Libri “Kthesa”, një befasi krijuese e Valentina Hysit

June 27, 2020 13:54

Libri “Kthesa”, një befasi krijuese e Valentina Hysit

Zylyftar HOXHA

Ka ditë që në libraritë e kryeqytetit po qarkullon një libër interesant, me autore Valentina Hysin, një libër që ka tërhequr vëmendjen e shumë lexuesve, veçanërisht të atyre që e kanë njohur autoren dhe historinë e saj të dhimbshme të humbjes së bashkëshortit dhe mënyrën se si ajo e përballon e vetme jetën, që edhe pse kështu, sipas saj, ia vlen të jetohet, madje dhe bukur.

Ndoshta këtë ka pritur edhe lexuesi, të mësojë më tej për sfidën e saj, që shërben si një mësim moral, si një mesazh i forcës dhe optimizmit njerëzor për të përballuar të papërballueshmen.

Libri, më shumë një ese se sa një roman, i ndërtuar në dy linja, duke kaluar me dashuri dhe finesë sa nga njëra anë në tjetrën, është një gjetje e bukur si në stil ashtu edhe në kompozicion. Elementët ndërthurës, të kombinuar, çuditërisht, tepër harmonishëm, e bëjnë librin një triller të vërtetë emocionues, që, nuk lexohet, por përpihet me një frymë.

Heronjtë kryesorë të librit, AI dhe AJO, i njërës linjë, dhe Fredi dhe Eva me ngjarjet e tyre në linjën tjetër, të mbajnë të mbërthyer me dashuritë, jetët e tyre, me domosdoshmëritë dhe rastësitë e tyre, gjithmonë të këndshme.
“Libri i Valit është i bukur, sepse është është një ballafaqim i sinqertë, dhe ky sinqeritet të prek, të trondit”, shkruhet në pasthënien e tij nga botuesi Xhevahir Lleshi.

Vetë autorja thotë se “Unë nuk kam bërë as sinopse e as skica për këtë roman, por e kam gdhëndur më parë në shpirt dhe e kam bluar gjatë, e kam kthyer mbarë e prapë gjithnjë e gjithnjë, e kam shkruar me pasion, pa lëmim fraze, pa përkujdesje madhështrore të fjalës, thjesht, e heshur me ngjyrën e temperamentit dhe të shpirtit tim, duke jetuar një kohë të gjatë me ngjarjet derisa më në fund u dorëzova, e braktisa vetëveten dhe e shkrojta me një frymë”.
Autoren, njëkohësisht edhe një nga personazhet kryesore të librit, nuk e gjen kurrë vetëm dhe të vetmuar, ajo jeton mes njerëzve të saj të dashur, flet me admirim për ta, sepse, më shumë se askush tjetër se sa ajo, e di dhe e ndjen që miqësia dyfishon gëzimet dhe përgjysmon dhimbjet; e di më shumë se askush tjetër se sa ajo, se në këtë mënyrë bonifikon shpirtin dhe merr energji të pasosur për të përballuar dhe jetuar jetën.

Në librin e Valit, kur shpaloset dhimbja për humbjen e madhe, ka një energji të përsosur pozitive. Mulliri s’është më, por era është akoma, janë kujtimet, ëndrrat, idetë e kohëve që shkuan. “Të mbyt, të rraskapit fakti që të duash një person që nuk është më, zë që nuk të thërret më, shikimi, kujtimi i të cilit të rrënqeth akoma”, thotë personazhi kryesor i librit, Eva, por më pas ajo e mbledh veten, braktis vetminë tibetiane që e kishte kllaposur dhe vendos ta jetojë dhe shijojë jetën si dikur.

Kështu me një mënyrë elegante të shkruari, të kursyer në fjalë, por të pasur në mendim, kalojnë njëri pas tjetrit kapitujt, ngjarjet, të cilat arrijnë në një “epi end” të bukur njerëzor, pse jo dhe aristokratik. Eva, pas gjithë asaj lufte të brëndshme, ku dëshmitar ishte vetëm shpirti i saj, gjen dashurinë e re, të fshehtë dhe eterike deri tani. Këtë fakt ajo ia tregon vajzës së saj, tashmë e martuar dhe me fëmijë.

“Si mbarova rrëfimin, qeshëm të dyja me hare, shkruhet në libër. “Edhe nënat kanë të drejtë të dashurojnë, mamo, apo jo”!?…”Vajzat, çfarë shpikje e bukur”, nuk e mbaj mend ku e kisha lexuar. Darkuam dhe biseduam gjatë, thuajse në mesnatë. Ndenjëm në terr të shtrënguara, secila përhumbur në mendimet e veta”.

Libri “Kthesa” i Valentina Hysit është ndër ata librat e rrallë të shkruar me vërtetësi dhe sinqeritet, që të harbon në çdo rresht, duke ngritur pak nga pak në këmbë një përmendore jete interesante, të thjeshtë, të besueshme dhe motivuese jo vetëm për personazhet dhe autoren e librit, por edhe për lexuesin e gjerë.

“Kthesa” e Valentina Hysit, në kuptimin alegorik dhe metaforik, është një kthesë që ia diktuan rrethanat, atëhere kur fundi i gotës ishte shumë larg buzëve: në fillim drejt një jete murgu, të mbyllur, të errët, me një vegjetacion të zbehtë mbijetues, jetë pa thelb, sa për ta shtyrë, në një kthesë 360 gradshe, për ta rinisur jetën nga fillimi me një amplitudë të re suksesi në të gjitha aspektet e jetës njerëzore, për të rigjetur vrullin, guximin dhe shëndetin shpirtëror të dikurshëm.

Në mbyllje desha të thosha se sot ka shumë që shkruajnë, ka shkrues të zakonshëm dhe libra të zakonshëm, të cilët shëmbëlljejnë njëlloj me paratë, por libri i Valit, edhe pse i pari i saj, është një libër klasi, një gjetje, një finesë, “i shkruar gjatë në mendje”, siç thotë vetë ajo. Është një libër “melhem plage”, ku çdo lexues, i ri apo e re, çdo burrë apo grua, çdo i ve apo e ve, çdo i dashuruar apo i divorcuar gjen veten. Dhe, në mos gjen rrugëzgjidhje konkrete, gjen frymë, forcë e besim për të arritur qëllimet që i ka vënë vetes.

June 27, 2020 13:54
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Njoftim

Njoftim

Njoftim