Lidhjet e vrasjeve në Durrës dhe Krujë dhe misteri i Enver Stafukës i rrëmbyer nga “policët”

January 8, 2016 09:31

Lidhjet e vrasjeve në Durrës dhe Krujë dhe misteri i Enver Stafukës i rrëmbyer nga “policët”

Një ditë më parë u zbulua vrasja e shtetasit Gazmend Çollaku, i cili u gjet i vrarë me plumb në kokë në një fshat të Krujës. Nga hetimet e Prokurorisë, rezulton se ky shtetas ishte shok i dy të vrarëve më 20 dhjetor të vitit të shkuar në Durrës, përkatësisht Ervin Kodra dhe Endri Çaushaj.

Policia tha se rezulton nga hetimet se të tre këta persona, tashmë të vrarë, kishin lidhje shoqërore me njëri-tjetrin.

Ndaj dyshohet se grupi kriminal që i ka ekzekutuar është i njëjti. Kurse motiv i krimit është kontrolli i territoreve dhe trafikut të drogës, sikurse larja e hesapeve për ngjarjet e vjetra. Banda rivale duket se ka ashpërsuar strategjinë e saj duke eliminuar këtë grup për t’i marrë kontrollin e trafikut. Ervin Kodra gjithashtu kishte disa precedentë penalë, si ai i bashkëpunimit në një vrasje në vitin 2008 ku doli i pafajshëm dhe dyshimet për aktivitet droge.

Edhe Enver Stafukën e rrëmbyen 4 “policë” në Fushë-Krujë, mister fati i tij

Ngjarja e fundit ka ngritur dyshime të forta se autorët e krimit janë të njëjtët që rrëmbyen në fillim të vitit të kaluar Enver Stafukën. Ngjarja ndodhi në mes të qytetit të Fushë-Krujës, ku 45-vjeçari po pinte kafe me një mikun e tij. Katër persona me maska dhe të veshur si policë e morën me forcë Stafukën, e futën në makinë dhe humbën gjurmët më pas.

Për fatin e tij nuk dihet ende asgjë. Teksa dyshimet e para ishin eliminimi i tij për shkak se ishte dëshmitar i vjedhjes së makinës në Durrës, me të cilën u krye atentati i 24 shkurtit 2013 e komisar Dritan Lamajt në Tiranë, ngjarje për të cilën është dënuar Arben Frroku me burg përjetë.

Stafuka u arrestua dhe gjykua, por për mungesë provash u la i lirë. Atij iu gjet telefoni i pronarit të mjetit, por nuk tregoi asgjë. Fakti se autorët vranë dhe hodhën Gazmend Çollakun në rrugën e Fushë-Krujës, forcon dyshimet për lidhje mes dy rrëmbimeve. /Dita/

January 8, 2016 09:31
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*