Libri i Jorge Amado, i fejuari i Shqipërisë

July 26, 2016 09:59

Libri i Jorge Amado, i fejuari i Shqipërisë

 

Nga Moikom Zeqo

Në vitin 1951- pra plot 65 vjet më parë- u botua në Shqipëri në gjuhën shqipe libri memorialistik i Jorge Amado-së me titull “Shqipëria e re”.

U botua, përkthyer nga frëngjishtja, dhe ky përkthim, ishte mbas shumë botimeve në gjuhë të huaja të këtij libri në frëngjisht, portugalisht, spanjisht, çekisht, rumanisht dhe rusisht, madje dhe në gjuhën kineze.

Jorge Amado erdhi për herë të parë dhe të fundit në Shqipëri në marsin e vitit 1950. Ai ishte delegat i Komitetit Botëror të Partizanëve të Paqes dhe mori pjesë në Kongresin e Partizanëve të Paqes që u bë në Tiranë në 1950.

Jetoi më pak se 2 javë në Shqipëri. Njohu jetën dhe rindërtimin e Shqipërisë. Takoi personalitetet e politikës dhe kulturës, njerëzit e thjeshtë të popullit, pa me sytë e tij realitetin.  Në atë kohë Jorge Amado njihej si shkrimtar dhe poet i madh revolucionar. Ai kishte dalë në orbitën e famës botërore me romane të tilla si : “Tokat e zjarrta”, “Kalorësi i shpresës” etj. Në vitin 1959 Shtëpia Botuese “Naim Frashëri” botoi romanin e famshëm të Amado-së “Filizat e kuqe”, shqipëruar mrekullisht nga mjeshtri Petro Zheji. Ky roman ka një parathënie të Shefqet Musarait, i cili e ka shoqëruar atë gjatë vizitës në Shqipëri. Njerëzit e moshës sime e mbajnë mend përshtypjen e madhe që la niveli artistik i lartë i romanit të Amadosë. Tashmë unë i kam kaluar të 60-at dhe mund të them se libri i Amadosë për Shqipërinë para mbi gjysëm shekulli është një pikë referimi me një simbolikë të veçantë.

Është hera e parë që një shkrimtar i madh botëror bënte një libër kaq popullarizues dhe apologjik për Shqipërinë. Gjithmonë më ka shqetësuar një mendim, pse vallë shkrimtarët e mëdhenj, qoftë të asaj që quhej perandoria komuniste, qoftë shkrimtarët dhe artistët e mëdhenj të Perëndimit, kryesisht në Francë dhe në Itali, që vetëshpalleshin si komunistë nuk shkruajtën asgjë të rëndësishme dhe domethënëse për Shqipërinë e cila në atë kohë quhej komuniste. Si ka mundësi që përveç një reportazhi të shkëlqyer të Ilia Eremburgut të vitit 1945, asnjë shkrimtar i rëndësishëm rus (fjala vjen Shollohovi) apo  edhe bullgar, polak, çek, rumun, ndonëse e vizituan Shqipërinë nuk shkruan asgjë për të? Më 1949 në Shqipëri erdhi dhe Pol Eluari, më pas kanë ardhur edhe Filip Supo, piktorë dhe filozofë të famshëm francezë, por asnjë prej tyre nuk shkroi. As Lui Aragoni dhe as Torezi, as Montale dhe as Italo Kalvini, që aderonin te e majta komuniste nuk treguan interes dhe nuk shkruan asgjë për Shqipërinë. Kjo nuk shpjegohet aspak me të ashtuquajturën “afërsi ideologjike komuniste”. Fakti po tregon se ka kaq vite që është shkatërruar sistemi totalitar komunist dhe ende dhe sot shumë shkrimtarë të mëdhenj dhe personalitete të kulturës evropiane nuk tregojnë asnjë interes dhe nuk shkruajnë për Shqipërinë. Ky është një problem esencial i njohjes së Shqipërisë, ne duhet të shqetësohemi për të, por nuk duhet ta konsiderojmë si diçka fatale.

Vetëm dy shkrimtarë të mëdhenj kanë bërë mrekullinë e popullarizimit të Shqipërisë dhe shqiptarëve, gjeniu anglez Bajron dhe ai francez Apoliner. Për arsye që nuk di ti shpjegoj asnjë emër tjetër i madh nuk ka treguar ndonjë interes të veçantë.

