Lideri i Katalonjës në Belgjikë dhe orët e vendimmarrjes….

November 1, 2017 12:00

Lideri i Katalonjës në Belgjikë dhe orët e vendimmarrjes….

Që me rritjen e klimës së tensionit në Spanjë dhe përdorimin e forcës fizike nga ana policore, për të mos lejuar zhvillimin e referendumit, Belgjika do të tërhiqte vëmendjen. Kjo, për faktin se kryeministri i saj do të ishte drejtuesi i parë i një vendi evropian, që do të denonconte publikisht dhunën e ushtruar nga autoritetet spanjolle, duke bërë thirrje që të shmangej përdorimi i saj. Deklaratë e kryer në një kontekst të ngurtë politik, teksa të gjithë vendet anëtare të BE-së, si edhe vetë BE u pozicionuan në bllok, kundër tentativave të njëanshme për shkëputje të Barcelonës. Pak më pas, reagimi i BE-së do të konsiderohej sërish i pamjaftueshëm teksa ripërsëritej në mënyrë flegmatike e njëjta frazë se “kjo është një çështje e brendshme e Spanjës” dhe se “dhuna nuk mund të jetë kurrë një instrument në politikë”. Në pozicionimet e BE-së, është lënë hapur edhe një shteg ku theksohet “nevoja e dialogut mes palëve”, por që shfaqet si një instrument që do të mund të përdoret vetëm në rast të një përshkallëzimi të pashmangshëm të situatës dhe nga ku kriza e Spanjës do të shndërrohet në krizën e radhës evropiane.

Pak ditë më parë, sekretari i shtetit belg për Migrimin dhe Azilin Teo Franken, do të bënte një deklaratë publike që do të tërhiqte sërish vëmendjen, teksa do të vlerësonte se Belgjika mundej, në funksion të situatës, t’i akordonte azil politik Karles Pudxhimontes :“Një gjykatës belg duhet të vendosë. Është gjithashtu procedura e azilit. Nëse atij i akordohet azili, do të jetë e vështirë të ekstradohet drejt Spanjës. E drejta belge e ndalon këtë.”….” Kur shikojmë situatën, represionin në Madrid dhe dënimet me burgim për të cilat po flasim, mund të ngremë pyetjen nëse do të ketë një proces të drejtë? Tani, kjo do të na vendoste në një situatë diplomatike me Spanjën….”

Shpjegimi i sekretarit Federal belg, ka të bëjë nga njëra anë me procedurën e ekstradimit në rast të ekzekutimit të një urdhër arresti evropian apo ndërkombëtar, që mund të lëshohet nga Spanja, ndaj Pudxhemontes dhe ku autoritet federale belge duhet të vendosin për ekstradim përmes një procesi gjyqësor, dhe nga ana tjetër është procedura për strehim politik, që duhet theksuar se vendoset nga autoritete të pavarura ndërkombëtare, siç është Komisariati i Lartë i Refugjatëve dhe i Apatridëve nën varësinë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Teksa shtypi spanjoll e interpretoi këtë deklaratë të sekretarit Federal belg Franken, si ftesë ndaj Presidentit të Katalonjës, Belgjika u pozicionua politikisht kundër këtij interpretimi. Distanca politike filloi të vendosej që me pozicionimin e kryeministrit belg Sharl Mishel duke i kërkuar sekretarit të shtetit të “mos i hidhte benzinë zjarrit” pasi kishte deklaruar pak kohë pas deklaratave të tij se “Ne, bëjmë thirrje për zgjidhje paqësore në respekt të rendit kombëtar dhe atij ndërkombëtar.” Duhet theksuar se sekretari Federal belg, është flamand dhe i përket partisë Aleanca e Re Flamande, një parti me nuanca nacionaliste dhe që ka në programin e saj politik shkëputjen e mundshme të rajonit të Flandrës nga Belgjika. Ndërsa opozitarët në vend kritikojnë kryeministrin e tyre, duke e akuzuar atë se është marrë peng nga forcat nacionaliste në qeveri, që kushtëzojnë jetëgjatësinë e qeverisë së tij.

Dje, Presidenti i Katalonjës që gjendej prej disa ditësh në Bruksel në shoqërinë edhe të 5 këshilltarëve të tij, do të jepte një konferencë për shtyp, nga ku pritej një deklarim për strehim të mundshëm politik në Belgjikë. Kjo, në logjikën e evoluimit të ngjarjeve, lëvizjeve të politikës belge për të krijuar terrenin e ardhjes së tij në Belgjikë, si edhe bërjes publike të faktit që Pudxhemonte ka zgjedhur si avokat të tij një prej specialistëve belgë në fushën e avokatisë Pol Bekaert, me eksperiencë në çështjet delikate të ekstradimit dhe azilit. Pra, me çështje ku presioni politik vjen i gërshetuar me akuza të rënda juridike dhe ku garancia për një proces të drejtë shfaqet thuajse e pamundur. Siç kanë qenë rastet e separatistëve baskë të ETA-s të kërkuar nga Spanja gjatë viteve ’90, por edhe çështjet që preknin të akuzuar për terrorizëm të ekstremit të majtë, nga Turqia.

