Libri i Ylli Bufit: Qëndrimet e Nanos e Berishës për 7501-shin

June 9, 2016 09:54

Libri i Ylli Bufit: Qëndrimet e Nanos e Berishës për 7501-shin

Ish –kryeministri i Qeverisë së Stabilitetit, Ylli Bufi, tregon në një libër që promovohet së shpejti, sfidat me të cilat u përball kabineti jetëshkurtër që ai drejtoi. “Në fillimet e tranzicionit” një botim i UET Press, pjesë e kolanës Scripta Manent, risjellë në kujtesë momente vendimtare të historisë së tranzicionit shqiptar. MAPO publikon sot pjesë nga libri dhe trajtimin e një prej ligjeve më të rëndësishme, i cili rezultoi vendimtar në fatin e vendit dhe ekonomisë së tij. Cilat ishin pozicionet e Sali Berishës dhe Fatos Nanos për ligjin 7501 dhe si u arrit te ligji që u miratua me pasoja të rënda në jetën e vendit dhe ekonominë e tij edhe sot?! Bufi, në libër, bën një përshkrim të detajuar të situatës së rëndë të fshatit në vend, ndërsa sjell edhe fjalimet më të rëndësishme dhe prapaskenat për marrjen e vendimit, pas një debati maratonë. 

Debati për projektligjin për tokën bujqësore është një nga debatet më të gjata parlamentare në vendin tonë. Filloi në seancën e datës 9 korrik dhe përfundoi në seancën e datës 19 korrik. U zhvilluan gjithsej 11 seanca plenare dhe diskutuan mbi 100 deputetë. Që në fillim, u duk qartë se qëndrimet e të dyja forcave politike rreth çështjes së pronësisë së tokës do të ishin të kundërta. Para se të fillonte mbledhja e qeverisë për miratimin e projektligjit “Për tokën”, më vjen në zyrë Gramoz Pashko dhe më thotë: “Më thirri Saliu te partia. Më kërkoi me çdo kusht që në nenin 2 të projektligjit, toka të mos mbetet pronë e shtetit, por të shpërndahet dhe t’iu jepet në pronësi fshatarëve, ndryshe, PD do të dalë nga qeveria”. Ishte ky një diskutim që e kishim bërë edhe më parë dhe e prisja që Berisha do të reagonte. “E diskutojmë në mbledhje, atje t’i paraqiti argumentet e PD”, i thashë Gramozit. Në mbledhjen e qeverisë u bë një debat i gjatë rreth nenit 2 të projektligjit, i cili ishte formuluar: ‘Toka në Republikën e Shqipërisë është pasuri shtetërore. Ajo iu jepet për përdorim personave juridikë dhe atyre fizikë. Ndalohet shitja dhe blerja e tokës”. Në mbledhjen e qeverisë, në emër të PD-së, Gramoz Pashko kërkoi ndryshimin e nenit 2 të projektligjit, duke propozuar formulimin e tij në: “Shteti iu jep tokën personave fizikë e juridikë. Këta gëzojnë të drejtën e pronësisë”. Zyhdi Pepa e kundërshtoi fort këtë kërkesë të PD-së për ndryshimin e nenit 2 të projektligjit. Ai paraqiti dy arsye kryesore: “Së pari, në programin e qeverisë të votëbesuar në Parlament, kemi thënë se subjekteve do t’iu jepet e drejta e përdorimit të tokës, jo e drejta e pronësisë. Së dyti, koha që ka në dispozicion Qeveria nuk është e mjaftueshme për të filluar një reformë të tillë, për zbatimin e së cilës do të duhej një periudhë kohe disavjeçare dhe një stabilizim i qeverisjes vendore në fshat, pas prishjes kaotike të kooperativave bujqësore”. Argumentet e Pepës u mbështetën edhe nga ministra të tjerë. Dikush u shpreh se qëndrimi i PD-së lidhet vetëm me arsye elektorale, fjalë këto që e tensionuan diskutimin e mëtejshëm. Unë ndërhyra, duke i kërkuar qeverisë që, meqenëse çështja që debatohet është kryesisht politike dhe lidhet me programet e partive politike, atëherë për të le të vendoset në parlament. Qeveria dërgoi projektligjin në parlament pa e ndryshuar formulimin e nenit 2. Projektligji “Për tokën” u paraqit në Kuvend nga zëvendëskryetari i Këshillit të Ministrave, Zyhdi Pepa. Fillimisht, ai parashtroi gjendjen katastrofike të prodhimit bujqësor dhe blegtoral, duke theksuar se situata politike e vendit kishte një ndikim të drejtpërdrejtë në fshat, ku, të çoroditur, fshatarët po shkatërronin kooperativat bujqësore. Ndaj Qeveria ishte e detyruar të merrte disa vendime të menjëhershme për të parandaluar rënien e shpejtë të prodhimit dhe të siguronte furnizimin e tregut me artikuj ushqimorë. Po sjell këtu një fragment nga fjala e zëvendëskryeministrit, si dhe pjesë nga diskutimet e disa deputetëve.