Argjentinasi Ernesto Sabato e shprehu nostalgjinë për origjinën e tij të largët shqiptare. Unë e kam takuar atë në Shqipëri dhe kam biseduar disa herë me të. Po pas largimit nga Shqipëria nuk shkroi ndonjë libër të veçantë. Markezi , gjithashtu s’ka shkruar asgjë për Shqipërinë, ndonëse Shqipëria mund t’i tërhiqte vëmendjen. Rrallë mund të ketë në botë ndonjë përkthim kaq mjeshtëror të Markezit si ai i Mira Meksit në shqip.

Shkrimtari gjigand turk Jashar Qemal që ka ardhur shpesh në Shqipëri premtoi se do shkruante një libër për Shqipërinë. Por kjo ide nuk u realizua asnjëherë. Del pra vetvetiu se Jorge Amado është i vetmi shkrimtar i madh botëror, i cili i ka kushtuar një libër të tërë Shqipërisë. Me rastin e vdekjes së Amadosë, ne shqiptarët e nderojmë shkrimtarin e  jashtëzakonshëm brazilian dhe jemi të detyruar të përkujtojmë botimin e tij të librit 50 vjet më parë. Menjëherë në shtypin e botës Jorge Amado u apostrofua si “I fejuari i Shqipërisë”. Ky përcaktim është mjaf befasues, intim dhe ekzotik.

Po rishlefoj librin “Shqipëria e re” të Amado-së nxjerrë nga Arkivi i Bibliotekës Kombëtare në Tiranë.

Libri në vetvete është i gjinisë së reportazhit- reportazhi për fat të keq ka vdekur përfundimisht sot në shtypin shqiptar.

Reportazhi i Amado-së është një koncentrim dhe shpalosje e ndjenjave dhe përshtypjeve të shkrimtarit brazilian për realitetin e Shqipërisë në atë kohë.

Libri është i strukturuar në diaa kapituj dhe është ne të vërtetë një udhëtim në vende të ndryshme, një dialogim me njerëzit dhe një ditar me vizatime të llojit kroki për të gjitha përshtypjet e ditës.

Ky libër padyshim që ka gjurmët e kohës. Vetëkuptohet që vetë Amado-ja ishte aso kohe entuziast ndaj komunizmit dhe besonte sinqerisht tek Utopia e Re. Më vonë kam patur rastin ta ndjek krijimtarinë e Amadosë madje dhe zhgënjimet e tij të vetëkuptueshme mbas rrënimit të perandorisë botërore komuniste. Nuk ka shumë rëndësi ambalazhimi komunist dhe ideologjik i realitetit shqiptar në vitin 1950. Rëndësi ka dëshmia e një shprese që zotëronte popullin shqiptar për një jetë të re. Kjo gjë është e rëndësishme për atë që konsiderohet vërtetësia jetësore e realitetit. Sot  e shikojmë me një sy redaktues dhe vende vende kritik librin e Amadosë. Ai flet për figura të tilla politike të kohës si  Enver Hoxha, Mehmet Shehu, Nako Spiru, Hysni Kapo, Bedri Spahiu, Gogo Nushi, Myslim Peza, Beqir Balluku dhe Liri Belishova. I përmend si udhëheqës, por nuk ndalet gjatë tek këta emra.

Jorge Amado

Jorge Amado

Amado i jep më shumë rëndësi bisedave që ai ka bërë me shkrimtarët Dhimitër Shuteriqi, Shefqet Musarain, Zihni Sakon,  Llazar Siliqin etj. Ai citon poezi të Aleks Çaçit por edhe shkrimin e Ilia Ehremburgut për shqiptarët. Ai përcakton shkurt dhe qartë çfarë shikonte me sytë e tij. Përjeton ngjarjet. Pikërisht kjo gjë duhet shënuar akoma dhe sot. Do të ishte e tepërt të shpalosja disa fragmente të hollësishme nga libri i Amadosë.

Amado duke marrë pjesë në Kongresin Botëror të Paqes në Tiranë pati një rast të njihte një popull.

Për të Shqipëria është “Një dashuri që lind në shikimin e parë”. Republika e Shqipërisë për të është pak më e madhe nga shteti mëi vogël i Brazilit, që quhet Sergipe. Me 1 miliom e 200 mijë shqiptarë Shqipëria kishte gjysmën e qytetit të Rio de Janerios. Amado bën një eskursion në histori, flet për princin Skënderbe, që është heroi i një historie të bukur si një përrallë, por që nuk është përrallë. Ai flet për Tiranën, Shkodrën, Vlorën dhe Durrësin, që i kishte vizituar.