Konferenca e djeshme për shtyp, la të kuptohej se ish drejtuesi i Katalonjës mund të kthehej menjëherë në Spanjë, vetëm nëse ai dhe personalitete të tjerë katalanas të akuzuar nga drejtësia spanjolle, do të merrnin garanci për zhvillimin e një procesi të drejtë gjyqësor. Pra, qëndrimi në Bruksel, që duket se mund të jetë i gjatë për Pudxhemonten, në thelb lidhet me arsyen e sigurisë. Ai do të konfirmonte gjithashtu se nuk ishte në Belgjikë, por në Bruksel, në kryeqytetin e Evropës për të shpjeguar problemin katalanas në zemër të institucioneve evropiane: “Ne duam të denoncojmë politizimin e drejtësisë spanjolle, mungesën e saj të paanshmërisë, faktin që përndjek jo krimet por idetë dhe t’i shpjegojmë botës, mangësitë e rënda demokratike të Spanjës.”

Por, a do të shkojë ish-Presidenti i Katalonjës Pudxhimonte drejt kërkesës për strehim politik në Belgjikë, në momentin që autoritet spanjolle do të kërkojnë zyrtarisht arrestimin e tij dhe të pesë këshilltarëve që janë në shoqërinë e tij ?

Mënyra se si gjërat kanë lëvizur deri më tani, lënë të kuptosh se në rast lëshimi të një urdhër arresti evropian nga Spanja, ish-Presidenti i Katalonjës do ta ketë të pashmangshme kërkesën për strehim politik në Belgjikë, teksa ndaj tij do të nisë një proces gjyqësor ekstradimi.

Avokati i tij, ka deklaruar për agjencinë Rojters se: “Gjithsesi do të jetë më i vështirë refuzimi i ekstradimit që prej futjes së mandat-arresteve evropiane në vitin 2004.”

Vështirësia në këtë rast qëndron ndaj faktit se Spanja është vend anëtar i BE-së, dhe se kërkesat për azil politik në parim nga një vend anëtar, pra nga shtetas evropianë gjykohen të pabazuara në logjikën se, vendet e BE-së janë vende të sigurta dhe demokratike dhe se në to nuk ekzistojnë persekutimet politike. Dhe në rastet e aplikimeve për strehim politik nga shtetas evropianë, procedurat janë të përshpejtuara pasi bazuar në të drejtën evropiane, vendet anëtare nuk praktikojnë persekutime ndaj shtetasve të tyre. Gjithsesi, vlen të theksohet se kërkesa nga shtetas evropianë ka pasur sistematikisht dhe do të vazhdojë të ketë, pasi situata me të drejtat e njeriut dhe sidomos ndaj minoriteteve, apo pakicave kombëtare në Evropën Lindore dhe Qendrore, nuk është në nivelin që pretendohet të jetë në një shtet të pre-supozuar demokratik. Dhe vetë BE ka nisur një sërë procedurash juridike ndaj disa vendeve pikërisht për shkelje të shtetit të së drejtës dhe sundimit të ligjit, siç janë Polonia apo edhe Hungaria.

Por, edhe pse në parim kërkesa shfaqet e pabazuar, ajo detyrimisht do të shqyrtohet dhe do të analizohet me thellësi. Dhe kjo hap fazën e depozitimit nga ana e ish-drejtuesit katalanas të të gjithë elementëve, që faktojnë dhe provojnë pamundësinë e zhvillimit të një procesi të drejtë dhe të paanshëm gjyqësor, ndaj tij. Kjo, pasi në vetvete akuzat penale, nuk përbëjnë shkak për akordimin e azilit politik, me përjashtim të rrethanave të jashtëzakonshme. Pra, logjikisht lufta në këtë proces do të konsistojë në argumentimin e akuzave penale si të nxitura dhe të shkaktuara jo bazuar në logjikën e së drejtës, por bazuar në vullnete politike.

Megjithatë, vlen të theksohet se kërkesa për strehim politik, shqyrtohet nga një organ i pavarur nga autoriteti i sekretarit federal për Migrimin dhe Azilin Teo Franken, siç është Komisariati i Përgjithshëm për Refugjatët dhe Apatridët. Dhe shqyrtimi i kërkesave kryhet nga juristë të specializuar në këto fusha dhe ka karakter të pastër juridik. Nga ku, lëvizjet politike si ajo e sekretarit Federal belg, që shprehin simpatinë e hapur ndaj një personaliteti të caktuar, apo edhe në rastet ku kemi të bëjmë me të kundërtën e saj, pra me ndërhyrje negative të imponuara nga klima e marrëdhënieve politike diplomatike mes vendeve, zhvlerësojnë çdo mundësi reale për ndërhyrje.

Mënyra se si do të precipitojë më tej situata në Spanjë, duket se do të jetë vendimtare në lëvizjen e ish-Presidentit të Katalonjës në Belgjikë.

Por, përtej çështjes së fatit të tij personal dhe aspektit juridik të çështjes, në mënyrë të pashmangshme ngrihet edhe një pyetje me karakter moral: A mundet që në ditët më të vështira të popullit tënd, përmes zgjedhjes së një rruge, që mban vula presidenciale të veprimit historik, ta braktisësh atë duke kërkuar akomodim fizik dhe juridik mijëra kilometra larg tij ?!

Duke preferuar lirinë individuale, përballë asaj rajonale, apo edhe kombëtare ?!

Është e vështirë të mendosh se mund të jesh i lirë, kur të tjerët nuk janë.

“Nuk kam veçse një synim,- shkruante Dostojevski tek “Letër vëllait të tij, 16 gusht 1839”, të jem i lirë. 

Do të sakrifikoj gjithçka për të. 

Por, shpesh, shumë shpesh, mendoj se çfarë mund të më sjellë liria….

Çdo të bëj i vetëm, përmes një turme të panjohur ?!

 

DITA

November 1, 2017 12:00