Licencat e reja, datat e provimit për të 9 profilet mjekësore

April 29, 2016 10:08

Licencat e reja, datat e provimit për të 9 profilet mjekësore

Sezoni i testimeve për licencat e reja në mjekësi nis me 3 maj. Me mijëra kandidatë të nëntë specialiteteve të ndryshme mjekësore që përmbushin kushtet për të hyrë në provimin e shtetit do të garojnë për të fituar licencën profesionale, nëpërmjet të cilës mund të aplikojnë më pas për vendet e lira të punës të raportuara nga spitalet publike dhe ato private.

Farmacistët do të jenë të parët që do kalojnë në provimin e digjitalizuar të licencës që do të zhvillohet me datën 3 maj në Agjencinë Kombëtare të Provimeve (AKP). Testimet do të zhvillohen me tre turne, për të gjitha specialitetet mjekësore. Më tej në datën 4 maj, krahas farmacistëve, testimin e licencës do e japin edhe të diplomuarit në stomatologji.

Pas verifikimit të listave zyrtare të marra nga urdhrat profesionalë, autoritetet drejtuese të AKP-së kanë detajuar kalendarin me datat dhe oraret e testimit për secilin specialitetet mjekësor, të cilin e gjeni të detajuar edhe në tabelën bashkangjitur shkrimit. Sipas afateve të përcaktuara, provimet do të nisin me 3 maj, për të përfunduar me 25 maj.

Sezoni i testimeve zgjat për gati një javë vetëm për kandidatët e infermierisë, profil në të cilin kërkojnë të licencohen rreth 1400 kandidatë. Pjesa dërrmuese e tyre hyjnë në këtë provim për të disatën herë, pasi në sezonet e vitit të shkuar nuk kanë mundur të mbledhin dot pikët minimale për të kapërcyer pragun kalues.

Gjatë ditëve në vijim AKP pritet të zbardhë oraret e detajuara të testimit për mbi 2000 kandidatët që do të japin provimin e shtetit për të fituar licencën profesionale në një nga specialitetet e përmendura. Sipas procedurës së dhënies së provimeve të shtetit për profesionet e rregulluara, kandidatët që do të vlerësohen në testimin me alternativa, me më pak se 50 pikë, nuk do të pajisen me licencën profesionale, pasi rezultojnë mbetës.

Këta kandidatë duhet të presin sezonin e fundvitit për të hyrë sërish në këtë provim, e vetëm nëse do mund të kalojnë do të pajisen me licencën për të vijuar më tej me procedurat e punësimit. Nëse kandidati nuk paraqitet në provim në orarin dhe ditën e përcaktuar, si dhe kur tërhiqet përpara fillimit të tij, atëherë provimi nuk vlerësohet si i kryer.

Por, në këto raste kandidatit i mbahet tarifa e paguar, çka do të thotë se kur të regjistrohet për të hyrë në sezonin e radhës duhet të shlyejë sërish tarifën e përcaktuar për herën e parë të hyrjes në provimin e shtetit. Tërheqja nga testimi i shtetit nuk mund të kryhet pas hyrjes në sallën e provimit. Gjithashtu, edhe nëse kandidati nuk e merr provimin me herën e parë, kur ta japë atë sërish, duhet të paguajë një tarifë edhe më të lartë.

Tarifa vjen në rritje, për çdo provë të dështuar të hyrjes në provim. Kandidatët që nuk arrijnë që të marrin provimin pas 5 tentativash, nuk kanë më të drejtë të ushtrojnë profesionin për të cilin janë diplomuar, pasi kaq është dhe numri maksimal i mundësive që ligji jep për të fituar licencën e një profesioni të rregulluar.

Ditën e provimit, çdo kandidat që është pjesë e listës së zbardhur nga AKP, duhet të ketë me vete dokumentin e identifikimit, si dhe mandat pagesën nëpërmjet të cilës dëshmon tarifën e derdhur për llogari të dhënies së provimit të shtetit.

Zbardhet edhe fondi i pyetjeve të provimit

Sipas ekspertëve të AKP-së për secilin specialitet provimi do të jetë vetëm me alternativa.

Në faqen zyrtare të AKP-së gjendet i plotë edhe fondi i mijëra pyetjeve, nga të cilat do të përzgjidhen pyetjet për testin final. Kështu çdo kandidat mund të orientohet rreth këtyre modeleve për të ditur se si do të jetë përmbajtja e testit final.

April 29, 2016 10:08
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*