Për të Shqipëria është një vend heroik, Shqipëria nuk është “një mbretëri operete”. Ky vend i martirizuar nga shtypja dhe regjimi obskurantist feudal, nga injoranca dhe plogështia orientale befas u duk se gjeti rrugën e tij të ringjalljes. Ja si e përshkruan ardhjen me avion në Tiranë Amadeo: “Po fluturoj mbi det dhe male të lartë, arrij në qytetin e Tiranës, mes një lugine të ndritur mes pemëve dhe kodrinave. Përbri qytetit të vjetër, shtëpitë e të cilit kanë dritare të vogla, të purpurta, të gjelbërta ose të kaltërta, që mua më kujtojnë disa ndërtime popullore në Veri të Brazilit tim, shihen dhe ndërtesa moderne me arkitekturë solide dhe madhështore. Kështu përballë një arkitekture fiorentine, ngrihet minarja e Xhamisë së Madhe”. Duket në këtë përshkrim koncepti i krahasimit dhe i lidhjeve. Amado përshkruan entuziazmin e rindërtimit dhe  thotë se një nga shoqëruesit shqiptarë i deklaron se pas 5 vjetëve Tirana do të ndryshonte kryekëput pamjen e saj. Aleks Çaçi i thotë se ka shkruar një poemë për djalin e tij të porsalindur. Dhimitër Shuteriqi, më erudit i tregon objekte historike. Thanas Thanasi babai i tre dëshmorëve të luftës është më i përmbajtur në bisedë.Amado tregon fjalimet e krerëve fetarë në Kongresin Botëror të Paqes në Tiranë, atë të Hafiz Musait, kryetarit të komunitetit mysliman, të Pais Vodicës, kryepeshkopit ortodoks dhe të katolikut Lec Sahatçiu pa harruar atë të kryegjyshit bektashian Myftar Dedesë, të cilin e karakterizon si “kurioz dhe simpatik”, “baba” i tërë bektashianëve të krejt planetit, sepse bektashianët janë një sekt i përbotshëm dhe e kanë Romën e tyre në Tiranë.Një syth  më vehte emocionues i këtij libri është kur përshkruan trenin dhe hekurudhën e parë në Shqipëri. Ai i jep të drejtë Eremburgut, që hekurudha në Shqipëri është në të gjitha kuptimet “një mrekulli që ndodh për herë të parë”.

Nëse Shqipëria ka një traditë të paktën 5 shekullore të letërsisë dhe një kulturë arkeologjike akoma më të lashtë mund të thuhet që deri në gjysmën e shek.XX i vetmi vend në Evropë pa hekurudhë, si një sekret i kobshëm qe Shqipëria. Vetëkuptohet që ky vend me 92 % analfabetë ndërtoi 4.000 shkolla.

Atij i bëjnë përshtypje takimet me shkrimtarët, thotë se ka takuar Gjergj Komninën, Mark Ndojan, Kolë Jakovën, Veiz Sejkon etj. Di diçka për poezitë e Memo Metës. Entuziazmohet për ekzistencën e një shkolle baleti në Tiranë që kish fituar çmimin e i në festival në Budapest. Deri më 1944 Shqipëria s’kish asnjë teatër ose muzeum. Më 1948 kishte 121 grupe teatri, 235 biblioteka, 29 orkestra dhe 37 grupe baleti. Amado mahnitet nga vallet popullore të folklorit interpretuar nga fëmijët në teatrin e Shkodrës.

Ka lënë rreshta të shkruara bukur sidomos për peisazhin dhe Pazarin e Vjetër të Shkodrës që ka qenë një kryevepër e etno-arkitekturës popullore. Ai tregon se si i shoqëruar nga Dhimitër Shuteriqi u fut në Pazarin e Vjetër dhe u mahnit nga argjendaritë dhe sendet ekzotike popullore.

Takon një plakë të përkulur mbi një furkë primitive, dhe që bënte një pëlhurë shumë të hollë. Gishtërinjtë e plakës i dukeshin magjikë dhe figurat e bëra prej saj i kujtonin femrat e përrallave të “1001 netëve”.

Amado shkruan: “Po shikoj sendet e argjendëta, mjeshtrit artizanë që punojnë, pipat  e skalitura prej druri, kostumet krahinore me ngjyra të shumta dhe të pakrahasueshme, kalojmë edhe në mes të deleve dhe të patave, në mes të gomerëve dhe të pulave, por mua më kënaqin, brezat me ngjyra që malësorët i ngjeshin në bel. Duke dalë nga Pazari i Vjetër me suveniret e blera apo dhe të dhuruara, me një brez të qëndisur, me një byzylyk të vjetër dhe të rëndë argjendi Amado takon shkrimtaren Wvanda Jakuboska si dhe operatorin e  kinemasë polake Jan Kolas,a të cilët nuk e fshihnin adhurimin për mrekullitë e artizanatit popullor shqiptar. Sot Pazarin i Vjetër i Shkodrës nuk ekziston më dhe nostalgjia për të qoftë edhe nëpërmjet Amado-s është mjaft tronditëse. Amado shprehet :”Faleminderit o Shqipëri, për dashurinë e re që më frymëzove, për dashurinë që lindi tek unë kur të njoha ty”.