Nga fjala e Sali Berishës:

“Ligji për tokën është i baras rëndësishëm me vetë tokën, sepse ai e çliron atë nga kthetrat e shtetit totalitar dhe e kthen në duart e pronarëve të natyrshëm, fshatarëve, që iu përket. Ligji për tokën dhe reforma ka një rëndësi jetike për Shqipërinë, sepse, me çka shoh unë, të tërë jemi të mendimit që kjo është një rrugëdalje për të gjithë ne. Në qoftë se arrijmë nëpërmjet saj të shtojmë prodhimin bujqësor, është e vetmja mënyrë që të liberalizojmë çmimet dhe të kapërcejmë diçka me më pak dhimbje reformën që duhet të bëjmë dhe për të cilën këtu, në përgjithësi, forcat politike, me disa ndryshime, janë të bindura për të ecur drejt saj. Problemet bazë që duhet të përfillë ligji janë: Së pari, toka t’i jepet fshatarit, mbështetur në parimin “atij që e punon”. Së dyti, zgjidhja e pronësisë të bëhet konform parimit “prona është e shenjtë”. Ky parim kërkon përfillje dhe mbi të askush nuk mund të shkelë. Mund të shkelësh sot, nesër zgjohet përsëri. Ky parim është më i fortë se ligji, ky duhet përfillur. Ai duhet patjetër të harmonizohet me të parin. Në rast se nuk mund të arrihet kjo, i pari duhet të zbatohet, kurse parimi i dytë duhet të kompensohet në një formë dhe në një mënyrë tjetër. Së treti, toka shqiptare, asnjë pëllëmbë e saj nuk mund t’i shitet asnjë të huaji, sot dhe asnjëherë. Ajo të huajve do të mund t’iu jepet me qira për një kohë të caktuar dhe koha e dhënies me qira të zgjatet konform interesave të dyanshëm, të Shqipërisë, të pronarit dhe të pronarit që i është dhënë me qira. Duhet të ndalojmë me ligj shitjen e tokës të huajve, por toka mund t’iu shitet vetëm shqiptarëve dhe atyre shqiptarëve që kanë shtetësi shqiptare ose shtetësi të dyfishtë. Ata e humbasin pronësinë menjëherë, që në momentin që humbasin shtetësinë shqiptare. Por pronarët shqiptarë mund dhe duhet të kenë të drejtën të shesin dhe të blejnë tokën te njëri-tjetri, pronarë shqiptarë, gjithmonë me shtetësi e kam fjalën. Nuk ka sesi t’ia japësh tokën tjetrit e t’i thuash është pronë e jotja, por pronë jotja e të mos e shesësh. Nuk qëndron logjikisht. Është e jotja, bëj çka të duash me të, shite, brenda një pronari shqiptar, vetëkuptohet. Lidhur me pronësinë, mund të sugjeroj si variante, unë vetëm po sugjeroj, të tjerët mund të kenë variante të tjera, që toka t’i jepet për ta punuar atij që e punon, por kjo nuk duhet të trashëgohet prej tij, në rast se nuk është e tij. Trashëgimia duhet t’i njihet pronarit. Ky, i pari, ka të drejtën t’ia blejë me ndihmën e shtetit ose me ndihmën e tij, ose përndryshe, siç kanë vepruar dhe disa vende të tjera, të jepen kambiale, të cilat shpërblehen mbas 10 vjetësh ose mbas 15 vjetësh. Në këtë mënyrë, harmonizohen të dyja parimet, edhe i pronësisë, edhe “toka atij që e punon”. Zotërinjtë e tjerë mund të kenë mendime të tjera më të vlefshme, lidhur me zgjidhjen e çështjes së pronësisë. Në fazën aktuale, fermat duhet të shndërrohen në shoqëri aksionare. Si përfundim, mendoj se ky ligj, kërkon përpara se të shpallet, një përpunim të thellë, i cili duhet të marrë parasysh jo vetëm ato sa thashë, por edhe specifikat e zonës kodrinore, malore e fushore, të cilat përfaqësojnë tërësi të ndryshme në rrafshin gjeografik dhe bujqësor. Para se ta miratojmë, do të dëshironim që ai të diskutohet gjerësisht nga specialistë shqiptarë dhe të huaj. Kur them të huaj, kam parasysh këta të fundit për zgjidhjen e çështjes së pronësisë, se nuk kemi ndonjë eksperiencë të madhe në këtë drejtim. Pastaj do të vendosim këtu, do ta vendosim në Kuvendin Popullor apo do të zgjedhim ndonjë formë tjetër më të gjerë. Deri në këtë kohë, Qeveria të marrë të gjitha masat e mundshme për zgjidhjen e këtij problemi”.

