Libri që zbulon planet e Ariel Sharonit për të eliminuar Jaser Arafatin

January 24, 2018 21:21

Libri që zbulon planet e Ariel Sharonit për të eliminuar Jaser Arafatin

Ka pasur disa plane për eliminimin e liderit palestinez, Jaser Arafat, nga ana e Izraelit. Gjatë kohës kur ishte ministër i Mbrojtjes, Ariel Sharon urdhëroi ushtrinë izraelite të rrëzonte një avion pasagjerësh nëse konfirmohej se në të ndodhej Arafati. Këto janë vetëm disa nga detajet e librit të gazetarit izraelit, Ronen Bergman.

Sipas tij, në vitin 1982, avioni transportonte 30 fëmijë palestinezë të plagosur në masakrat e Sabras dhe Shatila-s. Ky operacion u anulua, por ai ishte vetëm një nga planet e vrasjes së përgatitur për Jaser Arafat.

“Operacioni ishte vënë në lëvizje nga Mossad-i. Ai do të përfitonte nga siguria e vogël në aeroportin e Athinës. Agjentët do të prisnin në zonën ku ulen avionët privatë”, shprehet autori në një shkrim mbi librin në “New York Times”.

Sipas autorit të librit, në atë kohë shef i stafit të Sharonit ishte gjenerali Rafael Eitan. Ai i vuri pas aeroplanët xhet avionit ky dyshohej se ndodhej Arafati.

“Mos qëlloni pa urdhrin tim. E qartë? Edhe nëse ka probleme komunikim, pa dëgjuar urdhrin tim mos hapni zjarr”, u ka thënë ai pilotëve ndërsa avioni ngrihej nga Athina. Urdhri nuk erdhi kurrë dhe burri në avion me shumë gjasa ka qenë vëllai i Arafatit, thuhet në libër.

Sipas Bergman-it, nga nëntori 1982 në janar 1983, katër F16 dhe F15 ishin në gatishmëri për të kryer këtë atentat. Ata janë lajmëruar të paktën në 5 raste për avionë ku dyshohej se ndodhej Arafati, por urdhri është pezulluar menjëherë më pas.

Në një prej këtyre rasteve, avionët e ushtrisë izraelite iu afruan një avioni pasagjerësh që udhëtonte nga Amani në Tunizi, por u tërhoq mbrapa pasi operacioni u anulua.

“Vritini të gjithë”

Sipas librit që pritet të dalë së shpejti, pas sulmit të tmerrshëm terrorist në Nahariya në vitin 1979, gjenerali Eitan vendosi ta ashpërsonte  betejën e Izraelit kundër Organizatës për Çlirimin e Palestinës. “Vritini të gjithë” citohet t’u ketë thënë vartësve.

Një tjetër variant i eliminimit të Arafatit ka qenë ai i shpërthimit të një bombe në një stadium në Bejrut. “Nuk mund të vrasësh një stadium me njerëz”, citohet t’i ketë thënë një oficer kryeministrit të atëhershëm Menahem Begin. “E gjithë bota do të na vihet kundër”, ka shtuar ai. Duket se këto fjalë e bindën kryeministrin të mos e ndërmerrte një rrezik të tillë dhe të zhvendoste Sharonin në një tjetër sektor.

Sidoqoftë, Sharoni nuk ishte penguar. Pas fillimit të pushtimit të Libanit jugor në vitin 1982, ai hartoi një plan të ri për t’i dëbuar palestinezët, duke eliminuar kështu planet e tyre për themelimin e një shteti në Bregun Perëndimor. Një element kyç për këtë plan, thotë Bergman, ishte vrasja e Arafatit.

Për të arritur këtë u krijua një grup i posaçëm me emrin “Peshku i kripur”.

“Mendoj se vrasja e Arafatit do të kishte ndryshuar rrjedhën e historisë. Ai nuk ishte vetëm një lider, por babai i kombit palestinez. Vrasja e tij do të kishte shkaktuar një seri konfliktesh brenda OÇP-së dhe do të kufizonte aftësinë e saj për të marrë vendime strategjike më pas”, shkruan Bregman.

“Peshku i kripur” planifikoi vendosjen e bombave në Bejrut, por Arafat ia doli t’u shmangej.

“Jaser Arafatin e kanë shpëtuar gjithmonë dy gjëra: fati i jashtëzakonshëm që kishte dhe unë”, thotë Uzi Dayan, kreu i grupit “Peshku i kripur”.

Dayan thotë se nuk e kishte problem ta eliminonte Arafatin, por ajo që e pengonte ishin civilët e pafajshëm që mund të vriteshin me të. Ai thotë se në disa raste është telefonuar nga gjenerali Eitan, i cili i ka kërkuar llogari pse nuk kishte nisur një operacion në rastet kur krijoheshin kushtet për vrasjen e Arafatit. “I përgjigjesha se ishte e pamundur, kishte shumë njerëz vërdallë. Ai thoshte: Mos e vrit mendjen për këtë. E marr unë përgjegjësinë. Por unë nuk isha i përgatitur për një gjë të tillë. Ai nuk mund të ma mësonte mua etikën e luftës”, tregon Dayan.

Me kalimin e kohës, Arafati nisi të shihej si çështje politike dhe nuk u konsiderua më shënjestër për t’u eliminuar.   / TemA TV 

January 24, 2018 21:21
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Njoftim

Njoftim

Njoftim