Tashmë Amado ka vdekur. Nuk ka sesi ta marrë vesh që një nga shqiptarët po shkruan diçka In-Memoriam për të.

Librin për Shqipërinë Amado e shkroi në qytetin Depris, të Çekosllovakisë në maj 1950.

Një vit më pas u botua në shqip me tirazh prej 8000 kopjesh pasi kish bërë jehonë të madhe në shtypin botëror.

Pavarësisht nga çfarë ka ngjarë më pas, pavarësisht nga rrokopujat, thyerjet e mëdha, ndryshimet e paimagjinueshme ne nuk mund ta harrojmë dot atë që u quajt dikur me entuziazëm si “I fejuari i Shqipërisë”.

July 26, 2016 09:59
Komento

2 Komente

  1. Guri Naimit D(Dh.Xh) July 26, 14:20

    Kur PENA ATDHETARE FLET
    – Mojkom Zeqo faleminderit!
    Mwngjezi i 26 Majit 2016, teksa pres diellin tw lidw,kwtu ku jam(Toronto e Kanadasw),njw diell befasues mw cfaqet nw ekranin e Lap-topit, “trinitrina” ime, kwtu larg atdheut.
    Eshtw Moikom Zeqo,Penw mbi Penat, me shkrimin e tij befasues qw mw risolli vitet-50-t nw atdheun tonw qw shwronte plagwt e luftws, me kwtw rrezw dielli pwrciellw,pwrmes gazetws “DITA”- drita jonw.
    Po rezia e diellit qw mw pwrciell kwtw ditw Moikomi, kishte tw vecantwn e vet. Mw solli ato vite- “bardhwsi mes territ trashwguar” e kwtw bardhwsi e shfaq, me madhwshtinw e penws tij, njw Brazilian, me emrin qw na ka shoqwruar nje jetw, Jorge Amado.
    Unw flas me kwtw gjuhe se ato vite, mes Tiranws, atw e kemi parw si METEOR. Unw flas, duke qwnw nxwnws i shkollws me emwr “10 Korriku”, njwherwsh bwrw”Pionier i tuneleve”dhe im vwllw, “LUAN” mes LUANEVE”,Hekurudhave dhe Hidrocentraleve, qw ndwrtoheshin.(Pa tjetwr pwrgjithwsuesi i “Luanwve te Tuneleve ishte ato vite “SALI VATA”e shokwt e tij.. me pistoletwn nw krah, qw atw, tim vwla e thwrrisnin “BABA”ani se ishte moshatar me atw, rini ndwrtimate vullnetare.) dhe atw libwr e kam rjeshtuar e lexuar si tw Naim Frashwrit apo Migjenit mw von.
    Ju faleminderit i nderuar “Zot i Penws” Moikom Zeqo, sa na sjell sot kwtw shkrim.. ( pwr mua tej oqeanit, wshtw “trinitrine” kjo, me cpo jetojmw e dwgjojmw pwr atdheun tonw, pwrgojuar, nga pseudo pena,per tw mos folur pwr ca politikanw, qw duan shkatwrrimin e tij..
    Ju e dini, 80 vitet po kaloj, ani se ‘lavierws’ emigrant, rreth botws,pas fwmijwve qw kwrkojnw mbijetesw; atdheun “pushtuar”ca; pseudo politikanwt sa “pseudo bizesmenw” .A ta janw horrat shkatwrrues tw atij vwndi PARAJSW, ringritur themelet ato vite qw i madhi poet e shkrimtar botwror Jorge Amados,na i ka lwnw si TESTAMENT, pasardhwsve shqiptarw tw vwrtete,si Ju, i nderuar Moikom Zeqo, pwrkushtuar.(Nuk janw kwto superlativa fjalw,po fjalw zwmre gjyshi-syrgjynosur pseudot, fatkeqwsisht shqiptarw. Po koha do flasi e do flasi SHQIP, si dinw tw flasin SHQIPTARWT.
    Mbrodhwsi pac i nderuar MOIKOM ZEQO njw “Jorge Amadeo” pwr shqiptarwt.
    Me shume konsidertatw

    Toronto 26-07-2016 Guri Naimit D.

    Reply to this comment
  2. Lili July 27, 19:58

    Nuk ka se edhe ajo pak gje shqiptare qe ky admiroj e zduki sistemi kosmunist

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*