Nga fjala e Fatos Nanos:

“Diskutimi i sotëm është një nga momentet vendimtare të veprimtarisë së këtij Parlamenti, për faktin se ai zhvillohet në kushtet e vështirësive të mëdha që po kalon vendi, veçanërisht fshati, dhe të një situate tepër të komplikuar në rajon. Është një barrë e rëndë për këtë Parlament të parë pluralist, që të gjykojë për këtë çështje me gjakftohtësi, me kthjelltësi dhe duke parë nga e ardhmja. Përgjithësisht, vlerësoj argumentet, që dhanë parafolësit, si të PS-së, ashtu dhe të PD-së. I vlerësoj, sepse prej tyre del një fakt, që të gjithë ne, qoftë forca politike të pranishme në Parlament, qoftë ato që nuk kanë pasur fatin deri tani të jenë prezente, por që, me zgjedhje të reja, jam i sigurt që do të jenë të pranishme në këtë sallë, kanë ndërtuar, përgjithësisht, programe strategjike për çështjen agrare dhe, duke u nisur edhe nga partia që përfaqësoj, nuk kanë arritur ende të detajojnë hapat e njëpasnjëshëm që duhen hedhur në reformën ekonomike, në reformën e marrëdhënieve agrare, të cilat të bëhen realisht të kuptueshme nga populli dhe të zbatueshme në praktikë. Gjykimet që bëhen, vendimet që marrim, duhet t’i ballafaqojmë me dy kritere themelore. E para, me mendësitë e kultivuara, në rastin konkret, te fshatarësia jonë, e cila, në kushtet kur janë shpërbërë strukturat e vjetra ekonomike dhe strukturat e vjetra të pushtetit, ka vepruar, përgjithësisht, në mënyrë spontane, me vetëgjykim, gjë që ka çuar në një situatë tepër të ndërlikuar dhe, përgjithësisht, kaotike në fshat. Njerëz të veshur me pushtet deri dje në fshat kanë rrëmbyer ç’kanë mundur, të tjerë kanë mbetur edhe më tepër të pa pronë se ç’kanë qenë. Në këto kushte, kur vendi ka nevojë për stabilitet, kur të gjitha forcat politike janë angazhuar të mbështesin një Qeveri Stabiliteti, mendoj se projekti i paraqitur nga Qeveria, përgjithësisht, jep një zgjidhje tranzitore dhe, duke qenë se askush nga ne, si forca politike, nuk është ende plotësisht i përgatitur për zgjidhje të qarta, të plota, përfundimtare dhe të mbështetura praktikisht për çështjen agrare, duhet ta mbështesim këtë Qeveri, që edhe ajo të punojë për stabilitetin, që dhe konflikte të tjera, përveç konflikteve shumë të mprehta që ka vendi, të mos shtohen. Kriteri i dytë do të ishte realiteti i krijuar në fshat, jo vetëm nga pikëpamja e diferencimit real pronësor dhe pasuror, që është krijuar në mënyrë spontane, por dhe nga pikëpamja e shpërbërjes së lidhjeve tradicionale, ashtu siç ishin, ekonomike, midis qytetit dhe fshatit, midis industrisë dhe bujqësisë. Urdhëroni, të marrim një vendim solemn për privatizimin e