mira Meksi, nga këjo shkrimtare stili i të cilës tashmë e ka kapërxyer Ilyriosin e “saj”.

Natyrisht që unë flas vetëm si një lexues, por një lexues që pretendoj për atë që kërkoj të lexoj. Ndaj ndofta më lejohet edhe ndonjë lloj “ekzaltimi” i ligjshëm, duke ulur kokën plot respekt, ballë estetëve studjues të këtij zhanri që dinë aq mirë ta veçojnë bukurinë, pa kursyer vërejtje, që unë nuk jam në gjëndje ti shoh. Sepse, kam lexuar një libër që ndofta edhe më ka “verbuar” pak, e që jo vetëm ma ka hequr frikën e shuarjes të letërsisë këtu, por më ka bindur se në atë vënd ku shkruan e kanë shkruar Kadareja, Agolli, Xoxe, Marko, Shuteriqi, Qosja e shumë personalitete të tjerë, nuk ka se si konstelacionet e tyre letrare të mos shoqërohen nga yje të rinj që rrinë aty krejt dinjitet e pretendim.

 

Bardhyl Ermini April 8, 2015 21:11
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*