menjëhershëm të tokës qysh sot. Të dhënat që kemi ne, të mjerueshme, por të vërteta, janë që fshatarësia ka arritur të mbrehë edhe djemtë në parmendë, sepse strukturat industriale në shërbim të fshatit janë bllokuar nga konfuzioni i përgjithshëm, që ka përfshirë ekonominë dhe nga mungesa të theksuara materialo-teknike etj. Pra, zgjidhja që kërkon fshati nuk mund të gjykohet jashtë zgjidhjes së përgjithshme të reformës ekonomike. Prandaj do të mbështesja deputetin Berisha në argumentet që dha se, tashmë, në këto momente kritike nuk ka organizëm tjetër, të autorizuar nga ky Parlament, më të fuqishëm sesa kjo Qeveri e Stabilitetit, që të luajë rolin e arbitrit suprem në zgjidhjen e konflikteve ekzistuese në fshat dhe në moslejimin e lindjes së konflikteve të reja. Mbi këtë bazë, nuk duhet të na mundojnë mendësitë dhe paragjykimet e vjetra. Në qoftë se themi që shteti do të administrojë procesin e rishpërndarjes së drejtë të tokës në fshat, është fjala për këtë shtet ligjor që po institucionalizojmë. Është fjala për këtë Qeveri Koalicioni dhe Stabiliteti, që jemi angazhuar ta mbështesim dhe duhet ta mbështesim realisht. Është fjala për këto komisione shtetërore, të cilat, për mendimin tim, duhet të mbështeten dhe nga anëtarë të komisioneve parlamentare për çështjen e bujqësisë, që do të hyjnë në veprime konkrete për normalizimin e gjendjes në fshat, me synimin sublim që t’i shërbejnë rifillimit të veprimit, që nga cikli bujqësor i vjetshëm. Prandaj do të sugjeroja që, për të bërë të mundur që kjo Qeveri të ketë atributet ligjore të nevojshme për ta kryer këtë veprimtari ekzekutive me komisionet përkatëse, të mbështetura dhe nga anëtarë të Parlamentit, ta kalonim pa paragjykime projektin e paraqitur dhe kur them kështu mund të shmangim terma të tilla që na ndajnë. Konkretisht, neni 2 i projektit mund të formulohej: ‘Toka në Republikën e Shqipërisë iu jepet nga shteti për përdorim personave juridikë dhe atyre fizikë, duke ndaluar shitblerjen e saj’. Dhe që këtu të merrnim angazhimin e dispozitës së fundit të projektit të paraqitur që Këshilli i Ministrave, pas miratimit të Kushtetutës, të hartojë ligjin e plotë për tokën, në përputhje me kërkesat e reformës ekonomike. Këtë gjykim e mbështes në të gjitha argumentet, që sollën parafolësit, për realitetet e ndërlikuara që po përjeton fshati, për pasigurinë për veprimet që kanë dalë jashtë kontrollit. Për më tepër, në kushtet e situatës së destabilizuar që kalon vendi, veprime të tilla do t’i shërbenin edhe qetësimit të gjendjes së brendshme, që është aq i nevojshëm për të përballuar edhe de stabilitetin e situatës në rajon”.

***

Në këtë debat të stërzgjatur, u përvijuan dy linja të ndryshme të dy forcave kryesore politike: PS-ja kërkonte që qeveria të bënte ndarjen e tokës fshatarëve nëpërmjet dispozitave të caktuara në projektligjin e paraqitur nga Qeveria, në mënyrë që ata të fillonin ta punonin tokën dhe situata në fshat të shkonte drejt stabilizimit, ndërsa çështja e pronësisë të zgjidhej më vonë, në një kohë tjetër më të përshtatshme, sipas një ligji tjetër të hartuar nga qeveria. PD-ja nuk pranonte që toka të mbetej në pronësi të shtetit, ajo kërkonte, gjithashtu, që toka të ndahej duke ua njohur pronësinë subjekteve përkatëse. Pra, PS-ja kërkonte një zgjidhje tranzitore, që do të bënte të mundur që qeveria të merrte vendime për stabilizimin e situatës në fshat, ndërsa PD-ja kërkonte që projektligji të vendoste pronësinë private mbi tokën, përndryshe, ata përmes deputetit R. Uka kërkuan që qeveria të tërhiqte projektligjin. Presioni i PD-së ishte shumë i fortë. Ndarja e tokës, pavarësisht mënyrës së zgjidhjes së pronësisë së saj, ishte hapi i parë vendimtar për qetësimin e situatës së krijuar me prishjen e kooperativave bujqësore. Ndërkohë që debati parlamentar vazhdonte, unë bëra disa takime me përfaqësuesit e grupeve parlamentare, si dhe me drejtuesit e dy partive, të Partisë Socialiste dhe të Partisë Demokratike, për të gjetur një zgjidhje, një formulim të tillë, që të pranohej nga të dyja palët. Në këto takime theksova sidomos faktin se vendimet që kishte përgatitur Qeveria nuk mund të gjenin zbatim pa pasur një mbështetje ligjore. Konkretisht, propozova që formulimi duhej të siguronte ndarjen e tokës personave fizikë dhe juridikë dhe ligji të ngarkonte Këshillin e Ministrave që, në kuadrin e reformës ekonomike, të përgatiste një ligj tjetër për privatizimin e tokës. Gjithashtu, m’u desh të ndërhyja disa herë në debatin e seancës parlamentare, duke theksuar se tejzgjatja e këtij debati, tashmë, ishte e panevojshme dhe se grupet parlamentare duhej të pranonin një formulim konsensual. Iu thashë deputetëve se qeveria do të angazhohet seriozisht në zbatimin e vendimeve që ajo ka ndërmarrë, por patjetër kërkohet një bazë ligjore për zbatimin e tyre. Debatin e zhvilluar në një nga seancat plenare e ndoqi nga lozha presidenciale edhe presidenti i Republikës, Ramiz Alia. Ai u takua në një nga mjediset e Kuvendit edhe me Fatos Nanon dhe Sali Berishën dhe, së bashku me ta, u përpoq për të gjetur një formulim të pranueshëm të nenit 2. Më në fund, u ra dakord që formulimi i nenit 2 të ishte ky: “Shteti iu jep tokën personave fizikë e juridikë. Këta gëzojnë të drejtën e pronësisë dhe të gjitha të drejtat që përmbahen në këtë në ligj. Ndalohet shitja dhe blerja e tokës”. Në këto kushte, qeveria e tërhoqi formulimin e saj të projektligjit. Do të votoheshin edhe dy formulime të tjera, ai i Komisionit parlamentar të bujqësisë: “Toka është pronë e shtetit, personave juridikë dhe fizikë”, si dhe një formulim i sjellë në emër të grupit parlamentar të PS nga deputeti Lutfi Dautllari: “Shteti iu jep tokën të gjithë personave fizikë dhe juridikë. Këta gëzojnë të gjitha të drejtat mbi tokën, të cilat përmbahen në këtë ligj, ndalohet shitja dhe blerja e tokës”. Ndryshe nga procedurat e zakonshme, u ra dakord që, fillimisht, të votohej neni 2, pastaj të votohej projektligji në fuqi, votimi nen për nen dhe, së fundi, votimi në tërësi. Votimi i nenit 2 u bë votim nominal. Fitoi formulimi i rënë dakord midis dy palëve, me 158 vota pro, 13 kundër dhe 24 abstenime. Pas kësaj vazhdoi procedura normale, por përsëri pothuajse për çdo nen diskutimet qenë të shumta. Kështu, votimi i projektligjit me 26 nene zgjati dy seanca të plota parlamentare. Këtu mbaroi atëherë odiseja e këtij debati, por debati për këtë ligj vazhdon edhe sot, pas 25 vjetëve. Ndarja e tokës sipas ligjit, gjatë periudhës së Qeverisë së Stabilitetit, arriti të kryhet në 51% të sipërfaqes. Ecuria e këtij procesi ishte më e mirë në rrethet e Elbasanit, Përmetit, Skraparit, Tiranës dhe Vlorës. Pas një prapambetjeje të fillimit në rrethet e Fierit, Korçës, Durrësit, ritmet u rritën gjatë muajve tetor-nëntor. Në shkallë vendi, nga 27 rrethe, 15 kishin ndarë më shumë se gjysmën e sipërfaqes së tokës.

June 9, 2016 09:54
Komento

1 Koment

  1. demo June 9, 12:13

    Ky malok bir kurve na mori ne qafe.Ja dha token tone katunareve.E kam dit qe ne fillim fare,qe hasmi pronareve eshjte maloku.Po hajde t`i mbushje mendje Rrapo Hajredin Danushit,qe do luftonte mocionistet.Demek mocionistet ishin kunder pronareve,kurse Berisha ishte “i joni”..O Rrapo,o rruspia e Vlores,qe dilje neper mitingje me kryeagjentin e politbyrose Abdi Baleta,ti je kallauzi i grabitjes se pronave.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Njoftim

Njoftim